Shpjegohet Vendimi për Avokatët e Millosheviqit
Gjykatësit thonë se ndërhyrja më e fundit ka pasur për qëllim ti sigurojë të pandehurit një proces gjyqësor të ndershëm dhe të paanshëm.
Shpjegohet Vendimi për Avokatët e Millosheviqit
Gjykatësit thonë se ndërhyrja më e fundit ka pasur për qëllim ti sigurojë të pandehurit një proces gjyqësor të ndershëm dhe të paanshëm.
Tre javë pasi gjykatësit në Hagë kanë caktuar avokatë mbrojtës për Sllobodan Millosheviq, ata kanë dhënë edhe një shpjegim të plotë me shkrim për arësyet e këtij vendimi, i cili mund të konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit e kësaj gjykate.
Dokumenti me 23 faqe i bërë publik këtë javë argumenton se vendimi për të caktuar një avokat për Millosheviqin e sëmurë ka qenë e vetmja mënyrë për të siguruar që ish presidenti jugosllav do të ketë një proces gjyqësor të ndershëm.
Kjo pikpamje do të shkaktojë edhe më tepër ndarje në qarqet e ekspertëve ligjor dhe të publikut në përgjithësi në lidhje me vendimin më të fundit të gjykatës.
Më parë këtë muaj, gjykatësit kanë urdhëruar që pas dy vjet e gjysëm gjatë të cilëve Millosheviq është mbrojtur vetë, nuk mund të vazhdonte mbrojtjen e tij për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ata kanë caktuar ish “mikun e gjykatës” Steven Kay si avokat të tij dhe i kanë dhënë të pandehurit të drejtën për të pyetur dëshmitarët vetëm pasi Kay të ketë përfunduar pyetjet e tij për ta.
Millosheviq i është përgjigjur vendimit të gjykatësve duke akuzuar gjykatën se po përpiqet ti mbyllë gojën. Ai nuk ka pranuar ofertën e gjykatës për të caktuar avokatin mbrojtës që ai dëshiron dhe nuk ka pranuar të komunikojë me avokatin e caktuar nga gjykata. Vetëm një javë pas fillimit të fazës së dytë të procesit gjyqësor, dëshmitari i parë nuk ka pranuar të paraqitet në sallën e gjyqit, duke shkaktuar kështu ndërprerjen e procedurave dhe duke detyruar gjykatësit ti japin avokatit Kay një muaj kohë për të rishikuar strategjinë e tij.
Kay ka kërkuar dhe është lejuar të apelojë kundër caktimit të tij.
Dhoma e apelit ndoshta do të marrë parasysh deklaratën me shkrim të bërë këtë javë nga gjykatësit gjatë marrjes së vendimit për caktimin e avokatit mbrojtës për të pandehurin.
Në vendimin e kësaj jave gjykatësit kanë thënë se e drejta e Millosheviq për të mbrojtur veten nuk është absolute dhe duhet të shihet në kontekstin e një “të drejte më të madhe për të pasur një proces gjyqësor të ndershëm”. Gjykatësit kanë përshkruar gjithashtu mënyrën se si dy këto të drejta përplasen në këtë rast, gjë e cila është diçka e paprecedent për shkak të kompleksitetit dhe rëndësisë politike.
Gjykatësit kanë pranuar interpretimin e përgjithëshëm se “është tepër e rëndësishme” që Millosheviqi “të ketë mundësinë dhe lehtësirat për të paraqitur mbrojtjen e tij në mënyrë të plotë dhe efektive”.
Por më pas, ata kanë shtuar se pretendimi i Millosheviqit për të drejtën e tij për tu mbrojtur vetë nuk siguron këtë të drejtë bazë “në kushtet kur ai është i sëmurë rëndë dhe rregullisht i pamundur për periudha të gjata kohore për të vepruar në mbrojtjen e tij”.
Ata kanë thënë se një gjyq i ndershëm është “një gjyq pa vonesa të kota”. Nëse një proces gjyqësor nuk kryhet me shpejtësi … rrezikon të jetë i pandershëm,” kanë paralajmëruar ata, duke shtuar se ndërprerjet e vazhdueshme të procesit “pavarësisht rrethanave, mund të shkaktojnë rrezikun e keqpërdorimit të drejtësisë”.
Gjykatësit kanë thënë se është detyra e tyre të “krijonin një regjim i cili do të shmangte” një rezultat të tillë.
