Në Mostar Nuk u Besojnë Separatistëve

Shumë pak njerëz nëpër rrugët e Mostarit janë në favor të separatistëve të linjës së ashpër

Në Mostar Nuk u Besojnë Separatistëve

Shumë pak njerëz nëpër rrugët e Mostarit janë në favor të separatistëve të linjës së ashpër

I pari njeri që takova në Caplina, një qytet i vogël i banuar nga Kroatë pranë Mostarit, duket se përfaqëson edhe mendimin e shumicës së Kroatëve që jetojnë në Herzegovinën perëndimore.


Davor, një anëtar i Brigadës së Parë të ushtrisë Kroate, HVO, nuk ka pranuar një ofertë prej 500 marka Gjermane të bërë nga ish komandantët e tij për ta bindur të mbështesë largimin e Kroatëve nga ushtria e Federatës.


Plani i shkëputjes, i përgatitur nga HDZ-ja nacionaliste, ka çuar në shkarkimin e drejtuesit të partisë Ante Jelaviq nga Përfaqësuesi i Lartë dhe në mbylljen së fundi nga ana e komunitetit ndërkombëtar të bankës e cila thuhet se ka dhënë fondet për blerjen e njerëzve si Davor.


Davor më thotë se ai nuk i do paratë e tyre, "të cilat Zoti e di se nga vijnë". Dhe thotë se nuk i bëhet shumë vonë se kush do të drejtojë njësinë e tij: "Autoritetet e vjetra dhe të reja janë të dyja njësoj".


Ai duket i lodhur dhe flet në të njëjtën mënyrë të lodhur si për HDZ-në ashtu edhe për Aleancën për Ndryshim në qeveri.


Duke hyrë në Mostarin Perëndimor, ana e banuar kryesisht nga Kroatët, më ranë në sy disa vizatime dhe një shkrim i cili hiqte një paralel ndërmjet trupave të NATO-s dhe Ushtrisë Jugosllave 'SOFR=JNA' - shumë njerëz mendojnë se forcat ndërkombëtare të vendosura këtu vetëm pretendojnë të jenë neutrale.


Slogane të tilla duken si pa vend në një qytet i cili gjatë viteve të fundit ka filluar me ngadalë të qetësohet dhe të kthehet në gjendjen e tij të mëparëshme. Zorr se mund të shikosh përreth ndonjë shenjë të protestave të dhunëshme ndaj marrjes nën kontroll të Bankës Hercegovacka nga ana e trupave të SFOR-it në mesin e muajit Prill. Mostari Perëndimor është një vend i begatë: shumë makina të reja, dhe pronarët e veshur mirë të dyqaneve të cilët shesin mallra luksi në rrugët e mbushura me njerëz.


Megjithatë, ndjehet një ndjenjë armiqësie ndaj komunitetit ndërkombëtar. Dhe zyrtarët Perëndimorë natyrisht që e dinë një gjë të tillë - disa prej tyre lëvizin nëpër qytet të ruajtur nga disa roje trupi të armatosur rëndë.


Një anëtar i rëndësishëm i HDZ-së është shumë i nxehur me vendimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë nën kontroll bankën. Ai mendon se ky veprim nuk ka pasur të bëjë me mbledhjen e provave për transaksione të paligjëshme, por ka qenë një veprim i menduar për të goditur rëndë mirëqënien e përgjithëshme të rajonit. SFOR ka marrë me vete kompjuterat e bankës, gjë e cila do të thotë se shumë njerëz nuk do të munden të marrin rrogat e tyre gjatë javëve të ardhëshme.


Zyrtari, i cili preferoi të mbetej anonim, thotë se ai mendon se është e papranueshme që HDZ-ja e cila ka fituar 92 përqind të votave, nuk është në pushtet. Ai gjithashtu nuk mendon se komuniteti ndërkombëtar ka nisur një dialog serioz me HDZ-në, duke cituar refuzimin e Perëndimit për të biseduar me përfaqësuesin e autorizuar nga partia, Martin Raguz.


"ne jemi për bisedime dhe për të gjetur një zgjidhje," thotë zyrtari. "Megjithatë, ne dëshirojmë të jemi të barabartë në tryezën e bisedimeve. Ndoshta njerëzit në komunitetin ndërkombëtar nuk e kuptojnë si duhet se synimi i HDZ-së nuk është të shkëputet nga Bosnja, apo të krijojë një entitet të tretë, por të bëjë presion ndaj komuniteti ndërkombëtar për të përmirësuar të drejtat tona".


Ai gjithashtu thotë seHDZ-ja gradualisht do të shkojë drejt së Majtës dhe më kalimin e kohës do të rihyjë në qeveri, si në nivel federal ashtu edhe në atë shtetëror.


Thëniet e tij janë të habitëshme dhe tregojnë se HDZ mund të ketë nisur të zbusë qëndrimin e saj për sa i përket shkëputjes. Mbetet ende e paqartë nëse kjo ka lidhje me përgjigjen e komunitetit ndërkombëtar nga planeve të tyre apo me mungesën e përkrahjes në publik.


Jozo, një gazetar me moshë mesatare, thotë se ai nuk beson se HDZ-ja mund të arrijë të krijojë një entitet të tretë në Bosnje. Ai mendon se e gjithë zhurma e separatistëve është bërë kryesisht për të siguruar interesat e tyre financiare në rajon dhe jo për të mbrojtur të drejtat e atyre njerëzve të cilët duhet të përfaqësojnë.


Jozo pranon se shumë njerëz janë tashmë të mërzitur nga HDZ-ja por kanë edhe pak besim tek anëtarët Kroatë të Aleancës për Ndryshim në qeveri. "HDZ-ja ka mbetur në të kaluarën, por pak njerëz u besojnë Kroatëve të cilët marrin pjesë në Aleancën për Ndryshim - tashmë është krijuar një vakum politik dhe askush nuk di se si mund ta mbushë".


Një miku im student mendon se HDZ-ja e ka llogaritur keq opinionin e komunitetit ndërkombëtar. "HDZ nuk e kupton se SHBA nuk dëshiron probleme të reja në rajon," thotë ai. "Ajo ka plotë probleme me Millosheviqin, Kosovën dhe ndoshta Malin e Zi. E si mund të mendojë Jelaviq se veprimet e tij do të kalojnë pa u vënë re"?


Në këtë atmosferë, duket se po përfitojnë vetëm ekstremistët. Shoku im më tregon se kanë filluar të qarkullojnë fletushka në Universitetin e Mostarit të cilat japin listën e Kroatëve të cilët sipas tyre kanë tradhëtuar kauzën e popullit Kroat.


Në këtë listë përfshiheshin profesorë të ekonomisë dhe zëvendës ministri i tregtisë së jashtëme të Bosnjes, Jadranko Prliç. "Prliç do ta ketë të pamundur të vazhdojë të japë leksione këtu i qetë si më parë," thotë shoku im.


Si shumë Kroatë në Herzegovinën perëndimore dhe në Msotar, ai nuk sheh asnjë parti tek e cila të ketë besim.


"Unë po mendoj të largohem nga Bosnja - këtu nuk mund të bësh asnjë plan për të ardhmen," thotë ai. "Këtu çdo gjë është e pasigurtë dhe e pastabilizuar dhe nuk dua që fëmijët e mij të rriten në një ambjent të tillë".


Drazhen Pehar është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists