Politikanët Përgatiten Për Zgjedhjet Në Bosnje

Rivalët boshnjakë kanë filluar tashmë të shkëmbejnë sulmet e para në prag të fushatës elektorale.

Politikanët Përgatiten Për Zgjedhjet Në Bosnje

Rivalët boshnjakë kanë filluar tashmë të shkëmbejnë sulmet e para në prag të fushatës elektorale.

Friday, 18 February, 2000

Fushata për zgjedhjet e pesta të pasluftës në Bosnje ka filluar këtë javë në territoret e kontrolluara nga boshnjakët me një luftë fjalësh dhe dorëheqjen e nje prej politikanëve më të njohur të vendit.


Zgjedhjet, të planifikuara për tu mbajtur në prill, do të nxjerrin qeveritë lokale në të gjithë Bosnjen. Këto janë zgjedhjet e dyta lokale që prej përfundimit të luftës të viteve 1992-1995.


Në mitingun e saj të parë elektoral, Partia në pushtet nacionaliste e Aksionit Demokratik Boshnjak (Muslimane), (SDA) e ka paraqitur veten si partia e cila ka shpëtuar Bosnjen dhe i ka veshur vetes të gjitha meritat për përmirësimet e pas luftës.


"Ne mbrojtëm Bosnjen, fituam ndaj agresionit, siguruam paqen në Bosnje dhe krijuam Ushtrinë Boshnjake. Sot, ne jemi ushtarakisht më mirë të organizuar se gjithmonë," është shprehur me krenari presidenti i partisë Alija Izetbegoviq gjatë mitingut në Sarajevo.


"Ne jemi ata që nisëm erën e lirisë në këtë rajon. Ne mundëm totalitarizmin dhe futëm demokracinë," ka vazhduar Izetbegoviq i cili është anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjes.


Por në ndryshim nga zgjedhjet e mëparëshme, Izetbegoviq dhe SDA nuk kanë paraqitur ndonjë program politik apo ekonomik për periudhën në vazhdim. Kjo mungesë idesh duket se konfirmon dyshimet e përhapura se SDA - e tronditur nga skandalet e korrupsionit, hipokrizia dhe përçarjet e brendëshme - është në rënie.


Në gjysmën e parë të 1999, anketimet e opinionit publik të kryera nga Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë kanë treguar se SDA ruante një avantazh nga 26-41 përqind ndaj ish komunistëve Partisë Social Demokrate (SDP). Megjithatë, një sondazh i kryer në dhjetor 1999, i nxorri partitë pothuajse ne nivel të barabartë me rreth 32 përqind të votave.


Në vend që të ofrojë një vizion për një të ardhme më të mirë, Izetbegoviq duket se po planifikon një fushatë negative, duke sulmuar SDP-në.


"Pa SDA-në, nuk do të kishte as SDP," ka thënë Izetbegoviq. "Sot ata na kritikojnë për çdo gjë të vogël.... Ata kërkojnë të gjejnë gabime sado të vogla në punën tonë." Ai ka pranuar se disa udhëheqës të SDA-së mund të kenë bërë edhe gabime në të kaluarën, por ka deklaruar se këto janë përjashtime.


Presidenti i SDP-së, Zlatko Lagumxhija është përgjigjur në të njëjtën mënyrë. "SDA po humbet kontaktin me realitetin dhe po i ngjan HDZ-së në Kroaci disa muaj më parë," duke ju referuar kështu humbjes së madhe të ish partisë në pushtet në Kroaci në zgjedhjet e janarit.


Lagumxhija ka tërhequr vëmendjen mbi shumë nga dështimet e SDA-së gjatë qeverisjes së saj, gjendjen e vështirë ekonomike dhe politike, korrupsionin dhe krimin. Ai ka sulmuar gjithashtu retorikën anti-komuniste të Izetbegoviqit, duke theksuar se pjesa më e madhe e anëtarëve të SDA-së janë ish anëtarë të Partisë Komuniste Jugosllave.


Megjithatë, Lagumxhija nuk ka mundur ti përgjigjet akuzës së Izetbegoviqit se SDP-ja ka qenë në gjendje të përbëjë një sfidë të besueshme elektorale vetëm në pjesën e Bosnjes të dominuar nga boshnjakët, pavarësisht se e ka prezantuar veten si një parti shumë etnike.


Megjithëse SDP ka filluar te krijojë një rjet të partisë edhe në zonat veriore dhe veri-perëndimore të Bosnjes nën kontrollin serb apo kroat, partia praktikisht nuk ka fare prezencë në zonat e kontrolluara nga serbët dhe kroatët përkrahës së linjës së ashpër në lindje dhe jug.


Organizatat ndërkombëtare dhe diplomatët perëndimorë të cilët shohin tek Lagumxhija një politikan i cili ndoshta një ditë mund të drejtojë Bosnjen përtej linjave të ndarjes etnike janë dakort se ai akoma duhet të fitojë shumë përkrahje në rradhët e serbëve dhe kroatëve.


Ndërkohë, Haris Silajxhiq, bashkë kryeministri boshnjak i qeverisë së përbashkët të Bosnjes dhe udhëheqës i Partisë për Bosnje dhe Herzegovinën, mund të ketë fituar pak avantazh ndaj rivalëve të tij duke dhënë dorëheqjen nga qeveria.


Që prej largimit të Bosnjes nga federata Jugosllave, Silajxhiq ka qenë njëri ndër udhëheqësit politik më me influencë dhe më i diskutuar boshnjak. Një themelues i SDA-së, Silajxhiq ka qenë konsideruar në atë periudhë, si pasuesi më i natyrshëm i Izetbegoviqit. Megjithatë, tendencat e tij për të provokuar mosmarrëveshje e kanë larguar atë nga presidenti.


Popullariteti i Silajxhiq ka ardhur në ngritje në rradhët e votuesve boshnjakë pas tërheqjes së SDA-së nga koalicioni qeveritar në dhjetor dhe thirrjeve të tij në janar për rishikimin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit.


Pasi u largua nga qeveria, ai tha se do të përqëndrohej në ndërtimin e strukturave të partisë së tij dhe se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e përgjithëshme në rast se nuk i bëheshin përmirësimet e nevojëshme sistemit elektoral.


Sondazhet e kryera nga OSBE ne muajin dhjetor tregojnë se Silajxhiq është më përpara se Izetbegoviq dhe Lagumxhija. Për më tepër, meqënëse shqetësimet e Silajxhiqit duket se janë të përbashkëta me ato të votuesve të thjeshtë boshnjakë, shumë analistë mendojnë se qëndrimi i tij agresiv dhe pa kompromis do ta rrisë edhe me tej popullaritetin e tij në të ardhmen.


Janezh Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Sarajevo,


Frontline Updates
Support local journalists