Sanksionet e vetëvendosura nga Serbia
Kur sanksionet ndërkombëtare bllokojnë pjesën më të madhe të eksporteve, ato pak tregje të mbetura duhet të jenë me shumë vlerë. Kjonuk ndodh në Serbi.
Sanksionet e vetëvendosura nga Serbia
Kur sanksionet ndërkombëtare bllokojnë pjesën më të madhe të eksporteve, ato pak tregje të mbetura duhet të jenë me shumë vlerë. Kjonuk ndodh në Serbi.
Kur biznesmeni nga Valjevo Mihailo Todoroviq dërgoi një kamion këtë muaj të ngarkuar me prodhime brumi të ngrira për tek një klient i besuar në Maqedoni, ai mendonte se po bënte sado pak për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë serbe. Në fakt, kur policia trokiti në derën e tij, ai mësoi se ai kishte shkelur ligjin.
Në një përpjekje për të dëmtuar republikën fqinje të pabindur, Serbia ka ndaluar eksportimin e ushqimeve në Mal të Zi, si edhe në Maqedoni dhe Republika Srpska. Si rezultat, mallrat në tranzit po u kthehen prodhuesve.
Politika e re, e vendosur pas një urdhëri të datës 2 shkurt nga ministria e bujqësisë, ka ripërsëritur luftën tregtare të një dekade më parë me Slloveninë. Beogradi ka përdorur një embargo tregtare për të ushtruar presion ndaj Ljubljanës, por që ka rezultuar në largimin e republikës më të pasur të Jugosllavisë nga federata.
Shumë analistë parashikojnë se strategjia e tanishme do të jetë po aq joproduktive.
Mladan Dinkiq, anëtar i grupit G17 të ekonomistëve të pavarur, parashikon se ndalimi i eksporteve do t'i kushtojë ekonomisë serbe rreth 40 milion dollarë në muaj dhe thotë se vendimi "është kulmi i çmendurisë dhe injorancës ekonomike të vendimmarrësve."
Firma e Todoroviqit është vetëm një nga shumë të tjera të goditura nga ndalimi i eksporteve, gjë që ka shkaktuar bllokimin e pikave kufitare të Serbisë me kamionë të mbushur me mallra të cilat nuk mund të shiten më jashtë vendit.
Kompania Univerzal nga Beogradi kishte dërguar 600 ton grurë në Maqedoni. Por dërgesa është bllokuar në pikën kufitare të Tabanovcit dhe vonesa po i kushton eksportuesit 120,000 dinarë (2,250 dollarë) në ditë.
Pavarësisht nga lufta e vitit të kaluar, Serbia ka prodhuar më shumë prodhime bujqësore se sa i nevojiten për të ushqyer popullsinë e vendit dhe kështu që ka një sasi shtesë e cila mund të eksportohet. Përveç Maqedonisë, Republika Srpska dhe Malit të Zi, vendi ka mundësi minimale për të dalë në tregjet e tjera.
Qëllimi i ndalimit duket të jetë një përpjekje për të dëmtuar qeverinë anti-Beogradit të presidentit Milo Gjukanoviq në Mal të Zi duke e detyruar atë të blejë me çmime më të shtrenjta prodhime bujqësorenë tregun ndërkombëtar. Republika Srpska dhe Maqedonia janë përfshirë në embargo, në mënyrë që eksportet e ushqimeve serbe të mos kalojnë nëpërmjet tyre tek partneri i vogël i federatës.
Por në vend që të shkaktojnë trazira në Mal të Zi, këto hapa kanë shkaktuar kundërshtime në Serbi.
Kompanitë më të mëdha të prodhimit të mishit në Serbi, Neoplanta nga Novi Sad dhe Karneks nga Vrbas, kanë shprehur publikisht kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të eksporteve i cili po u kushton atyre shumë shtrenjtë. Vitin e kaluar, pavarësisht nga lufta, Karnex ka fituar një milion dollarë vetëm nga eksporti i pastës së mëlçive në Maqedoni.
Dhoma Jugosllave e Tregtisë ka kërkuar nga qeveria serbe të heqë të gjitha ndalesat për eksportimin e mallrave bujqësore drejt tregjeve të huaja. Presidenti i komitetit për tregtinë e jashtme të dhomës, Vasilije Iliq, është ankuar se "tregtarët po pësojnë humbje të mëdha nga embargoja, por nuk mund të bëjnë asgjë për të ndryshuar këtë situatë."
Ndalimi i eksporteve është kritikuar edhe nga Vojislav Simanoviq, një zyrtar i lartë i së Majtës së Bashkuar Jugosllave (JUL), partia politike e Mirjana Markoviq, gruaja e Sllobodan Millosheviqit. Në pozitat e drejtorit të ndërmarrjes më të madhe të përpunimit të ushqimeve në Serbi, PKB, ai ka bërë thirrje qeverisë serbe të ketë para sysh vetëm interesat ekonomike dhe të mos përziejë ato me ato politike.
Në përgjigje, qeveria serbe ka përcaktuar 10 milion dollarë për të mbuluar humbjet e prodhuesve të cilët janë detyruar të ndalojnë tregtinë me Malin e Zi.
Shumë vëzhgues mendojnë se problemi i eksporteve dhe importeve duhet të jetë në përgjegjësinë e qeverisë federale jugosllave, e cila përfshin edhe përfaqësues të Malit të Zi, dhe jo të asaj të Serbisë. Për më tepër, ndalimi i eksporteve ushqimore në Maqedoni bie në kundërshtim me një marrëveshje për tregtinë e lirë ndërmjet Jugosllavisë së mbetur dhe Maqedonisë e cila ndalon embargot tregtare unilaterale.
Vitin e kaluar Jugosllavia ka qenë partneri i dytë më i madh tregtar pas Gjermanisë, me rreth 350 milion dollarë mallra të shkëmbyera. Megjithëse dërgesat e mallrave nga Maqedonia për në Jugosllavi, me synim Malin e Zi, ka disa javë që kanë ndaluar, të dërguarit serbë kanë siguruar kolegët maqedonas në bisedimet tregtare të mbajtura në Shkup në fillim të muajit mars se nuk është planifikuar asnjë embargo dhe se keqkuptimet do të zgjidhen së shpejti.
Gazetat malazeze kanë botuar një kopje të urdhrit të ndalimit të eksporteve të firmosur më datën 2 shkurt nga ministri i bujqësisë Jovan Baboviq i cili e ka quajtur këtë dokument të pavërtetë.
Si një figurë e parëndësishme në qeverinë serbe, Baboviq ka mundësi që të mos jetë njeriu kryesor pas këtij urdhri. Por ai mund të shërbejë si kokë turku nëse kjo politikë nuk jep rezultate.
Ndërkohë lufta tregtare ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës vazhdon të përshkallëzohet ndërsa kamionët malazez të ngarkuar me mallra nga Serbia po kthehen prapa në pikat kufitare. Edhe një kamion me medikamente të cilat mungojnë në Serbi është kthyer prapa për në Podgorica.
Ushtria Jugosllave ka filluar të bllokojë edhe eksportet malazeze për në vendet e treta.
Në pikën kufitare të Bozhajt në kufirin malazezo-shqiptar, trupat ushtarake ditët e fundit kanë kthyer prapa një kamion të ngarkuar me letër nga Bijeo Polje e destinuar për në tregun shqiptar. Një ushtar i ka thënë shoferit se ai duhet të kishte një leje nga Korpusi i Ushtrisë Jugosllave në Podgorica për të eksportuar për në Shqipëri.
Milenko Vasoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Beogradi.