TË HUAJT DHE BALLKANI: KA ARDHUR KOHA PËR NDRYSHIM?
A ka nevojë prezenca ndërkombëtare në Ballkan për ristrukturim apo për një ndërhyrje kirurgjikale të thellë?
TË HUAJT DHE BALLKANI: KA ARDHUR KOHA PËR NDRYSHIM?
A ka nevojë prezenca ndërkombëtare në Ballkan për ristrukturim apo për një ndërhyrje kirurgjikale të thellë?
Drejtuesit e vendeve të NATO-s të cilët janë mbledhur në Stamboll këtë javë kanë njoftuar fundin e një misioni i cili ka dhënë siguri në Bosnje Herzegovinë që prej nënshkrimit të marrëveshjes së paqes së Dejtonit në dhjetor 1995.
Ndërsa NATO do të ruajë prezencën e saj të vogël në Bosnje, duke ndihmuar në arrestimin e të dyshuarve për krime lufte dhe këshilluar qeverinë e Bosnjes për reformat në fushën e mbrojtjes, roli i saj i ofrimit të sigurisë do të përmbushet nga një mision i ri i Bashkimit Evropian duke filluar që nga fillimi i vitit të ardhëshëm – operacioni ushtarak më i madh dhe më ambicjoz i BE-së deri më sot.
Ndryshimi koincidon me një periudhë debati dhe reflektimi për rolin e luajtur nga administratorët ndërkombëtarë në Kosovë dhe Bosnje. Disa komentatorë mendojnë se veprimtaria e tyre deri tani nuk ka qenë shumë e suksesëshme, dhe përfshirja ndërkombëtare ose duhet të përfundojë ose duhet të ndryshojë rrënjësisht. Të tjerë thonë se pavarësisht problemeve të shpeshta është arritur shumë, dhe është ende herët për ti dhënë fund përfshirjes ndërkombëtare në rajon.
Për të cuar më parë këtë debat, IWPR paraqet një diskutim, në formën e shkëmbimit të letrave, ndërmjet dy komentatorëve të njohur të cilët kanë qenë të përfshirë në shtetet e Ballkanit gjatë shumë viteve të fundit – Gerald Knaus i Inisiativës së Stabilitetit në Evropë me qendër në Berlin dhe Nicholas Whyte nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave me qendër në Bruksel.
***
I dashur Nicholas,
Pesë vjet pas përfundimit të fushatës së NATO-s në Kosovë dhe pothuajse nëntë vjet pas ndëhyrjes së Aleancës në Bosnje Herzegovinë, prezenca ushtarake ndërkombëtare në ish Jugosllavi është pakësuar nga 70,000 trupa në vitin 1999 në pak më tepër se 25,000.
Kjo është një shenjë që kërcënimi për sigurinë është zvogëluar dhe se është arritur progres. Megjithatë, prezenca ndërkombëtare civile nuk i korrespondon më nevojave në rajon, dhe ka nevojë për ndryshime rrënjësore.
Jam i sigurtë se të dy jemi në një mendje se bota duhet të luajë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar shtetet e dobta dhe entitetet në Ballkan – Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën, Serbinë e Malin e Zi, dhe ish republikën jugosllave të Maqedonisë – për të tejkaluar problemet e tyre. Asnjë prej nesh nuk mendon se rajoni duhet lënë i vetëm për të zgjidhur problemet e tij. Unë dyshoj se të dy ne duam të shohim që të huajt të luajnë një rol më të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e cështjes së statusit e cila është ende e pazgjidhur, dhe pikërisht atë të Kosovës, dhe atë të lidhur ngushtë me të në Serbi dhe Malin e Zi.
Për më tepër, të dy ne mendojmë se parakushti për progresin është ngushtimi i cdo mundësie për kërcënim të sigurisë. Cdo strategji ndërkombëtare duhet të sigurojë qytetarët e rajonit se bota – ose në formën e prezencës së NATO-s apo një kombinim të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – nuk do të lejojë më kurrë luftën. Përvec kësaj, masa për të matur suksesin e ndërhyrjes ndërkombëtare duhet të jetë progresi që këto vende dhe entitete po bëjnë drejt integrimit evropian, pra shkalla në të cilën ato janë të afta për të përmbushur kërkesat për nisjen e bisedimeve për pranim me Bashkimin Evropian dhe më pas edhe anëtarësimit në të.
