STRATEGJIA MBROJTËSE E BEOGRADIT ANON NGA PERËNDIMI

Një paketë e rëndësishme reformash do të përcaktojë ndryshimin në mendimin ushtarak të Serbisë drejt integrimit perëndimor.

STRATEGJIA MBROJTËSE E BEOGRADIT ANON NGA PERËNDIMI

Një paketë e rëndësishme reformash do të përcaktojë ndryshimin në mendimin ushtarak të Serbisë drejt integrimit perëndimor.

Monday, 21 February, 2005

Në ndryshimin e parë të madh të doktrinës ushtarake që prej rrëzimit të komunizmit, Serbia e Mali i Zi do të përqëndrojnë krejtësisht strategjinë e tyre mbrojtëse në integrimin me Perëndimin.

Parlamenti i Serbisë e Malit të Zi pritet të miratojë më 5 korrik, një dokument të rëndësishëm për politikën e mbrojtjes, Strategjinë e Mbrojtjes së Bashkimit të Serbisë e Malit të Zi.

Ndërsa armiqësia e vjetër ndaj integrimit politik dhe ushtarak me perëndimin – një karakteristikë e regjimit të Sllobodan Millosheviq gjatë viteve nëntëdhjetë – po zhduket, vendi po përballet me prioritete të reja.

Strategjia e re e mbrojtjes, të cilën IWPR e ka parë, thekson vendosmërinë e Beogradit për anëtarësim në programin e NATO-s Partneritet për Paqe dhe mbështetjen për integrimin euro-atlantik.

Në vend të kërcënimit të vjetër për pushtim ushtarak i cili ka qenë në qendër të doktrinës së vjetër komuniste të mobilizimit në masë të popullsisë për të krijuar “një popull të armatosur”, dokumenti i ri përcakton terrorizmin dhe krimin e organizuar si kërcënimet më të mëdha për sigurinë e shtetit.

Ndryshimi i këtyre prioriteteve dëshmon për faktin që koncepti i vjetër i një kërcënimi të huaj ushtarak nga perëndimi apo lindja më në fund është rrëzuar.

Serbia dhe Mali i Zi, thuhet në dokumentin e strategjisë, “ritheksojnë vendosmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në strukturat ndërkombëtare të sigurisë, mbi të gjitha, Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe integrimin e mëtejshëm evropian dhe euro-atlantik.

Në vend të politikës së vjetër izolacioniste, dokumenti thotë se shteti nuk mund të arrijë objektivat e tij të sigurisë nëpërmjet një politike të pavarur kombëtare të sigurisë, por vetëm nëpërmjet zbatimit të standardeve rajonale dhe globale.

Dokumenti thekson se Bashkimi Evropian, NATO, OSBE dhe Kombet e Bashkuara janë tani faktorë të rëndësishëm të ekuacionit të sigurisë – një ndryshim rrënjësor nga vitet e Millosheviq kur NATO shihej si një armik.

Megjithëse përmbajtja dhe fryma e përgjithëshme e dokumentit mund të mos jetë dicka e re për vendet ish komuniste, analistët mendojnë se ai përbën një hap të rëndësishëm për Beogradin, i cili ka qenë në luftë me NATO-n vetëm katër vjet më parë për cështjen e Kosovës.

REAGIME POZITIVE NGA NDËRKOMBËTARËT DHE USHTARAKËT

Strategjia e re dhe masat e tjera reformatore në fushën e mbrojtjes janë mirëpritur nga komuniteti ndërkombëtar, ekspertët vendas dhe anëtarët e forcave të armatosura.

“Miratimi i shpejtë i këtij dokumenti është lajm i mirë për Serbinë e Malin e Zi dhe të për të gjithë rajonin,” ka thënë një diplomat perëndimor për IWPR.

“Beogradi në këtë mënyrë ka provuar se ai sheh një të ardhme si anëtar i familjes evropiane të kombeve dhe si një pjesë përbërëse e procesit të integrimit euro atlantik”.

Edhe pjestarë të ushtrisë së Serbi-Malit të Zi presin shumë nga strategjia e re dhe nga përpjekja për të ripërcaktuar vendin e ushtrisë në shoqëri.

Disa oficerë të ushtrisë kanë thënë për IWPR se ata presin që reformat të cojnë në ristrukturimin e forcave të armatosura në një institucion shtetëror modern.

“Ky është vetëm hapi i parë, pas së cilit ne mund të përcaktojmë se cfarë lloj ushtrie ka nevojë ky vend dhe ku e shohim vetem nga pikpamja ushtarake dhe politike në lidhje me pjesën tjetër të botës,” ka thënë një oficer, i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër.

REFORMIMI DHE SHKURTIMI I USHTRISË

Përvec strategjisë haptazi pro perëndimore, reformat kanë nisur edhe në riorganizimin e ministrisë së mbrojtjes, krijimin e një fondi për reformën në ushtri dhe për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake me vendet anëtare të NATO-s.

Reforma në ushtri dhe e politikës së mbrojtjes ka nisur në vitin 2003. Reformat janë përshpëjtuar këtë vit pasi Prvoslav Daviniq, një anëtar i partisë reformatore G17 Plus i cili është njëkohësisht edhe një ish ekspert i OKB-së për carmatimin, është emëruar në postin e ministrit të mbrojtjes të Serbisë dhe Malit të Zi, dy muaj më parë.

Reforma e thellë shihet si një kërkesë urgjente, sepse ushtria është nën peshën e së kaluarës së Millosheviqit. Ushtria përballet me probleme të shumta si numri i madh i personelit dhe pajisjet e vjetërurara, cështja e strehimit të disa dhjetra mijëra oficerëve, korrupsioni, dhe mungesa tradicionale e besimit nga ana e ushtarakëve ndaj autoritetit civil.

Duke folur për IWPR, zëvendës ministry i brendëshëm Pavle Jankoviq dhe Veljko Kadijeviq, koordinator për reformat në fushën e mbrojtjes, kanë thënë se ministria do të pakësojë numrin e “sektorëve”, ekuivalenti i departamenteve, nga disa dhjetra që janë tani në vetem katër, të cilat do të mbulojnë politikën e mbrojtjes, burimet njerëzore, burimet materiale dhe financat.

Në të njëjtën kohë, shtabi i përgjithëshëm do të ristrukturohet sipas standardeve të NATO-s, duke zëvendësuar strukturën e vjetër, më të komplikuar të komandimit.

“Ministria do të fillojë të veprojë sipas sistemit të ri në tetor ndërsa ristrukturimi i shtabit të përgjithëshëm do të përfundojë brenda këtij viti,” ka thënë Kadijeviq për IWPR.

Si pjesë e planit për reformën në ushtri, Beogradi ka nisur shkurtimin e numrit të pikave ushtarake, pajisjeve dhe personelit, të cilat konsiderohen se janë të shumta dhe shumë të shtrenjta për tu mbajtur nga një shtet i përmasave të Serbisë e Malit të Zi.

Sipas shifrave të siguruara nga IWPR, rreth 21 brigada dhe regjimente do të shkurtohen këtë vit, ndërsa disa dhjetra mijëra armë do të hiqen nga shërbimi, përfshirë 131 tanke të vjetër T-55, 108 hoëitzer dhe 60,000 armë këmbësorie.

Këto shkurtime përbëjnë vetëm fillimin e shkurtimeve radikale të të gjitha forcave të armatosura, të cilat do të kryhen pas miratimit të doktrinave të reja për ushtrinë dhe të gjitha degët e saj.

Momentalisht ushtria e Serbisë e Malit të Zi numëron mbi 70,000 ushtarë dhe rreth 1,000 tanke, pjesa më e madhe e tyre të vjetëruar. Ekspertët thonë se vendi nuk ka nevojë për më tepër se gjysmën e këtyre trupave dhe rreth 300 tanke moderne për të plotësuar nevojat e mbrojtjes moderne.

Vendimi i ministrisë për të krijuar një fond për reformimin e ushtrisë shihet si vecanërisht i rëndësishëm. Nëpërmjet administrimit modern të pronave të ushtrisë dhe bazave të saj, të cilat mendohet se vlejnë disa miliarda dollarë amerikan, ky fond duhet të sigurojë paratë e nevojëshme për zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet personeli i ushtrisë.

Ky fond, sipas Kadijeviq dhe Jankoviq, do të ndihmojë në lehtësimin e problemit të strehimit për rreth 20,000 ushtarakë, të cilët ose “janë të pastrehë ose jetojnë në kushte të papërshtatëshme”.

FORCIMI I KONTROLLIT CIVIL MBI USHTRINË

Analistët në Beograd theksojnë se ministria e mbrojtjes ka arritur progres të madh drejt forcimit të kontrollit civil mbi ushtrinë. Nën regjimin e vjetër ushtria funksiononte kryesisht si një shtet brenda shtetit, me shumë pak ndëhyrje civile.

