Serbët e Kosovës Injorojnë Thirrjen për Pjesëmarrje në Zgjedhje
Shqiptarët e Kosovës po u bëjnë thirrje serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, por thirrjet e tyre duket se do të injorohen.
Serbët e Kosovës Injorojnë Thirrjen për Pjesëmarrje në Zgjedhje
Shqiptarët e Kosovës po u bëjnë thirrje serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, por thirrjet e tyre duket se do të injorohen.
Dy herë në javë serbët nga bashkia e Gjilanit takohen në oborrin e një kishe ortodokse, ku presin trupat e KFOR-it që i shoqërojnë për në Prishtinë.
Ndërsa presin, ata bëjnë pazar në një dyqan ushqimor të një shqiptari aty pranë. Ata flasin me pronarin për jetën e tyre, shumë shprehin shpresën se një ditë të dy komunitetet do të jenë në gjendje të jetojnë së bashku.
"Ne jemi fqinj dhe nuk duhet të ketë probleme ndërmjet nesh," thotë Svetllanka, një pensioniste serbe.
Por kur serbët pyeten nëse do të votojnë në zgjedhjet e ardhëshme vendore, qëndrimi i tyre ndryshon krejtësisht. "U takon drejtuesve tanë të vendosin për këtë gjë," përgjigjet Svetlana. Të tjerët janë më kategorikë, duke insistuar se ata nuk kanë punë fare me zgjedhjet.
Bashkia e Gjilanit është një ndër disa dhjetra enklava të vogla serbe në Kosovë. Të varfër dhe të rrezikuar ndaj sulmeve hakmarrëse të shqiptarëve, dhjetra mijëra banorë të këtyre getove të mbrojtura nga KFOR janë larguar për në Serbi që prej tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Kosova vitin e kaluar.
Rreth 100,000 serbët që kanë mbetur në provincë i konsiderojnë zgjedhjet vendore si hapi i fundit i shqiptarëve drejt pavarësisë - diçka që ata refuzojnë ta pranojnë.
Pjesa më e madhe e tyre thonë se kanë votuar për Sllobodan Millosheviqin në zgjedhjet e fudnit presidenciale duke shpresuar se ai do të rikthente ushtrinë në Kosovë. Ata mund të kishin votuar edhe për pasuesin e tij, Vojisllav Koshtunica, sepse këtë javë një figurë kryesore e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, ka premtuar të bëjë të njëjtën gjë.
"Duke filluar që tani deri në fund të vitit ne do të kthejmë 1,200 policë serbë dhe ushtarë jugosllavë në kufirin me Shqipërinë," ka thënë zyrtari i DOS, Zoran Gjingjiq.
Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë ka fajësuar regjimin e Millosheviqit për bojkotimin nga serbët e Kosovës të regjistrimit të votuesve për zgjedhjet vendore. Drejtuesi i OSBE-së në Kosovë, Daan Everts, ka thënë se autoritetet e Beogradit kishin përdorur kërcënimin afatgjatë për ata serbë që donin të regjistroheshin.
Drejtuesi civil i Misionit të OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, së fundi ka thënë se rreth 1,000 serbë janë përpjekur të regjistrohen, por shumë prej tyre janë kërcënuar nga serbë të tjerë që marrin urdhëra nga Beogradi.
Edhe Koshtunica nuk duket të jetë më pak armiqësor ndaj idesë së drejtimit të punëve nga vetë kosovarët në Kosovë dhe ai duket se nuk do t'i inkurajojë serbët lokalë të marrin pjesë në votime.
Me përjashtim të disa ekstremistëve, pjesa më e madhe e shqiptarëve të thjeshtë do ta mirëprisnin pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje duke menduar se kjo do të ulte tensionet ndërmjet dy komuniteteve.
"Ata po kalojnë një periudhë shumë të vështirë," thotë Tasimi, një plak shqiptar. "Por nëse votojnë, ata do të ndihmojnë që Kosova të shkojë përpara dhe si rezultat do të përmirësohen edhe kushtet e tyre të jetesës."
Shumë shqiptarë e kanë këtë mendim. Ekziston një ndjenjë që një mjedis i ri është krijuar në Kosovën e pasluftës, ku të gjithë banorët e provincës - pa dallim shqiptarë, serbë, apo të ndonjë kombësie tjetër - duhet ta konsiderojnë veten si qytetarë të Kosovës.
Disa drejtues lokalë shqiptarë mendojnë se demokratizimi i provincës varet shumë nga pjesëmarrja e serbëve në votime. "Ne mendojmë se pakica serbe duhet të përfshihet në zhvillimin e pasluftës në Kosovë," thotë Ismail Kurteshi, drejtuesi lokal i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK. "Ata duhet të përfshihen në zgjedhjet komunale, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të rivendosur jetën normale dhe për të ndihmuar në lulëzimin e demokracisë."
Megjithatë problemi me fushatën elektorale deri më tani është se ajo tregon se këto zgjedhje praktikisht do të jenë një referendum për pavarësinë - një fakt që i mban larg këtyre zgjedhjeve serbët. Politikanët kanë folur pothuajse vetëm për këtë gjë, ndërsa problemet dhe çështjet e shumta lokale për të cilat mund të kenë interes edhe serbët, si, për shembull, gjendja e keqe e shkollave, spitalet e pajisura keq dhe mbyllja e bizneseve, nuk janë përmendur pothuajse fare.
Ridvan Berisha është një gazetar shqiptar nga Kosova.