Tronditet Perandoria e Markos
Djali i Sllobodan Millosheviqit, Marko, po përjeton një rënie të pritshme të biznesit të tij.
Tronditet Perandoria e Markos
Djali i Sllobodan Millosheviqit, Marko, po përjeton një rënie të pritshme të biznesit të tij.
Gjendja financiare e Marko Millosheviqit, djalit të presidentit jugosllav, është keqësuar ndjeshëm si pasojë e bojkotit të perandorisë së biznesit të tij në Pozharevc.
Bojkoti, i cili ka prekur ndjeshëm disa nga bizneset e tij më të rëndësishme në qytet, ka filluar në maj pasi rojet e tij rrahën disa aktivistë të OTPOR-it në sytë e shumë kalimtarëve.
Zemërimi i njerëzve ndaj këtij incidenti është rritur edhe më shumë kur autoritetet i nxorrën viktimat në gjyq me akuzën për tentativë për vrasje ndaj atyre që i kishin sulmuar. Gjyqi është shtyrë pasi tre gjyqtarët e caktuar me këtë çështje u tërhoqën.
Një nga viktimat e para të këtij bojkoti ka qenë një ndër bizneset më të rëndësishme të Markos. Klubi i natës "Madona", i cili më parë frekuentohej rregullisht nga të rinj nga Pozharevc dhe rrethinat, u mbyll në qershor.
Kjo ka qenë një goditje e rëndë për Millosheviqin e ri, sepse diskoteka, më e madhja në Ballkan, sapo ishte rihapur pas disa punimeve dhe rikonstruksionesh të shtrenjta - ku përfshihej edhe instalimi i lazerave të sofistikuar e pajisjeve të videos dhe sistemeve të fonisë.
Hapja e këtij lokali ka qenë një shfaqje ekstravagante. "Ceremonia ishte madhështore - ajka e të pasurve të Beogradit kishin ardhur me atë rast me xhipat dhe makinat e tyre të shtrenjta," thotë Mariana Jovanoviq, studente nga Pozharevci. "Në mesnatë u hodhën fishekzjarre mbi qiellin e qytetit. Ishte një spektakël që edhe vetë kinezët do ta kishin zili."
Radioja në pronësi të Millosheviqit "Madona" duket se do të ketë së shpejti të njëjtin fat me klubin e natës, në ndërtesën e të cilit është vendosur që prej tre vjetësh. Radioja së fundi po jep gjithnjë e më pak reklama nga ndërmarrjet private lokale.
Përpjekjet e Markos për të shfrytëzuar revolucionin e internetit duket se po dështojnë. Ai ka krijuar furnizuesin e parë dhe të vetëm në rajon të internetit, por klientët e tij duket se po e abandonojnë.
Akoma më shqetësues për Markon është rrënimi i "Bambi Park". Një lloj versioni jugosllav i Disneiland, që konsiderohet të jetë një ndër investimet e tij më të mëdha, qendra po tërheq një numër gjithnjë e më të vogël njerëzish krahasuar me turmat e mëdha që e kanë vizituar atë gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
Qendra, e cila ka kushtuar rreth një milion marka gjermane, është ndërtuar gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi verën e kaluar. Marko është mburrur gjithnjë se puna ka vazhduar në ndërtimin e parkut edhe kur binin sirenat e sulmeve ajrore.
Kompleksi i argëtimit ka qenë i mbushur gjatë pjesës më të madhe të vitit të kaluar. Por numri i vizitorëve shpesh është rritur edhe duke urdhëruar shkollat që të përfshijnë një vizitë në Pozharevc dhe në "Bambi Park" në programet e tyre të vizitave - duke shkaktuar në shumë raste edhe pakënaqësinë e prindërve.
Numri i vizitorëve në këtë qendër ka rënë aq shumë saqë ajo tani hapet vetëm gjatë fundjavës, duke organizuar edhe shfaqje me muzikantë jugosllavë të muzikës popullore e pop, si edhe turne sportivë.
Gjendja ekonomike e Markos është rënduar në atë masë saqë ai ka filluar të shesë me çmime të ulta mallrat nga dyqani i tij i "Cybernet".
Por pavarësisht nga zhgënjimet e tij të fundit, Marko duket se është i vendosur të vazhdojë me aktivitetet e tij të biznesit, megjithëse diçka më modeste se më parë. Ai ka hapur kohët e fundit një furrë të re buke dhe piceri, duke shpërndarë qindra copë buke falas në formë publiciteti.
Marko Ruziq është pseudonimi i një gazetari nga Pozharevci.