Retë e Furtunës Mblidhen Mbi Malin e Zi

Presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq po vë në lëvizje planet e tij për të parandaluar përpjekjet e Malit të Zi për pavarësi.

Retë e Furtunës Mblidhen Mbi Malin e Zi

Presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq po vë në lëvizje planet e tij për të parandaluar përpjekjet e Malit të Zi për pavarësi.

Tuesday, 6 September, 2005

Pasagjerët që udhëtonin në avionin e linjës nga Beogradi në qytetin turistik bregdetar të Tivat në Mal të Zi kanë qenë shumë optimistë nëse mendonin se do të mbërrinin në destinacion sipas orarit.


Në mes të udhëtimit, avioni ndërroi drejtim për në Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, pasi aeroporti i Tivat u mbyll pa pritur për herën e dytë apo të tretë brenda pak ditëve. Nuk u dha asnjë shpjegim: moti ishte shumë i mirë dhe nuk kishte pasur asnjë njoftim për ndonjë ç ështje sigurie.


Në fakt, avioni kishte rënë viktimë e mosmarrëveshjeve më të fundit ndërmjet Presidentit Jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe atij Malazez Milo Gjukanoviq. Autoritetet e Podgoricës thonë se aeroportet janë nën kontrollin e tyre ndërsa zyrtarët e aviacionit në Beograd kanë dëshirën të tregojnë se ata kontrollojnë ç do gjë.


Por grindjet e vogla mund të jenë shenjat e një pakënaqësie të madhe - shumë analistë mendojnë se Millosheviqi po përgatitet të nisë një konflikt të përgjakshëm me Malin e Zi në përpjekje për të parandaluar largimin e republikës së vogël nga Federata Jugosllave.


Nën presion nga komuniteti ndërkombëtar, autoritetet në Podgorica kanë shtyrë një vendim për të organizuar një referendum për problemin e pavarësisë. Nëse Mali i Zi largohet nga Federata dhe jugosllavia pushon së ekzistuari, statusi i Kosovës do të bëhet akoma edhe më i paqartë.


Në kafenetë e Podgoricës, atmosfera është çuditërisht e qetë. Njerëzit flasin me njëri tjetrin dhe thonë se një luftë me Serbinë do të ishte çmenduri - dhe me siguri që mendja e ftohtë do të mbizotërojë.


Por tashmë retë që paralajmërojnë furtunë po bëhen të dendura. Taktika e Millosheviqit po ndjek një model tashmë të njohur: sanksione ekonomike, propaganda në media, armatosja e fraksioneve kundërshtare dhe një show i fuqisë ushtarake.


Sanksionet ekonomike ndaj Malit të Zi janë vendosur pothuajse një muaj më parë. Kamionët e mallrave mbahen në pikën kufitare në Kolovrat pranë Prijepolje ku policia Serbe i mban ato nën vëzhgim të rreptë.


Në republikën e vogël malore tanimë ka filluar të ndihet mungesa e miellit. Mali i Zi tradicionalisht nuk ka prodhuar anjë herë ushqimet që konsumon, dhe ka qenë kryesisht i varur në importet nga Serbia.


Megjithatë, Presidenti Gjukanoviq po përpiqet shumë të tregojë se Mali i Zi mund të mbijetojë edhe pa grurin Serb. Furnizimet ushqimore po vijnë nga Sllovenia dhe Kroacia - por çmimet janë shpesh tepër të larta për një popullsi me një rrogë mesatare 150 marka Gjermane në muaj.


Si rezultat, Mali i Zi mbështetet shumë në ndihmat financiare nga Perëndimi. Vitin e kaluar, qeveria ka marrë 55 milion dollarë nga Shtetet e Bashkuara dhe ka kërkuar edhe 60 milion dollarë të tjerë për vitin në vazhdim. Me një popullsi prej pak më shumë se 600,000 banorë, Malazezët janë etiketuar si "mercenarë të NATO-s" nga Beogradi.


Ndërkohë, propaganda e luftës po shtohet. Mediat Serbe po përpiqen të pushtojnë valët e transmetimit në Mal të Zi, dhe programi televiziv Yu Info ka filluar për herë të parë transmetimin muajin e kaluar.


Ky stacion është zëdhënësi i së Majtës së Bashkuar Jugosllave, të drejtuar nga gruaja e Millosheviqit, Mirjana Markoviq. I transmetuar nga kullat ushtarake të transmetimit, qëllimi i tij i deklaruar është të "përhapë të vërtetën për Jugosllavinë" në Mal të Zi.


Fushata e mediave do ti lejojë Beogradit të krijojë një ndarje ndërmjet Malazezëve pro pavarësisë dhe atyre që ndjehen si Serbë dhe si pro Beogradit. Si thotë edhe një qytetar I Podgoricës, "Nuk ka familje në Mal të Zi që të mos jetë e ndarë në një farë mënyre."


Ndarjet janë veçanërisht shqetësuese në pjesën veriore të Malit të Zi, e cila banohet kryesisht nga pro-Serbë - duke krijuar kështu rrezikun e një lufte civile dhe ndarjes së territoreve.


