A Ka Qenë Shumë Ambicjoze Aktakuza ndaj Millosheviq?

Një akt akuze me më pak akuza apo me një shtrirje gjeografike më të vogël mund të kishte siguruar tanimë një vendim të gjykatës.

A Ka Qenë Shumë Ambicjoze Aktakuza ndaj Millosheviq?

Një akt akuze me më pak akuza apo me një shtrirje gjeografike më të vogël mund të kishte siguruar tanimë një vendim të gjykatës.

Wednesday, 9 November, 2005

Kur prokurorët kanë nisur cështjen ndaj Sllobodan Millosheviqit pothuajse dy vjet e gjysëm më parë, ata menduan se do të duhet të kishin një akuzë sa më të gjerë.


Ata bashkuan tre akuza të cilat ishin të ndarë në një akuzë tepër të gjerë. Në këtë mënyrë, ata krijuan një cështje – e cila përfshinte 66 akuza për krime kundër njerëzimit, krime lufte, dhe genocidi, të cilat mbulonin konflikte të armatosura në tre vende të ndryshme – përmasat dhe kompleksiteti i së cilës nuk ishin parë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.


Por pas vonesës së përsëritur të procesit gjyqësor për shkak të shëndetit të keq të Millosheviqit, disa po pyesin nëse do të kishte qenë më mirë që prokuroria të kishte paraqitur një cështje më pak të gjerë që në fillim të procesit. Ndoshta, thonë këta njerëz, një cështje më e ngushtë me më pak akuza apo një shtrirje më të pakët gjeografike do të kishte arritur tanimë një vendim nga gjykata.


Megjithatë, të tjerë ngulin këmbë se kufizimi i kësaj cështjeje gjyqësore – duke përfshirë, të paktën fillimisht, vetëm një prej tre akuzave, për shembull – do të kishte dëmtuar interesin e drejtësisë.


Këto mendime të ndryshme prekin edhe thelbin e cështjes, nëse një proces gjyqësor ndaj ish kryetarit të një shteti i akuzuar për krime të tmerrshme mund, apo duhet, tu japë përgjigje shqetësimeve të sa më tepër viktimave të jetë e mundur – dhe nëse kjo mund të bëhet në një mënyrë të suksesëshme dhe efikase.


A është e mundur, dhe e dëshirueshme, që të bashkohen këto synime në një akuzë historike – apo procesi i tanishëm gjyqsor po rrëzohet nën peshën e madhe të këtyre shpresave?


Në maj të vitit 1999 gjykata ka konfirmuar akuzat e prokurorëve ndaj Millosheviq për krime të kryera në Kosovë. Mbi dy vjet më pas, në tetor 2001, është konfirmuar edhe akuza për krimet në Kroaci; dhe një muaj më pas edhe ajo për Bosnjen.


Kjo vonesë kohore është shkaktuar nga fakti që prokuroria kishte prova të shumta për të ngritur akuzën për ngjarjet në Kosovë përpara atyre për ngjarjet në Kroaci dhe Bosnje.


Por pak përpara se cështja e Kosovës të shkonte në gjykatë, prokuroria i ka kërkuar gjykatës të bashkonte të treja akuzat në një cështje të vetme. Arësyeja që ka dhënë prokurori Geofrey Nice në atë kohë, ka qenë se faktet dhe akuzat kanë pasur të bëjnë “me të njëjtën skemë, apo plan”, dhe pikërisht përpjekjen e Millosheviqit për të krijuar Serbinë e Madhe – “një shtet të centralizuar serb me përfshirjen e zonave të banuara nga serbët në Kroaci dhe Bosnje Herzegovinë, dhe gjithë Kosovën”.


Rregullat e gjykatës lejojnë kombinimin e cështjeve gjyqësore kur bëhet fjalë për krime të njëjta.


“Pa pasur një pamje të qartë, do të jetë shumë e vështirë për trupin gjykues të gjykojë këtë njeri, veprimet dhe mendimet e tij,” ka thënë Nice, i cili ka vazhduar të thotë se një gjyq i vetëm do të krijonte “kushte më të mira”, përfshirë një kohëzgjatje më të shkurtër dhe një listë më të shkurtër dëshmitarësh.


