PO SHPËRTHEN NJË KONFLIKT I RI NË BALLKAN
Zyrtarët ndërkombëtarë dhe politikanët Ballkanik duket se po përpiqen të shmangin një konflikt tjetër rajonal
PO SHPËRTHEN NJË KONFLIKT I RI NË BALLKAN
Zyrtarët ndërkombëtarë dhe politikanët Ballkanik duket se po përpiqen të shmangin një konflikt tjetër rajonal
Takimi i katërt i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Europës jug-lindore javën e kaluar, është errësuar nga veprimet terroriste në Ballkanin e jugut.
Takimi prestigjioz dhe optimizmi i pjesëmarrësve ka qenë në kontrast të madh me realitetin e errët të incidenteve gjithnjë e më të shpeshta në këtë pjesë të rajonit.
Takimi ka arritur në përfundimin se terrorizmi duhet të eleminohet dhe bashkëpunimi ekonomik duhet të inkurajohet. Megjithatë, askush nuk e di nëse këto deklarata do të zbatohen ndonjëherë.
Ndërsa mbi 200 guzhinierë dhe kamerierë kanë shërbyer për pjesëmarrësit dhe rreth 650 gazetarë kanë njoftuar mbi çdo fjalë të drejtuesve të shteteve, një konflikt i ri në Ballkan ndërmjet ushtrisë Maqedonase dhe militantëve Shqiptarë po ziente vetëm dhjetë kilometra larg në fshatin Tanishevc, pranë kufirit me Kosovën.
Në një klimë tensioni të lartë, disa dhjetra traktorë përgatiteshin të evakuonin rreth 140 Shqiptarë vendas për në Kosovë.
Deklaratat pozitive në takimin e Shkupit, duket se nuk kanë pasur shumë efekt për të zbutur tensionet kur duket se gjëndja është pothuajse para luftës.
Konferenca u ka kujtuar Maqedonasve kohët e vjetra të sesioneve plenare pompoze të kohës së komunizmit, kur Maqedonia ishte pjesë e Jugosllavisë. Ato mbledhje zakonisht përfundin me deklarata që nuk zbatoheshin kurrë.
Gjatë takimit të javës së kaluar, ushtria Maqedonase ka qenë në gjendje gadishmërie në afërsi të fshatit Tanushevc, duke dërguar në rajon 600 forca komando pas përfundimit të konferencës.
Në të njëjtën kohë, në anën e kufirit në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, studentë Shqiptarë të shkollave të mesme janë rreshtuar në masë në rradhët e Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB, për të luftuar për bashkimin e tre bashkive me Kosovën.
Një javë përpara takimit, ekstremistë të dyshuar si Shqiptarë në Podujevë, Kosovë, kanë shpërthyer një minë nën një autobus të ngarkuar me gra dhe fëmijë Serbë, duke vrarë dhjetë dhe plagosur rëndë 40 të tjerë.
Trazirat në Kosovë dhe Serbinë jugore duket se po përhapen edhe në Maqedoni, duke lënë të kuptohet se nacionalistët Shqiptarë po përpiqen të realizojnë ëndrrën e tyre të vjetër për Shqipërinë e Madhe.
Në një zhvillim të lidhur me këtë, një marrëveshje Serbo-Maqedonase për ndryshimet në kufi, e përshëndetur në takimin e Shkupit si provë e bashkëpunimit rajonal, është hedhur poshtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe në provincë.
Shqiptarët e konsiderojnë çështjen e kufirit si një konfirmim të Kosovës si pjesë e Serbisë. Shkupi dhe Beogradi, duke qenë se kanë parashikuar trazira, do ti kërkojnë NATO-s ndihmë për të zbatuar marrëveshjen e tyre përgjatë 260 kilometrave kufi me Kosovën.
Por ajo që është e qartë është se durimi i Perëndimit me intransigjencën e Shqiptarëve dhe militarizimin e tyre ka filluar të mbarojë.
Komisioneri Europian për çështjet e Sigurisë dhe Politikës Kris Paten ka paralajmëruar se autonomia e gjerë premtuar Kosovës mund të rrezikohet nga sulmet "barba"e" dhe "burracake" ndaj autobusit në Podujevë.