Shpjegimi i gjykatësve përmbante me hollësi 13 ndërprerje të ndryshme të cilat janë shkaktuar nga gjendja e keqe shëndetësore e Millosheviqit që prej fillimit të procesit, duke ndërprerë punën e gjykatës për 66 ditë – pothuajse pesë muaj pune. Fillimi i pjesës së mbrojtjes të procesit është vonuar gjithashtu dy muaj për shkak të tensionit të lartë arterial të të pandehurit.
Pasi një nga dy kardiologët të cilët kanë vizituar Millosheviqin gjatë verës ka paralajmëruar gjykatësit në raportin e tij se këto levizje të tensionit do të vazhdojnë nëse i pandehuri është në gjendje stresi, trupi gjykues është përpjekur të përcaktojë saktësisht gjendjen shëndetësore të të pandehurit – hollësi të së cilës janë paraqitur edhe në sesionet e procesit.
Gjykatësit i kanë parë edhe një herë këto raporte përpara se të merrnin vendimin e tyre, duke konsideruar veçanërisht pikat në të cilat kanë qenë dakord të dy kardiologët. Këto pika kanë qenë që Millosheviq vuante nga “tensioni i lartë arterial”; që ai “nuk është i aftë të mbrojë veten”; dhe se ai “nëse do të vazhdojë të mbrojë veten, progresi i procesit gjyqësor do të vonohet ndjeshëm”.
“Të dy doktorët kanë arritur në përfundimin se i pandehuri mund të pësojë një emergjencë të tensionit të lartë, diçka që mund të kërcënojë seriozisht jetën e tij,” kanë thënë gjykatësit.
Ata, megjithatë, kanë përsëritur idenë e tyre se pavarësisht kësaj, Millosheviq nuk është aq i sëmurë sa të mos jetë në gjendje të paraqitet në sallën e gjyqit, dhe kanë theksuar se të dy kardiologët kanë arritur në përfundimin se “shpjegimi më i mirë për vazhdimin e tensionit të lartë arterial të Millosheviqit” ka qenë “mos ndjekja e këshillave dhe mos marrja e mjekimeve të dhëna”.
“Shqetësimi i trupit gjykues ka qenë se rreziku për shëndetin, dhe në fakt jetën e tij, dhe mundësia e shtyrjes së procesit do të vazhdojnë të rrezikojnë të dëmtojnë integritetin e këtij procesi gjyqësor,” kanë thënë gjykatësit.
“Ka ekzistuar rreziku që ky gjyq ose të zgjasë për një kohë tepër të gjatë, ose akoma edhe më keq, të mos përfundojë fare nëse i pandehuri do të vazhdojë të mbrojë veten pa ndihmën e avokatëve”.
Gjykata është nën një presion të madh për të shpejtuar procesin dhe për të përfunduar veprimtarinë e saj brenda vitit 2010 – i cili është edhe afati përfundimtar i parashikuar në “strategjinë përmbyllëse” të gjykatës.
Gjykatësit kanë thënë se gjatë dy vjet e gjysëm të këtij procesi, gjykata “ka bërë çfarë ka qenë e mundur” për të plotësuar kërkesat e Millosheviqit: duke pranuar kërkesën për këshilltarë ligjor për ta ndihmuar në mbrojtjen e tij, tek caktimi i miqve të gjykatës të cilët kanë për qëllim të sigurojnë që të pandehurit nuk i shkelen të drejtat, deri edhe duke i dhënë atij mundësi dhe një zyrë ku të mund të punojë.
Por tani, thonë gjykatësit “kishte ardhur koha që të ndërmerreshin hapa të mëtejshëm për të siguruar përfundimin e shpejtë dhe të ndershëm të këti procesi”.
Ata kanë përsëritur se Millosheviq do të ketë mundësi të marrë pjesë në procesin ndaj tij “së bashku me avokatët”, por kanë theksuar se ata nuk kanë në plan ti mohojnë atij “të drejtën për të folur duke dhënë prova, duke bërë pyetje për dëshmitarët, sipas rregullave të trupit gjykues, duke përzgjedhur dhe paraqitur prova shkresore”.
Por nëse Millosheviq nuk do të bashkëpunojë, kanë paralajmëruar gjykatësit: “Gjyqi megjithatë do të vazhdojë”.
Dhe kanë përsëritur paralajmërimin e ashpër të cilin e kanë bërë edhe në një seancë gjyqësore: “Nëse ky mosbashkëpunim i të pandehurit bën që të mos paraqiten prova dhe informacione të rëndësishme për mbrojtjen, atëherë i pandehuri duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë dhe nuk mund të thotë që po i bëhet një padrejtësi”.
Gjyqi do të rifillojë më 12 tetor.
Ana Uzelac është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.