Askush nuk pret që Millosheviqi të dërgojë trupat e ushtrisë Jugosllave nga Serbia në Malin e Zi për të luftuar. Por sipas modelit të provuar më parë dhe të përdorur në luftërat në Ballkan, ai mund të "inspirojë" lehtësisht militantë lokal pro Serb për të provokuar një konflikt të dhunshëm. Duke armatosur përkrahësit e mundshëm të Serbisë si ata të Partisë Socialiste Popullore të Momir Bullatoviqit nuk do të përbënte shumë problem: furnizime me armatim janë dërguar në Mal të Zi në prag të luftërave me Kroacinë dhe në Bosnje kur regjimi i Gjukanoviqit përkrahte politikën e luftës së Serbisë.


Ndryshimet në hierarkinë ushtarake në jugosllavi po shtojnë shqetësimet në Malin e Zi. Gjenerali Dragoljub Ojdaniq është emëruar ministër federal i mbrojtjes duke zëvendësuar kështu Malazezin Pavle Bulatoviq i cili u vra pak kohë më parë. Në të njëjtën kohë, Nebojsha Pavkoviq është emëruar Shef i Shtabit të Përgjithshëm.


Një analist ushtarak Malazez ka komentuar se, "Të dy ata nuk kanë asgjë për të humbur. Ata janë ideologët e luftës me NATO-n. Ojdaniq është akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës dhe nuk kanë asnjë lidhje emocionale me Malin e Zi. Ata do të bëjnë ç do gjë që do t'u kërkojë Millosheviqi. Dhe ky është edhe një hap tjetër në drejtim të luftës."


Konfliktet ndërmjet autoriteteve Malazeze dhe udhëheqjes ushtarake kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit. Në fund të muajit të kaluar, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Presidentit Gjukanoviq ka akuzuar gjeneralët Jugosllavë se kanë formuar një njësi paraushtarake në Mal të Zi - Batalionin e 7 të Policisë Ushtarake - me njerëz besnik të Millosheviqit.


"Pjestarët e batalionit janë rekrutuar nga rradhët e përkrahësve të partisë së Momir Bullatoviqit," ka thënë Sllobodan Milaciq, zëvendës kryetar i komitetit ekzekutiv të DPS-së.


Ai ka shtuar se, "njësia paraushtarake e gatëshme, është e përbërë nga nacionalistë Malazez të rekrutuar nga aktivisti i SNP-së Velimir Kalugjeroviq me urdhër nga Beogradi. Kjo është pjellë e Gjeneralit Aleksandër Vasiljeviq, shefi i shërbimeve sekrete të ushtrisë.


Shtabi i përgjithshëm Jugosllav ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se "të gjithë batalionet janë pjesë e ushtrisë së rregullt, dhe se nuk ekzistojnë njësi paraushtarake."


Megjithatë, e përjavëshmja Malazeze Monitor thotë se trupa nga Batalioni i 7 do të vendosen në veri të Malit të Zi si pjesë e planeve të Millosheviqit për të "përforcuar sigurinë" në republikën malore.


Gazeta thotë se kjo njësi është rritur nga 400 në 900 njerëz që prej fundit të vitit të kaluar, dhe parashikohet që deri në pranverë të ketë shkuar në 1,900 njerëz. Kazermat e ushtrisë në Moraca në qendër të Podgoricës po përgatiten qëllimisht për trupat e batalionit të 7, thotë Monitor.


Në rast të një konflikti ushtarak, Batalioni 7 - i cili është përgjegjës vetëm përpara Beogradit - do të jetë i pozicionuar mirë për të marrë në kontroll aeroportet dhe pikat kufitare.


Por Gjukanoviqi kontrollon një forcë ushtarake të fortë, të ashtuquajturën Polici Speciale, e cila mendohet të ketë rreth 15,000 njerëz. Të trajnuar në hotel Zlatica, garda pretoriane e Presidentit është shumë prezente nëpër rrugët e kryeqytetit, e pajisur me armë të rënda dhe me uniformë dhe pajisje luftimi.


Më 27 Shkurt, e përditëshmja Malazeze Pobjeda ka njoftuar se Armata e Dytë, e cila është e vendosur në Mal të Zi, ka vënë trupat e saj në gatishmëri luftarake - duke pozicionuar trupa me artileri të rëndë pranë qytetit të Tuzit, në kufi me Shqipërinë. Pobjeda deklaron se ky hap është ndërmarrë për të penguar vendimin e fundit të qeverisë Malazeze për hapjen e pikës kufitare me Shqipërinë.


Megjithatë, Ushtria Jugosllave, i ka përshkruar lëvizjet e trupave si "aktivitete normale" dhe ka hedhur poshtë njoftimet se njësitë e saj janë vendosur në gatishmëri.


E fokusuar në situatën delikate në Kosovë, NATO-ja ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh këtë dueli politik. "Ne po ndjekim me vëmendje situatën në Mal të Zi, ka thënë Gjenerali Ëesley Clark, duke theksuar se, "Presidenti Malazez Gjukanoviq kontrollon situatën në Mal të Zi."


Gordana Igriq është bashkëredaktore e IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists