ZEMËRIMI PËR DECENTRALIZIMIN SHTYN ZGJEDHJET

Opozita është vendosur në krye të një vale populiste me një fushatë kundër ligjit për ndarjen e kufinjve bashkiak.

ZEMËRIMI PËR DECENTRALIZIMIN SHTYN ZGJEDHJET

Opozita është vendosur në krye të një vale populiste me një fushatë kundër ligjit për ndarjen e kufinjve bashkiak.

Monday, 21 February, 2005

Parlamenti i Maqedonisë ka votuar këtë javë për të shtyrë për një muaj zgjedhjet lokale pasi është bërë e qartë se deputetët nuk do të jenë në gjendje të përfundojnë një debat mbi ligjin e ri të diskutueshëm për ndarjen territoriale brenda afatit të caktuar për më 7 gusht.


Më3 gusht, parlamenti ka shtyrë zgjedhjet lokale nga 17 tetor për më 21 nëntor me shpresën se një muaj kohë më tepër do tu japë deputetëve kohën e mjaftueshme për të miratuar ligjin për ndarjen e re territoriale.


Vonesa shihet si një shenjë që qeveria ka humbur kontrollin mbi afatet për përfundimin e procesit të decentralizimit dhe po lëkundet përballë një revolte masive popullore kundër ndryshimeve të propozuara.


Një parakusht për zgjedhjet e ardhëshme, propozimet për decentralizimin – të cilat janë komponenti i fundit i rëndësishëm i marrëveshjes së paqes së Ohrit e cila i dha fund konfliktit etnik të armatosur në vitin 2001 – po mbahen tani peng në parlament, ndërsa opozita ka mobilizuar forcat e saj për të kundërshtuar ndryshimet e propozuara për kufinjtë lokal.


Megjithëse opozita ngul këmbë se ajo mbështet konceptin e shpërndarjes së kompetencave, ajo ka kundërshtuar ndarjen e re të kufinjve lokal, duke thënë se ato çojnë drejt ndarjet etnike të vendit.


Qeveria ka mbrojtur ndryshimet, duke insistuar se ato do të forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend.


Shqetësimet më të mëdha të opozitës kanë të bëjnë me bashkimin e fshatrave shqiptare me Strugën dhe Kiçevon, duke i bërë këto qytete të vogla, me popullsi në shumicë maqedonase pjesë të autoriteteve të reja lokale me popullsi me shumicë shqiptare etnike.


Opozita kundërshton gjithashtu ndarjen e re të kufinjve të kryeqytetit, Shkup, sipas të cilës dy fshatra shqiptare do të bashkohen me qytetin për të bërë që popullsia lokale shqiptare etnike të arrijë mbi 20 përqind, i cili është edhe kufiri minimal i përcaktuar që një zonë të sigurojë statusin e dygjuhësisë.


Gjatë pak muajve të kaluar, opozita ka organizuar protesta, bllokime rrugësh dhe disa dhjetra referendume lokale kundër ligjit të ri. Në Strugë, ku nuk ka pasur më parë tensione etnike, disa javë më parë protestat janë acaruar duke përfunduar në dhunë.


Përmasat e revoltës kanë theksuar qartë shkallën e mosbesimit që ekziston ndërmjet dy komuniteteve dhe kanë treguar se plagët e shkaktuara nga konfliktit i armatosur në vitin 2001 nuk janë shëruar ende.


Shumica e maqedonasve etnik ende kanë frikë se shqiptarët, apo të paktën radikalët në rradhët e tyre, kanë një axhendë të fshehtë për ndarjen e vendit – një ndjenjë kjo e cila është shfrytëzuar nga opozita kryesisht nacionaliste.


“Pakënaqësia popullore është e kuptueshme dhe lidhet me kujtimet e vitit 2001 dhe një ndjenjë se diçka e padrejtë ka ndodhur në Maqedoni,” ka thënë kohët e fundit presidenti Branko Crvenkovski, duke shtuar se varfëria dhe standardi i ulët i jetesës i kanë nxitur më tepër këto ndjenja.


Mëgjithate, presidenti ka thënë se ai ende beson tek marrëveshja e paqes së Ohrit, një pjesë e rëndësishme e së cilës është edhe decentralizimi.


“Unë nuk e kam nënshkruar marrëveshjen e Ohrit sepse kam qenë i detyruar, por sepse unë besoj që Ohri është një koncept i cili do të sigurojë stabilitetin e vendit dhe barazinë për të gjithë qytetarët e vendit,” ka thënë ai.


Nga ana e shqiptarëve, shumë e shohin kundërshtimin e maqedonasve ndaj propozimeve si një provë që ata nuk janë të përgatitur të zbatojnë marrëveshjen e paqes dhe tu japin shqiptarëve barazi. Shqiptarët mohojnë të kenë synime për ndarjen e vendit.


“Nëse shqiptarët do të donin të ndanin këtë vend, do ta kishin bërë,” ka thënë Zudi Xhelili, një deputet i Partisë Demokratike të shqiptarëve në opozitë.


“Është e vërtetë që ne shqiptarët duam të jetojmë në një shtet, por ne mund ta kemi atë në kuadrin e Evropës së bashkuar,” shton ai. “Nëse nuk do të anëtarësohemi në BE, do të jetë faji juaj [i maqedonasve]”.


Pavarësisht se fjalët e Xhelilit mund të duken jo diplomatike, ato prekin një çështje të rëndësishme, atë që Evropa mbështet fuqimisht qëndrimin e qeverisë në këtë mosmarrëveshje.