Unë mendoj se ne nuk jemi në një mendje në vlerësimin që u bëjmë aftësive të institucioneve ndërkombëtare për të zgjidhur sfidat në rajon. Mendoj se një pjesë e prezencës ndërkombëtare është bërë jo efektive, dhe në një farë mënyre shkon edhe kundër synimeve të evropianizimit dhe zhvillimit ekonomik.
Së pari në Bosnje dhe Kosovë, pushteti i gjerë i organizatave ndërkombëtare përbën një pengesë për demokratizimin. Për sa kohë që një Përfaqësues i Lartë është në gjendje të përdorë të ashtuquajturat “pushtet të Bonit” në Bosnje, të cilat i lejojnë atij të tejkalojë institucionet vendase, të detyrojë zbatimin e ligjeve dhe të shkarkojë zyrtarët lokalë, vendi nuk do të jetë në gjendje të arrijë një demokraci të plotë. Meqënëse emergjenca tanimë është kaluar në Bosnje, Përfaqësuesi i Lartë duhet t’ja lërë vendin nga fundi i këtij viti një të dërguari special të BE-së i cili të mos ketë pushtete speciale. Po ashtu në Kosovë, natyra ndërhyrëse e misionit të OKB-së rrezikon të dëmtojë zhvillimin e një demokracie shumë etnike.
Së dyti, një pjesë e madhe e prezencës ndërkombëtare në rajon shtrembëron procesin e ndërtimit të institucioneve i cili duhet të përfundojë përpara se qeveritë të mund të bëhen më efektive. Në Bosnje dhe Kosovë, komuniteti ndërkombëtar po zbraz institucionet lokale, duke punësuar shumë nga të rinjtë e kualifikuar me rroga që nuk mund të përballohen nga sektori publik por as edhe nga ai privat lokal.
Në të gjithë rajonin, shumica e të ashtuquajturave përpjekje për të ndërtuar institucionet dhe demokratizimin janë të paorganizuara mirë, pa një plan të qartë dhe joefektive. Në protectorate, strategjia themelore në shumë fusha ndryshon cdo dy vjet (ndonjëherë edhe më shpesh) me ndryshimin e njerëzve të rëndësishëm në krye të këtyre misioneve ndërkombëtare. Vihet re një mungesë vazhdimësie.
Unë kam dy sugjerime konkrete. Së pari, ne duhet ti japim fund protektoratit në Bosnje dhe të pakësojmë influencën e atij në Kosovë. Bosnja nuk duhet trajtuar ndryshe nga Maqedonia, ku nuk ka pasur asnjëherë një protektorat.
Në Kosovë, pushteti i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë i përcaktuar, dhe duhet të reflektojë edhe dinamikën politike të ndryshueshme. Pas zgjedhjeve të ardhëshme, Kombet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga menaxhimi direkt i cështjeve ekonomike, dhe të përqëndrohen në detyra të tilla si ndërtimi i një ministrie të brendëshme shumë etnike në Kosovë. OKB duhet gjithashtu të përqëndrohet në ndihmën e institucioneve kosovare për të përballuar dy standarde të rëndësishme, rikthimin e të gjitha pronave pronarëve të ligjshëm të zhvendosur dhe ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët. Kombet e Bashkuara – dhe KFOR – duhet të jenë të përgatitur për cdo shpërthim dhune si ai që ka ndodhur në muajin mars.
Së dyti, ne duhet të zëvendësojmë marrëveshjet e tanishme me një process shumë më të qartë para-pranimi të nxitur nga Evropa. Kjo do të kërkonte një prezencë të fuqishme të Komisionit Evropian në secilin vend, i cili do të përqëndrohej kryesisht në cështjet ekonomike dhe sociale dhe në përcaktimin e instrumentave financiare të domosdoshëm për të luftuar mungesën e zhvillimt strukturor dhe për forcimin e kapaciteteve kombëtare për të thithur fonde dhe investime (si Programi Special i Pranimit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural apo Instrumenti i Politikave Struykturore për Para-Pranim).
