Vendoset e Ardhmja 'e Afërt' e Kosovës

Tashmë kanë marrë fund dy vjet spekulime, përllogaritje dhe dhënie recetash - tani dihet se çfarë do të ndodhë në Kosovë.

Vendoset e Ardhmja 'e Afërt' e Kosovës

Tashmë kanë marrë fund dy vjet spekulime, përllogaritje dhe dhënie recetash - tani dihet se çfarë do të ndodhë në Kosovë.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Friday, 18 May, 2001

Diçka e pabesueshme ka ndodhur në Kosovë dhe skush nuk e ka vënë re. Në fakt, Kosovarët po, por shpallja e Kuadrit Kushtetues për Vetë Administrimin e Përkohëshëm të Kosovës dhe caktimi i ditës së zgjedhjeve, duket se kanë kaluar pothuajse pa u vënë re nga pjesa tjetër e botës.


Në fakt nuk është për tu habitur. Krahasuar me politikanët boksierë të Britanisë apo edhe me dramën në Maqedoni, fakti që një ish ministër i mbrojtjes së Danimarkës ka bërë një njoftim tepër kompleks rreth Kosovës, të paraprirë nga një emër i mërzitshëm, vështirë se përbën një lajm kryesor, në fakt, për pjesën më të madhe të redaktorëve, as nuk është fare lajm.


Megjithatë, siç e dinë Shqiptarët dhe Serbët, është e pamundur të nënvleftësosh rëndësinë e kuadrit kushtetues, të njoftuar më 15 Maj nga Hans Hakerup, drejtuesi i administratës së OKB-së në Kosovë, UNMIK.


Në fakt, një gjë e tillë do të thotë që dy vjet spekulime, përllogartije dhe dhënie recetash kanë marrë fund. Tani të gjithë e dinë se çfarë do të ndodhë në Kosovë, të paktën në të ardhmen e afërt e cila mund të parashikohet.


Më 17 Nëntor, Kosovarët do të votojnë për një asamble me 120 anëtarë. Dhjetë prej këtyre anëtarëve do të jenë Serbë dhe dhjetë nga pakicat e tjera të Kosovës. Asambleja do të zgjedhë një president. Ai më pas do të emërojë një kryeministër i cili do të krijojë një qeveri. Dy poste ministrore duhet të lihen për një përfaqësues të Serbëve dhe të një etnie tjetër. Qeveria e ardhëshme e Kosovës do të fillojë të drejtojë provincën, dhe sipas Hakerupit, UNMIK, "në shumë fusha do të ketë një pozicion të tërhequr". Por është e rëndësishme që UNMIK do të vazhdojë të jetë përgjegjës për drejtësinë, rendin dhe Korpusin e Mbrojtjes së Kosovës, i cili sipas shumë Shqiptarëve të Kosovës do të jetë bërthama e ushtrisë së ardhëshme të tyre.


Sipas Hakerup, e gjithë kjo do të thotë që kur qeveria të krijohet Kosovarët "për herë të parë në historinë e tyre" do të jenë në gjendje të vendosin për "çështjet e përditëshme" të Kosovës.


Por këtu qëndron edhe çelësi i kësaj shpalljeje. Natyrisht "çështjet e përditëshme" nuk përfshijnë pavarësinë. Hakerup dhe pasuesit e tij do të jenë në gjendje të vendosin veton mbi çdo gjë që nuk u pëlqen atyre sepse, siç e thekson ai, ai do të vazhdojë të "sigurohet që aktet e vetë administrimit të përkohëshëm të jenë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit".


Rezoluta 1244 e ka krijuar UNMIK-un dhe përcakton statusin e tanishëm ligjor të Kosovës. Ajo gjithashtu i jep mandat UNMIK-ut të promovojë "përcaktimin, në pritje të një marrëveshje përfundimtare, të një autonomie të gjerë dhe vetë administrimit në Kosovë". Pas zgjedhjeve në Nëntor, një hap i madh do të ishte ndërmarrë drejt përmbushjes së këtij synimi.


Por drejtuesit politik të Shqiptarëve të kosovës janë të pakënaqur. Ata kërkonin që kuadri kushtetues të përmbante një klauzolë e cila të premtonte një referendum për pavarësinë. Ata jo vetëm që nuk e morrën një gjë të tillë, por, kjo që është vendosur për tani, nuk ka asnjë kufizim kohor.


Në kuadrin e propozimeve në Rambuje, të cilat ata i kanë nënshkruar në Mars të vitit 1999, qeveria e përkohëshme e Kosovës do të zgjaste për tre vjet përpara rishikimit të çështjes së statusit përfundimtar. Tani nuk është më kështu. Siç tha edhe Hakerup, kjo tani është shtyrë deri "në një të ardhme të duhur".


