Beogradi i Pushtuar nga Paranoia
Beogradasit janë në prag të një shkatërrimi kolektiv nervash ndërsa presioni i te jetuarit në një shtet të izoluar po rritet së tepërmi.
Beogradi i Pushtuar nga Paranoia
Beogradasit janë në prag të një shkatërrimi kolektiv nervash ndërsa presioni i te jetuarit në një shtet të izoluar po rritet së tepërmi.
Miodrag V, një baba 40 vjeçar I tre fëmijëve në Beograd, zgjohet natën nga gjumi, me zemrën që i rreh fort dhe me çarçafët të mbytur nga djersa.
"Unë dua të iki, por nuk ja vlen më," thotë ai. "Unë nuk jam më në gjendje të dalloj ëndërrat nga realiteti."
Që prej përfundimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Beogradit në muajin Qershor, Serbët jëtojnë me tmerrin e një lufte civile dhe të një vale të re të sulmeve ajrore të NATO-s. Paranoia e tyre është përforcuar edhe nga kërcënimet për konflikte të reja, izolim ndërkombëtar dhe varfëri.
Vera B, merr pagën e saj prej 32 marka Gjermane, të papaguar që në muajin Prill të vitit të kaluar, dhe pyet një shoqe "A ke dëgjuar se do të na bombardojnë përsëri pas një muaji? Më mirë të vdes se të dëgjoj përsëri sirenat e alarmit."
Kjo ndjenjë dëshpërimi ekziston në Serbi. As NATO dhe as regjimi Serb nuk ka treguar ndonjë shenjë se së shpejti mund të ketë ndonjë acarim të konfliktit por njerëzit janë të bindur se "diçka po përgatitet" dhe se fatet e tyre janë përcaktuar tashmë.
Përse do të bombardonte NATO-ja Serbinë? Ekzistojnë shumë teori komplotesh. Disa thonë se Amerikanët kanë zbuluar disa vendburime nafte në Kosovë, të cilat janë më të pasurat në botë - dhe kjo është arësyeja që Serbia insiston të ruajë kontrollin e territorit. Disa të tjerë thonë se fuqitë Perëndimore janë të dëshiruara për të siguruar një rrugë kalimi për në puset e naftës në Kaspik, dhe se Serbia përbën një pengesë në këtë drejtim. Disa të tjerë thjesht mendojnë se bota ka më për zemër Shqiptarët.
Një teknik dhëmbësh i kaluar në moshë tund kokën me shqetësim. "A nuk e shihni se çfarë po na bëjnë për shkak të "Shiftarëve" (një term negativ i përdorur për Shqiptarët)?" thotë ai.
Edhe ata të cilët nuk u besojnë këtyre teorive të komploteve nuk kanë asnjë dyshim se bombarduesit do të rikthehen mbi Beograd. Ata mendojnë se Sllobodan Millosheviqi do të shpërthejë luftën në Malin e Zi fqinjë - partneri i vogël në federatën Jugosllave - në një përpjekje për të shmangur luftën civile në vend dhe shkatërrimin e tij politik.
Apo ndoshta Kosova do të kthehet përsëri në një fushë beteje - por rezultati do të jetë i njëjtë. Këtë rradhë NATO-ja do ta shkatërrojë krejtësisht Beogradin.
Skeptikët thonë se këto zëra janë përhapur me qëllim nga informatorët e policisë të cilët veprojnë me urdhër të regjimit të Millosheviqit. "Fëmijët tremben me një shkop," thotë dikush. "Dhe në këtë rast, shkopi është bombardimi i NATO-s. Kjo është mënyra më e lehtë për regjimin për të mbajtur pushtetin."
Së fundi, ekziston edhe frika se Serbët do të dënohen nga Zoti për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj grupeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi.
Ndërsa bombardimet e NATO-s nuk arritën të rrëzonin regjimin e Millosheviqit, popullsia është e ndarë ndërmjet dy emocioneve kontradiktore - një frikë nga Perëndimi dhe një ndjenjë zemërimi ndaj regjimit.
Kundërshtarët politik të presidentit ndjehen gjithashtu të pasigurtë për të ardhmen. Që prej përpjekjes për të vrarë drejtuesin e Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe Vuk Drashkoviq, drejtuesit e opozitës kanë filluar të rrethohen me skuadra mbrojtjeje, të cilat do ti kishin zili edhe gangsterët e viteve 1930 në Chicago. Ndërsa ata dalin nga limuzinat e tyre të blinduara, rojet e trupit shpërndahen nëpër rrugë, me armët gati.