Duke filluar nga viti 2007, cdo vend i Evropës juglindore i cili përfundon një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asocimi duhet të ketë mundësi të përfitojë nga programet e para anëtarësimit. Nivelet e ndihmës dhe financimeve duhet të jenë të mjaftueshme që të sigurojnë që hendeku ndërmjet vendeve të tanishme kandidate si Bullgaria dhe Rumania dhe vendeve kandidate të ardhëshme të mos thellohet.
Stabilizimi afatgjatë i rajonit do të vijë natyrshëm me integrimin e tij evropian. Stabilizimi i menjëherëshëm do të vijë kur drejtuesit lokalë të kuptojnë se kjo është një mundësi reale.
Juaji,
Gerald
***
I dashur Gerald,
Mendimet tona janë të ngjashme kur bëhet fjalë për synimin strategjik të mesëm dhe afatgjatë të komunitetit ndërkombëtar në Ballkan – integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike.
Megjithatë, mendoj se ti e minimizon rëndësinë e kërcënimeve ende prezente në Ballkan për sa i përket gjendjes së sigurisë. Në Bosnje, për sa kohë që kriminelët më të mëdhenj të luftës të jenë ende të lirë, duket e parakohëshme të deklarosh se “emergjenca ka përfunduar”. Kjo nuk është thjesht cështje teknike. Kjo është një cështjet thellësisht e rëndësishme jo vetëm për të parandaluar një luftë të ardhëshme, por edhe për të vendosur besimin se nuk do të kundërshtohet më ekzistenca e Bosnjes si shtet, dhe se ata të cilët kanë qenë përgjegjës për krimet më të rënda gjatë kohës së luftës do të dënohen.
Emergjenca natyrisht që është në një fazë tjetër, por për sa kohë që strukturat shtetërore po mbrojnë këta njerëz, unë nuk mendoj se ajo ka mbaruar.
Unë e pranoj se gjëra të tjera po shkojnë në drejtimin e duhur në Bosnje. Institucionet në nivel shtetëror në fushën e mbrojtjes, shërbimeve sekrete, policisë dhe taksimit indirekt janë të gjitha të domosdoshme përpara se komuniteti ndërkombëtar të mund të nisë pakësimin e prezencës së tij në vend. Këto ndryshime të mirëpritura tani duket se janë shumë pranë – por kjo nuk mund të ishte arritur pa atë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare të cilën e kemi parë që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit.
Ti thua se prezenca e Përfaqësuesit të Lartë me “pushtetin e Bonit” ka qenë një pengesë për rimëkëmbjen e vendit. Unë mendoj se ajo ka qenë tepër e rëndësishme për të arritur këtu ku jemi. A mendon se një tërheqje e komunitetit ndërkombëtar nga Bosnja në vitin 1997 do të kishte sjellë një vend paqësor, demokratik dhe të pasur në vitin 2004?
Unë jam në një mendje me ty për Kosovën, ku pushteti ekonomik është marrë nga komuniteti ndërkombëtar që nga fillimi, dhe duhet tu transferohet vendasve sa më shpejt të jetë e mundur. Askush nuk duhet të nënvleftësojë rrezikun e shpërthimit të bombës demografike me sahat në popullsinë dy milionëshe të kosovës, gjysma e të cilëve janë nën moshën 20 vjecare, në një situatë ku papunësia është tepër e përhapur dhe valvula tradicionale e sigurisë, emigracioni, është bllokuar nga marrëveshja e Shengenit për kufinjtë e përbashkët të Bashkimit Evropian. Duket dicka e cuditëshme që ne ngulim këmbë që popujt e Ballkanit të bëjnë të tyre vlerat evropiane, dhe në të njëjtën kohë nuk i lejojmë të hyjnë në Bashkimin Evropian për të mësuar këto vlera.
Për fat të keq, për shumë politikanë të Kosovës, këto probleme ekonomike janë vetëm për dukje krahasuar me cështjen më të rëndësishme të marrëdhënieve të ardhëshme me Beogradin – dhe nëse zgjedhësit e tyre mendojnë ndryshe, ata nuk e kanë treguar këtë gjë në zgjedhjet e zhvilluara. Të flasësh për pakësimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë pa pasur parasysh arësyen më të rëndësishme të prezencës ndërkombëtare atje – cështjen e sovranitetit të Kosovës – është njësoj sikur të mos shohësh një elefant në dhomën e ndenies.