Në bazë të strukturës së re, sektorët e sigurisë dhe shërbimeve sekrete të ushtrisë do të drejtohen nga dy departamente të caktuara të cilat do të përgjigjen direkt para ministrit të mbrojtjes.

Ky konsiderohet si një hap i rëndësishëm, sepse shërbimi i sigurisë së ushtrisë është parë në të kaluarën si një strukturë thellësisht konservatore e cila nuk i është nënshtruar kontrolleve civile transparente.

Për më tepër, parlamenti i Serbi dhe Malit të Zi ka krijuar një komision të mbrojtjes këtë vit si një mekanizëm për kontrollin civil mbi ushtrinë. Ky komision ka munguar më parë.

Analistët paralajmërojnë se lufta me qarqet konservatore në ushtri të cilat kundërshtojnë ndryshimet nuk ka mbaruar ende. Për këtë arësye, thonë ata, seria e ndryshimeve të mëdha të personelit e cila ka nisur në ushtri në vitin 2003 mund të rifillojë së shpejti. Dhjetra gjeneralë – ushtria e Serbisë e Malit të Zi ka rreth njëqind gjeneralë – janë nxjerrë në pension vetëm vitin e kaluar.

Kundërshtimi ndaj kontrollit civil nuk do të tolerohet më dhe ky fakt është treguar nga vendimi i përbashkët i udhëheqjes së shtetit të Serbi dhe Malit të Zi dhe ministrisë së mbrojtjes më 27 maj për të shkarkuar Momir Stojanoviq, shefin e sigurimit të ushtrisë.

Stojanoviq ka dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Brukselit këtë pranverë duke deklaruar se në Kosovë veprojnë ende “terroristë” shqiptarë etnik dhe anëtarë të al-Qaeda. Zyrtarë të forcave paqeruajtëse të drejtuara nga NATO në provincë kanë hedhur poshtë këto akuza si propagandë, duke thënë se nuk ka asnjë provë që al-Qaeda është aktive në Kosovë.

NDRYSHIMET MË TË FUNDIT PRITEN MIRË

Analistë të njohur dhe komuniteti ndërkombëtar kanë mirëpritur reformat e planifikuara në ushtri si hapi i parë drejt një strategjie të re të mbrojtjes.

“Hapa të mëdha janë ndërmarrë gjatë dy muajve të fundit,” ka thënë për IWPR, Vladan Zivuloviq, kryetar i Këshillit të Atlantikut për Serbinë dhe Malin e Zi, një organizatë jo qeveritare e cila punon në fushën e ushtrisë. “Strategjia mbrojtëse është miratuar nga Këshilli Suprem i Mbrojtjes dhe është miratuar një sistem i ri organizativ për ministrinë e mbrojtjes bazuar në modelet perëndimore”.

Këshilli i Atlantikut, i cili është i afërt me NATO-n, punon për të promovuar idenë e integrimit euro-atlantik në Serbi.

Burime diplomatike dhe ushtarake perëndimore kanë vlerësuar gjithashtu reformat në intervista për IWPR.

“Daviniq gëzon respect si një ish ekspert i OKB-së, por gjithashtu si ministër i mbrojtjes i vendosur për të zbatuar reformat në ushtri,” ka thënë për IWPR një diplomat perëndimor. “Ministri dhe e gjithë ministria e drejtuar prej tij do të kenë mbështetjen e fuqishme të komunitetit ndërkombëtar”.

DITË TË VËSHTIRA PËR INDUSTRINË E ARMËVE

Një prej cështjeve më kryesore me të cilat duhet të përballen autoritetet e Beogradit në zbatimin e reformave është pozicioni i prodhuesve vendas të pajisjeve ushtarake dhe armëve, të cilët kanë qenë vecanërisht në pozitë të vështirë që prej sanksioneve të vendosura nga OKB gjatë viteve nëntëdhjetë dhe gjatë luftës së vitit 1999.

Të mësuar me marrëveshje të mëdha për eksporte në vendet e bllokut të të paangazhuara përpara shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe mbështetjen e fuqishme proteksioniste nga regjimi i Millosheviq, këto kompani presin ende një mbështetje të fuqishme nga shteti.

Por duke qenë se fondet për ushtrinë po pakësohen dhe niveli i bazave, personelit dhe armatimit po ulet, prodhuesit e armëve nuk mund të presin të shesin më të gjithë prodhimet në tregun e vendit.

