Plani për Ndarjen e Maqedonisë Shkakton Zemërim

Një propozim për të ndarë Maqedoninë sipas linjave etnike ka shkaktuar një zemërim të madh.

Plani për Ndarjen e Maqedonisë Shkakton Zemërim

Një propozim për të ndarë Maqedoninë sipas linjave etnike ka shkaktuar një zemërim të madh.

Ndërsa trupat Maqedonase vazhdojnë të luftojnë me luftëtarët Shqiptarë në veri të vendit, një konflikt i ashpër politik ka shpërthyer në kryeqytet rreth një propozimi për ndarjen e Maqedonisë.


Propozimi i cili ka rënë si një bombë është bërë nga Georgi Efremov, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ASAM, i cili ka thënë se mënyra më e mirë për ti dhënë fund mosmarrëveshjeve ndërmjet komuniteteve Maqedonase dhe Shqiptare ishte të ndahej vendi në dy entitete.


Sipas këtij plani, Shqiptarët do të vendoseshin në rajonet perëndimore të Gostivarit, Tetovës, dhe Dibrës të cilat më pas do të bashkoheshin me Shqipërinë. Në shkëmbim, Shqipëria do ti jepte Maqedonisë qytetin e Pogradecit dhe zonën përreth pranë Liqenit të Prespës, ku jeton një pakicë e vogël Maqedonase.


Akademiku ka thënë se ky shkëmbim duhet të jetë krejtësisht paqësor dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve.


Efremov e ka përshkruar planin si një "dokument për shpëtimin e Maqedonisë". Ai ka thënë se pas luftimeve më të fundit në Tetovë dhe zona të tjera, Shqiptarët dhe Maqedonasit nuk mund të jetojnë më së bashku në paqe.


Ky propozim ka shkaktuar zemërimin e një pjese të madhe të opinionin politik. Partitë e pakicës Shqiptare janë bashkuar në kundërshtimin ndaj këtij plani, ndërsa partitë Maqedonase kanë pasur mendime të kundërta, duke rrezikuar kështu "koalicionin e madh" të krijuar disa javë më parë me ndërhyrjen ndërkombëtare për të qeverisur vendin në këtë periudhë krize.


Ndërmjet atyre pak drejtuesve politik të cilët nuk e kanë dënuar planin kanë qenë Kryeministri Ljubcko Georgievski, drejtuesi i partisë Maqedonase VMRO-DPMNE, dhe kryetari i parlamentit Stojan Andov, një anëtar i Partisë Liberale, e cila është një anëtare e vogël e koalicionit qeveritar.


Kundërshtimi më i madh ndaj këtij plani ka ardhur nga Branko Crvenkovski i cili drejton SDSM-në, Aleancën Demokratike Socialiste të Maqedonisë, partia tjetër më e madhe në Maqedoni. Ai e ka quajtur planin e ASAM-it "një nxitje për luftë civile dhe një vetvrasje për Maqedoninë". Crvenkovski është në favor të vazhdimit të bisedimeve të tanishme për tu dhënë Shqiptarëve etnik të drejta më të mëdha dhe njohjen e gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare.


Plani i ASAM ka sjellë afrimin e papritur të dy partive kryesore Shqiptare, PDSH, Partia Demokratike e Shqiptarëve dhe PPD, Partia për Prosperitet Demokratik, të cilat deri tani kanë qenë të përfshira në mosmarrëveshje të thella. Të dyja këto parti e kanë hedhur poshtë planin e ndarjes si "të papranueshëm dhe qesharak".


Presidenti i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, Ylli Popa, ka hedhur poshtë gjithashtu këtë propozim. "Problemet ndëretnike nuk mund të zgjidhen duke shkëmbyer territore dhe popullsi," ka thënë ai. "E vetmja zgjidhje për krizën në Maqedoni është që ajo të respektojë të drejtat e Shqiptarëve që jetojnë atje".


Përçarja dhe mosmarrëveshjet ndërmjet partive Maqedonase janë thelluar pasi e përditëshmja, Vecer, e cila është pranë VMRO-DPMNE, ka botuar një hartë të shkëmbimit të planifikuar. Kur Crvenkovski kërcënoi se do të largohej nga koalicioni, Georgievski ka thënë se ai nuk do të mërzitej shumë nëse aleanca shpërbëhej.


Pas mungesës së mbështetjes nga partitë Maqedonase dhe kundërshtimit të menjëhershëm nga partitë Shqiptare, kryetari i ASAM Efremov, është përpjekur të distancohet nga plani i tij, duke thënë se ai ishte keqinterpretuar.


Efremov ka thënë se ky plan ishte vetëm njëri ndër 25 mënyrat e mundëshme për zgjidhjen e krizës dhe se ai nuk ka qenë një propozim zyrtar i ASAM, por një pikpamje personale e disa prej anëtarëve të saj.


Ndarja e vendit është diskutuar disa herë qëkur Maqedonia ka shpallur pavarësinë një dekadë më parë.


Me shfaqjen e UCK-së në fillim të këtij viti, ka pasur zëra se synimi i saj kryesor ka qenë federalizimi i Maqedonisë. Por një muaj më pas, ajo ka mbështetur idenë e integritetit territorial të Maqedonisë.


UCK-ja ka kërkuar rritjen e statusit të Shqiptarëve në komb dhe parashikimin e këtij statusi në kushtetutën Maqedonase.


Gjatë dekadës së fundit, dy partitë më të mëdha Maqedonase kanë pasur mosmarrëveshje të thella rreth integritetit dhe sovranitetit të vendit. LSDM e ka akuzuar VMRO-DPMNE se po punon për ti dhënë një pjesë të Maqedonisë, Bullgarisë. Ndërsa VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në se ajo përpiqet të afrojë vendin me Serbinë dhe ta kthejë atë në federatën Jugosllave.


Propozimi i ndarjes, pavarësisht nëse është një politikë e ASAM apo një ide e disa anëtarëve të saj, mund të jetë një goditje e rëndë për vendin në një kohë kur të gjitha vendet Ballkanike janë orientuar drejt integrimit në Europë.


Nëse ky plan dëmton procesin politik, BE mund të vendosë të rishikojë vlefshmërinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Maqedoninë, të nënshkruar në Luksemburg më 9 Prill. Kjo mund të dëmtojë gjithashtu edhe mbështetjen që ka marrë deri më tani Maqedonia. Megjithatë, BE nuk ka parashikar asnjë nga këto masa deri më tani.


Fakti që Efremov është një njeri i afërt me VMRO-DPMNE dhe se plani i tij nuk është kundërshtuar menjëherë nga disa politikanë mund të përbëjë një shenjë se pas këtij propozimi qëndrojnë motive të tjera. Pavarësisht nëse ka qenë një testim i opinionit publik, një provokim i hapur apo një projekt serioz, plani natyrisht ka larguar vëmendjen nga luftimet që po zhvillohen në veri të vendit. Ai gjithashtu ka vonuar dialogun politik ndërmjet Shqiptarëve dhe Maqedonasve për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre të tanishme.


Veton Latifi është një analist politik dhe ndihmës redaktor i IWPR-së në Maqedoni.


Macedonia, Albania
Frontline Updates
Support local journalists