Pasiguria e SFOR-it Rrezikon Bosnjen
Mungesa e sigurisë për të ardhmen e SFOR-it ka ardhur në momentin më të keq, ose nga drejtimi më i keq.
Pasiguria e SFOR-it Rrezikon Bosnjen
Mungesa e sigurisë për të ardhmen e SFOR-it ka ardhur në momentin më të keq, ose nga drejtimi më i keq.
Donald Ramsfeld nuk ka treguar asgjë, por natyrisht ka shkaktuar një shqetësim të madh me deklarimet e tij. Duke folur javën e kaluar me Uashington Post, sekretari Amerikan i mbrojtjes ka konfirmuar vendosmërinë e tij për të tërhequr trupat Amerikane nga Ballkani sa më shpejt të jetë e mundur dhe mosmarrëveshjet e tij me sekretarin Amerikan të shtetit, Kolin Pauell, rreth faktit nëse Amerika duhet të vazhdojë apo jo pjesëmarrjen e saj në misionin e drejtuar nga NATO në Bosnje.
Megjithë kundërshtimin e shumë pjestarëve të administratës së Bushit për të mbajtur ushtarët Amerikan në Europën jug-lindore, përpara se ai të vinte në pushtet, Pauell është përpjekur gjithnjë të sigurojë Europianët rreth vazhdimësisë Amerikane në Bosnje, duke u thënë ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Shkurt se “Ne jemi futur aty së bashku dhe do të dalim së bashku”.
Megjithatë, Ramsfeld pranon se misioni ushtarak në Bosnje është ‘përmbushur’ tre apo katër vjet më parë dhe që prej atij momenti, nëse mbeten ende gjëra për tu bërë, Europianët mund ti përfundojnë ato. Ky qëndrim tregon pikpamjen afatgjatë të Pentagonit se paqeruajtja është një gjë që i takon të pafuqishmëve dhe planet e administratës së re për të ridrejtuar prioritetet Amerikane të mbrojtjes nga Gjiri Persik, Paqësori, dhe lufta e yjeve. Ramsfeld nuk do t’ia dijë se Amerikanët kanë qenë të fundit që kanë hyrë në Bosnje në vitin 1995. Më e rëndësishmja është që ata duhet të jenë të parët që dalin prej andej.
Sekretari Amerikan i mbrojtjes dhe përkrahësit e tij do të përpiqen të shfrytëzojnë takimet e ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes së NATO-s në Budapest dhe Bruksel gjatë muajit të ardhëshëm për të përforcuar pikpamjen e tyre se rreth pesë deri dhjetë mijë trupa mund të tërhiqen pa ndonjë problem nga Ballkani.
Meqënëse forca e drejtuar nga NATO prej 40,000 ushtarësh në Kosovë, KFOR, do të jetë e zënë me problemet e luftëtarëve Shqiptarë në të gjithë rajonin dhe me përgatitjet e zgjedhjeve të 17 Nëntorit, forca prej 22,000 trupash në Bosnje, SFOR, mund të jetë e vetmja e cila mund të pakësohet ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër.
Pentagoni duket se është i vendosur të pakësojë kontigjentin e tij prej 3,300 trupash në një minimum prej 2,000. Nëse një gjë e tillë zbatohet, kjo do të thoshte se kontributi Amerikan do të përgjysmohej pas ardhjes në pushtet të Presidentit Bush.
Shtetet e Bashkuara nuk janë i vetmi kontribues për SFOR-in që janë të gatshëm të shkurtojnë numrin e trupave. Gjermania, Rusia, dhe Republika Ceke kanë njoftuar së fundi pakësimin e trupave të tyre, ose tërheqjen e plotë. Në Britani, media dhe politikanët kanë shprehur shqetësimin e tyre se kapaciteti ushtarak i vendit po rëndohet ndjeshëm. Zyrtarët e NATO-s në Bruksel janë përpjekur të ndalojnë një gjë të tillë, duke mohuar se SHBA u ka thënë atyre se ka në plan të largohet nga Bosnja, ose se misioni mund të quhet i përfunduar.
Por nëse SHBA vazhdon në këtë rrugë mund të priten edhe tërheqje të mëtejshme, sepse Europianët nuk do të dëshirojnë të ruajnë vetëm fëmijën Boshnjak. Fakti që nuk janë bërë përmirësime në rezervat strategjike të SFOR-it, funksionet e zbulimit dhe kapacitetin e aktiviteteve të policisë, të cilat janë premtuar që vitin e kaluar për të justifikuar zvogëlimin e fundit të trupave nga 30,000 në 20,000, është shumë alarmant në këtë kontekst.