“Ne nuk do të përpiqemi të qetësojmë punëtorët me qëllim për të shmangur problemet sociale” ka thënë Jankoviq për IWPR. “Ne u kemi thënë drejtorëve të atyre kompanive të përqëndrojnë vëmendjen tek eksporti”.

BASHKËPUNIMI ME PERËNDIMIN

Forcimi i bashkëpunimit ushtarak me vendet e perëndimit gjatë muajve të fundit shihet si një hap vecanërisht i rëndësishëm përpara drejt integrimit në sistemet e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Në maj dhe qershor të këtij viti, për herë të parë në historinë e forcave të armatosura të Serbisë e Malit të Zi, janë organizuar stërvitje të përbashkëta ushtarake me dy vende anëtare të NATO-s – Rumani dhe Itali.

Një stërvitje e përbashkët anti – terror me emrin e koduar “Rruga Blu 2004” është zhvilluar më 29 maj në kufirin me Rumaninë në lumin Danub, ndërsa një stërvitje e përbashkët e forcave detare është organizuar me Italinë më 4 qershor në Detin Adriatik.

Rreth 1,350 ushtarë dhe policë kanë marrë pjesë në “Rruga Blu”, përfshirë njësitë e zgjedhura komando të brigadës speciale të quajtur “Skifterët”, dhe të xhandarmërisë. Serbia e Mali i Zi ka kontribuar gjithashtu me mbi 300 makina, shtatë helikopterë dhe pesë mjete detare në stërvitjen e përbashkët, të mbajtur përreth hidrocentralit të Djerdjap mbi lumin Danub.

Vetëm pak ditë më pas, është organizuar stërvitja e përbashkët detare me Italinë. Operacioni “Horizonti i Përbashkët” është kryer në ujërat ndërkombëtare rreth 30 milje nga bregu i Malit të Zi. Skenari i kësaj stërvitjeje përmbante një anije në rrezik mbytjeje dhe njësitë detare italiane dhe ato të Serbisë e Malit të Zi kanë organizuar një mission të përbashkët shpëtimi.

PARTNERITETI PËR PAQE

Jankoviq ka theksuar se pasi Serbia e Mali i Zi të pranohet në programin Partneritet për Paqe, PPP, të dyja këto stërvitje do të quhen si pjesë e PPP.

Nëse Serbia e Mali i Zi do të pranohet në PPP, dhe nëse po kur do të ndodhë kjo, mbetet ende e paqartë. Pengesa kryesore për progresin është cështja e ish komandantit të përgjithëshëm të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiq, i kërkuar nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë për tu përballur me akuzat për genocid, i cili mendohet se fshihet ende në Serbi. Për shkak të dështimit të vazhdueshëm për të dorëzuar gjeneralin në Hagë, takimi i NATO-s më 28 dhe 29 qershor në Stamboll pritet të mos pranojë kërkesën e Serbisë dhe Malit të Zi për anëtarësim në PPP.

Megjithatë, vazhdimi i zhurmës rreth Mlladiq, fsheh bashkëpunimin gjithnjë më të madh ndërmjet ushtrisë së Serbi dhe Malit të Zi dhe NATO-s, i cili shpesh nuk tërheq shumë vëmendje nga media lokale dhe e huaj sepse ato më tepër përqëndrohen në fushat e mosmarrëveshjeve si krimet e luftës.

Shumë oficerë të ushtrisë kanë ndjekur tanimë kurse të organizuara nga vendet anëtare të NATO-s në Serbi dhe jashtë vendit. Disa vende të NATO-s kanë organizuar seminare për ministrinë e mbrojtjes dhe ushtrinë e Serbisë e Malit të Zi këtë vit, dhe rreth 27 të tjerë janë planifikuar për në vitin 2005. Këto seminare do të organizohen nga forcat e armatosura amerikane, ministria e mbrojtjes dhe ushtria e Serbisë e Malit të Zi.

Në një seminar mbi cështjen e kontrollit civil mbi ushtrinë të organizuar këtë qershor, i ngarkuari me punë i SHBA në Beograd, Roger Moore, ka thënë se kjo ngjarje ishte një pikë e madhe kthese në marrëdhëniet dypalëshe të sigurisë ndërmjet Serbisë e Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Moore ka thënë se programi i seminarit amerikan kishte kontribuar në reformimin e suksesëshëm të forcave të armatosura në 10 vende të evropës lindore dhe qendrore, dhe ka qenë një pjesë e rëndësishme përbërëse e përgatitjeve të tyre për pranim në NATO.

IWPR ka mësuar se disa oficerë të rinj nga ushtria dhe forcat speciale të policisë serbe kanë marrë pjesë në një seminar të drejtuar nga ushtarakë amerikan këtë verë me temën e “luftës ndaj terrorizmit ndërkombëtar”.

Një tjetër hap i rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar është krijimi i Qendrës për Misionet e Paqeruajtës. Kjo e ka qendrën në bazën ushtarake në Pancevo pranë Beogradit dhe është krijuar me ndihmën e oficerëve britanik të cilët kanë stërvitur grupin e parë të oficerëve të xhandarmërisë së Serbisë e Malit të Zi.

Kjo qendës ka për qëllim të lejojë forcat e Serbisë e Malit të Zi të marrin pjesë në operacionet e paqeruajtjes në të gjithë botën.

E KALUARA E ZEZË E USHTRISË

Bashkëpunimi në rritje ndërmjet forcave të armatosura të Serbi e Malit të Zi dhe vendeve perëndimore – dhe reformat e brendëshme në ushtri – dukeshin të pamundura vetëm pak vjet më parë.

Ushtria e Serbi dhe Malit të Zi, deri pak kohë më parë e quajtur Ushtria e Jugosllavisë, ka qenë pasuesja e ushtrisë së drejtuar nga marshalli Josip Tito, e cila ka qenë një ndër shtyllat kryesore të sistemit socialist në Jugosllavi për mbi 50 vjet.

Pas shpërbërjes së shtetit të Jugosllavisë, gjeneralët e ushtrisë kanë mbështetur regjimin e Millosheviq në Serbi, nën kujdesin e të cilit ushtria ka ruajtur hierarkinë e saj të ngurtë dhe strukturën e vjetër.

Shumë analistë mendojnë se ushtria ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën e luftërave të Millosheviq në Bosnje e Kroaci, si edhe në konfliktet e tij politike me kundërshtarët e regjimit dhe disidentët, pasi shërbimet e fuqishme sekrete të ushtrisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Marrëdhëniet e Beogradit me NATO-n kanë arritur pikën e krizës në vitin 1999, kur Millosheviq nisi një operacion të madh ushtarak e policor në Kosovë, duke shkaktuar një eksod në masë të shqiptarëve etnik dhe tre muaj sulme ajrore ndaj Jugosllavisë. Pas bombardimeve të NATO-s, Kosova është bërë një protektorat i OKB-së.

Kur regjimi i Millosheviq është rrëzuar në tetor të vitit 2000, ushtria ende ka pasur strukturën e saj të madhe me baza të shumta dhe rreth 80,000 ushtarë e pajisje të vjetëruara. Anëtarët e shtabit të përgjithëshëm vazhdonin të emëroheshin mbi bazën e bindjeve të tyre politike dhe besnikërisë ndaj Millosheviq.

Në prag të rrëzimit të regjimit, oficerë të shtabit të përgjithëshëm kanë kërcënuar haptazi se ushtria do të mbështeste Millosheviqin, megjithëse kjo nuk ka ndodhur kryesisht për shkak të kundërshtimit të shumë oficerëve të rinj.

USHTRIA PJESË E LUFTËS POLITIKE POST-MILLOSHEVIQIT

Ndryshimi i regjimit nuk ka cuar menjëherë në reformat e shumë pritura në ushtri. Përkundrazi, ushtria është përdorur si një armë në përplasjet politike ndërmjet dy figurave kryesore politike në Serbi në atë kohë. Ekzistonte një ndjenjë e përgjithëshme se presidenti Vojisllav Koshtunica ka mbajtur disa gjeneralë anti-perëndimorë dhe konservator në poste të rëndësishme si pjesë e kësaj lufte ndaj rivalit të tij politik Zoran Gjingjiq, kryeministër i Serbisë në atë kohë. Gjingjiq ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm edhe me policinë serbe.

Komuniteti ndërkombëtar, vecanërisht gjykata e Hagës, ka akuzuar në mënyrë të përsëritur qarqet konservatore në ushtri se kanë ndihmuar dhe mbrojtur ish gjeneralin Mlladiq në territorin e Serbisë, megjithëseai është i akuzuar për krime lufte.

