'Rrugë pa krye' në Budapest
Politikanët e opozitës Serbe janë po aq në favor të linjës së ashpër sa edhe regjimi i Beogradit për sa i përket së ardhmes së Kosovës.
'Rrugë pa krye' në Budapest
Politikanët e opozitës Serbe janë po aq në favor të linjës së ashpër sa edhe regjimi i Beogradit për sa i përket së ardhmes së Kosovës.
Pozicionet pro pavarësisë të marra nga politikanët shqiptarë të Kosovës në një konferencë ndërkombëtare në Budapest javën e kaluar nuk ishin surpriza për askënd përveç delegatëve serbë të cilët shprehën habinë dhe zemërimin e tyre - sikur të ishin duke i dëgjuar këto deklarime për herë të parë.
Pjesa më e madhe e udhëheqjes politike shqiptare dhe një numër i vogël përfaqësuesish të opozitës serbe morrën pjesë në konferencën e organizuar nga Projekti me qendër në SHBA për marrëdhëniet Ndëretnike, i cili synon të promovojë dialogun shqiptaro-serb pas luftës së Kosovës.
Debati është fokusuar në çështjen e Kosovës dhe në statusin e së ardhmes së saj, e cila, në përfundim të konferencës dy ditore, ngriti më shumë dyshime rreth mundësisë së arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare për rajonin e trazuar në të ardhmen e afërt.
Përfaqësuesit shqiptarë kanë bërë thirrje për pavarësi, ndërsa delegatët serbë ishin po aq të vendosur që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë.
"Pas gjithë atyre që kanë ndodhur, masakrat, dëbimet e popullsisë dhe pas fitores së NATO-s, pavarësia e Kosovës duhet të pranohet," ka thënë Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe lideri i padiskutueshëm i shqiptarëve të Kosovës për një kohë të gjatë. "Kjo do të qetësonte të gjithë rajonin - Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, edhe Serbinë."
Lideri shqiptar i Kosovës, Hashim Thaçi, ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe kryetari i Partisë për Progres Demokratik të Kosovës, PPDK, ka dhënë një variant të tijin për temën e pavarësisë.
"Pozicioni i shqiptarëve për sa i përket statusit politik të Kosovës është shumë i qartë," ka thënë ai. "Populli i Kosovës është i vendosur të fitojë pavarësinë, por për të arritur këtë, ne duhet të punojmë akoma më shumë për të ndërtuar institucionet demokratike."
Meqënëse thirrja për pavarësi ishte "shenja dalluese" e lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës gjatë dhjetë vjeçarit të fundit, e gjithë kjo nuk përbënte ndonjë surprizë për vëzhguesit. Por për çudi, përfaqësuesit serbë shprehën habinë dhe zemërimin e tyre për pozicionin e marrë nga udhëheqja shqiptare - sikur ta kishin dëgjuar këtë thënie për herë të parë. Disa udhëheqës të opozitës serbe krahasuan udhëheqësit Rugova dhe Thaçi me nazistët.
Vlladan Batiq, kryetari i Partisë Kristian Demokrate të Serbisë, DHSS, dhe koordinator i Aleancës për Ndryshim, blloku kryesor opozitar për të cilin diplomatët perëndimorë shpresojnë se do të sjellë ndryshime duke rrëzuar regjimin e Millosheviqit, ka thënë në një konferencë për shtyp në Beograd se: "Historitë e tyre (Rugovës dhe Thaçit) për një Kosovë multi-etnike janë sikur të fliste Borman dhe Gëbelsi për një Dakau apo Aushvic multi-etnik.
Momçillo Trajkoviq, përfaqësuesi i komunitetit serb në Kosovë, ka hedhur poshtë në të njëjtën mënyrë kërkesën e shqiptarëve për pavarësi. "Pavarësia për Kosovën tani do të ishte një synim shumë radikal dhe ekstremist sepse banorët e tjerë të cilët jetojnë aty nuk e pranojnë këtë zgjidhje," ka thënë ai.
Nëse pozicioni i udhëheqësve shqiptarë të Kosovës nuk ka qenë ndonjë surprizë për diplomatët perëndimorë, ai i përfaqësuesve serbë ishte një surprizë e madhe.
"Nëse ai [Z. Batiq] e ka thënë me të vërtetë këtë, atëherë del se ai është edhe më shumë radikal se vetë Millosheviqi," citohet të ketë thënë një diplomat në Bruksel nga e përditëshmja shqiptare e Kosovës Koha Ditore. "Millosheviqi, të paktën mendonte se ia vlente të bisedohej me Rugovën."
Ndërsa udhëheqësit shqiptarë të Kosovës thonë se opozita serbe nuk ka shumë ndryshim nga Beogradi kur vjen fjala për çështjen e Kosovës, zyrtarët perëndimorë në Bruksel duan të besojnë se opozita serbe është me të vërtetë demokratike, duke e quajtur shpërthimin e Batiq si një çudi.
Mbetet për t'u parë nëse kjo "rrugë pa krye"e dialogut shqiptaro-serb do të ketë ndonjë impakt në të ardhmen e afërt. Por një gjë duket e sigurtë - edhe nëse opozita serbe e rrëzon Millosheviqin nuk ka asnjë garanci që e ardhmja politike e Kosovës do të mundet të zgjidhet më lehtë.
Agron Bajrami është zëvendës kryeredaktor i gazetës më të madhe të përditëshme të shqiptarëve të Kosovës, Koha Ditore.