Paketa e decentralizimit është një kusht i rëndësishëm për kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e cila është paraqitur në muajin mars. Zyrtarë të BE dhe NATO-s kanë shprehur mbështetje për propozimet e qeverisë dhe kanë kërkuar nga opozita që ajo të mos bllokojë këtë proces.


Por, qëkur debati është zhvendosur në parlament dy javë më parë, partitë e opozitës kanë paraqitur mbi njëqind propozime për ndryshimin e ligjit dhe kanë hapur në këtë mënyrë një debat i cili duket i pafund, duke e detyruar qeverinë të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.


Opozita thotë se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale tregon se qeveria po kupton se po humbet mbështetjen në rradhët e popullit.


“Duke vonuar zgjedhjet, qeveria po përpiqet të fitojë kohë, duke shpresuar se revolta do të qetësohet dhe se vëmendja e njerëzve do të përqëndrohet diku tjetër,” ka thënë Ganka Samoilovska Cvetanovska, zëvendës kryetare e partisë nacionaliste të opozitës, VMRO-DPMNE.


Partia Social Demokrate, SDSM, në pushtet, e mohon këtë, duke fajësuar opozitën për vonesën e zgjedhjeve duke thënë se kjo ishte një pasojë e pashmangëshme e diskutimeve të tejzgjatura të opozitës dhe të ndryshimeve të shumta të propozuar prej tyre në parlament.


“Ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet,” thotë Boris Kondarko, një deputet i SDSM. “Opozita ka bllokuar debatin për këtë ligj, i cili është i domosdoshëm për procesin e decentralizimit”.


Shumë analistë pranojnë se koalicioni qeveritar duhet të pranojë një pjesë të përgjegjësisë për vonesat dhe mosmarrëveshjet mbi planin për ndarjen e re territoriale.


Ata fajësojnë për këtë sekretin me të cilin janë mbështjellë bisedimet 45 ditore për këtë plan, i cili i ka lënë krejtësisht të painformuar njerëzit në lidhje me atë që po u ofrohej shqiptarëve nga partitë e koalicionit qeveritar.


Në kohën kur është arritur marrëveshja, të gjithë prisnin me padurim të shihnin propozimet e qeverisë, por kanë zbuluar se projekt ligji përmbante shumë prej zgjidhjeve të cilat përfaqësuesit maqedonas i kishin deklaruar më parë të papranueshme.


Opozita menjëherë i ka quajtur përfaqësuesit e qeverisë “tradhëtarë”. E gjithë kjo ka përforcuar mendimin e shumë maqedonasve se shqiptarët kanë përfituar shumë lëshime.


Anketimet më të fundit kanë treguar se popullsia është kundër planeve të qeverisë. Një anketim i Institutit për Kërkime Sociologjike, Politike dhe Ligjore, i publikuar më 4 gusht, tregon se 72.9 përqind e të anketuarve kundërshtojnë propozimet për ndarjen territoriale.


Përbërja etnike e këtij anketimi tregon se mbi 90 përqind e maqedonasve etnik dhe 30 përqind e shqiptarëve e kundërshtojnë këtë ndarje të re. Shtëdhjetë përqind e shqiptarëve e mbështesin ndarjen e re territoriale.


Në rrugë, protestat dhe bllokimet e rrugëve vazhdojnë në shumë bashki. Viktima e parë zyrtare e kësaj krize mund të jetë festivali ndërkombëtar i poezisë në Strugë, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Maqedoni, i cili i ka fillimet e tij 43 vjet më parë.


Autoritetet lokale të qytetit kanë thënë se festivali nuk do të organizohet këtë verë, për shkak të tensioneve në zonë dhe shqetësimeve për ndonjë incident të mundëshëm. Qeveria po mendon ta zhvillojë atë në Shkup.


Por qeveria përballet me probleme më të vështira se sa anullimi i një festivali poezie. Opozita nuk është e përgatitur të ulë presionin në parlament dhe megjithëse asnjë prej propozimeve të shumta të tyre nuk janë miratuar, ata po e ngadalësojnë debatin me diskutime të gjata, duke përdorur çdo rast për të vonuar votimin.


Kryetari i VMRO Nikola Gruevski ka thënë se opozita do të miratojë të gjitha 28 ligjet e tjera të paketës së decentralizimit nëse ligji për ndarjen territoriale ndryshohet.


Por pavarësisht presioneve të vazhdueshme, qeveria nuk po tregon asnjë shenjë se do të pranojë të ndryshojë projekt ligjin e propozuar.


Si rezultat, opozita po përdor armën e fundit kushtetuese dhe po përpiqet të thërrasë një referendum. Për të bërë këtë, ajo ka nevojë për 150,000 firma deri në afatin e 23 gushtit. Inisiatorët e referendumit thonë se kanë mbledhur mbi 100,000 firma, kur kanë mbetur ende edhe më tepër se dy javë deri në afatin përfundimtar.


Por edhe nëse mbahet një referendum, ai vështirë se mund të arrijë të detyrojë ndryshimin e ligjit të diskutueshëm. Kjo për arësye se mbështetësit e partive maqedonase dhe shqiptare në pushtet me siguri do ta bojkotojnë votimin, duke e bërë kështu shumë të vështirë për organizatorët të sigurojnë 400,000 votat e nevojëshme për suksesin e referendumit.


Një referendum do të rriste tensionet etnike në Maqedoni dhe ndoshta do të nxiste një kundër referendum nga ana e shqiptarëve. Sido që të përfundojë çështja e referendumit, ndarjet etnike në vend rrezikojnë të thellohen edhe më tej dhe marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni mund të keqësohen.


Ana Petruseva është drejtuese e projektit të IËPR në Shkup.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists