Refugjatët Boshnjakë në kotësi
Refugjatët boshnjakë në Slloveni po ndjehen jo të mirëpritur por nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre.
Refugjatët Boshnjakë në kotësi
Refugjatët boshnjakë në Slloveni po ndjehen jo të mirëpritur por nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre.
Safija është një refugjate boshnjake 18 vjeçare nga Doboj. Megjithëse ajo ka mbërritur në Slloveni tetë vjet më parë, ajo akoma është në kërkim të një jete normale.
Safija është një nga mbi 3,000 refugjatët të cilët mbërritën në Slloveni në kohën e luftës në Bosnje. Ata fillimisht u pritën përgjithësisht mirë, por bujaria shumë shpejt filloi të zbehej.
Ligji për Strehimin e Përkohshëm, i aprovuar në prill 1997, i ka dënuar refugjatët të jetojnë në një kotësi të vërtetë, duke iu mohuar atyre në mënyrë definitive të drejtat e qytetarëve. Ligji u jep të drejtën atyre për strehim, shkollim, shërbim shëndetësor dhe asistencë humanitare, por harron disa të drejta të tjera të rëndësishme - veçanërisht të drejtën për punësim të plotë.
Megjithëse është një infermiere e kualifikuar, Safija, në bazë të këtij ligji, nuk mund të punojë në një punë për më tepër se tetë orë në javë. Në pamundësi për të gjetur një punë me orar të reduktuar, ajo kalon kohën duke u sjellë më kot rreth lagjes së saj, e mërzitur dhe e pashpresë.
Në një nivel më mondan, refugjatët, për shembull, nuk mund të marrin patentën e makinës sepse qëndrat kolektive ku ata jetojnë nuk njihen si adresa të përherëshme.
Refugjatët thonë se këto shtrëngime i kanë lënë ata praktikisht në një boshllëk ligjor dhe nuk kanë lejuar integrimin e tyre në shoqërinë sllovene. Shumë njerëz si Safija akoma vrasin mëndjen në se do të jenë ndonjë herë në gjendje të vendosen përfundimisht. Pranimi i tyre si banorë të përherëshëm duket po aq i largët sa edhe rikthimi i tyre i sigurtë në Bosnje.
Për shumë nga 3,200 refugjatët, të kthehen në shtëpitë e tyre në Bosnje akoma mbetet një ëndërr. Pothuajse 90 për qind e tyre vijnë nga Republika Srpska. Gjendja e sigurisë në rajon vazhdon të mbetet problematike dhe akoma vazhdon të ketë shumë probleme për ata që vendosin të rikthehen në shtëpitë e tyre, si për shembull gjetja e një pune dhe rimarrja e shtëpive.
Gjatë këtyre muajve të fundit ka pasur bisedime ndërmjet zyrës sllovene për imigracion dhe refugjatët dhe Komisariatit të Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) për të gjetur një zgjidje për gjendjen e pakënaqëshme të refugjatëve boshnjakë.
Oficerja ligjore e UNHCR-së në Lubjanë Anabel Roig tha se pas kaq viteve, ata po kërkojnë dhënien fund të statusit të përkohëshëm. Ajo tha se UNHCR ka marrë një përgjigje të përzier nga zyrtarët e qeverisë: disa janë në favor të përfundimit të statusit të përkohëshëm por disa të tjerë kanë insistuar se rikthimi i tyre do të ishte zgjidhja më e mirë për refugjatët. Një vendim përfundimtar pritet të merret përpara verës.
Megjithëse rikthimi mund të jetë i pranueshëm për disa, Roig thotë se akoma është shumë e vështirë, veçanërisht për boshnjakët (muslimanët e Bosnjes) që të kthehen në shtëpitë e tyre në Republika Srpska.
Refugjatët shpesh përballen me ngacmime dhe kërcënime kur ata rikthehen në shtëpitë e tyre. Rikthimi i shtëpive të mëparëshme dhe gjetja e një vendi punë bëhen veçanërisht të vështira nga autoritetet lokale të cilët janë shpesh armiqësor dhe nuk bashkëpunojnë aspak.
Në qershor 1999, për shembull, qeveria lokale në Banja Luka ndërhyri për të mos lejuar varrimin e myftiut të qytetit në vendin kur dikur ngrihej xhamija Ferhadija, tashmë e shkatërruar. Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka thënë se komuniteti islamik është diskriminuar në këtë rast.
Ndërsa kthimi në shtëpi duket një perspektivë e largët, nuk ka shumë shpresa që refugjatët të vendosen në Slloveni edhe në rast se problemi i statusit të tyre do të zgjidhet.
Mundësia për integrimin e refugjatëve boshnjakë në vendin që u jepet rezidenca e përherëshme pengohet vazhdimisht nga varësia e tyre totale ndaj shtetit. Organizatat jo qeveriatare si Slovenska Filantropija insistojnë se statusi i përkohëshëm i refugjatit po dëmton rëndë mundësitë për të mbajtur veten të Boshnjakëve.
Ndërkohë, refugjatët, po ndjehen jo të mirëpritur nga sllovenët, të cilët i konsiderojnë ata si një peshë në kurriz të shtetit. Gjatë luftës së Bosnjes, njerëzit kishin keqardhje për ata që largoheshin nga konflikti dhe persekutimi. Por tani po vihet re një armiqësi në rritje ndaj tyre. Tanimë, nuk është një gjë e jashtëzakonëshme të lexosh parrull si "Boshnjakë Shkoni në Shtëpi" të shkruajtura nëpër muret e ndërtesave në të gjithë Ljubljanën.
Andrea Akardi është gazetar në Lubjanë.