Të fortët e Beogradit janë zgjidhur nga zinxhirët

Një grup i errët kriminelësh të kontrolluar nga regjimi po përpiqen të mbyllin gojën kundërshtarëve të qeverisë.

Të fortët e Beogradit janë zgjidhur nga zinxhirët

Një grup i errët kriminelësh të kontrolluar nga regjimi po përpiqen të mbyllin gojën kundërshtarëve të qeverisë.

Serbët e thjeshtë nuk guxojnë as të flasin lirshëm në telefon. Ata kanë frikë se policia mund t'i torturojë për shkeljen më të vogël. Dhe nëse kundërshtojnë regjimin, ata frikësohen se mund të bihen viktima të "njerëzve me rroba të zeza".


Rrahjet e njerëzve që janë kundër qeverisë - studentë, politikanë të opozitës dhe gazetarë të pavarur - janë bërë një gjë e zakonëshme. Së bashku me policinë, regjimi po përdor një grup kriminelësh ordinerë, shfaqja dhe sjellja e të cilëve ka shkaktuar frikë në mes të beogradasve.


Në ndryshim nga policia, ata nuk i binden asnjë ligji. Dhe meqënëse zyrtarisht ata nuk ekzistojnë, shteti në çdo moment mund të kundërshtojë përfshirjen e tyre në strukturat e tij.


"Njerëzit me rroba të zeza" u ngjajnë kriminelëve serbë të cilët dolën në vitet 1990. Zakonisht ata veshin xhaketa lëkure të zeza, bluza dhe këpucë vrapimi - kryesisht Nike ose Reebok. Ata i presin flokët shkurt dhe kanë trupa shumë të stërvitur dhe muskulozë. Sipas burimeve policore, ata vijnë nga qytete të ndryshme të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjes. Të gjithë kanë një të kaluar të dyshimtë dhe janë borxhlinj ndaj regjimit.


Një dekadë sanksionesh ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe ka bërë që njerëzit të pasurohen brenda natës me aktivitete të paligjëshme. Shuma të mëdha parash fitohen nga shit-blerja e monedhës së huaj, pastrimit të parave dhe tregëtia e paligjëshme e cigareve, alkoolit, makinave të vjedhura, naftës, nënprodukteve të vajit dhe mallrave ushqimore.


Regjimi u lejon të fortëve të përfitojnë nga tregu i zi dhe në shkëmbim u kërkon atyre të kryejnë punë të pista për të. "Ne kemi një kastë të tërë të rinjsh të gatshëm për të mbrojtur autoritetet," thotë për IWPR një burim pranë policisë serbe.


Ata veprojnë shumë ndryshe nga policia. Zakonisht një informator i njofton për organizimin e ndonjë aktiviteti anti-qeveritar - një mbledhjeje studentore, një proteste civile apo shpërndarjen e posterave anti-regjimit. Ata mbërrijnë me xhipat apo mikrobusët e tyre, sulmojnë "të dyshimtët" dhe largohen.


Sipas një anëtari të grupit të të fortëve të qeverisë, i cili flet me kusht që të mbetet anonim, studentët dhe lëvizja e tyre Otpor (Rezistenca) janë synimi i tyre kryesor.


"Është e pabesueshme se sa të vendosur janë këta studentë," thotë ai. "Në ndryshim nga pjesa më e madhe e banorëve ata nuk kanë fare frikë, janë fatalistë të vërtetë. Ata janë të vetmit për të cilët ne kemi repekt pak respekt. Njerëzit e thjeshtë janë frikacakë dhe nuk na shkaktojnë ndonjë problem."


Këto ditë "njerëzit me të zeza" janë në gjendje alarmi për të përballuar "trazira". Sipas burimeve të IWPR-së, autoritetet ka mundësi të ndalojnë me forcë çdo protestë të organizuar nga opozita, duke u lënë dorë të lirë veprimi të fortëve të Millosheviqit.


Në varësi të madhësisë së demonstratave, ata mund të mbështeten tek disa dhjetra apo disa mijëra njerëz në gjendje të gatëshme për çdo rast. Ata kanë gjithashtu edhe mundësi për të përdorur policë të veshur civilë.


Banorët e Beogradit i kanë parë për herë të parë në veprim gjatë protestave disa mujore tre vjetë më parë. Atëherë një grup njerëzish kanë ardhur për të ndihmuar policinë të siguronte ndërtesën e parlamentit serb. Ata drejtonin makinat dhe xhipat e tyre drejt turmës së demonstruesve duke i kërcënuar ata me armë.


Pas zbatimit të një ligji që ka vendosur universitetet nën kontrollin e regjimit, ata kanë filluar të duken edhe në disa fakultete. Njerëz të paidentifikuar, të veshur me xhupa të zinj lëkure dhe veshje sportive shihen çdo ditë në fakultetet e inxhinierisë elektrike dhe filologjisë në Beograd.


Ata kanë kontrolluar kartat e identitetit të studentëve, sigurojnë dekanët e rinj të vendosur nga qeveria dhe kanë nxjerrë jashtë fakulteteve profesorët kundërshtarë të regjimit Disa profesorë kanë qenë të detyruar të japin disa herë leksionet në rrugë.


Disa muaj më parë ata kanë shkuar në shtypshkronjën ABC Grafika, botuesit e një gazete të opozitës. Sipas thënieve të disa dëshmitarëve, ata kanë qëlluar mbi kokat e punëtorëve dhe kanë mbajtur të rrethuar të gjithë ndërtesën. Përpjekjet e pronarit për të marrë ndihmën e policisë kanë qenë të pafrutëshme.


Ata kanë sulmuar kohët e fundit edhe shumë njerëz që grisnin posterat e regjimit. Studenti Milosh Dosen është sulmuar muajin e kaluar. Një dëshmitar okular ka xhiruar të gjithë incidentin me një video kamer. Ky filmim u transmetua nga pothuajse të gjithë stacionet e pavarura TV në Serbi. Si Dosen, ashtu edhe një person tjetër viktimë e këtyre rrahjeve, Nikola Radakoviq, janë ankuar më kot tek policia.


Në fillim të marsit, një grup i aktivistëve të Otpor dhe qytetarësh të Beogradit kanë marshuar në drejtim të ndërtesës lokale të Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit. Ata u konfrontuan me një grup të fortësh të cilët thërrisnin, "Sllobo Serbi, Serbia është me ty!". Edhe në këtë rast policia nuk ka ndërhyrë dhe ka paralajmëruar demonstruesit të mos provokojnë.


Disa ditë më parë disa njerëz të veshur me uniforma policie kanë hyrë në zyrat e stacionit TV Studio B, kanë rrahur dy rojet e sigurimit dhe kanë dëmtuar pajisje transmetimi që i përkisnin stacionit të pavarur të radios B2-92. Policia nuk ka pranuar që këta njerëz të kenë qenë oficerë të saj.


Një oficer i lartë i policisë i dalë së fundi në pension ka thënë për IWPR-në se këto incidente do të shtohen. "Unë kam frikë se ky fenomen është vetëm fillimi i larjes së hesapeve me forcë nga ana e regjimit me kundërshtarët e tij. Këta njerëz do të jenë në veprim për aq kohë sa të jenë në pushtet autoritetet e tanishme."


Daniel Sunter është gazetar i agjencisë VIP në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists