SERBI: FITORJA E TADIQ ASPAK E SIGURTË
Kandidati i moderuar duhet të sigurojë mbështetjen e atyre të cilët nuk kanë votuar në turin e parë nëse dëshiron të fitojë.
SERBI: FITORJA E TADIQ ASPAK E SIGURTË
Kandidati i moderuar duhet të sigurojë mbështetjen e atyre të cilët nuk kanë votuar në turin e parë nëse dëshiron të fitojë.
Ndërsa Boris Tadiq ka filluar të përshëndetet si presidenti i ardhëshëm i Serbisë në pjesën më të madhe të mediave, ai ka përpara një betejë të vështirë dhe të paqartë ndaj rivalit të tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, nacionalistin e linjës së ashpër Tomislav Nikoliq.
Tadiq, me drejtim më pro perëndimor, kryetar i Partisë Demokratike, DS, dhe Nikoliq, zëvendës kryetar i Partisë Radikale Serbe, SRS, kanë qenë fituesit e turit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe do të ndeshen edhe një herë më 27 qershor.
Në turin e parë, Tadiq ka fituar 27.6 përqind të votave, shumë më tepër se sa mendohej, ndaj 30.44 përqind të votave të siguruara nga Nikoliq.
Por analistët thonë se fitorja e Tadiq do të varet shumë nga aftësia e tij për të mobilizuar forcat demokratike të cilat janë thellësisht të përcara në Serbi.
Analistët thonë se nëse Tadiq arrin të sigurojë mbështetjen e bllokut demokratik, Serbia do të vazhdojë në rrugën e reformave, ndërsa në rast të një fitoreje të Nikoliq, megjithëse nuk mendohet se mund të rivendosen sanksione, duket se Evropa do të largojë vëmendjen nga Serbia.
Kjo ka bërë që disa përfaqësues ndërkombëtarë të deklarojnë se në zgjedhjet presidenciale gjendet edhe kyci i së ardhmes së marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Evropës, duke i bërë ato ngjarjen më të rëndësishme politike në vend që prej rrëzimit të Sllobodan Millosheviq në vitin 2000.
Më 14 qershor, një ditë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur haptazi mbështetjen për Tadiq dhe ka ushtruar presion mbi kryeministrin serb Vojislav Koshtunica që edhe ai të bëjë të njëjtën gjë.
Kandidati presidencial i partisë së Koshtunicës, Dragan Marsicanin, ka arritur një rezulat shumë të dobët në zgjedhje. Ai ka siguruar vetëm 13.29 përqind të votave, duke vendosur kështu edhe një pikpyetje mbi mbijetesën e koalicionit qeveritar.
Një burim pranë qeverisë ka thënë për IWPR se Koshtunica kishte folur me ambasadorin francez në Beograd – kryeministri e konsideron Francën si vendin më aleat të tij – i cili e ka paralajmëruar se ai do të humbasë mbështetjen e Bashkimit Evropian nëse nuk mbështet Tadiq në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Thuhet gjithashtu se zyrtarë të lartë amerikanë i kanë telefonuar Koshtunicës duke i thënë se ai do të mbante përgjegjësi në rast të një fitoreje të radikalëve nëse nuk e mbështet haptazi kandidaturën e Tadiq në raundin e dytë.
Më 14 qershor, BE është shprehur me një zë duke nxitur forcat demokratike në vend të bashkohen pas Tadiq.
Zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Christina Galyak ka thënë se Brukseli u ka kërkuar “të gjithë drejtuesve të forcave demokratike të bashkojnë forcat, të mbështesin Tadiq dhe të sigurojnë kështu një të ardhme evropiane për vendin e tyre”.
Megjithatë, duke shtuar më tepër konfuzionin, burime të qeverisë kanë thënë se një natë pas raundit të parë të votimeve Nikoliq i ka telefonuar Koshtunicës, duke i ofruar një aleancë me radikalët.
Fitorja e mundëshme e kandidatit të moderuar në raundin e dytë do të varet shumë nga mënyra se si do të votojnë ata të cilët kanë votuar për kandidatët humbës – mbi të gjitha Marsicanin dhe bosin e mediave serbe, Bogoljub Kariq, i cili ka siguruar 18 përqind.
Në raundin e parë, Tadiq ka marrë vetëm 80,000 vota më pak se sa 930,000 votat e Nikoliq.
Por Tadiq nuk mund të mbështetet automatikisht në mbështetjen e të gjithë votuesve pro qeverisë, apo të atyre të Kariq, pavarësisht një njoftimi të datës 16 qershor se Koshtunica më në fund ka vendosur të mbështesë kandidatin e DS.
Analistët kanë theksuar natyrën e paqëndrueshme të elektoratit, ku shumë votues injorojnë vendimet e partisë së cilës mbështesin.
Shifrat e votimit kanë treguar se Marsicanin nuk ka arritur të sigurojë votat e mbështetësve të qeverisë. Partitë e koalicionit qeveritar kanë fituar më tepër se 1.5 milion vota në zgjedhjet e mëparëshme parlamentare.
Për më tepër, Marsicanin nuk ka arritur të sigurojë as mbështetjen e votuesve të Partisë së tij Demokratike të Serbisë, DSS, e cila ka siguruar mbi 700,000 vota në zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të dhjetorit të kaluar.
Një tjetër problem i madh për Tadiq është lufta e ashpër politike e cila vazhdon ndërmjet DSS së Koshtunicës dhe DS së Tadiq. Shumë vëzhgues parashikojnë që mbështetësit e DSS nuk do të ndryshojnë lehtësisht duke mbështetur një kandidat të DS.
Analistja politike Ljiljana Baceviq ka parashikuar se Tadiq mund të mbështetet vetëm në një numër të vogël “të votuesve të Marsicanin”.
Megjithëse pjesa më e madhe e analistëve (tradicionalisht më të afërt me partitë pro perëndimore) thonë se Tadiq do të fitojë raundin e dytë, në shtabin zgjedhor të Tadiq nuk vihet re ndonjë ndjenjë euforie.
Burime të afërta me Tadiq kanë thënë për IWPR se ai mund të fitojë zgjedhjet vetëm nëse kombinohen tre faktorë.
Njëri është fitimi i përkrahjes aktive të Koshtunicës dhe Kariq. I dyti është sigurimi i votave të atyre votuesve të cilët nuk kanë marrë pjesë në raundin e parë duke shtuar kështu pjesëmarrjen në votime. I treti është krijimi i një fronti të përbashkët të grupimeve të ndryshme sociale kundër kandidatit ultranacionalist.
Megjithëse Kariq ka thënë në prag të votimit se ai do të mbështesë Tadiq në raundin e dytë, këto ditët e fundit ai është dukur më pak i vendosur. I inkurajuar nga suksesi i tij, Kariq tani kërkon që Tadiq të premtojë se do të përmbushë një sërë premtimesh elektorale përpara se ai të mund të japë mbështetjen për të.
Zyrtarë nga shtabi i fushatës së Tadiq kanë thënë për IWPR se kandidati i DS ka pasur bisedime me Kariq më 14 qershor, të cilat kanë qenë të pafrutëshme.
Sipas analistit Slobodan Antoniq në Beograd, edhe nëse Kariq deklaron mbështetjen e tij për Tadiq, pasuesit e tij, në pjesën më të madhe banorë të zonave rurale me një arsim të ulët dhe serbë të Kosovës, nuk mund të mbështesin aq lehtë kandidatin e DS i cili është më tepër i pëlqyer nga klasa e mesme, dhe votuesit në qytetete.
Ky fakt e bën edhe më të rëndësishme nevojën për të mobilizuar atë pjesë të elektoratit i cili nuk ka marrë pjesë në votim në raundin e parë.
Shumë prej këtyre janë mbështetës të partisë G17 Plus. Anketimet tregojnë se shumë nga votuesit e kësaj partie nuk kanë marrë pjesë në votim duke mos dashur të votojnë për konservatorin Marsicanin, pavarësisht mbështetjes zyrtare nga ana e drejtuesve të G17 Plus për të.
Këta votues e shohin veten më pranë Tadiq për sa i përket programeve politike, dhe për këtë arësye nuk kanë marrë pjesë fare në raundin e parë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me votues të Lëvizjes për Rimëkëmbje Serbe, SPO, pjestare e koalicionit qeveritar dhe Serbia e Re, NS. Shumë prej votuesve të këtyre partive ose nuk kanë marrë pjesë në votim ose kanë votuar për Kariq dhe jo për Marsicanin.
Mbështetësit e këtyre tre partive – rreth 600,000 në total – mund të bëhen mbështetës tepër të vyer të Tadiq, megjithëse edhe Nikoliq ka shanse të tërheqë vota nga ky grup votuesish.
Në këtë mënyrë, karta fituese e Tadiq mund të jetë aftësia e tij për të mobilizuar një front të gjerë kundër kandidatit ultranacionalist, duke shfrytëzuar taktikën fitimtare të presidentit francez Zhak Shirak në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë ndaj kandidatit të Frontit Kombëtar.
Për të arritur këtë, Tadiq do të ketë nevojë për mbështetjen e fuqishme por të kujdesëshme të komunitetit ndërkombëtar e cila mesa duket nuk do ti mungojë.
Por ai gjithashtu do të ketë nevojë për krijimin e një fryme konsensusi në shkallë vendi kundër nacionalizmit ekstrem.
Zeljko Cvijanoviq është redaktor i së përjavëshmes Evropa në Beograd.