Zemërimi Shqiptar kundër Pedofilisë

Shumë në Shqipëri po kërkojnë dënimin me vdekje për ata që seksualisht abuzojnë fëmijët.

Zemërimi Shqiptar kundër Pedofilisë

Shumë në Shqipëri po kërkojnë dënimin me vdekje për ata që seksualisht abuzojnë fëmijët.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Wednesday, 25 July, 2001

Policia e gjeti Sh. Z. të uritur, duke rrjedhur gjak dhe të lidhur në shtëpinë e tij në një fshat jugor të Shqipërisë. “Pak jetë i kishte mbetur kur e gjetëm,” tha shefi i policisë Sokol Kanani. Familja e tij, e kishte lënë në këtë gjendje, pasi ishte kapur duke përdhunuar mbesën e tij gjashtë vjeçare.


Gruaja e të moshuarit e kishte pikasur, nga ulërimat e fëmijës. Ajo filloi ta godiste atë me grushta dhe me çfarë tjetër i zinte dora. Kur i tregoi të birit, ai e rrahu të jatin deri sa i ka marrë frymën. Shumë e turpëruar për të shkuar në polici, familja ra dakort ta mbyllte atë në shtëpi dhe ta linin të vdiste urie. Fillimisht djali dhe kunati i tij e kishin tredhur të moshuarin.


Pedofilia ishte e padëgjuar nën sistemin komunist. Kur një pedofil britanik u arrestua dhe ekstradua para disa vitesh, njerëzit u tronditën. Ishte historia e ditës në vend. Për një komb me vlera të thella konservative për familjen, pedofilia ishte diçka e vështirë për qytetarët për t’u pranuar.


Sigurisht që pedofilia ka ekzistuar gjithmonë, por nuk raportohej në të shkuarën. Tani, me liritë më të mëdha të shtypit, është temë që frekuenton shpesh titujt e gazetave dhe tërheq vëmendjen e shtypit. Vitin e shkuar, qindra shqiptarë morën pjesë në funeralin e një fëmije 9-vjeçar të rrëmbyer, përdhunuar dhe vrarë nga një pedofil italian.


Tredhja e tmerrshme e SH. Z.-së e la pothuajse të vdekur atë. Jeta e tij varej në fije të perit për ditë me rradhë. Kur u duk se ishte në gjendje të dilte nga spitali, policia e ktheu në shtëpi por në atë situatë thotë Kanani nuk dinte kë të arrestonte babain apo të birin. “Plaku mohoi gjithçka,” tha ai, “dhe e akuzoi të birin për sulm ndaj tij.”


Tre ditë më vonë, Sh. Z. u paraqit në gjyq i akuzuar për abuzim seksual të miturit në familje. Ai përballej me një burgim pesë vjeçar. Pas përfundimit të gjyqit, gruaja e të akuzuarit iu lut gjykatësit t’ia dërgonin të shoqin në burg. “Mos ma sillni në shtëpi sepse unë nuk do e lë të hyjë brenda,” u lut ajo.


Kur lajmi doli se ai u dënua me tre vjet burgim, reagimi publik për lajmin ishte unanim. “Drejtësi më në fund” tha një çift teksa po merrnin gazetën.


Sh.Z. e di që problemi i tij i vërtetë do të nisë pas lirimit nga burgu. Ai nuk do të mund të kthehet në fshat më. Atëherë ai do të jetë pothuajse 80 vjeç, i frikësuar dhe i vetëm pa askënd. Asgjë nuk ka marrë fund edhe për familjen. Vajza e tij, kur mori vesh lajmin u shqetësua aq shumë kur mori vesh për ngjarjen saqë tentoi të vriste veten duke gëlltitur pesticide. E gjetën fqinjët të cilët e çuan me urgjencë në spital.


Janë kryer shumë studime përsa i takon abuzimit me fëmijët dhe shkaqeve të tij. Një raport vlerësonte në 11% numrin e fëmijëve që vuajnë abuzimin seksual. “Personat që kanë vuajtur abuzimin seksual në moshë fëminore vuajnë pasojat për të gjithë jetën - ata bëhen të mbyllur (introvert), kanë vështirësi në komunikimin me të tjerët, qofshin ata edhe moshatarët e tyre,” tha psikologu Edmond Dragoti.


Përsa i përket bërësve të këtyre akteve, reagimi normal është i drejtpërdrejtë këtu, “Si mund të ndëshkohen këta persona me burgim? Ata duhen varur.”


Karolina Risto është gazetare me të përditshmen shqiptare “Gazeta Shqiptare”.


Albania
Frontline Updates
Support local journalists