SPORTI, VIKTIMË E POLITIKËS
Ndërhyrja e politikës në sport ka bërë që ekipet shqiptare të jenë të pavendosura nëse të marrin pjesë në ligat serbe apo atë shqiptare.
SPORTI, VIKTIMË E POLITIKËS
Ndërhyrja e politikës në sport ka bërë që ekipet shqiptare të jenë të pavendosura nëse të marrin pjesë në ligat serbe apo atë shqiptare.
Shumë njerëzve u kujtohet ende ndeshja famëkeqe e futbollit ndërmjet Yllit të Kuq të Beogradit dhe Dinamos së Zagrebit në vitin 1990, kur tifozët serbë dhe kroatë janë përleshur ndërmjet tyre në atë që është konsideruar si fillimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë.
Në Serbinë e jugut nuk është parë asnjëherë një dhunë e tillë në fushat sportive. Por edhe këtu, sporti është politizuar gjithnjë e më tepër dhe është i ndarë sipas linjave etnike.
Ndarja ka nisur që në kohën e Sllobodan Millosheviqit, kur ekipet shqiptare në rajon janë tërhequr nga kompeticionet sportive në Serbi, duke përmendur si arësye frikën për pasiguri fizike. Këto klube më pas u janë bashkuar ligave sportive në Kosovë.
Shumë sportistë shqiptarë nga Serbia e jugut kanë filluar që më parë të merrnin pjesë në strukturat paralele të sportit të krijuara në Kosovë që në kohën kur Kosova ka qenë nën sundimin serb, duke marrë pjesë në ligat jo zyrtare të futbollit, basketbollit, volejbollit dhe boksit.
“Ne duhet të fshihnim pajisjet tona sportive dhe të merrnim pjesë fshehtazi në kompeticion gjatë atyre viteve,” thotë Arsim, një anëtar klubit të volejbollit Flaka në Preshevë, ekipi më i suksesëshëm i qytetit dhe fitues i titullit kampion të Kosovës.
Por klubet shqiptare nuk janë përfshirë tërësisht në ligat e Kosovës, kryesisht për arësye politike dhe rreziqe për sigurinë e tyre.
Sportistët kanë pasur frikë të udhëtonin atje gjatë periudhës së luftimeve në fund të viteve nëntëdhjetë. Edhe kur Kosova është vendosur nën administrimin e OKB-së, shumë klube shqiptare nga Serbia e jugut nuk kanë mundur të luajnë atje. Disa kanë pasur frikë se policia serbe mund ti ngacmonte ndërsa kalonin kufirin për në Kosovë.
Që prej viteve nëntëdhjetë, kompeticionet sportive në Serbinë e jugut pothuajse janë ndalur krejtësisht.
Shqiptarët në rajon kanë kaluar vite të vështira gjatë kësaj dekade. Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe në dy vitet që kanë pasuar, 11 shqiptarë janë vrarë në Serbinë e jugut. Mbi 6,000 të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Tensioni ka vazhduar të jetë i lartë edhe pasi trupat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë dhe forcat e armatosura të Serbisë janë dislokuar në komunat me shumicë shqiptare në Serbinë e jugut, në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanovc.
Pak kohë më pas ka shpërthyer një konflikt i armatosur ndërmjet kryengritësve shqiptarë të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB, dhe forcave serbe të sigurisë.
Edhe sporti ka vuajtur gjatë këtyre viteve krizë dhe konflikte. Klubet shqiptare edhe sot përballen me dilemën për të marrë pjesë në kompeticionet sportive në Serbi apo në Kosovë. “Nuk mund të lejojmë që kjo gjendje të vazhdojë ende për shumë kohë,” ka thënë Orhan Ymeri, sekretar i Organizatës për Kulturë Fizike në Preshevë. “Kjo gjendje duhet të ndryshojë. Sporti po mbahet peng nga politika”.
Opinioni publik në Serbinë e jugut është kryesisht kundër pjesëmarrjes së klubeve në ligat serbe.
Një anëtar i klubit Flaka të Preshevës ka thënë për IWPR se shumë tifozë nuk kanë qenë të kënaqur kur klubi i tij i është bashkuar ligës serbe të volejbollit disa vjet më parë.
Klubi është regjistruar në Ministrinë e Sporteve në Serbi në shtator 2001. Më pas ka marrë pjesë në ligën rajonale të Leskovac, ku ka marrë pjesë në sezonin 2002ç2003.
“Ju keni tradhëtuar interesat kombëtare duke pranuar Serbinë si shtetin tuaj,” i ka thënë një tifoz shqiptar këtij lojtari atëherë.
Bekim Haliti, trajneri i Flakës dhe themelues i këtij klubi në fillim të viteve nëntëdhjetë, e mbron vendimin për tu larguar nga liga e Kosovës dhe për tu përfshirë në atë të Serbisë.
“Në atë kohë gjendja ka qenë tepër ndryshe,” thotë ai duke iu referuar vitit 2001, pas rrëzimit të Millosheviqit. “Ne kemi pasur një pritje të ngrohtë dhe nuk kemi pasur asnjë incident nga publiku”.
Klubi që prej asaj kohe nuk merr më pjesë në ligën serbe, jo për shkak të presioneve popullore, por për shkak të mungesës së fondeve. Autoritetet lokale kanë bllokuar fondet.
“Fondet janë bllokuar sepse sipas tyre ne jemi një klub privat,” ka thënë Haliti, duke shtuar se ata do të rifillonin të luanin në ligën serbe nëse fondet do të zhbllokoheshin përsëri.
“Siguria është çështja më e rëndësishme e cila ndalon pjesëmarrjen e klubeve tona në ligat serbe,” thotë Rexhep Adili, koordinator i sporteve në bashkinë e Bujanovcit.
