Votuesit Fantazëm në Serbi

Shumë njerëz në Serbi mendojnë se Millosheviq do të përdorë manipulimet për të siguruar fitoren në zgjedhjet e së dielës.

Votuesit Fantazëm në Serbi

Shumë njerëz në Serbi mendojnë se Millosheviq do të përdorë manipulimet për të siguruar fitoren në zgjedhjet e së dielës.

Friday, 22 September, 2000

A mund të ndalohet Millosheviqi të manipulojë zgjedhjet e ardhshme? Kjo pyetje shqetëson mendjet e koalicionit të Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, në prag të zgjedhjeve. Askush nuk dyshon se regjimi do të deklarojë fitoren në zgjedhjet federale, bashkiake dhe presidenciale të dielën - dhe se "fitorja" do të jetë rezultat i manipulimit.


Sipas statisticienit nga Beogradi Miladin Kovaçeviq, Sllobodan Millosheviqit i mungojnë rreth 500,000 deri 700,000 vota. Instituti i Shkencave Sociale parashikon se nga i gjithë elektorati, pa përfshirë Kosovën, prej 7,861,327, mbi pesë milionë votues do të marrin pjesë në zgjedhje. Nga këta, 2.5 milionë pritet të votojnë për Kostunican dhe 1.4 milionë për Millosheviqin.


Millosheviq pritet të marrë 200,000 vota në Malin e Zi, por edhe në rastin më të mirë për të që të gjithë serbët e Kosovës, rreth 200,000 - përfshirë edhe refugjatët në qytetet e Serbisë jugore, si edhe ata që kanë qendruar në Kosovë - të votojnë për të, numri i përgjithshëm i votave të tij shkon në vetëm 1.8 milionë.


Pra, me qëllim që të ruajë pushtetin atij do t'i duhet të manipulojë votat. Vendi më i mirë për ta bërë këtë gjë, sipas ekspertëve, është në Kosovë.


Profesor Drago Hiber, zëvendës president i Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë trajtuar Kosovën gjithnjë si një rezervuar votash. Për një dhjetëvjeçar të tërë, shqiptarët e Kosovës kanë bojkotuar zgjedhjet jugosllave dhe në atë periudhë regjimi zotëronte një kontroll absolut mbi informacionin rreth peisazhit elektoral në provincë.


Kjo ka lehtësuar mbushjen e kutive me vota të fallsifikuara. Gjatë zgjedhjeve presidenciale serbe të vitit 1997, votues fantazëm shqiptarë u përdorën për të siguruar fitoren e kandiatit të SPS/JUL ndaj nacionalistit Vojislav Sheshelj. Mbi 300,000 shqiptarë të Kosovës, të cilët në fakt i bojkotonin këto zgjedhje, kishin votuar në mënyrë misterioze për Milan Milutinoviqin.


Akoma edhe më e çuditshëm ishte fakti se këto vota ishin hedhur gjoja në fshatrat shqiptare rreth Drenicës, qendra e kryengritjes shqiptare ndaj regjimit jugosllav, ku "policia serbe nuk guxonte të shkelte pa makina të blinduara".


Këtë rradhë qeveria serbe po ngul këmbë që zgjedhjet duhet të mbahen edhe në Kosovë, megjithëse kjo gjë është praktikisht e pamundur. Gjendja e sigurisë është kaq e keqe saqë serbët që mbeten aty nuk guxojnë të shkojnë as deri në dyqan për të blerë ushqime dhe jo më pastaj në qendrat e votimeve. Misioni i OKB-së në Kosovë ka njoftuar se megjithëse nuk do të pengojë votimin, ai nuk do të mbështesë këtë proces.


Megjithatë regjimi ka njoftuar se në provincë do të hapen 300 qendra votimi për ata që dëshirojnë të votojnë. Megjithëse as që mendohet që ndonjë shqiptar mund të marrë pjesë në zgjedhjet jugosllave, 600,000 fletë votimi janë shtypur në gjuhën shqipe, sikur regjimi pret që shqiptarët të dynden në qendrat e votimit dhe të votojnë për Millosheviqin.


Çuditërisht në dy qytete në Serbinë jugore, Vranje dhe Prokuplje, elektorati ka arritur në mbi një milion për shkak të shtimit në listat e votimit të të gjithë atyre me të drejtë vote në Kosovë - si serbë ashtu edhe shqiptarë.


