Zbulohet Lidhja e Millosheviq me Masakrën në Srebrenica

Dokumentat tregojnë përgjegjësinë e Millosheviq për krimin më të rëndë të luftërave në Ballkan.

Zbulohet Lidhja e Millosheviq me Masakrën në Srebrenica

Dokumentat tregojnë përgjegjësinë e Millosheviq për krimin më të rëndë të luftërave në Ballkan.

Sipas një kopjeje të një dokumenti zyrtar të Serbëve të Bosnjes të siguruar nga IWPR, Sllobodan Millosheviq ka pasur gisht në masakrën e Srebrenicës në Korrik të vitit 1995, krimi më i rëndë në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.






RS Order scan
RS Order scan

Deri më tani, mendohej gjerësisht se në verën e vitit 1995 Serbia i kishte ndërprerë lidhjet e saj me drejtuesit e Serbëve të Bosnjes dhe se forcat e armatosura të Serbisë nuk kishin marrë pjesë në operacionet në Srebrenica.


Një document i cili mban datën 10 Korrik, 1995, është një urdhër i ministrit të brendëshëm të Serbëve të Bosnjes, Tomislav Kovac, i cili udhëron vartësit e tij të zhvendosin një njësi e cila përfshinte edhe anëtarë të policisë së ministrisë së brendëshme të Serbisë, MUP, të cilët luftonin në atë kohë rreth Sarajevos, për në Bosnjen lindore, për të marrë pjesë në operacionin e Srebrenicas.


Sipas kushtetutës së Serbisë, presidenti i Serbisë, post të cilin në atë kohë e ka mbajtur Millosheviq, është përgjegjës direkt për veprimet e kryera nga forcat e policisë së republikës.


Ky document pritet të ketë një efekt të madh jo vetëm mbi rezultatin e gjyqit ndaj Millosheviq, por edhe në cështjen e hapur nga qeveria e Bosnjes e cila ka hedhur në gjyq ish Jugosllavinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare, për shkak se ajo e lidh qeverinë e atëhershme të Serbisë dhe forcat e saj policore me krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje.


Është e paqartë nëse Millosheviq ka pasur dijeni që njësi të policisë së Serbisë ishin dërguar të merrte pjesë në sulmin ndaj qytetit. Nëse ka pasur, atëherë dokumenti do të luajë një rol të rëndësishëm për të provuar akuzat për genocid. Nëse ai nuk ka pasur dijeni, përsëri do të jetë një provë e rëndësishme për akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Në mënyrë që të provohet akuza e parë duhet të përcaktohet se vendimi është marrë me dijeni të plotë, ndërsa për të dytën mjafton vetëm fakti që ai ka qenë përgjegjës për forcën policore.


“Duket se ekzistenca e një dokumenti i cili mbështet akuzën e Bosnjes ndaj Serbisë dhe Malit të Zi në lidhje me Srebrenican do të jetë shumë i vlefshëm,” ka thënë Phon Van Den Biesen, një nga avokatët i cili përfaqëson qeverinë e Bosnjes në akuzën e saj për genocid ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.


Një hetim i cili ka zgjatur gjashtë vjet dhe ka kushtuar 6 milion dollarë Amerikan, i kryer nga Instituti per Dokumentimin e Luftës i qeverisë së Hollandës ka përfunduar me një raport prej 7,000 faqe në Prillin e kaluar, në të cilin është arritur në përfundimin se nuk janë gjetur prova që të provojnë lidhjen e qeverisë së Beogradit me masakrën në Srebrenica.


Megjithatë, dokumenti i siguruar nga IWPR, tregon qartë se anëtarë të MUP të Serbisë kanë vepruar nga qendra ushtarake e Serbëve të Bosnjes në Trnovo, pak jashtë Sarajevos, dhe se ata janë transferuar për në Srebrenica dhe vendosur nën urdhërat e kolonelit të policisë së Serbëve të Bosnjes, Ljubomir Borovcanin.


Në kohën që është lëshuar urdhëri, Koloneli Borovcanin ka qenë zëvendës komandant i brigadës speciale të policisë së Serbëve të Bosnjes, me qendër në qytetin e Banja Luka në veri perëndim. Urdhëri e instruktonte atë të merrte drejtimin e forcave speciale – në rradhët e të cilave kanë qenë edhe anëtarë të MUP të Serbisë – për të shtypur rezistencën në Srebrenica.


Borovcanin është urdhëruar të shkojë në Bratunac, një fshat pranë Srebrenicës, dhe të paraqitet përpara gjeneralit të ushtrisë së Serbëve të Bosnjes, Radislav Krstiq Brenda mesditës së 11 Korrikut. Krstiq ka qenë shef i shtabit, dhe prej 13 Korrikut komandant i përgjithëshëm i korpusit të Drina, i cili kontrollonte trupat në zonë dhe për të cilin gjykata ka ngritur akuza për krime lufte.