Në mënyrë të vecantë, ai ka thënë, se mbi 20 dëshmitarë kanë qenë të rëndësishëm për më shumë se njërën nga akuzat, dhe ka parlajmëruar se disa prej këtyre njerëzve nuk do të pranonin apo nuk do të dëshironin të dëshmonin më tepër se një herë.


Ai gjithashtu ka insistuar se “është në interesin e drejtësisë që i pandehuri të gjykohet një herë nga një trup gjykues i vetëm”.


Por gjykata nuk ka pranuar, duke thënë se ndërsa akuzat për Bosnjen dhe Kroacinë “kishin ngjashmëri në kohë, llojin e konfliktit, dhe përgjegjësitë e të pandehurit” dhe mund të bashkoheshin, ndërsa Kosova ishte e ndryshme.


“Ekziston një ndryshim në kohë dhe vend ndërmjet Kosovës dhe akuzave të tjera dhe gjithashtu edhe një dallim në mënyrën e sjelljes së të pandehurit në ato kushte,” kanë shpjeguar ata. Si rezultat, gjykatësit kanë vendosur se cështja e Kosovës duhej të gjykohej më parë në mënyrë të vecantë, dhe më pas të zhvillohej procesi për akuzat e Kroacisë dhe Bosnjes.


Prokuroria e apeloi këtë vendim. Dhe këtë herë, dhoma e apelit vendosi që të treja akuzat, në fakt “formojnë të njëjtin transaksion” dhe për rrjedhim urdhëroi “që duhet të kishte vetëm një proces gjyqësor” i cili të përfshinte të treja cështjet.


Më pak se dy javë pas dhënies së këtij vendimi, nisi gjyqi më i rëndësishëm për krime lufte që prej gjyqeve të Nurembergut. Kjo ka qenë pothuajse dy vjet e gjysëm më parë. Dhe në këtë moment, fundi i tij nuk duket ende i afërt.


Millosheviq është i sëmurë, sipas doktorëve të tij, gjëndja e tij keqësohet. Nuk është e qartë se kur mund të përmirësohet në mënyrë që të mund të nisë mbrojtjen e tij pasi gjykata të përfundojë pushimet e verës, dhe sa ditë në javë mund të jetë në gjendje të punojë.


Trupi gjykues ka humbur tanimë një gjykatës. Gjykatësi Richard May, i cili ka qenë edhe kryetar i trupit gjykues gjatë fazës së paraqitjes së provave, ka vdekur në fillim të muajit, pasi ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij në pranverë. Ai është zëvendësuar nga një gjykatës i ri, por tani trupi gjykues është i varur nga shëndeti i anëtarëve të tij pasi rregullorja e gjykatës lejon ndryshimin e trupit gjykues vetëm një herë pa miratimin e të pandehurit.


E gjithë kjo ka shkaktuar shqetësimin se ky proces gjyqësor mund të ndërpritet apo të përfundojë pa një vendim. Dhe për këtë arësye shumë njerëz kanë filluar të ngrenë pikpytje në lidhje me vendimin për të zhvilluar një proces gjyqësor me një shtrirje gjeografike kaq të madhe dhe një numër kaq të madh akuzash.


Në fakt, ka gjyq mund të ishte zhvilluar në dy mënyra. Prokurorët mund të kishin vazhduar vetëm me një akuzë – atë për Kosovën, për shembull – sic dëshironte fillimisht edhe gjykata. Apo, pas bashkimit të të treja akuzave, prokurorët mund të kishin kufizuar numrin e akuzave të ngritura ndaj Millosheviqit.


Të dyja këto qëndrime do të kishin pasur rreziqe dhe anë të mira.


Marieke Vierda, bashkëpunëtore e vjetër në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësinë në Tranzicion dhe një ish bashkëpunëtore e gjykatësit May, ka thënë për IWPR se pasja e një cështjeje kaq të madhe është një “rrezik i madh”, sepse “nëse i pandehuri konsiderohet i paaftë për tu gjykuar apo vdes gjatë gjykimit, atëherë, gjykata nuk ka më asgjë në dorë”.


Nga ana tjetër, thotë ajo, nëse prokurorët do të proceduar fillimisht me akuzën për Kosovën, ata “mund të kishin arritur tanimë ta dënonin të pandehurin për rolin e tij në krimet në Kosovë”.