Hashim Thaqi, ish drejtuesi politik i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, tani kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se kuadri kushtetues "mban peng çështjen e pavarësisë".


Ai ka plotësisht të drejtë. Dështimi i drejtuesve politik të Shqiptarëve të Kosovës për të treguar një qëndrim të besueshëm kundër dhunës ndaj Serbëve dhe pakicave të tjera, së bashku me lidhjet ndërmjet disa qarqeve të elitës së Shqiptarëve të Kosovës dhe drejtuesve të kryengritësve Shqiptarë në luginën e Preshevës dhe Maqedoni, do të thotë se diplomatët dhe politikanët e huaj të ngarkuar me Kosovën nuk kanë besim tek politikanët e saj.


Megjithëse ai nuk është dakort me dokumentin, Thaqi nuk ka në plan të bojkotojë zgjedhjet. Ibrahim Rugova dhe Ramush Haradinaj, drejtuesit e dy partive të tjera më të mëdha të Shqiptarëve të Kosovës, janë ankuar gjithashtu se nuk është përfshirë asnjë mundësi për mbajtjen e një referendumi, por edhe ata do të marrin pjesë në këto zgjedhje.


Haradinaj, një ish komandant i UCK-së, i cili ka qenë në Paris javën e kaluar me Veton Surroin, ka filluar të mbështesë një argument i cili prej kohësh është shprehur nga botuesi i njohur Kosovar. Kjo teori thotë që Kosovarët duhet të përdorin periudhën e vetë administrimit për të ndërtuar institucionet e tyre të cilat do të mund ti përdorin për të përgatitur rrugën për një shtet të mundëshëm.


Surroi e ka shpallur këtë pikpamje, në këto faqe, Janarin e kaluar, kur ai është shprehur në favor të një "Skenari të tipit të Taivanit". Kjo ka hedhur idenë se Serbia, Mali i Zi, dhe Kosova "po kalonin një proces konsolidimi ndërkombëtar" dhe duhet të "fokusohen më tepër në funksionimin e shtetit sesa në njohjen ndërkombëtare të tij". (Shih Raportin për Krizën Ballkanike të IWPR-së, Nr.209, 15 janar 2001).


Siç pritej, drejtuesit e Serbëve të Kosovës e kanë hedhur poshtë kuadrin kushtetues pa mëdyshje. Ata nuk kanë arritur të përfshijnë mekanizmin e vetos, i cili sipas Hakerupit, do të kishte çuar "në një bllokim të plotë të punës në asamble".


Momçillo Trajkoviq dhe drejtues të tjerë Serbë në Kosovë kanë thënë se nëse dokumenti nuk ndryshohet Serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e Nëntorit.


Reagimi nga Beogradi ka qenë po aq dënues. Predrag Simiq, këshilltari i presidentit Koshtunica për çështjet e jashtëme, e ka quajtur kuadrin kushtetues "një lëshim për separatistët Shqiptarë".


Për sa i përket Beogradit dhe të gjithë Serbëve, problemi i tyre është që ata nuk kanë ide të tjera të besueshme për Kosovën. Po ashtu shumica e politikanëve Shqiptarë duket se përsërisin formulën e pavarësisë jo sepse e dëshirojnë këtë (natyrisht që e dëshirojnë një gjë të tillë) por edhe sepse duket se nuk kanë asgjë tjetër për të thënë. Meqënëse ngjarjet e dy vjetëve të fundit kanë dëmtuar besimin ndërmjet drejtuesve politik të Shqiptarëve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, vendet që kanë influencë në këtë çështje nuk kanë asnjë dëshirë, të paktën për momentin, të mbështesin ndonjë hap drejt pavarësisë.


Në fakt, disa thonë se pavarësia do të kërkonte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe meqënëse Rusia dhe Kina do të pranonin vetëm nëse Beogradi ua kërkonte një gjë të tillë, atëherë Shqiptarët e Kosovës do të bënin mirë të fillonin një proces afrimi me Serbët.


Në të ardhmen e afërt kjo gjë vështirë se mund të ndodhë. Pra loja ka filluar dhe kuadri kushtetues do të jetë ligj…deri "në një të ardhme të duhur".


Nëse ekziston dëshira e mirë, Serbët dhe Shqiptarët mund ta përdorin këtë mundësi. Nëse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të duhet të mbeten të përfshirë në një konflikt pa fund.


Tim Xhudah është autor i librit Kosova: Lufta dhe Hakmarrja i botuar nga qendra e shtypit të Universitetit Yale.


Macedonia, China, Serbia
Frontline Updates
Support local journalists