Natyrisht që është e rëndësishme që të transferohet pushteti në duart e zyrtarëve të zgjedhur. Por testi i vërtetë i besueshmërisë i misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, do të jetë aftësia e menaxhimit të rrugës drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar brenda vitit të ardhëshëm. Testi i madh për prezencën ndërkombëtare në Kosovë në muajt e ardhëshëm mund të jetë vetëm ruajtja e gjendjes së sigurisë.
Shembulli i Maqedonisë është tregues i vlerës së një përfshirjeje serioze ndërkombëtare. Pa një përfshirje direkte personale të zyrtarëve të BE dhe NATO-s, gjendja do të ishte keqësuar në një konflikt të gjerë. Dhe prezenca e vazhdueshme e një të Dërguari Special të BE-së në Shkup ka qenë një faktor i rëndësishëm stabiliteti që prej krizës së vitit 2001.
Kjo nxjerr në pah edhe avantazhet që do të kishte vendosja e një prezence më të dukëshme ndërkombëtare në Beograd, i cili është ende i përfshirë në kaosin e zgjedhjeve presidenciale, dhe që ndoshta shumë shpejt do të ketë edhe një ndryshim të qeverisë së Serbisë. Cështjet e sigurisë, nxjerrjes para drejtësisë së fajtorëve për krime lufte dhe kontrollit demokratik mbi shërbimet e sigurimit mbeten ende të pazgjidhura në Serbi.
Eksperienca e pasjes së një Përfaqsuesi të Lartë apo një Përfaqësuesi Special (dicka më tepër se “prezenca e fuqishme e Komisionit Evropian” që propozoni ju) në Bosnje dhe ish Republikën jugosllave të Maqedonisë ka bërë që komuniteti ndërkombëtar të mund të flasë me një zë të vetëm dhe që aktorët lokal nuk kanë pasur mundësi “të flasin me shumë forume ndërkombëtare të cilat kanë mendime të ndryshme”. Është gjithashtu e rëndësishme që fillimisht të vendosen objektivat e duhura politike. Për sa kohë që komuniteti ndërkombëtar – Bashkimi Evropian në vecanti – të nguli këmbë në politikën e kotë të zbatimit të Shtetit të Bashkuar të Serbisë e Malit të Zi, progresi në të dyja vendet do të jetë i ngadaltë.
Dy vendet të cilat nuk kanë cështje të pazgjidhura sigurie – Shqipëria dhe Kroacia – tregojnë qartë limitet e prezencës jo të fuqishme ndërkombëtare. Në Kroaci, është marrë një vendim i qartë nga të gjitha pjesët e elitës politike për të shkuar përpara. Shqipëria, nga ana tjetër, mbetet peng i mungesës së dëshirës së drejtuesve të saj për tu përfshirë në reforma rrënjësore.
Në të dyja rastet kemi parë një kundërshtim të lojës së shekullit të 19 për zgjerim territorial në favor të politikës së shekullit të 21 për integrim ndërkombëtar. Ky është një vendim politik, jo ekonomik. Por ky vendim merret nga elita politike e një vendi, dhe jo nga Bashkimi Evropian e komuniteti ndërkombëtar. Mund të ndodhë që e con kalin pranë burimit të ujit por nuk i jep për të pirë. Në vendet ku qeveritë nuk janë të vendosura për të ecur përpara, Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë i detyruar të ofrojë më tepër lëshime se sa të vendosë kushte.
Juaji,
Nicholas
***
I dashur Nicholas,
Më lejo që më parë t’u jap përgjigje pyetjeve tuaja të drejtpërdrejta. Në vitin 1997, ka ekzistuar nevoja për një rol ndërkombëtar në Bosnje Herzegovinë dhe tërheqja në atë kohë do të ishte një katastrofë. Në vitin 2004 Bosnja është shumë ndryshe. Në vitin 1997, njerëzit të cilët ishin akuzuar për krime lufte kontrollonin ende ministrinë e brendëshme, presidencën dhe ushtrinë. Në 1997, asnjë musliman i Bosnjes nuk ishte kthyer ende në Republika Srpska.
Në këtë moment, procesi i kthimit të mbi 220,000 pronave pronarëve të tyre të ligjshëm të para luftës është drejt përfundimit. Xhamitë po rindërtohen në Republika Srpska. Kriminelët e akuzuar nga Haga janë para gjykatës apo të fshehur. Këto janë arësyet që pushteti i madh i marrë nga komuniteti ndërkombëtar në 1997 nuk janë të nevojëshme sot.
Ke të drejtë që insiston që Karaxhiq dhe Mlladiq duhet të dalin para drejtësisë, por kjo vështirë se mund të justifikojë një institucion të përherëshëm ndërkombëtar i cili të jetë i në gjendje të pezullojë politikanët e zgjedhur nga qytetarët e Bosnjes. Përgjigja më e përshtatëshme ndaj tragjedisë së viteve nëntëdhjetë është një vend demokratik, shumë etnik në rrugën drejt integrimit në BE. Ky nuk është një synim strategjik afatgjatë, sic thoni ju: Do të doja të shikoja qeverinë e tanishme të Bosnjes të pasojë Ankaranë, Shkupin dhe Zagrebin dhe të paraqesë një kërkesë zyrtare bashkimit Evropian përpara fundit të vitit 2006.
Më lejo të të bëj një pyetje direkte: përse nuk i përshtatet Bosnjes mekanizmi që ju e vlerësoni kaq shumë për Maqedoninë – pra një i dërguar special i respektuar i BE, një mision ndërkombëtar i policisë i cili të përqëndrohet në ndërtimin e kapaciteteve, plus një perspektivë realiste evropiane për një vend krejtësisht sovran?
Ankara dhe Shkupi kanë arritur një progres të madh dhe kanë kryer reforma të rëndësishme dhe të dhimbëshme gjatë viteve të fundit pikërisht si rezultat i demokracisë. Edhe Bosnja ka arritur progres, por për sa kohë që të ekzistojnë “pushtetet e Bonit”, populli i saj nuk do të mund të marrë vlerësimin për këto arritje. Shumë vëzhgues do të thonë – ashtu si edhe ti – se nuk do të ishte arritur asnjë sukses “pa ndërhyrhjen e fuqishme të komunitetit ndërkombëtar”. Ju mund të vazhdoni të jepni këtë argument edhe për një dekadë tjetër.
Nuk jam i sigurtë se ne të dy mendojmë shumë ndryshe për rolin ndërkombëtar në Kosovë. Më lejo të të pyes: a do të mbështesnit ju krijimin e një ministrie të brendëshme shumë etnike në Kosovë dhe vendosjen e mbrojtjes së pakicave si standardin kryesor që duhet të përmbushet nga institucioneve e Kosovës? Tu japësh institucioneve lokale përgjegjësinë për sigurinë e pakicave ka kërkuar gjithnjë besim të madh, por ka funksionuar mirë në Bosnje, Maqedoni dhe në luginën e Preshevës në Serbinë e jugut. Bërja e institucioneve përgjegjëse përpara njerëzve të cilëve u shërbejnë ka dhënë rezultate më të mira.
Unë nuk mendoj se pjesa më e madhe e politikanëve të Kosovës i konsiderojnë cështjet ekonomike “vetëm si dicka sipërfaqësore”. Megjithatë, për sa kohë që avokatët e OKB-së thonë, për shembull, që dhënia e licensave investitorëve për nxjerrjen e mineraleve mund të jetë një shkelje e mandatit të OKB-së në Kosovë, ekziston një lidhje ndërmjet statusit të saj dhe mirëqënies ekonomike. Këtë vjeshtë Kosova mund të gjendet në situatën absurde ku “Kuvaiti i linjitit” nuk të mund të nxjerrë legalisht qymyrin e saj për të furnizuar termocentralet e saj. Kjo është arësyeja që UNMIK duhet të ndryshojë mënyrën e interpretimit të rolit të tij, dhe duhet ta bëjë këtë sa më parë. Në fund të fundit UNMIK është në rolin e të besuarit në emër të shqiptarëve, serbëve dhe pakicave të tjerë të cilët jëtojnë në Kosovë, gjendja ekonomike e të cilëve rëndohet dita ditës.
Juaji,
Gerald
***
I dashur Gerald,
Ideja se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, në Bosnje dhe Herzegovinë është tani apo mund të bëhet në të ardhme “një institucion i përherëshëm ndërkombëtar” nuk është e drejtë. Askush nuk kërkon që ajo të vazhdojë përjetësisht, dhe aq më pak jo personi i tanishëm në postin e drejtuesit – ai e ka thënë qartë se detyrës së tij po i vjen fundi.
Duke folur para Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas zgjedhjeve të vitit 2002, ai ka thënë se “Qëndrimi im do të jetë të dalloj mirë ndërmjet atyre gjërave të cilat janë vërtetë të rëndësishme dhe atyre të cilat janë të dëshirueshme. OHR, me pushtetin e saj ekzekutiv, duhet të përqëndrohet në këtë të parën. Ka shumë agjensi të cilat mund të marrin përsipër detyrat afatgjata të zhvillimit pasi ne të jemi larguar”.
Cështja nuk është nëse OHR duhet të dorëzojë detyrën e saj dhe të vendoset një prezencë ndërkombëtare e ngjashme me atë në Shkup, por kur. Ti duket se mendon që momenti më i mirë do të kishte qenë ndërmjet vitit 1997 dhe 2004, megjithëse nuk thua se cfarë date apo për cfarë arësye. Unë mendoj se nuk do të jetë këtë vit, por mundet dhe duhet të jetë brenda një apo dy vjetëve të ardhëshëm.
Situatat janë të ndryshme. Marrëveshja e Ohrit në gusht të vitit 2001 e cila i dha fund konfliktit të Maqedoni ka riafirmuar strukturat e shtetit dhe ka dhënë mekanizmin për përfshirjen e pakicës shqiptare në mënyrë më të sigurtë brenda atij shteti. Drejtuesit e kryengritjes së vitit 2001 tani kanë shpallur mbështetjen e tyre për integrimin e popullsisë shqiptare me pjesën tjetër të vendit.
Kjo nuk ka ndodhur në konfliktin në Bosnje. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit ka krijuar një sistem kushtetues në të cilin ka pasur nxitje për të gjithë drejtuesit e tre grupimeve kombëtare për të ndërtuar tre politika të ndryshme dhe për të injoruar apo dobësuar shtetin qendror. Të akuzuarit për krime lufte gëzojnë ende mbrojtjen e forcave të sigurimit të një pjese të shtetit të Bosnjes. Shkatërrimi i demokracisë në Bosnje nuk është shkaktuar nga Përfaqësuesi i Lartë por nga lufta.
Kur shteti i Bosnjes të ketë të njëjtin nivel besueshmërie në popullin e tij si shteti i ish republikës jugosllave të Maqedonisë, atëherë mund të jetë momenti i duhur për tranzicionin në një përfshirje ndërkombëtare të ngjashme me atë në Maqedoni. Unë nuk mendoj se ajo ditë është ende shumë larg dhe unë shoh që OHR po punon në këtë drejtim. Natyrisht që Sarajeva nuk duhet të vonohet shumë për të paraqitur aplikimin e saj për anëtarësim në BE.
Unë do të dëshiroja të kisha besimin tënd që politikanët e Kosovës e shohin zhvillimin ekonomik si dicka më shumë se sipërfaqësore. Nëse shikon me kujdes deklarimet e tyre të njoftuara në shtyp do të shohësh se komentet e tyre për cështjet politike në përgjithësi (për shumë prej të cilave ata nuk kanë kontroll) janë të paktën dy herë më shumë se sa për cështjet e rëndësishme ekonomike. Për më tepër, gjysma e deklarimeve për ekonominë kanë të bëjnë me cështjen legjislative të administratës së OKB-së për cështjen e privatizimit.
Unë jam i kënaqur që mendojmë njësoj se interpretimi nga ana e UNMIK për mandatin e tij është shumë i ngushtë në fushën ekonomike. Unë gjithashtu pajtohem me ty në nevojën për ti dhënë më tepër përgjegjësi Trupave Mbrojtëse të Kosovës, TMK, për të mbrojtur qytetarët e Kosovës pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, megjithëse mendoj se ti harron problemet me të cilat janë ndeshur refugjatët e kthyer në vendet e tjera në Ballkan. Faktori më i rëndësishëm i cili do të përcaktojë suksesin e procesit të kthimit të refugjatëve nuk është niveli i përfaqësimit të pakicave në forcat e sigurimit, por nëse ata të cilët kanë dëbuar refugjatët janë vendosur përpara drejtësisë.
Juaji,
Nicholas
***
I dashur Nicholas,
Unë sugjeroj përforcimin e Shërbimit Policor të Kosovës shumë etnik, dhe jo të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, i cili nuk gëzon një besueshmëri të madhe në rradhët e serbëve të Kosovës. Përndryshe, ne jemi në një mendje që Kombet e Bashkuara duhet të japin më tepër përgjegjësi, dhe në një kohë sa më të afërt. Prioriteti në Kosovë duhet të jetë ndërtimi i institucioneve lokale dhe një fushatë për rikthimin e pronave tek pronarët e tyre të ligjshëm. Kosova ka nevojë për një qeveri të vërtetë e cila të punojë për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe krizës sociale.
Më lejo të precizoj dicka rreth propozimit tim për Bosnjen. Në fund të këtij viti “pushtetet e Bonit” duhet të ndërpriten. Lordi Ashdown duhet të jetë Përfaqësuesi i Lartë i fundit. Nuk duhet të ketë më një fushatë për të përfunduar gjithshka përpara fundit të këtij viti, sic ka ndodhur gjatë muajve të fundit para largimit të parardhësit të tij. Një qeveri krejtësisht sovrane në bosnje duhet të nisë bisedimet për Marrëveshjen e Asocimit me Bashkimin Evropian në fillim të vitit 2005.
Në përgjithësi, prezenca ndërkombëtare duhet të ketë ndryshuar deri në vitin 2006. Kudo duhet të kemi qeveritë e zgjedhura demokratikisht të cilat të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre. Kudo, vëmendja kryesore duhet të përqëndrohet në forcimin e kapacitetit të forcave policore vendase shumë etnike. Kudo, prezenca e Komisionit Evropian duhet të përforcohet, duke u përqëndruar në vendosjen e standardeve dhe ndihmën e institucioneve vendase për përmbushjen e tyre.
Në Shkup dhe Zagreb, bisedimet për anëtarësimin në BE duhet të jenë në valën e tyre. Prishtina dhe Sarajeva kanë nevojë për qeveri të afta për të marrë përsipër përgjegjësi. Nuk mund tu mësohet elitës politike lokale të vrapojë një maratonë duke e mbajtur për krahu deri në përfundimin e garës.
Juaji,
Gerald
***
I dashur Gerald,
Jam dakord që vrapuesit nuk duhen mbajtur për krahu deri në linjën e përfundimit të garës – problemi ka qenë detyrimi i tyre për të nisur garën!
Ne nuk duhet të përcaktojmë data vetëm për hir të përcaktimit të këtyre datave. Lordi Ashdown mendon se do të ketë përfunduar pjesën më të madhe të detyrave të tij në Bosnje rreth gjysmës së vitit të ardhëshëm. Unë nuk mendoj se ky proces do të bëhet më i vlefshëm duke u kryer me më tepër urgjencë. Sidoqoftë, fundi i këtij viti është edhe data kur Bashkimi Evropian do të marrë përsipër detyrën e NATO-s për të vendosur sigurinë në Bosnje, dhe ai natyrisht është më i kujdesëshëm për të mos ndryshuar cdo gjë me urgjencë.
Megjithëse jam dakord me formën e nevojëshme të prezencës ndërkombëtare në vitin 2006, unë mbetem i shqetësuar se ne nuk e dimë se cfarë forme do të kenë kufinjtë deri ateherë. Gjëja që i mungon recetës tënde për Kosovën është një farë ndjenje lëvizjeje drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar të saj. Premtimi i vakët për një “rishikim” në vitin 2005 i bërë nga Grupi i Kontaktit nëntorin e kaluar është një hap, por ai duhet bërë më i plotë. Pa këtë, të gjitha përpjekjet për të investuar në ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë nuk do të kenë asnjë vlerë.
Dua të theksoj në mbyllje se vazhdimi i prezencës së NATO-s në Kosovë do të jetë i nevojshëm edhe për disa vjet të tjerë.
Juaji,
Nicholas
***
Gerald Knaus është president bordit ekzekutiv të Inisiativës së Stabiliteti Evropian me qendër në Berlin. Nicholas Whyte është drejtor i programit për Evropën i Grupit Ndërkombëtar të Krizave me qendër në Bruksel.