Kjo paqartësi rreth së ardhmes së SFOR-it ka ardhur në momentin më të vështirë dhe nga drejtimi më i keq. Lufta në Bosnje është ndaluar vetëm arritjes së marrëveshjes së paqes në Dejton dhe ndërhyrjes Amerikane në vitin 1995. Që prej asaj kohe, SHBA ka dhënë numrin më të madh të forcave si për Forcën e Zbatimit, IFOR, dhe për pasuesen e saj që nga viti 1996 SFOR, si edhe për shtabet dhe komandat e tyre.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara (dhe Britania) kanë luajtur një rol drejtues në forcimin e pozitës së Përfaqësuesit të Lartë ndërsa ai është përpjekur gjatë 18 muajve të fundit të realizojë potencialin e Marrëveshjes së Dejtonit për integrimin e vendit të ndarë. Mbështetja për këtë politikë agresive të zbatimit ka ardhur kryesisht nga SHBA dhe Britania, dhe dëshira e tyre për të përdorur forcën ushtarake të SFOR-it për këtë qëllim, megjithëse një gjë e tillë është zbehur paksa nga mungesa e dëshirës së SHBA-së dhe Francës për të ndjekur dhe arrestuar kriminelët e luftës në sektorët e tyre respektivë.
Ndryshimet e qeverive në Serbi dhe Kroaci dhe dalja në skenë e koalicionit pro-Dejton dhe ardhja e tij në pushtet në nivelet e shtetit dhe Federatës së Bosnjes pas zgjedhjeve të Nëntorit 2000 ka përforcuar vendosmërinë e treguar nga komuniteti ndërkombëtar për të kundërshtuar privilegjet dhe pushtetin e elitës së përfshirë në luftën e Bosnjes.
Kjo do të thotë se mundësia për vendosjen e një shteti funksional të Bosnjes dhe një paqeje të qëndrueshme nuk kanë qenë kurrë më të mira. Megjithatë, beteja, ende nuk është fituar. Kërkohet një zbatim më i plotë i marrëveshjes së Dejtonit për të ndërtuar institucionet e shtetit të afta për të tejkaluar - një shtet i përbashkët dhe dy entitete - monstruozitetin e tre entiteteve të krijuar në Dejton.
Por kjo mund të arrihet vetëm nëse SFOR ofron një ambjent të sigurtë, duke mbushur boshllëkun e sigurisë i cili vazhdon të ndalojë rikthimin e refugjatëve, ndërtimin e institucioneve, inkurajimin e investimeve të huaja dhe eleminimin e strukturave paralele të pushtetit, forcave paraushtarake dhe influencës së atyre kriminelëve të luftës të cilët ende janë të lirë.
Përplasjet e fundit ndërmjet Serbëve të Bosnjes dhe shovinistëve Kroatë në Banja Luka, Trebinje, Mostar dhe pjesë të tjera të ‘Herceg-Bosnjes’ - dhe një shtim i sulmeve ndaj refugjatëve të cilët përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre nga të cilat janë dëbuar gjatë luftës - tregojnë se ndërsa garda e vjetër ka filluar të humbasë pushtetin legjitim politik dhe ekonomik, ajo është bërë më e dëshpëruar dhe e rrezikëshme.
SFOR ka ndihmuar në krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve në shumë zona, por mbetet ende për të bërë për sa i përket funksioneve të policisë në të gjithë vendin. Megjithatë, edhe me mungesën e numrit të mjaftueshëm të policisë ushtarake të stërvitur për të përballuar trazirat civile, një tregim i muskujve nga trupat mund të kishte shërbyer si kërcënim për trazirat në Trebinje më 5 Maj dhe në Banja Luka më 7 Maj. Fakti që nuk ka pasur kundërshtim serioz ndaj sulmit të Përfaqësuesit të Lartë ndaj degëve të Bankës Hercegovacka, i cili është mbështetur nga forcat e sigurimit Amerikane, Britanike, Kanadeze dhe Daneze të SFOR-it, e provon këtë pikë.
Përundrazi, sulmet në sektorin Francez kanë qenë jo të mbrojtura mirë nga disa Karabinierë Italianë të paktë në numër dhe janë penguar ndjeshëm nga turmat.
Ky nuk është momenti që NATO të rrezikojë më shumë se pesë vjet punë të saj në Bosnje. Nuk është e pranueshëm gjithashtu që SHBA të kërkojë të rrezikojë kohezionin dhe qëllimin e aleancës për mbrojtjen e së cilës ka hyrë fillimisht në Bosnje.
Më në fund, duket se ka pak dritë në fundin e tunelit Boshnjak. Por që kjo dritë të ndriçojë si duhet, NATO duhet të ruajë një prezencë të besueshme ushtarake në Bosnje. Ajo duhet të pranojë publikisht detyrën e forcave të saj për të mbrojtur zbatimin e detyrave civile deri sa vendi të jetë i përgatitur të ushtrojë përgjegjësitë e tij të cilat për momentin i janë besuar komunitetit ndërkombëtar.
Mark Uiller është Drejtor i Projektit në Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Bosnje dhe një ish kryetar i bordit të projektit të IWPR-së të monitorimit të mediave në Bosnje Herzegovinë. Ky artikull është mbështetur në raportin më të fundit të ICG-së për Ballkanin, “Nuk ka dalje të Shpejtë: Sfida e Vazhdueshme e NATO-s në Bosnje” (22 Maj 2001), i cili mund të gjehet në adresën e internetit www.crisisweb.org