Serbët Reagojnë ndaj Historive për Krimet e Kryera
Serbët nuk janë të gatshëm të pranojnë krimet e luftës të kryera nga rregjimi i kaluar
Serbët Reagojnë ndaj Historive për Krimet e Kryera
Serbët nuk janë të gatshëm të pranojnë krimet e luftës të kryera nga rregjimi i kaluar
Qeveria e re në Serbi ka filluar të bëjë disa përpjekje të ngadalta për të çuar kriminelët e luftës para drejtësisë por duket se ka vështirësi në krijimin e mbështetjes popullore të nevojëshme. Pa një mbështetje të opinionit publik, qeveria do të ketë të vështirë të arrijë një bashkëpunim real me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.
Ministrat janë të vetëdijshëm se veprimet në lidhje me krimet e luftës do të jenë shumë të rëndësishme nëse vendi do të dojë të përfitojë ndihmë financiare dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Por së pari ata duhet të bindin popullin, i cili pas 10 vjet propagandë nën rregjimin e kaluar të Sllobodan Millosheviqit, e kanë të vështirë të pranojnë se Serbët kanë kryer krime lufte.
Serbët mendojnë se ata kanë qenë viktima të krimeve të kryera nga fqinjët e tyre. Për Serbët është një e papritur jo e këndëshme të mësojnë se edhe ata vetë kanë kryer krime, si masakra e Srebrenicës. Shumë Serbë ende vazhdojnë të mos e pranojnë një gjë të tillë. Një program televiziv rreth masakrës në Srebrenica ka shkaktuar shumë kritika dhe është konsideruar si një fabrikim i medias së huaj armiqësore. Shikuesit janë ankuar se në këtë mënyrë po dëmtohej krenaria kombëtare.
Autoritetet e reja po veprojnë me kujdes në këtë drejtim. Pas arrestimit të Millosheviqit, ai është akuzuar për korrupsion dhe shfrytëzim të postit, por jo për krime lufte. Kjo gjë mund të ndryshojë së shpejti. Tani po përgatitet një ligj i cili do të lehtësonte bashkëpunimin me gjykatën e Hagës dhe do të lejonte ekstradimin e kriminelëve të luftës. Ky ligj duhet të dërgohet në parlamentin Jugosllav për miratim në fund të muajit Maj.
Më 24 Prill, koloneli Svetozar Radishiq, zëdhënës i ushtrisë Jugosllave, ka thënë se deri më tani janë ngritur akuza ndaj 183 ushtarëve për veprime kriminale të kryera nga 1 Marsi 1998 deri në 26 Qershor 1999 në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, 143 Shqiptarë të arrestuar në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, janë liruar nga disa burgje në Serbi. Media ka njoftuar se Gjykata e Lartë ka vendosur edhe për lirimin e 1,753 Shqiptarëve të tjerë.
Në mesin e muajit Mars, zëvendës kryeministri Serb, Nebojsha Coviq, ka akuzuar publikisht policinë se ka kryer krime masive në Kosovë. Ai ka thënë se disa njësi të ushtrisë dhe policisë Serbe kanë përfituar nga lufta për të zhvilluar biznese fitimprurëse me "terroristët armiq Shqiptarë". Ky lloj informacioni duket se po u hap sytë Serbëve.
Edhe bota e artit po luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Një regjisor teatri i ri nga Beogradi, Bojan Gjorgjeviq, ka zgjedhur një dramë të shkrimtarit Kroat Slobodan Snajder si projektin e tij të diplomës në Akademinë e Arteve në Novi Sad. Drama është historia e një gruaje Muslimane e cila është përdhunuar nga Serbët. Shfaqje me tema të tilla nuk janë vënë kurrë më parë në skenë në Jugosllavi.
Muajin e kaluar, pikërisht tetë vjet pas fillimit të luftës në Bosnje, stacioni televiziv ANEM në Beograd - sinjali i të cilit mbulon pjesën më të madhe të Beogradit, dhe ritransmetohet në disa nga qytetet më të mëdha të Serbisë - ka filluar të transmetojë një seri dokumentaresh me titullin "Rrethimi i Sarajevës" të realizuar nga gazetarja e njohur Boshnjake Suada Kapiq.
I njëjti stacion ka shkaktuar edhe habinë më të madhe, kur ka transmetuar një dokumentar të prodhuar nga BBC "Thirrja nga Varri" mbi masakrën e Srebrenicës. Serbët për herë të parë kanë mësuar se si forcat Serbe të Bosnjes kanë vrarë mbi 7,000 njerëz në këtë qytet në Korrik të vitit 1995. Dokumentari dy orësh ka treguar pamje të shefit të shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë së Republika Srpska, Gjeneralit Ratko Mlladiq, i akuzuar nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë, duke dhënë urdhëra. Në këtë dokumentar jepeshin edhe pamje të dëshmive të të mbijetuarve.
Programi ka shkaktuar një valë ankesash. Shikues të zemëruar kanë telefonuar në zyrat e televizionit dhe kanë thënë se ky dokumentar nuk duhet të ishte transmetuar. Një sekretare në TV ANEM thotë: "Ne kemi pasur qindra telefonata - kjo ka qenë kritika më e madhe që prej fillimit të punës së stacionit tonë dy vjet më parë".
Sekretarja thotë se shikuesit kishin pyetur se sa para kishte marrë stacioni për të transmetuar "këto lloj gënjeshtrash" dhe kanë thënë se kjo ishte edhe një provë tjetër se e gjithë bota është kundër Serbëve.
Një shikues, Miodrag Ivanoviq, nga Beogradi, thotë se ndoshta ka ndonjë të vërtetë në historinë e Srebrenicës, por ka pyetur se përse askush në Perëndim nuk flet për viktimat Serbe.
Miodrag thotë se ai nuk është i interesuar për luftën dhe se ka jetuar i fshehur për shtatë vjet duke u përpjekur ti shpëtojë shërbimit ushtarak. Ai ka qenë i interesuar vetëm që rregjimi i mëparshëm të rrëzohej - dhe kështu të kishte mundësi të udhëtonte jashtë shtetit. Por pavarësisht faktit që ai nuk e ka mbështetur kurrë luftën, ai nuk mund të besonte krejtësisht një dokumentar rreth Srebrenicës të bërë nga një ekip i një televizioni të huaj.
Një psikolog i njohur në Beograd, Zarko Trebjesanin, ka thënë se dokumentari ishte i dhimbshëm për popullin Serb, dhe se kundërshtimi i tyre për t'u përballur me të vërtetën e papëlqyeshme është njerëzor. Ai ka thënë se qëndrimi më i mirë do të ishte që media Serbe të fillojë gradualisht të tregojë realitetin e luftës në mqnyrë që Serbët të "pastrojnë shpirtërat e tyre".
Marina Grihoviq është një gazetare e së përditëshmes Blic të Beogradit.