SPS Drejt Shkatërrimit Përfundimtar
Shumë anëtarë të ish partisë në pushtet në Serbi po largohen nga rradhët e saj
SPS Drejt Shkatërrimit Përfundimtar
Shumë anëtarë të ish partisë në pushtet në Serbi po largohen nga rradhët e saj
Arrestimi i ish presidentit Slobodan Millosheviq e ka dëmtuar rëndë partinë e tij dikur tepër të fuqishme Partinë Socialiste të Serbisë, SPS.
Megjithëse Millosheviq përpiqet më kot të kontrollojë partinë nga brenda burgut, SPS-ja duket se i ka ditët e numëruara. Pjesa më e madhe e udhëheqjes së saj ose është në burg ose pritet të përfundojë së shpejti atje. Partia është e mbytur në burxhe ndërsa kreditorët tashmë kanë guximin të kërkojnë paratë e tyre, një gjë të cilën nuk kanë guxuar ta bëjnë përpara disa vjetësh.
Disa zyrtarë të SPS-së kanë frikë për jetën e tyre nga kundërshtarët hakmarrës të cilët kanë vuajtur gjatë viteve të sundimit të Millosheviqit. Shumë anëtarë të SPS-së po nxitojnë të anëtarësohen në parti të tjera.
Pas arrestimit të Millosheviqit, drejtimin e SPS-së e ka marrë në dorë ish ministri i jashtëm Zhivadin Jovanoviq, i cili tani është nën hetim sepse thuhet se i ka lëshuar një pasaportë diplomatike djalit të Millosheviqit, Marko.
Presidenti Serb Milan Milutinoviq, i cili është i akuzuar për krime lufte nga gjykata e Hagës, ka dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendës presidentit të SPS-së javën e kaluar.
Ish kryetari i parlamentit Serb, Dragan Tomiq, dikur një zyrtar i lartë i partisë, është dëbuar nga SPS-ja me akuza për abuzime financiare në dëm të partisë.
Që prej 5 Tetorit, partia ka humbur rreth 250,000 njerëz - gjysmën e anëtarëve të saj.
Disa nga të larguarit janë bashkuar me Partinë Social Demokrate Serbe të kryesuar nga ish presidenti Jugosllav Zoran Liliq ndërsa disa të tjerë janë anëtarësuar në Partinë Demokratike Socialiste, të drejtuar nga një ish bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit, Milorad Vuçeliq.
Në partinë e Liliq nuk ka emra të rëndësishëm, përveç ish shefit të policisë sekrete, Jovica Stanishiq. Partia e Vuçeliq ka në rradhët e saj edhe disa anëtarë dikur të rëndësishëm të partisë si Borislav Joviq, Zheljko Simiq, Goran Perçeviq, Slobodan Jovanoviq, Petar Skundriq dhe Dushanka Xhogo.
Partia Demokratike Serbe e Koshtunicës ka vendosur të mos pranojë në rradhët e saj asnjë njeri që ka qenë dikur anëtar i së majtës. Por në provincë disa sipërmarrës të pasur nga SPS-ja kanë arritur të anëtarësohen në parti duke paguar shuma parash.
Një pjesë e anëtarëve më të vendosur të SPS-së kanë mbetur besnik të partisë dhe Millosheviqit. Këtu përfshihen Branislav Ivkoviq, Ivica Daçiq, Zhivorad Igiq, Gorica Gajeviq, Oskar Kovaç. Dy të tjerë, Urosh Suvakoviq dhe Dragoljub Ivanoviq janë arrestuar dhe Mihajl Kertesh, Nikola Sainoviq dhe Jovan Zebiq janë nën hetim.
Nga qelia e tij e burgut, Millosheviq është përpjekur të largojë sekretarin e përgjithëshëm të partisëZoran Angjekoviq. Në një letër të dorëzuar nga gruaja e tij, Mirjana Markoviq, Millosheviq është ankuar se Angjelkoviq nuk ka qenë pranë tij në momentin e arrestimit. Por Angjelkoviq ka pasur një arësye të fortë - ai në atë moment po operohej nga ulçera.
