Petriç Dënon Drejtuesit Boshnjakë
Zyrtarët ndërkombëtarë po e humbasin durimin me drejtuesit inkompetentë të Bosnjes.
Petriç Dënon Drejtuesit Boshnjakë
Zyrtarët ndërkombëtarë po e humbasin durimin me drejtuesit inkompetentë të Bosnjes.
Ndërmjetësi i lartë ndërkombëtar për Bosnjen, Përfaqësuesi i Lartë Volfgang Petriç, është në prag të heqjes dorë nga drejtuesit vendas, të cilët po e çojnë vendin drejt një krize të rëndë politike dhe ekonomike.
I sapokthyer nga takimi i fundit i Këshillit për Zbatimin e Paqes në Bruksel javën e kaluar, Petriç ka thënë për gazetarët: "Komuniteti ndërkombëtar po humb përfundimisht durimin. Kjo që po ndodh në këtë vend është me të vërtetë patetike."
Ai ishte kaq i mërzitur saqë vendosi në mënyrë të njëanshme për një ligj që kishte shumë kohë që nuk miratohej për dokumentat e rinj të udhëtimit, të bllokuar prej muajsh nga përfaqësuesit serbë të Bosnjes në parlamentin shtetëror.
Shpërthimi i paparë i Petriçit, i cili ka habitur edhe vëzhguesit më të vjetër të politikës boshnjake, u shkaktua nga qëndrimi pengues i drejtuesve lokalë ndaj reformave politike.
Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithëshme të 11 nëntorit, partitë nacionaliste në pushtet të serbëve, kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjes, në shumë raste duke punuar në unison me njëri tjetrin, kanë penguar kryerjen e reformave vetëm se frikësohen se këto reforma do të dëmtojnë edhe më tepër reputacionin e tyre edhe ashtu të keq.
Nëse Republika Srpska dhe parlamentet e Federatës nuk miratojnë urgjentisht rregullimet e nevojshme në legjislacionin për pensionet dhe punësimin, Bosnja mund të humbasë disa qindra milionë dollarë ndihmë për rindërtim gjatë viteve të ardhshëm.
Pavarësisht nga paralajmërimet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, nacionalistë në Bosnje vazhdojnë të ndjekin politikën e interesave të tyre të ngushta.
Si rrjedhojë, qeveritë dhe paralmentet në të dy entitetet, si edhe në nivelin shtetëror, i ngjajnë kohët e fundit një cirku, ku aktori kryesor është kryeministri i qeverisë së përbashkët të Bosnjes, Spasoje Tusevljak.
Administrata ka pothuajse gjashtë muaj që gjendet e paralizuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Pa marrë parasysh protestat dhe kërkesat e organizatave ndërkombëtare, nacionalistët emëruan Tusevljak, një profesor i ekonomisë, për të drejtuar qeverinë.
Shqetësimet dhe frika kryesore e perëndimit u bënë realitet shumë shpejt, ndërsa budallallëku dhe inkompetenca e Tusevljakut doli dukshëm në pah. Leksionet e tij të gjata dhe të pakuptimta e kanë shndërruar atë në një objekt talljeje. Gazetarët shkojnë në konferencat e tij për shtyp vetëm për të bërë pak humor dhe për të qeshur.
Gafa të tjera të Tusevljakut janë edhe thirrja nga ana e tij e një mbledhjeje të qeverisë pa ditur se gjysma e kabinetit të tij ishin jashtë vendit në një udhëtim pune dhe qëndrimi për dy javë në Australi për të ndjekur Lojrat Olimpike.
Edhe parlamentet e entiteteve nuk janë më pak qesharake, ndërsa partitë nacionaliste ndërmarrin të gjitha llojet e lojrave të ndyra jodemokratike për të bllokuar miratimin e ligjeve, të cilat, sipas tyre, mund të dëmtojnë shanset e tyre për fitore në zgjedhje.
Nëse legjislacioni tepër i vonuar për punësimin dhe pensionet nuk miratohet brenda javës së ardhshme, Bosnia mund të humbasë qindra milionë dollarë ndihmë nga FMN dhe Banka Botërore.
Kjo gjë do të dëmtonte akoma më rëndë imazhin e vendit në sytë e komunitetit ndërkombëtar të donatorëve, i cili tashmë ka filluar të drejtojë përpjekjet dhe fondet e tij në zona të tjera të nxehta si Kosovë, Mal të Zi dhe Afrikë.
Nëse politikanët nuk bëhen seriozë, Bosnja - e cila tanimë ka një deficit buxhetor prej 340 milion marka gjermane - mund të përballet këtë dimër me një krizë serioze ekonomike, ndërsa qeveritë nuk do të jenë në gjendje të paguajnë pagat dhe pensionet.
Ndërkohë skandale të reja korrupsioni po trondisin republikën çdo ditë, por prokurorët, policia financiare dhe organizmat e tjerë ligjor duket se po bëjnë shumë pak për hetimin e tyre. Janë krijuar shumë komisione për hetimin e këtyre çështjeve, por deri më tani asnjë prej tyre nuk ka publikuar asnjë rezultat.
Sipas agjencive ndërkombëtare, Bosnja po humbet 500 milion marka gjermane në vit vetëm nga taksat e papaguara për kontrabandën e cigareve - një shumë e cila do të mjaftonte për të mbuluar deficitin buxhetor të vendit dhe për të përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për punëtorët dhe pensionistët.
Pas kthimit të tij nga Brukseli, Petriç ka akuzuar drejtuesit e "papërgjegjshëm" të vendit se po e detyrojnë perëndimin të rishikojë angazhimin e tij në Bosnje.
"Ne po i afrohemi fundit në shumë drejtime, komuniteti ndërkombëtar mund të vendosë të largohet nga ky vend," ka thënë ai. "Unë do të quaj përgjegjës për këtë fatkeqësi qeverinë dhe parlamentin."
Petriç u ka bërë thirrje qytetarëve të Bosnjes të përdorin zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për të larguar nga postet politikanët e tyre të pazotë, që nuk bashkëpunojnë dhe të korruptuar.
"Unë me të vërtetë shpresoj se këto zgjedhje do t'i japin fund kësaj sjelljeje politike joprofesionale," ka thënë ai.
Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.