SHQIPTARËT E AMERIKËS MBËSHTESIN KERRY-n

Duket se komuniteti shqiptaro-amerikan shpreson se një fitore e Kerry-t do ta rikthejë Kosovën në axhendën e politikës së jashtëme amerikane.

SHQIPTARËT E AMERIKËS MBËSHTESIN KERRY-n

Duket se komuniteti shqiptaro-amerikan shpreson se një fitore e Kerry-t do ta rikthejë Kosovën në axhendën e politikës së jashtëme amerikane.

Monday, 21 February, 2005

Ndërsa shqiptarët përgatiten të votojnë në zgjedhjet e ardhëshme në Kosovë, bashkëkombësit e tyre në SHBA janë të zënë duke organizuar mbledhjen e fondeve për politikanët me shpresën se ata mund të ndikojnë Uashingtonin ti kushtojë më tepër vëmendje Kosovës.


Në një takim për mbledhjen e fondeve në muajin maj në Nju Jork, komuniteti shqiptaro-amerikan ka mbledhur 510,000 dollarë për fushatën e Kerry-t, një shumë e konsiderueshme kjo për një grup etnik i cili ka vetëm rreth 500,000 vetë, dhe shumë më tepër se sa ka mbledhur lobi serb.


“Shqiptarët në SHBA janë treguar gjithnjë të zgjuar kur mbështesin kandidatët politik, duke siguruar që shqetësimet e tyre të dëgjohen,” ka thënë David L. Phillips, një bashkëpunëtor në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili ka marrë pjesë në mbledhjen e fondeve nga ana e partisë demokratike.


“Ata janë rreshtuar që në fillim dhe kanë kontribuar shumë fonde. Arësyetimi i tyre është se çështjet e shqiptarëve janë lënë shumë pas dore nga administrata e presidentit Bush,” thotë Phillips.


Sipas disa donatorëve të kësaj fushate, ata shpresojnë se një fitore e Kerri do ta rikthejë Kosovën në axhendën e politikës së jashtëme amerikane.


Në fakt, politikanët shqiptarë në Kosovë, si edhe zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, pranojnë se megjithëse puna e qeverisë së re e cila pritet të zgjidhet dhe administrata e përforcuar e OKB-së në protektorat do të përcaktojnë shumë për të ardhmen e Kosovës, një përfshirje më e fuqishme e SHBA në rajon do të luante një rol tepër të rëndësishëm.


“Nuk përbën ndonjë sekret që shumë gjëra varen nga zgjedhjet në SHBA,” thotë një zyrtar i OKB-së në Prishtinë. “Ne mund të përpiqemi shumë këtu, por nëse SHBA kërkon diçka tjetër, ajo ia arrin”.


Përpjekjet për mbledhjen e fondeve nga komuniteti shqiptaro-amerikan duket se po kanë sukses. Gjenerali Uesley Klark, i cili ka drejtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe në vitin 1999, dhe Richard Holbruk, ish i dërguari amerikan në Ballkan – të cilët pritet të marrin poste në administratën e mundëshme të Kerrit – i janë drejtuar grupit të njerëzve gjatë mbledhjes së fondeve. Të dy kanë premtuar se administrata Kerri-Eduards do të marrë një rol më aktiv në përcaktimin e së ardhmes së Kosovës.


Në faqen e internetit, fushata e Kerri ka sulmuar administratën e presidentit Bush se ka injoruar Ballkanin dhe e ka përmendur Kosovën si një ndër shqetësimet e saj për polikën e jashtëme. “Statusi përfundimtar i Kosovës duhet të përcaktohet sa më shpejt të jetë e mundur…Populli i Kosovës duhet të jetë në gjendje të përcaktojë të ardhmen e tij, përfshirë edhe mënyrën se si do të qeveriset,” thuhet në këtë faqe interneti.


“Në këtë mënyrë funksionon politika në Amerikë,” thotë Florin Krasniqi, i cili drejton një kompani për rregullimin e çative në Brooklyn dhe ka dhuruar 2,000 dollarë (shuma më e madhe e lejuar për një individ sipas ligjit amerikan) për fushatën e Kerrit. “Ti i jep para dhe kur ata zgjidhen, ta kthejnë nderin”.


Komuniteti shqiptaro amerikan i informuar shumë mirë mbi ndikimin që kanë financimet në influencën politike, si edhe duke parë se rezultati i këtyre zgjedhjeve është shumë i papërcaktuar, ka mbledhur fonde edhe për fushatën e presidentit Bush. Më 20 shtator, pas Konventës Kombëtare të Republikanëve në Nju Jork, komuniteti ka organizuar mbledhjen e fondeve për presidentin Bush. Shumë nga donatorët të cilët kanë dhënë para për fushatën e Kerrit kanë dhuruar edhe në arkën e Bushit.


As fushata e Bush dhe as donatorët shqiptarë nuk kanë kthyer telefonatat tona për të ditur se sa para janë mbledhur në atë takim – por zyrtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan kanë thënë se shuma e mbledhur ka qenë shumë më e vogël se sa ajo për Kerrin.


“Ata kanë dashur të mbulojnë veten edhe në rast të rizgjedhjes së Bush,” ka thënë Phillips, “por është e qartë se zemra dhe entuziasmi i tyre nuk janë me administratën e Bushit”.


Disa donatorë republican nga komuniteti shqiptar, të cilët kanë dashur të mbesin anonim, e pranojnë vlerësimin e Phillips. “Unë nuk dua që Bush të fitojë, por nëse ai fiton, ne nuk duam të jemi njerëzit të cilët nuk kanë bërë gjë për të, kështu që kam dhënë një donacion për të. Por unë kam dhënë edhe për Kerrin,” thotë një donator nga Bronx.


Deri më tani, administrata e Bush ende nuk e ka përmendur çështjen e kosovës në axhendën e saj të politikës së jashtëme.


Ashtu si komuniteti shqiptar ka mbështetur fushatën e Kerrit, Partia Demokratike është përpjekur në mënyrë agresive të sigurojë votat e tyre. George Kivork, drejtor i fushatës së Kerrit për marrëdhëniet me grupet etnike, ka ofruar zyrtarë të rëndësishëm të partisë për intervista me median shqiptare në SHBA. Holbrroke, ish zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, James Rubin, bashkëshortja e John Eduards, Elizabeth Eduards, kanë dhënë intervista për programet e radiove në gjuhën shqipe në Boston dhe Cikago dhe për gazetën Illyria me qendër në Nju Jork.


Gjatë dy javëve të fundit, fushata e Kerrit ka botuar reklama në faqe të plota në këtë gazetë.


Fushata e Bush duket se as nuk është përpjekur të bëjë për vete votuesit shqiptarë. Figura popullore si ish senatori Bob Dole, i cili ka vizituar Kosovën në fillim të viteve 1990 dhe ka paraqitur shumë rezoluta në Kongres duke dënuar sundimin serb në rajon, nuk i është drejtuar komunitetit. As John Mekein, dikur një prej zërave më të fuqishëm në mbështetje të shqiptarëve në kongres nuk ka folur.


Stacy Sullivan është një redaktore e vjetër e IWPR dhe autore e librit ‘Mos ki Frikë se ke Djemtë në Amerikë; Si një Ndërtues Catish në Brooklyn ka Ndikuar që SHBA të Hyjë në Luftën e Kosovës.


Frontline Updates
Support local journalists