Por e njëjta paranojë po bëhet e dukëshme edhe në rradhët e partisë në pushtet. Në prag të kongresit të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) të mbajtur javën e kaluar, ku Millosheviqi konsolidoi rolin e tij drejtues, ekspertë të çarmatimit të bombave kane kontrolluar çdo cep të Qendrës Sava sepse kishin frikë për ndonjë përpjekjë për të vrarë atë.
Ditën e mbajtjes së kongresit, përkrahës të lobit studentor Otpor ("Rezistenca") janë arrestuar sepse kishin vendosur postera jashtë sallës dhe sepse "përbënin një kërcënim për sigurinë". I gjithë Beogradi i ri është rrethuar nga forca të shumta policore, dhe është lejuar vetëm hyrja e autobusëve të mbushur me punëtorë Serbë të hutuar të cilët janë sjellë nga fshatrat përreth.
Fjalimi i Millosheviqit në kongres është pasuar me një ovacion që ka zgjatur për 20 minuta. Një pensionist që mbante rradhën tek dentisti dhe ndiqte transmetimin e kongresit në televizion pëshpëriste i nxehur, "Do të doja të ishte fjalimi i tij i fundit si i çausheskut!" duke ju referuar vdekjes së president Rumun në Dhjetor të vitit 1989.
Një shofer taksie i cili ka marrë pjesë në disa nga luftërat e nisura nga Millosheviqi në emër të "Serbisë së Madhe", tregon me gisht një tabelë të madhe ku lajmërohej kongresi i SPS-së. Duke shtrënguar me zemërim timonin e tij ai thotë se kishte ardhur koha "për të fshirë tradhëtarët dhe hajdutët e Kosovës".
Zëvendës kryeministri ultra-nacionalist Vojislav Sheshelj po ndërton një mur katër metra të lartë rreth shtëpisë së tij në Batajnica, thotë një fqinj i tij me të qeshur. Edhe fqinji jeton me ndjenjën e përherëshme të frikës por ai kënaqet me këtë shenjë dobësie.
Shumë njerëz mendojnë se kërcënimi më i fundit i Shesheljit për të likujduar gazetarët e pavarur dhe "agjentët e fuqive të huaja' është frymëzuar nga paniku por kushdo që e ka parë fytyrën e tij në televizion javën e kaluar thotë se ai ishte i terrorizuar.
Një vajzë e re - anëtare e partisë JUL, e cila drejtohet nga gruaja e Millosheviqit - refuzon të hapë derën kur trokasin. Ka një citofon në derën e pallatit të saj por ajo u hap derën vetëm njerëzve që i njeh personalisht dhe që i telefonojnë.
Duket se edhe Millosheviqi është frikësuar së tepërmi. Ai jeton me gruan në izolim total dhe merr vendimet shtetërore pa u konsultuar me kabinetin e tij. Megjithatë, ai mund të transformojë frikën e tij në dhunë.
I mbushur me një urrejtje pasionante ndaj çdo njeriu në Serbi i cili nuk pranon të ketë të njëjtin mendim me të, fjalimi i Millosheviqit në kongres ka treguar edhe thellësinë e vërtetë të paranojës së tij.
Millosheviq ka thënë se të gjithë disidentët janë burracakë, terroristë, spekullatorë dhe hajdut, të gatshëm të derdhin gjak Serb për të kënaqur drejtuesit e tyre të pasur në Perëndim.
Duket gjithnjë e më tepër e mundëshme që ky panik në rritje të çojë regjimin drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonëshme. Autoritetet kanë kërcënuar se do të bllokojnë mediat e pavarura: dhe nxjerrja jashtë ligjit e partive opozitare mund të jetë hapi i ardhëshëm.
Mesazhi i Millosheviqit nga kongresi ka qenë tepër i qartë: "Idetë e ndryshme mbi shtetin dhe rendin shoqëror, të cilat i largojnë partitë nga njera tjetra, duhet të presin për ditë më të qeta."
Por në Serbi ka shumë kohë që nuk ka pasur ditë të qeta.
Gordana Igriq është Bashkë Redaktore e Raportit të Krizës në Ballkan dhe ka vizituar së fundi Beogradin.