Zhvarrosen Sekretet e Tmerrshme

Ekipet e specializuara të dërguara nga Gjykata e Hagës po hapin disa qindra varre masive në të gjithë Kosovën.

Zhvarrosen Sekretet e Tmerrshme

Ekipet e specializuara të dërguara nga Gjykata e Hagës po hapin disa qindra varre masive në të gjithë Kosovën.

Varrezat e lagjes Dragodan në Prishtinë janë të qeta, pothuajse një vend ku nuk të shqetëson askush.


Të vendosura në një faqe kodre mbi këtë qytet të zhurmshëm dhe të pluhurosur, ato i ofrojnë një pamje vargut të kodrave në veri. Që këtu mund të shihet vendi ku është zhvilluar beteja e Kosovës ku serbët u mundën nga turqit në vitin 1389 - një konflikt i përdorur nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq për të ushqyer nacionalizmin serb.


Për ironi të fatit, kjo varrezë ruan edhe dëshmitë e tmerrshme të spastrimit etnik të Kosovës.


Këto ditë kënga e zogjve në varrezë ndërpritet nga tingujt e një gërmuesi mekanik që nxjerr trupat - në kuadrin e një pjese të një përpjekje të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi me qendër në Hagë, ICTY, për të përforcuar akuzat e bëra ndaj Millosheviqit dhe katër ndihmësve të tij të ngushtë.


Ekipi i zhvarrosjes drejtohet nga Stiv Uats, një burrë i shëndetshëm, oficer policie nga Portsmuth në Angli. Ekipi i ekspertëve i drejtuar prej tij, i cili është grumbulluar nga të gjitha anët e Britanisë së Madhe, ka mbi një muaj që punon në këto varreza dhe ka zhvarrosur deri më tani 90 trupa e pritet të nxjerrë edhe shumë të tjerë.


"Ky është një nga vendet më të rëndësishme përsa i përket numrit të trupave të zbuluar dhe akuzave të Gjykatës," thotë Uats.


Deri më tani ICTY ka identifikuar 440 vende ku ndodhen varre masive në të gjithë Kosovën. Vitin e kaluar kërkimet kanë nxjerrë në dritë 2,108 trupa dhe ata synojnë të gërmojnë në të gjitha vendet e tjera përpara fillimit të dimrit. Puna ka përfunduar në 93 vende që prej fillimit të gërmimeve në muajin prill. ICTY ka mësuar për varret në Dragodan pas hetimeve të kryera dhe intervistave me komunitetet lokale.


Nën diellin përvëlues të mëngjesit, Uats dhe ekipi i tij punojnë me ngulm për të nxjerrë sekretet e kësaj rrëpire.


Pasi gërmojnë rreth një metër thellësi, duket lehtë një shtresë dheu e pavendosur mirë. Kutërbimi i vdekjes vërtitet në ajër. Ekipi shkon pranë gropës dhe fillon të punojë me kazma dhe lopata dhe kur nevojitet kujdes më i madh ata përdorin edhe duart e tyre të mbrojtura me doreza.


Kur zbulohet një trup i dekompozuar ai fotografohet me një numër pranë tij dhe pastaj ngrihet dhe futet në një thes plastik me zinxhir ku fotografohet përsëri - pjesë e një procedure të rreptë dokumentacioni me qëllim që t'i ofrohen sa më shumë prova prokurorëve në Hagë.


Trupi i përbaltur duket të jetë i një mashkulli, i veshur me bluzë të errët dhe pantallona blu. Është shpejt për të thënë se si është vrarë.


Shkaku i vdekjes do të përcakohet nga një ekpert patholog në morgun e Prishtinës. Disa nga trupat e zhvarrosur ruajnë shenja të dukshme të vrimave të plumbave në kafkë. Eksperienca shumëvjeçare në hetimin e vrasjeve dhe rrëmbimeve nuk e kanë përgatitur mjaftueshëm Uats për të përballuar edhe rezultatet e spastrimit etnik.


"Nuk mendoj se mund të mësohesh ndonjëherë me këto gjëra... Mendoj se me këto gjëra gjithësecili ka mënyrën e vet të përballimit. Kënaqësia vjen nga qënia i ndërgjegjshëm që ke bërë një punë e cila është pjesë e një procesi i cili synon që këto gjëra të mos ndodhin kurrë më dhe se bota nuk do të tolerojë më gjëra të tilla."


Për çudi, pavarësisht nga ekzistenca e dëshmive të besueshme të dëshmitarëve okularë, ne disa vende ku mendohet të ketë varre masive nuk janë zbuluar kufoma. Megjithatë kjo mund të jetë një gjë e mirë dhe lehtësuese për fshatarët të cilët kanë pasur shqetësim për një pjesë toke të punuar rishtazi apo ndonjë shenjë tjetër të dyshimtë.


Por kushdo që të ketë hedhur trupat në Dragodan ka bërë të pamundurën për të shmangur zbulimin e tyre. E ku ka vend më të mirë për të fshehur punën e tyre të ndyrë se sa një varrezë?


Ekipi i ekspertëve përdor një qen për të nuhatur në mënyrë që të shmangin vendosjen e trupave të tjerë për të ngatërruar. Trupat janë gjetur ndërmjet varreve të vjetra. Disa të tjerë janë gjetur pothuajse brenda në varre të zakonshme. Në disa vende janë zbuluar edhe skelete qensh dhe lopësh të vendosur mesa duket për të mashtruar apo për t'i humbur kohë hetuesve.


Këto metoda të përdorura tregojnë se fajtorët duhet të kenë qenë në dijeni të veprimtarisë së Gjykatës në Hagë.


"Epo, unë mendoj se tani në këtë shekull njerëzit duhet ta kuptojnë dhe ta dinë se në një moment njerëz si ne që punojnë për ICTY do të vijnë dhe do të kërkojnë të zbulojnë shkaktarët," thotë Uats.


Deri në kohën e drekës ekipi ka nxjerrë gjashtë trupa, të cilët do të dërgohen shumë shpejt në morg për veprimet e nevojshme. Veshjet e viktimave do të lahen dhe do të fotografohen në mënyrë dixhitale për t'u transferuar më pas në një bazë të dhënash të kompjuterit.


Njerëzit që kanë humbur të afërm apo miq do të shikojnë fotografitë. Kjo është pjesë e asaj që Uats e quan natyra "shumëplanëshe" e punës së tyre - duke mbledhur prova për akuzat, duke ofruar informacion për të afërmit dhe krijimin e një pamjeje më të qartë për të hedhur dritë mbi ngjarjet e ditëve të errëta të spastrimit etnik.


"Është shumë, shumë e rëndësishme që njerëzit të informohen mbi atë që u ka ndodhur të afërmve dhe që shoqëria të kuptojë se në çfarë shkalle janë kryer këto krime," thotë ai. "Kjo ndihmon në rivendosjen e stabilitetit në provincë duke ditur shkallën e krimeve të kryera."


Uats dhe ekipi i tij e mbyllin ditën e punës rreth orës së drekës. Bën shumë nxehtë dhe nuk mund të punohet më shumë. Ata i hedhin ujë njëri tjetrit për t'u freskuar. Nesër në mëngjes ata do të kthehen përsëri këtu për të vazhduar punën e tyre të vështirë, por tepër të vlefshme.


Xhef Parish është gazetar i Korporatës Australiane të Transmetimit.


Balkans, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists