Shqipëria e Madhe - një Ëndërr që po Venitet
Duket, se shumë Shqiptarë nuk janë të motivuar nga ideja e Shqipërisë së Madhe
Shqipëria e Madhe - një Ëndërr që po Venitet
Duket, se shumë Shqiptarë nuk janë të motivuar nga ideja e Shqipërisë së Madhe
Unë kam dalë në kërkim të Shqipërisë së Madhe. Ndërsa e kërkoja atë, jam takuar dhe kam biseduar me ushtarë nga tre ushtri Shqiptare - grupet e kryengritësve që luftojnë në luginën e Preshevës në Serbi dhe në Maqedoni dhe Ushtrinë Kuq e Zi të Kosovës.
Jo shumë të huaj kanë dëgjuar për Ushtrinë Kuq e Zi, por thuhet se ata janë përkrahësit më të flaktë të lirisë së Kosovës - një ushtri e lumtur pa armë. Më 28 Mars, me fytyrat e lyera si në luftë, duke valëvitur flamuj kanë marshuar nëpër Bulevardin Mbreti Zog në Tiranë tamam si një ushtri pushtuese.
Për një ironi të fatit, ka qenë pikërisht Mbreti Zog, i cili i ndihmuar nga qeveria Jugosllave erdhi në pushtet në vitin 1924, dhe më pas luftoi ndaj kryengritësve Kosovarë që ishin vendosur në Shqipëri duke i shtypur ata.
Mos vallë isha dëshmitar i hakmarrjes së Kosovës? A po pushtonin Kosovarët Shqipërinë? Jo, natyrisht që jo. Ajo që unë po shihja ishte një pamje e Shqiptarëve që jetojnë një jetë normale. Ushtria Kuq e Zi janë tifozë futbolli nga Prishtina. Ata kishin ardhur në Tiranë për të ndjekur ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Anglisë.
Natyrisht Shqiptarët janë paraqitur keq nga shtypi gjatë këtyre dy vjetëve të fundit. Dhe, për disa prej tyre, duhet thënë se jo pa arësye. Vrasjet e vazhdueshme të Serbëve në Kosovë, veprimet e luftëtarëve të UCPMB-së në luginën e Preshevës dhe UCK-ja në Maqedoni, u kanë dhënë material të mjaftueshëm të gjithë atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
Muajin e kaluar, faqet e gazetave perëndimore kanë qenë të mbushura plot me parashikime të zymta për sfidën e re me të cilën përballet Perëndimi - pikërisht me sfidën agresive të një Shqipërie të Madhe që po lind.
Pra, cili më mirë se Ushtria Kuq e Zi mund të na thotë diçka rreth kësaj teme? Ndërsa bisedonim mbi kokat tona fluturonin fishëkzjarre. Në u futëm në autobusin e tyre ndërsa të rinjtë e Tiranës përplaseshin me tifozët Anglezë të cilët largoheshin me shpejtësi. "Ne kemi ardhur sepse nuk kemi një ekip të cilin të mbështesim, sepse nuk jemi të pavarur," na shpjegon Iliri. "FIFA (organizmi drejtues i futbollit) nuk njeh ekipin tonë të Kosovës".
Ideja, sipas Ilirit, ishte se megjithëse Shqiptarët e Shqipërisë janë "vëllezër", ai më mirë do të mbështeste Kosovën, ekipin e vërtetë të tij, sepse "Kosova është vendi ynë". Me fjalë të tjera, Shqipëria nuk ishte vendi i tij.
Kjo mund të duket shumë e njohur për shumë Shqiptarë - përveç atyre të cilët besojnë me të vërtetë në Shqipërinë e Madhe. Megjithatë, fakti është se krijimi i një Shqipërie të Madhe, e cila të përfshijë Shqipërinë, Kosovën, luginën e Preshevës, Maqedoninë perëndimore dhe një pjesë të Malit të Zi, thjesht nuk është një ide që motivon shumë Shqiptarë.
Remzi Lani, drejtori i Institutit Shqiptar të Mediave, më thotë: "Ndoshta do të gabohesha po të thoja se nuk ka njerëz të cilët ëndërrojnë një Shqipëri të Madhe. Por kjo nuk është një ide shumë popullore. Natyrisht nëse Këshilli i Sigurimit apo ndonjë konferencë ndërkombëtare do të na ofronte një Shqipëri të Madhe ne nuk do ta refuzonim, por nga ana tjetër ne nuk do të luftonim për të arritur një gjë të tillë".
Kjo është një ndjenjë e përhapur gjerësisht në Shqipëri dhe në përgjithësi tek Shqiptarët, natyrisht me disa përjashtime siç ishte rasti i Arben Imamit, Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë. (Shih Raportin Nr. 239 të IWPR-së, 20 Prill, 2000).
Pas rënies së qeverisë dhe kaosit që pasoi në vitin 1997, pjesa më e madhe e Shqiptarëve në Shqipëri thjesht dëshirojnë që vendi të vazhdojë të ruajë ritmin e tanishëm të rritjes vjetore prej shtatë përqind. Ata e dinë se çdo përpjekje për të kërkuar zgjerimin e territoreve do të përbënte një dënim për ta në një gjendje konflikti të pafund dhe varfërie.
Një pjesë tjetër e Shqiptarëve, të cilët besojnë se Kosova shpejt do të bëhet e pavarur dhe se herët apo vonë shkalla e lindjeve të Shqiptarëve në Maqedoni do ti bëjë ata grupin më të madh etnik, mendojnë se nuk ka arësye të ndërmerret asnjë hap, sepse në një farë mënyre Shqipëria e Madhe do të krijohet, çfarëdo që të ndodhë.