Sipas vëzhguesve, qarqet konservatore kanë qenë gjithashtu pas krijimit në vitin 2001 të një komisioni ushtarak për bashkëpunimin me Hagën. Pavarësisht nga emri, komisioni është krijuar me pjesëmarrjen e shumë oficerëve të lartë besnik të regjimit të Millosheviqit të cilët nuk e shihnin me sy të mirë bashkëpunimin dhe ndihmesën e procesit të gjykimit të kriminelëve të luftës.

Komisioni i cili ka vepruar me dyer të mbyllura dhe larg kontrollit të publikut, mendohet se i ka dhënë informacione të vlefshme mbrojtjes së Millosheviq dhe bashkëpuëntorëve të tij në gjyqin në Hagë. Komisioni është shkrirë vitin e kaluar.

PËRSHPEJTOHET RITMI I REFORMAVE

Pavarësisht këtyre problemeve, tanimë kanë filluar hapat e parë për të përmirësuar marrëdhëniet me NATO-n.

Forcat jugosllave të sigurisë kanë shtuar bashkëpunimin me forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO në Kosovë, KFOR. Në vitin 2001, në një veprim të koordinuar me NATO-n, forcat speciale të Beogradit kanë vendosur nën kontroll “zonën e sigurisë” – një territor kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku shumë luftëtarë shqiptarë nga lugina e Preshevës në Serbi kishin ngritur bazat e tyre.

Anëtarët e forcave të armatosura kanë filluar të ndjekin studimet në Qendrën Marshall për Studime të Sigurisë në Gjermani, ndërsa forcat speciale jugosllave kanë marrë pjesë në një stërvitje të drejtuar nga NATO në Austri në vitin 2002.

Reformat në ushtri kanë marrë një shtytje të rëndësishme në vitin 2003 me emërimin e Boris Tadiq, drejtuesit reformator të Partisë Demokratike, në postin e ministrit të mbrojtes së Serbisë dhe Malit të Zi.

Tadiq dhe ekipi i tij kanë kryer spastrimin e parë të madh të gjeneralëve konservatorë, forcuar pushtetin e politikanëve dhe administratës civile mbi shtabin e përgjithëshëm, dhe i kanë dhënë një shtytje të rëndësishme bashkëpunimit ndërkombëtar.

Për herë të parë, forcat e armatosura kanë pranuar këshilltarë për reformën në ushtri nga shtete anëtare të NATO-s, vecanërisht nga Britania, e cila është përcaktuar të përfaqësojë interesat e aleancës në Serbi e Malin e Zi.

Oficerët e ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi kanë filluar të ndjekin seminare në vendet perëndimore dhe me ndihmën e Londrës kanë nisur kurse intensive anglishteje.

Në dimrin e vitit 2003, sipas analistëve, Beogradi ka qenë në prag të ngritjes së marrëdhënieve të tij me NATO-n, vecanërisht me ushtrinë amerikane, në një nivel më të lartë.

Beogradi ka ofruar edhe të dërgonte trupa speciale të ushtrisë për t’iu bashkuar luftës së drejtuar nga SHBA në Afganistan. IWPR ka mësuar se përgatitjet kanë arritur deri në atë pikë sa një oficer i ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi është vendosur në Komandën e Përgjithëshme të Ushtrisë Amerikane në Tampa, Florida.

Konfliktet politike në Serbi, kritikat e ashpra nga partitë nacionaliste, dhe rënia e qeverisë së Zoran Zvkoviq, pasuesi i Gjingjiq, ka shtyrë zbatimin e kësaj ideje për një kohë të papërcaktuar.

Krijimi i një qeverie të re në Serbi e drejtuar nga Koshtunica – një koalicion heterogjen ndërmjet Partisë Demokratike të Serbisë, reformatorëve të G17, monarkistëve të Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, dhe Demokracisë së Re – sjellë ndryshime të reja në ministrinë e mbrojtjes.

Në vend të Tadiq, koalicioni i ri ka emëruar diplomatin e karrierës dhe një ekspert i OKB-së për carmatimin, Prvoslav Daviniq. Kjo lëvizje është konsideruar nga shumë njerëz si një zgjedhje e mirë, sepse Daviniq dhe ekipi i tij i ekspertëve nga Këshilli Atlantik dhe G17 Plus kanë vazhduar dhe cuar edhe më përpara reformat e nisura nga Tadiq.

Një prej pikave më të rëndësishme të reformave në ushtri do të jetë miratimi i një strategjie të re të mbrojtjes – një dokument i cili e bën të qartë se Beogradi e sheh të ardhmen e tij në gjirin e aleancës ushtarake perëndimore.

Frontline Updates
Support local journalists