Pritet që kutitë e votimit të votuesve të Kosovës të përfundojnë në Vranje dhe Prokuplje, gjë e cila lejon hapësira pa fund për ndryshimin e kutive të votimit dhe "numërimin" e votave falso. Për sa kohë që askush nuk mund të vëzhgojë procesin e votimit, regjimi lehtësisht mund të deklarojë se 30,000 shqiptarë nga Prishtina kanë votuar për Millosheviqin.


Për më tepër, në mungesë të një regjistri definitiv elektoral për refugjatët, ata mund të votojnë më shumë se një herë, fillimisht në Prokuplje dhe pastaj në Vranje. DOS ka propozuar të përdoret një bojë identifikuese për të parandaluar që disa njerëz të votojnë më shumë se një herë, por Komisioni Elektoral Federal nuk e ka pranuar këtë ide.


Pas më shumë se një viti që kanë duruar pasojat e politikës së regjimit, është e paqartë nëse edhe 200,000 serbët e Kosovës do të votojnë për Millosheviqin, siç bënin në të kaluarën. "E si mund të votoj për të tani?", pyet Veljo Peroviq, i cili u largua me familjen e tij nga Peja e Kosovës dukë lënë pas shtëpinë dhe punën e tij.


Millosheviq nuk ka mbajtur ndonjë takim elektoral në Kosovë, sepse KFOR njoftoi se ai do të arrestohej nëse vinte këmbë në Kosovë. Po ashtu më 15 shtator gruaja e tij Mirjana Markoviq është ndaluar të hyjë në provincë.


Por përkrahësit e Millosheviqit në pjesën serbe të Mitrovicës janë kënaqur duke qëlluar me gurë rivalin presidencial të Millosheviqit Vojislav Kostunica. Agjencia e lajmeve e Beogradit Beta ka cituar një burim anonim, i cili ka deklaruar se regjimi u kishte paguar secilit nga sulmuesit 3000 dinarë - shumë kjo e barabartë me një rrogë mujore - për të qëlluar me gurë rivalin e tij.


Edhe Oliver Ivanoviq, presidenti i Këshillit Kombëtar Serb në pjesën veriore të Mitrovicës, ka akuzuar regjimin se e ka organizuar këtë incident. "Koalicioni qeveritar gëzon pak mbështetje në Kosovë, sepse njerëzit janë të zhgënjyer nga ato që kanë ndodhur që prej mbërritjes së KFOR-it." Anullimi i takimeve elektorale të SPS-së në Graçanicë dhe Preluzhe për shkak të pjesëmarrje së pakët të njerëzve duket se konfirmon këtë pikëpamje.


Mundësi të tjera për të mbushur kutitë e votimit ekzistojnë në Malin e Zi, ku presidenti Milo Gjukanoviq dhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar po bojkotojnë zgjedhjet federale. Regjimi serb planifikon të vendosë qendrat e votimit në shtëpitë e përkrahësve të Partisë Socialiste Popullore, të cilët janë besnikë të Beogradit. Dhe natyrisht që në këto qendra votimi askush nuk do të ketë mundësi të vëzhgojë procesin zgjedhor.


Këto zgjedhje nuk do të vëzhgohen as edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë. Regjimi nuk ka pranuar të lejojë pjesëmarrjen në këtë proces të vendeve të cilat "morën pjesë në agresionin e NATO-s" duke u mjaftuar me disa ftesa që u ka drejtuar vendeve "mike" si Kina, Rusia dhe India.


Opozita po përpiqet të pakësojë mundësitë për manipulim duke vendosur vëzhgues të saj. Zoran Gjingjiq, drejtues i Partisë Demokratike, ka thënë se 98.2 përqind e zonave në Serbi do të vëzhgohen dhe disa vëzhgues do të shkojnë edhe në Kosovë. Opozita ka paralajmëruar se ajo nuk do të njohë rezultatet në zonat ku nuk janë të pranishëm vëzhguesit dhe Vojislav Sheshelj, drejtuesi i Partisë Radikale dhe partneri i koalicionit qeveritar së bashku me SPS-në dhe JUL-in, e ka përsëritur këtë paralajmërim.


Ndërsa mund të jetë e pamundur të parandalohet manipulimi i rezultateve nga ana e regjimit, një mashtrim i këtyre përmasave mund të shkaktojë një valë protestash në të gjithë Serbinë. Kështu Millosheviq përballet me problemin e vështirë të mosqenit në gjendje për të fituar me mjete ligjore, por edhe rrezikon të përballet me pasoja të pakontrollueshme nëse manipulon me 600,000 votat e nevojshme.


Milenko Vasoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


China, Serbia, Russia
Frontline Updates
Support local journalists