Kryeministri Shqiptar Ilir Meta ka dënuar ashpër shkallëzimin e fundit të terrorizmit, dhe ka bërë thirrje që Shqiptarët në jug të Serbisë të arrijnë paqen me autoritetet e Beogradit.
Por pavarësisht dënimeve, delegatët në konferencën e Shkupit nuk arritën të merren me problemin kryesor - çështjen e pazgjidhur të statusit të ardhëshëm të Kosovës.
Megjithëse mesazhi i takimit ka qenë i qartë - fushata terroriste Shqiptare nuk do të arrijë ndryshimin e kufinjve - askush nuk e di se si mund t'i jepet fund dhunës.
Serbia i ka duart e lidhura. Ajo nuk dëshiron të përdorë taktikat e vjetra të Millosheviqit për të ndërhyrë ushtarakisht. Ndërkohë, forcat e armatosura të Maqedonisë, nuk kanë fuqinë e duhur për t'iu kundërvënë kryengritësve.
Të gjithë kanë drejtuar sytë nga NATO-ja, si garantuesi i vetëm i paqes në rajon. Megjithatë, edhe Aleanca nuk duket e përgatitur për të zgjidhur këtë problem. Cila është arësyeja? Sepse vendet anëtare të NATO-s e kuptojnë që për zgjidhjen e këtij problemi do të nevojitet përdorimi i forcës - diçka që asnjë nga ata nuk e dëshirojnë. Ka disa njerëz që parashikojnë një konflikt të ngjashëm me luftën në Vietnam dhe duan ta shmangin këtë mundësi me çdo kusht.
Presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica, i ngrysur dhe i shqetësuar gjatë gjithë takimit, natyrisht që e kupton mungesën e dëshirës së NATO-s për t'u përfshirë në këtë konflikt, por ka bërë thirrje që aleanca dhe BE të marrin masa për të ulur dhunën në Serbinë jugore.
Presidenti Maqedonas Boris Trajkovski ka kërkuar nga komandanti i KFOR-it në Maqedoni, Gjeneral Folker Leu, të kontrollojë kufirin e vendit me Kosovën për të parandaluar kalimin e militantëve Shqiptarë.
Thirrjet e tij janë mbështetur nga Kryeministri Grek Kostas Simitis i cili është natyrisht i shqetësuar për mundësinë e shtrirjes së dhunës në jug në drejtim të vendit të tij.
Konsideratat politike kanë errësuar ato ekonomike gjatë gjithë takimit. Por edhe tema ekonomike nuk ka ofruar asnjë shenjë optimiste.
Burokracia lokale dhe ndërkombëtare po pengon projektet e Paktit të Stabilitetit. Delegatët nuk mundën të diskutonin më tepër se zhvillimi i infrastrukturës si një parakusht për ndihmën ekonomike.
Por, në të vërtetë, ka shumë pak mundësi që lidhjet e biznesit në rajon të zhvillohen në një kohë kur gjendja është kaq e tensionuar.
Në atë që mendohet të jetë një incident sektar, një polic i ri Maqedonas është plagosur rëndë në një sulm me armë në qendër të Shkupit një ditë pas takimit - oficeri i katërmbëdhjetë që qëllohet gjatë dy vjetëve të fundit për shkaqe etnike.
Tensionet janë shtuar edhe më tepër të Hënën kur militantë Shqiptarë kanë sulmuar një postë kufitare të ushtrisë pranë fshatit Tanushevc, duke shkaktuar një fjalim tepër dramatik nga presidenti Maqedonas i cili ka siguruar qytetarët se forcat e armatosura të vendit do të bëjnë të pamundurën për të ruajtur integritetin territorial të vendit.
Duke parë gjendjen e vështirë politike në rajon, fjalimi i Koordinatorit të Paktit të Stabilitetit Bodo Hombah në përfundim të takimit të Shkupit u duk shumë i pabazë.
"Kjo është një ditë historike - një mundësi për një fillim historik të bashkëpunimit rajonal që do të fusë një frymë Europiane," tha ai.
Kryeministri Grek Simitis u duk edhe më pak bindës. Ai tha se deklaratat e takimit kanë treguar që vendet e Europës jug-lindore kanë dëshirën dhe mundësinë për të ndërtuar marrëdhënie të reja për të krijuar prosperitetin ekonomik dhe politik në rrugën drejt integrimit Europian.
Dragan Nikoliq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.