Ajo ka theksuar se pasi të kishte përfunduar gjykimi për Kosovën, atëherë do të kishte pasur edhe më tepër argumenta për një tjetër gjyq për krimet në Kroaci dhe Bosnje. Por, ka thënë ajo, duhet të ngrihet pyetja “nëse ekzistonte ende një gadishmëri në rradhët e komunitetit ndërkombëtar, vecanërisht vendeve donatore, për të vazhduar me dy cështjet e tjera”. Dhe nëse jo, “A do të kishim atëherë një boshllëk të madh historic dhe a nuk do të shkaktonim pakënaqësi në rradhët e viktimave?”


Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje me siguri do të ishte po. Një analist i vendosur në Sarajevë, i cili ka folur me IWPR në kushtet e anonimitetit, ka thënë se “Nëse Millosheviq do të gjykohej vetëm për krimet në Kosovë, nuk do të kishte asnjë garanci që ai më vonë do të gjykohej edhe për ato në Bosnje dhe Kroaci.


“Unë mendoj se është shumë më e rëndësishme që politikat dhe veprimet e Millosheviqit gjatë luftës të paraqiten haptazi sesa dënimi i tij me burg. Dhe një gjë e tillë nuk do të kishte qenë e mundëshme nëse ai nuk do të gjykohej edhe për krimet në Bosnje”.


Munira Subasiq, president i Shoqatës së Grave të Srebrenicës, pranon këtë tezë duke thënë se “Unë do të ndjehesha e turpëruar dhe e tradhëtuar nëse Millosheviq nuk do të gjykohej për krimet e luftës në Bosnje.


“Nuk më intereson se sa do të zgjasë gjyqi. Sa për mua mund të zgjasë edhe dhjetë vjet nëse është e nevojëshme – për sa kohë që në fund provohet fajësia e tij. Për mua nuk do të kishte fare rëndësi nëse ai dënohej me burg vetëm për krimet në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që ai të gjykohet edhe për krimet në Bosnje,” ka shtuar ajo.


Kur kanë kaluar dy vjet e gjysëm, pavarësisht gjithë problemeve me të cilat përballen procesi gjyqësor, Florence Hartmann, zëdhënëse e kryeprokurores së gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, është e sigurtë që strategjia e prokurorisë ka qenë e drejtë.


Ajo thotë se akuza është ngritur duke përdorur një model të llojeve të krimeve të kryera “me qëllim për të paraqituir një pamje të sistemit kriminal të krijuar nga Millosheviq, si është zbatuar ai, dhe cilat kanë qenë synimet e tij.


“Me një cështje shumë selective, viktimat nuk do të ishin të kënaqur me drejtësinë e vendosur. Këtu kemi të bëjmë me shkelje tepër të rënda – të shumta, sistematike të cilat kanë vazhduar për vite me rradhë. Duhet të provohet ekzistenca e një modeli, e një plani”.


Por disa mendojnë se modeli i përdorur përsëri mund të jetë shumë i gjerë.


Richard Dicker, drejtor i Programit të Drejtësisë Ndërkombëtare për organizatën Human Rights Ëatch, ka thënë se pas bashkimit të të tre akuzave në një proces gjyqësor, mund të kishte qenë më mirë të kufizohej numri i akuzave – pra ulja e 66 akuzave të ngritura nga prokuroria në disa më pak.


Ai ka pranuar se kufizimi i gjykimit të Millosheviq në këtë mënyrë do të kishte pasur për pasojë që “disa viktima të mos ndjeheshin të kënaqura me dënimin për shkak se nuk ishte dhënë për krimet e ushtruara ndaj tyre” por ka thënë se kjo ndonjëherë “mund të jetë e pashmangëshme” në procedura të tilla.


Në fund, ka thënë ai, shpresat e njerëzve për atë që mund të arrihej në këtë proces mund të kenë qenë tepër të larta.


“Në të ardhmen, është e rëndësishme që ne të kemi shpresa realiste për proceset gjyqësore dhe rezultatin e tyre,” ka shpjeguar ai. “Prokurorët duhet të përqëndrohen në një numër të kufizuar akuzash, për të cilat ka edhe më tepër prova, megjithëse këto mund të mos përfshijnë disa ngjarje të rëndësishme.


“Gjyqet nuk duhet të përpiqen të jenë një libër historie”.


Rachel S. Taylor është një redaktore e IWPR në Hagë. Gazetarja e IWPR Merdijana Sadoviq ka kontribuar në këtë artikull.


Frontline Updates
Support local journalists