Ky qytet ka 18 klube sportive, pothuajse të gjitha prej tyre tani të ndara sipas përkatësive etnike. Serbët luajnë në klubet e vjetra të cilat janë krijuar që në kohën e Jugosllavisë, ndërsa shqiptarët kanë krijuar klubet e tyre.
Klubi lokal i futbollit, BSK, i cili në vitet tetëdhjetë ka pasur lojtarë nga të dyja komunitetet, tani ka në rradhët e tij vetëm serbë. “Ne u kemi ofruar atyre disa trajnerë dhe drejtues, por ata nuk kanë pranuar,” thotë Adili, i cili drejton gjithashtu edhe klubin shqiptar të Ternovcit.
Adili nuk është kundër integrimit të klubeve shqiptare në ligat serbe, por thotë se siguria është problemi kryesor. “Futbolli është veçanërisht i vështirë, sepse incidentet janë të vështira të parandalohen në fusha të hapura,” ka shpjeguar ai.
Ai mbështet integrimin e sporteve të cilët luhen në fusha të mbyllura si shahu dhe basketbolli si një provë. “Këto sporte u janë bashkuar ligave serbe si një provë, kështu që do të mund të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Në të njëjtën kohë, ka thënë ai, shqiptarët në Serbinë e jugut kanë të drejtën të marrin pjesë edhe në kompeticionet që zhvillohen në Kosovë.
“Përse duhet që serbët e Kosovës të kenë të drejtë të marrin pjesë në Republikën e Serbisë, ndërsa shqiptarëve tu mohohet e drejta për të marrë pjesë në Kosovë?” pyet ai.
Zyrtarët e sporteve në Kosovë pranojnë me kënaqësi lojtarët shqiptarë nga Serbia e jugut. Ismail Kosumi, drejtues i departamentit të sporteve në ministrinë e kulturës, rinisë dhe sporteve, thotë se klubet shqiptare nga lugina e Preshevës duhet të marrin pjesë në secilën ligë që flitet gjuha shqipe, që natyrisht përfshin edhe Kosovën.
“Nëse klubet shqiptare nga lugina e Preshevës kërkojnë të bashkohen ligave në Kosovë, ato do të jenë të mirëpritura,” thotë Kosumi. “I vetmi problem që shoh është ekzistenca e kontrolleve në pikat kufitare ndërmjet luginës së Preshevës dhe Kosovës”.
Zyrtarët serbë, nga ana tjetër, kundërshtojnë pjesëmarrjen e klubeve shqiptare nga Serbia në ligat e Kosovës.
“Cdo pjesëmarrje e klubeve të Serbisë së jugut jashtë sistemit të Republikës së Serbisë është një shkelje e integritetit të Serbisë dhe do të konsiderohet e paligjëshme,” ka thënë për IWPR, Mica Markoviq, nga Organizmi Qeveritar për Koordinimin me Serbinë e jugut.
Zyrtarët serbë mohojnë se “problemet e sigurisë” i ndalojnë klubet shqiptare tu bashkohen kompeticioneve në Serbi. “Nuk ka probleme sigurie, sepse të gjitha ngjarjet sportive kontrollohen nga pjestarët e ministrisë së brendëshme,” thotë Markoviq.
Ai ka insistuar se e gjithë kjo çështje është fryrë nga politikanët shqiptarë në Serbinë e jugut “të cilët planifikojnë ta bashkojnë rajonin me Kosovën”.
Politikanët shqiptarë janë të ndarë përsa i përket pjesëmarrjes në aktivitetet sportive në Serbi. Disa drejtues lokalë në Serbinë e jugut kanë dënuar publikisht klubet shqiptare të cilat janë anëtarësuar në ligat serbe, duke zemëruar kështu sportistët shqiptarë të cilët janë ndjerë të përdorur prej politikës.
“Politikanët i janë bashkuar tanimë sistemit politik të Serbisë por ata nuk duan të na lejojnë ne të anëtarësohemi në ligat serbe,” ka thënë për IWPR një ish futbollist nga Presheva.
Kryetari i bashkisë së Bujanovcit, Nagip Arifi thotë se ka ardhur koha që politika të mos përzihet në sport. “Disa klube janë anëtarësuar tanimë në ligat serbe, ndërsa të tjerë do të bëjnë të njëjtën gjë më vonë,” ka thënë ai.
Pavarësisht fjalëve të kryetarit të bashkisë, duket se sporti në Serbinë e jugut do të vazhdojë të mbetet një çështje tepër komplekse, duke reflektuar kështu ndarjet e thella politike dhe etnike në rajon. Gjithashtu nuk bëhet fjalë vetëm për të bindur shqiptarët ti japin fund bojkotit të tyre.
“Ndërsa shqiptarët mendojnë nëse duhet tu bashkohen ligave serbe apo atyre të Kosovës, serbët nga Presheva nuk marrin pjesë në kompeticionet lokale kryesisht të shqiptarëve,” ka thënë Ymeri.
Belgzim Kamberi është një gazetar nga Serbia e jugut.
Ky artikull është pjesë e një numri special të përgatitur nga gazetarë nga Serbia e jugut të cilët kanë marrë pjesë në një seminar intensiv dy ditor në Nish, të organizuar nga IWPR në tetor 2004, me mbështetjen financiare të ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd.
Ky kurs trajnimi është pjesë e Projektit të Trajnimit të Mediave Ndëretnike në Serbi i cili synon afrimin e gazetarëve serbë dhe shqiptarë.
Ky grup artikujsh synon të hedhë dritë mbi problemet e veçanta të cilat shqetësojnë këtë rajon të lënë pas dore.