Një drejtues i partisë ka thënë se zyrtarët e SPS-së të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në parti kanë filluar një diskutim të ashpër mbi çështjen se kush është fajtor për veprimet e ndryshme të jashtëligjëshme. Në gjirin e tyre ka filluar të ndjehet paniku ndërsa policia ka filluar hetimet mbi pronat e tyre dhe transaksionet financiare gjatë periudhës që kanë qenë në pushtet.
Burimi ynë thotë se Branislav Ivkoviqit i kujtohet vazhdimisht nga partia e tij koha kur ai ka qenë kryetar i komisionit qeveritar Serb për strehimin, periudhë gjatë së cilës janë shpërndarë një numër i madh apartamentesh.
Edhe Milan Milutinoviq, i cili vazhdon të jetë president i Serbisë, është vendosur në qendër të akuzave.
"Milutinoviq vazhdimisht këshillohet të ketë kujdes me ato që thotë, sepse nëse Sllobo shkon në Hagë, edhe ai nuk do të vonojë ta ndjekë," thotë burimi ynë.
Gorica Gajeviq, deri pak kohë më parë një sekretar i përgjithëshëm i SPS-së dhe një nga bashkëpunëtorët më besnik të Millosheviqit, është përmendur shpeshnë lidhje me skandalet industriale. Ajo gjithashtu është e frikësuar për jetën e saj, sepse disa njerëz kanë kërcënuar për hakmarrje politike dhe kanë hyrë dy herë në apartamentin e saj.
Shumë zyrtarë të SPS-së të cilët i kanë qëndruar besnik Millosheviqit deri në fund, e shohin se tanimë është tepër vonë për të ndryshuar drejtim. Ata e dinë se nuk mund të gjejnë asnjë punë përveç se në parti. Burime të informuara nga policia dhe sistemi juridik parashikojnë që pothuajse e gjithë udhëheqja e mëparëshme dhe e tanishme e SPS-së do të përfundojë në pranga.
Situata financiare e partisë është tepër e vështirë. Financierët mendojnë se borxhi total i partisë është rreth 10 milion marka Gjermane. Partia i ka borxh Radio Televizionit të Serbisë, RTS, dhe disa kompanive të tjera të mëdha shtetërore.
Nenad Ristiq, drejtor i RTS-së, ka thënë se Angjelkoviq kishte pranuar që në vend të parave, partia të japë tre nga tetë televizionet lokale që kontrollon.
Drejtoria shtetërore e ngarkuar për rindërtimin e vendit ka thënë se ajo do ti paraqesë së shpejti qeverisë Serbe një listë të borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe individëve, një listë e cila do të përfshijë edhe shumë borxhe të SPS-së.
Zyra Shtetërore për Llogaritë dhe Pagesat ka bllokuar llogarinë kryesore të SPS-së që prej tre muajsh për shkak se, siç kemi mësuar në mënyrë jo zyrtare, SPS-ja ka një borxh mbi katër milion dinarë (mbi 130,000 marka Gjermane).
Qeveria Serbe i ka kërkuar të gjithë zyrtarëve qeveritarë të SPS-së të kthejnë ato që kanë marrë nga shteti. Gjatë qeverisjes së mëparëshme, rreth 150 telefonë celularë me një vleftë prej rreth 500,000 marka janë zhdukur. Sasia e kompjuterave dhe pajisjeve të tjera që mungojnë ende janë duke u vlerësuar. SPS thotë se asnjë nga këto pajisje nuk kanë përfunduar në duart e partisë.
Në Nëntorin e vitit të kaluar, parlamenti federal ka miratuar një ligj për financimin e partive, ku është specifikuar që SPS duhet të kthejë pronat e trashëguara nga ish Lidhja Komuniste jugosllave dhjetë vjet më parë.
Për momentin e vetmja ndërtesë në pronësi të partisë që funksionon është zyra qënrore e SPS-së ku punojnë ende rreth 20 njerëz. Në degët e tjera, shumë punonjës nuk paraqiten më në punë.
Duket se SPS-ja po shpërbëhet. "Ekziston një konfuzion i madh pas arestimit të Millosheviqit," ka thënë një anëtar i SPS-së. "Ata drejtues të cilët kanë mbetur janë shumë të shqetësuar për veten e tyre për të menduar për fatin e partisë".
Sinisha Stanimiroviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.