Në kohën që njësitë e MUP janë paraqitur në krye të detyrës, operacionet ushtarake në Srebrenica pothuajse kishin përfunduar – por vrasjet masive ende nuk kishin nisur.


Vitin e kaluar, gjykata ka akuzuar Borovcanin për bashkëpunim në kryerjen e genocidit, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Akuza thotë se trupat e Borovcanin kanë arrestuar dhe ekzekutuar pa gjyq mbi 7,000 burra dhe djem nga Srebrenica. Ai është ende i lirë.


Në kohën kur Borovcanin ka marrë në dorë drejtimin e njësisë së tij të re, e cila ishte mbledhur në rajonin e policisë në Bratunac, dhjetra mijëra banorë të Srebrenicës ishin strehuar në bazën e ushtarëve Hollandezë të OKB-së në Potocari, pranë qytetit, dhe disa mijëra të tjerë po përpiqeshin të largoheshin nëpërmjet pyjeve për në territorin e kontrolluar nga forcat e qeverisë së Bosnjes.


Akuza ndaj Borovcanin thotë se forcat e tij – gjithnjë është menduar se kanë qenë vetëm Serbë të Bosnjes – kanë ndarë dhe “ekzekutuar në grup duke u prerë kokat” ndërmjet tetëdhjetë deri njëqind burra në bazën e OKB-së në Potocari më 12 Korrik.


Akuza gjithashtu thotë se ndërmjet 12 dhe 17 Korrik, këto forca kanë marrë nën kontroll një pjesë të rrugës ndërmjet fshatrave fqinje të Kravica dhe Sandici – ku duhet të kalonin njerëzit nga Srebrenica për në qytetin e kontrolluar nga forcat e qeverisë së Bosnjes, Tuzla – duke kapur më tepër se 5,000 burra dhe djem.


Duke filluar nga mbrëmja e 13 Korrik, thuhet në akuzë, policia e drejtuar nga Borovcanin ka vrarë më tepër së një mijë burra të cilët mbaheshin të ndaluar në një magazinë në Gravica, një prej masakrave më të mëdha dhe më famëkeqe.


Po këto forca thuhet se kanë kryer ekzekutime edhe në Pilica, Orahovac, dhe Kozluk, të gjitha fshatra në Bosnjen Lindore.


Akuzat e gjykatës ndaj Borovcanin janë pothuajse të njëjta me dokumentin e ministrisë së brendëshme të Serbëve të Bosnjes, përsa i përket përshkrimit të mënyrës se si është krijuar forca speciale e policisë nën drejtimin e tij dhe si është dislokuar ajo përreth Srebrenicës. Akuza përmend tre nga njësitë të cilat kanë qenë pjesë e forcës, por jo të katërtën, - pikërisht kompaninë e cila ka pasur në rradhët e saj anëtarët e MUP nga Serbia.


IWPR ka mësuar për ekzistencën e dokumentit në fund të javës së kaluar, kur ish shefi i zyrës së Interpolit Jugosllav, Budimir Baboviq, ka dëshmuar kundër Millosheviqit.


Prokurorët i kishin kërkuar Baboviq të shkruante një raport prej 50 faqe mbi strukturën e ministrisë së brendëshme të Serbisë, i cili ka treguar se Millosheviq ka qenë në kontroll të forcës së policisë.


Megjithëse raporti ka qenë i hapur për publikun, ai nuk ka pasur një vëmendje të madhe për shkak se dëshmia e Baboviq, e dhënë gjatë disa ditëve, nuk është dukur shumë bindëse. U duk sikur ky raport ishte vetëm një ndër disa mijëra dokumenta të paraqitura nga prokurorët si provë në gjyqin ndaj Millosheviq.


Në një kapitull të quajtur “Bashkëpunimi me forcat e policicisë jashtë Serbisë”, Baboviq i është referuar urdhërit të ministrisë së brendëshme të Serbëve të Bosnjes për të lëvizur njësitë përfshirë edhe policë të cilët i përkisnin MUP të Serbisë, nga Sarajevo për në Srebrenica. IWPR më pas ka siguruar urdhërin nga gjykata.


Megjithëse prokurorët nuk kanë pranuar të komentojnë mbi rëndësinë e këtij urdhëri në këtë gjyq, ata kanë thënë se shpresonin që ky dokument do të ketë një publicitet të gjerë dhe një gjë e tillë do të detyronte qeveritë Perëndimore të cilat mund të kenë prova të ngjashme të cilat implikojnë Serbinë në krime lufte ti paraqesin ato.


Emir Suljagiq është një gazetar i IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists