S'KA SHKOLLË PËR VAJZA

Tradita, varfëria dhe injoranca prindore janë shkak që shumica e vajzave rome nuk vijojnë as shkollimin fillestar.

S'KA SHKOLLË PËR VAJZA

Tradita, varfëria dhe injoranca prindore janë shkak që shumica e vajzave rome nuk vijojnë as shkollimin fillestar.

“Nuk kam kaluar asnjë ditë në shkollë ngase prindërit e mi ashtu kanë dashur,” tha Habiba Kurta, një vajzë rome 21 vjeçare që jeton në Plemetinë, kamp i refugjatëve të shpërngulur 12 km në jug-përendim të Prishtinës.


Kurta e kalon shumicën e ditës duke shikuar televizor, duke bërë punët e shtëpisë dhe duke iu gëzuar ardhjes së kohës për martesë e cila duhet të ndodh së shpejti. Dështimi i saj për tu shkolluar wshtw rregull e jo përjashtim, në mesin e vajzave rome në Kosovë. Sipas një hulumtimi të bërë në Kosovë në 2003 nga organizata jo-qeveritare ndërkombtare Luledielli Ballkan që mirren me projekte edukative, 105 nga 177 vajza të anketuara nuk kanë vijuar fare shkollimin. Vetëm 22 kanë arritur në nivelin fillestar.


Gjendja alarmante në mes të vajzave rome është rezultat i një kombinimi të faktorëve, duke përfshirë këtu edhe traditën, vështirësitë financiare, diskriminimin racor dhe mungesën e strategjisw së qeverisë që të ballafaqohet me analfabetizmin në komunitetin romë.


Faik Mustafa, baba i 10 fëmijëve i ka gjashtë vajza. Mendimi i tij se shkollimi i vajzave është humbje kohe është tipik për shumë burra romë. “Tre djemtë e mi shkojnë në shkollë, por nuk i kam shkolluar vajzat,” tha 50 vjeçari për IWPR-në. “Ato s’kanë nevojë të shkollohen.”


Një raport për shkollimin e romëve në Kosovë, i shkruar nga Aleks Anderson për organizatën humanitare Shpëtimi i Fëmijëvë (Save the Children), thotë që ky mentalitet pasqyron faktin që komuniteti romë tradicionalisht nuk i kushton shumë rëndësi shkrim-leximit.


“Shkollimi duket të jetë veti e parëndësishme në strategjitë e jetesës mes Romëve – ku tiparet më të zakonshme janë tregtia me gjëra të vogla dhe puna fizike,” komentohet në raportin e Andersonit.


Slobodanka Gjorgjeviq, drejtoreshë në shkollën fillore në Plemetinë, i tha IWPR-së që kur vajzat rome regjistrohen në shkollë së shpejti pason presioni që ato ta lëshojnë shkollën. Si rezultat i kësaj, shumë pak prej tyre vazhdojnë studimet e tyre përtej moshës 10 apo 11 vjeçare.


“Vajzat rome fillojnë shkollën por e braktisin posa ta kalojnë klasën e katërt dhe martohen,” tha ajo. Gjorgjeviq shtoi se këtë fat e ndajnë edhe nxënëset rome të suksesshme, “Prindërit na thonë që duhet t’ua ndërprejnë vajzës shkollimin për shkak të situatës së vështirë në të cilën gjinden familjet.”


Salja Kurta, nënë e nëntë fëmijëve, konfirmoi që pengesat financiare e kanë ndaluar atë për të dërguar fëmijët në shkollë. “Nuk kam pasur të holla tu blej libra, rrobe dhe këpucë për të cilat kanë pasur nevojë,” tha ajo.


Sidoqoftë, disa organizata humanitare ndërkombëtare thonë që niveli i ulët i përkushtimit që kanë prindërit romë është gjithashtu element i rëndësishëm i këtij mozaiku.


“Mungesa e interesimit të këtyre prindërve është më se e qartë,” thotë një menagjer i programeve për Femijët e Botës (Enfants du Monde), organizatë humanitare që ka punuar në një projekt shkollimi në kampin Plemetin në 2000 që është cituar në raportin e ‘Save the Children’. “Ata [prindërit Romë] janë analfabetë, nuk kanë qenë kurrë në shkollë dhe nuk e kuptojnë se sa është e rëndësishme për fëmijët të shkojnë në shkollë dhe se si do t’i siguronte kjo një ardhmëri më të mirë,” thuhet në raport. Nazmi Restelica, kryesues i Drejtoratit për Arsim dhe Kulturë në komunën e Obiliqit/Kastriotit ku gjendet kampi i Plemetinës, i tha IWPR-së se insitucionet lokale nuk kanë punuar mjaft për ta luftuar apo për t’i ndryshuar këto qëndrime.


“Të gjithë i fajësojnë romët që nuk janë të arsimuar – por gjithashtu ne jemi ata që duhet të fajsohemi,” tha Restelica, duke iu referuar më së shumti zyrtarëve lokal të shkollimit. “Deri më tash nuk kemi dal me ndonjë program të shkollimit, siç janë shkollat e natës për të rriturit për Romët.” Restelica thotë që departamenti lokal i arsimimit tash planifikon të themelojë “shkolla joformale” në Plemetin duke filluar prej vitit tjetër akademik, ku të rriturit si dhe fëmijët mund të mësojnë nw mbrwmje aftësitë themelore të shkrimit.


Çështja e shkollimit për romë është e komplikuar edhe pwr shkak tw trashëgimisw sw luftës 1998 dhe 1999 në Kosovë, e cila i ka helmuar relacionet mes komunitetit minoritar dhe shumicës shqiptare të rajonit. Perceptimi në mes të shumicës së shqiptarëve është se romët mbajtën “krahun e gabueshëm” në këtë konflikt duke i përkrahur serbët.


Një vajzë 11 vjeçare në Plemetinë i tha IWPR-së që ajo ka hasur në armiqësi të hapur nga një shok i klasës kur ka provuar të kthehet në shkollën fillorë në të cilën ka shkuar para kuftës së 1999, në Gjakovë, Kosovë përendimore.


“Unë jam kthyer një javë pas luftës, por nuk mund të rrija për shkak se më thirrnin gjithfarë emra,” tha ajo. “Fëmijët tjerë më thirrnin ‘maxhupe’ [shprehje kjo fyese për romë] dhe unë nuk mund t’i duroja. Ata s’janë sjellur kështu para luftës.”


Megjithatë, ky disponim anti-romë nuk është i kufizuar vetëm në mes shqiptarëve. Qëndrimi i serbëve nuk ndryshon, edhepse diskriminimi ndonjëherë është më pak i dukshëm. “Nuk dua të shkoj në shkollë as me fëmijë shqiptarë as me serb ngase mësuesi/ja do të më ul në fund të klasës,” i tha IWPR-së një romë në Plemetin duke iu referuar një perceptimi të popullarizuar se romët janë të ndytë.


Megjithatë, ekzistojnë tri vajza rome në Plemetinë të cilat po e vijojnë shkollën e mesme. Kjo çmohet si sukses i madh, ngase nuk ka ndonjë vajzë që jeton në kamp e që ka të kryer shkollën e mesme. Por, vijimi i shkollës nuk i liron ato prej punëve të zakonshme shtëpiake që pritet të kryhen nga vajzat rome, të cilat janë të obliguara t’i përmbushin.


Gjashtëmbëdhjetë vjeçarja Selvija Alija, një nga vajzat rome të Plemetinës që studion ekonominë në shkollë të mesme i tha IWPR-së që dita e saj fillon shumë më herët se që mbërrin ajo në dyert e shkollës.


“Zgjohem në 6, e pastroj shtëpinë, i laj teshat me dorë, e gatuaj bukën dhe pastaj nisem në shkollë,” tha ajo. “Mësimi fillon në 7:25 dhe mësoj natën gjithashtu”.


Për shumicën e romeve, arritja e statusit së nuses është e gjitha që mund të dwshirohet. “Unë do të martohem së shpejti dhe nuk kam plan për t’u shkolluar,” tha Habiba Kurta. “Por me vjen shumë keq që nuk di të shkruaj e të lexoj.”


Avdullah Mustafa është praktikant që merr pjesë në Kursin Fillestar të Gazetarisë në IWPR të organizuar nga OSBE-ja


Frontline Updates
Support local journalists