Shqiptarët Blejnë Lirinë me Para
Aktivistë serbë të të drejtave të njeriut kanë akuzuar gjyqtarë dhe avokatë se po përfitojnë nga shqiptarët e burgosur.
Shqiptarët Blejnë Lirinë me Para
Aktivistë serbë të të drejtave të njeriut kanë akuzuar gjyqtarë dhe avokatë se po përfitojnë nga shqiptarët e burgosur.
Shqiptarët e Kosovës thonë se atyre u duhet të paguajnë gjyqtarët dhe avokatët serbë për të fituar lirinë e të afërmëve të tyre të burgosur në burgjet serbe që prej luftës në Kosovë.
Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, shumë familje të të burgosurve në fakt janë detyruar të paguajnë avokatët serbë. Njoftimet thonë se shqiptarët po paguajnë avokatët nga 10,000 deri 50,000 marka gjermane për të liruar të afërmit e burgosur.
Një familje nga rajoni i Drenicës në Kosovë thotë se kohët e fundit i kanë kërkuar 15,000 marka gjermane për të liruar nga burgu një të afërm të tyre, i cili ishte marrë së bashku me disa qindra shqiptarë të tjerë gjatë tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova në vitin 1999. Familja nuk është në gjendje të paguajë këtë shumë dhe u ka bërë thirrje fshatarëve të tjerë t'i ndihmojnë me fonde.
Shqiptarët janë të detyruar të paguajnë rryshfete për shkak të kundërshtimit të Beogradit për të liruar të burgosurit, të cilët, sipas disave, tashmë janë shndërruar në pengje. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të bëjë shumë, sepse në marrëveshjen e arritur në Kumanovë e cila i dha fund luftës në Kosovë nuk parashikohet asnjë klauzolë për fatin e të burgosurve.
Nuk ekzistojnë të dhëna nga burime të pavarura mbi numrin e shqiptarëve të burgosur në burgjet serbe, apo mbi numrin e atyre që janë liruar deri më tani. Në prill ministri serb i drejtësisë Dragoljub Jankoviq u tha gazetarëve se 1,071 persona ishin liruar nga 31 burgje dhe rreth 960 shqiptarë mbaheshin ende të burgosur.
Shumë prej tyre nuk e dinë as edhe përse akuzohen. Nën presionin ndërkombëtar, gjykatat serbe kanë filluar më herët këtë vit të procedojnë me disa dhjetra raste duke dënuar të burgosurit me dënime të rënda - një hap ky i dënuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Në muajin maj, 143 shqiptarë etnikë u dënuan me akuzën për terrorizëm duke marrë dënime prej 7 deri 13 vjetë burgim.
Por analistë politikë shqiptarë mendojnë se autoritetet e Beogradit kanë filluar tanimë të ndryshojnë qëndrimin e tyre në përpjekje për t'u paraqitur si më tolerant. Ata thonë se të burgosurit me akuza për terrorizëm po dënohen me kohën e paraburgimit që ata kanë kaluar dhe po lirohen në sallën e gjyqit.
Në një rast të kohëve të fundit në Pozharevc, grupi i ashtuquajtur i Rahovecit prej 24 shqiptarësh u dënua i gjithë me nga dy vjetë burgim me akuzën për terrorizëm dhe veprime armiqësore. Ata u dënuan me akuzën se kanë bllokuar rrugën Rahovec-Bela Crkva më 18 korrik 1998, ku, sipas serbëve, është qëlluar me armë duke vrarë një polic dhe plagosur disa të tjerë.
Pavarësisht nga kjo akuzë e rëndë, shqiptarët u liruan tre ditë pas dhënies së vendimit më 21 korrik kur u mbaroi dënimi dyvjeçar.
Në disa raste është e sigurtë që po jepen rryshfete. Gazeta Dita e cila botohet në Prishtinë ka njoftuar më 22 korrik se 27 shqiptarë janë liruar nga burgjet serbe në Sremska Mitrovica dhe Nish, pasi kishin paguar nga 10,000 marka secili.
Natasha Kandiq, Drejtoreshë e Qëndrës Ligjore Humanitare në Beograd, ka thënë së fundi se lirimi i shqiptarëve ka qenë si rezultat i presioneve diplomatike të fshehta.
Ajo ka paralajmëruar se janë një numër i madh avokatësh dhe gjyqtarësh që po përfitojnë shuma të mëdha parash nga shqiptarët e burgosur.
Thuhet se familjet shqiptare hyjnë në kontakt me avokatë vendas me lidhje të mira në Serbi. Mendohet se avokati vendos një çmim që mbulon shpenzimet e tij, të avokatit në Serbi dhe të gjykatësit i cili do të japë vendimin e lirimit. Thuhet se çmimi ndryshon në varësi të rëndësisë së të burgosurit, pasurisë së familjes së tij dhe seriozitetit të akuzës që i është ngritur.
Shqiptarët thonë se këto rryshfete kanë ekzistuar që përpara ndërhyrjes së NATO-s. Ata thonë se gjyqtarët, avokatët mbrojtës dhe klientët e dinë se si funksionon sistemi.
Gordana Igriq është redaktore për Ballkanin në IWPR dhe Vlado Maresh është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.