Në fakt, duket se nuk është kështu. Ka mundësi që Kosova të fitojë pavarësinë por duket se ka pak mundësi që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Po ashtu, edhe një Kosovë e pavarur mundet të gjendet në një pozicion ku edhe nëse ajo do të dëshirojë nuk do të mund të bashkohet me Shqipërinë sepse çmimi i pavarësisë mund të jetë edhe një marrëveshje e cila do të ndalojë një gjë të tillë. Ka precedente historik për këtë. Pasi fituan pavarësinë, Austriakët pranuan në Traktatin për Shtetin e Austrisë në Maj të vitit 1955 të mos bashkohen në të ardhmen me Gjermaninë.
Megjithatë, është fakt që ideja e Shqipërisë së Madhe nuk është shumë e pëlqyeshme as edhe në Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë, rreth 445,000 Shqiptarë të Kosovës u strehuan në Shqipëri, një vend të cilin shumë prej tyre e kishin idealizuar si atdheun e tyre. Ata janë zhgënjyer thellësisht, tmerruar nga varfëria, korrupsioni dhe shkalla e kriminalitetit.
Për këtë arësye, shumë Shqiptarë të Kosovës, një numër i madh i të cilëve kanë punuar në vende si Gjermania, Zvicra dhe Austria, parashikojnë një marrëdhënie të ardhëshme të pjesëve të ndryshme të kombit Shqiptar, të ngjashme me atë të dy vendeve që flasin Gjermanisht dhe pjesës Gjermanisht folëse të Zvicrës.
Është për t'u vënë re se asnjë parti e madhe, as në Kosovë, as në Shqipëri dhe as në Maqedoni nuk mbështet haptazi Shqipërinë e Madhe, apo Kosovën e Madhe.
Pra, nëse çështja qëndron kështu, për çfarë po luftojnë luftëtarët e UCPMB-së dhe të UCK-së? Në rastin e UCPMB-së, Pleurat Sejdiu, bashkëministri i shëndetësisë në Kosovë thotë: "Është një sekret i hapur se ata po luftojnë që ky territor të bëhet pjesë e Kosovës në të ardhmen".
Por Sejdiu, ish zëdhënës i UCK-së në Londër, thotë gjithashtu se ndërsa luftëtarët nisën fushatën e tyre në luginën e Preshevës, ata kanë pasur në mendje edhe një shkëmbim të mundëshëm me Serbët. Kjo do të thoshte një shkëmbim tokë të zonave Shqiptare në Serbinë jugore me zona me popullsi kryesisht Serbe në Kosovën veriore.
Rasti i UCK-së duket se është i ndryshëm. Njerëz si Sejdiu kanë qenë pjestarë të Lëvizjes Popullore për Kosovën, LPK, një parti e vogël e cila ka luajtur rol të madh në krijimin e UCK-së. Shumë anëtarë të LPK-së, përfshi Fazlli Veliun, ish drejtuesin e saj, nuk kanë qenë Kosovarë por Shqiptarë të Maqedonisë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, disa nga Shqiptarët e Maqedonisë vendosë të zhvillojnë karrierën e tyre politike në Kosovë. Disa të tjerë jo. Këtu përfshihet Ali Ahmeti, drejtuesi politik i UCK-së i cili është njëkohësisht edhe nipi i Fazlli Veliut.
Këta njerëz e panë veten si humbës në politikën e Kosovës dhe gjthashtu të pamundur për tu kthyer në shtëpi. Për një kohë të gjatë ata u përpoqën të nisnin një konflikt në Maqedoni por u përmbajtën nga kolegët e tyre Kosovarë të cilët mendonin se çdo përpjekje për të hapur një front në Maqedoni do të ishte shkatërrimtare.
Kosovarët kishin të drejtë. Shqiptarët e Maqedonisë rrënjët politike të të cilëve shtrihen tek LPK-ja nisën një konflikt dhe rezultati ka qenë një goditje e rëndë për shpresat e Kosovës për pavarësi.
UCK-ja ka parë gjithashtu se në ndryshim nga UCK-ja në Kosovë, ajo nuk gëzon një mbështetje të gjerë në mesin e popullsisë Shqiptare në Maqedoni, të cilët megjithëse kërkojnë statusin e tyre të barabartë në Maqedoni, nuk kanë qenë shumë të kënaqur me lindjen e kësaj ushtrie.
Natyrisht, ndërsa është e vërtetë se Shqipëria e Madhe nuk është një ide e cila inspiron shumicën e Shqiptarëve, një shkallëzim i konfliktit në Maqedoni do të radikalizonte një popullsi e cila gjendet në kushte të vështira.
Megjithatë, meqënëse nuk ekziston dëshira në gjirin e komunitetit ndërkombëtar për të ndryshuar kufinjtë, apo edhe për ti dhënë Kosovës pavarësinë, duket se nuk ka asnjë mundësi për krijimin e një Shqipërie të Madhe. Por, pesimistët thonë se ajo që mund të ndodhë është lindja e një "anti-shteti" të Shqipërisë së Madhe, pra një zonë në kaos e kontrolluar nga mafiozë dhe njerëz të armatosur në të gjitha territoret e banuara nga Shqiptarët në rajon.
Kjo është një frikë e bazuar, dhe për këtë arësye komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të punojë për të ndihmuar vendet e Ballkanit të ndihmojnë veten e tyre dhe të integrohen në pjesën tjetër të Europës. Kjo është natyrisht një klishe e njohur, por unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër.
Tim Xhudah është autori i librit Kosova: Lufta dhe Hakmarrja, i botuar nga Qendra e Shtypit e Universitetit të Yale.