Qyteti Fantazëm në Bosnje Rikthehet në Jetë
Qindra myslimanë boshnjakë të dëbuar nga Kozarac tetë vjetë më parë janë kthyer për të rindërtuar shtëpitë e tyre të shkatërruara.
Qyteti Fantazëm në Bosnje Rikthehet në Jetë
Qindra myslimanë boshnjakë të dëbuar nga Kozarac tetë vjetë më parë janë kthyer për të rindërtuar shtëpitë e tyre të shkatërruara.
Thirrjet e punëtorëve dhe goditjet e thata të çekiçëve të tyre thyejnë qetësinë e çuditshme të këtij qyteti fantazëm. Flitet shumë pak ndërmjet zhurmave të sharrave dhe betonierëve.
Punëtorët janë myslimanë të kthyer - po ata njerëz të dëbuar brutalisht nga serbët nga ky qytet veriperëndimor në maj 1992, gjatë njërës prej fushatave të para të spastrimit etnik të luftës në Bosnje.
Gjatë një fushate terrori që ka zgjatur rreth një muaj, paraushtarakë me maska kanë përdhunuar gratë dhe kanë vrarë ose burgosur burrat nëpër kampe në minierat e hekurit aty pranë. Pamjet e transmetuara të të burgosurve prapa telave me gjemba kanë tronditur opinionin publik në të gjithë botën. Vetë qyteti është shkatërruar, çdo shtëpi është plaçkitur dhe pastaj hedhur në erë.
Sot rreth 900 refugjatë janë kthyer në Kozarac në shtëpitë e rindërtuara me fonde të Bashkimit Europian. "Kjo është shtëpia jonë. Nuk kemi asnjë vend tjetër," thotë Farudin Kapetanoviq, i cili ka kaluar vitet e luftës në Zvicër pas lirimit të tij nga kampi i përqëndrimit famëkeq i Trnopoljes aty pranë.
"Lufta ka mbaruar dhe gjërat do të përmirësohen së shpejti. Nuk u doli ashtu siç e prisnin," thotë ai, me fytyrë të djersitur e të pluhurosur. "Ne po kthehemi".
Që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, vetëm një numër i vogël myslimanësh dhe kroatësh janë kthyer në Republika Srpska (RS). Por këtë vit shkalla e kthimeve është trefishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluar. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë pret që këtë vit shifra të dyfishohet.
Në Kozarac ndërtimi i këtyre 500 shtëpive do t'i kushtojë BE-së mbi 10 milion dollarë amerikanë. Çdo javë ngrihen tre apo katër shtëpi të reja. Refugjatët e Kozarac, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në qytetet e kontrolluara nga myslimanët e Bosnjes, duhet të bëjnë një kërkesë për t'u kthyer dhe jetuar në shtëpitë e rindërtuara. Kthimi i tyre liron edhe shtëpitë që kanë zënë deri tani dhe krijon mundësinë e kthimit të refugjatëve të tjerë. Projekte si ky në Kozarac janë hapi i parë në lehtësimin e ciklit të kthimeve, që është edhe synimi i misionit ndërkombëtar të paqes i cili po kushton disa miliardë dollarë.
Ndërsa Kozarac mund të quhet një rast i suksesshëm, jeta këtu është akoma larg të qënit normale. Shtëpitë e ndërtuara rishtazi me çatitë me tjegulla të kuqe dallojnë shumë nga malet me rrënoja dhe shtëpitë e shkatërruara në të gjitha rrugët. Shkatërrimi i Kozarac, dikur një qytet i vogël i pasur me 25,000 banorë, ka qenë i planifikuar dhe i menduar për ta bërë vendin të pabanueshëm. Pas disa vitesh udhëheqja e serbëve të Bosnjes ka dhënë më në fund aprovimin e saj për procesin e kthimit.
"Tani është shumë ndryshe, por nuk është keq," thotë Azra Kapetanoviq, një i afërm i Farudinit. "Ne duhet të nisim një jetë të re, të fillojmë çdo gjë nga fillimi. Është e vështirë sepse askush nga familja nuk punon." Ajo dhe familja jetojnë me pensionin prej 100 dollarë në muaj të vjehrrit të saj.
Vajza shtatëvjeçare e Azras ndjek një shkollë lokale për fëmijët myslimanë. Tani arsimimi është i ndarë në baza etnike. "Tani është një qytet i ndarë," thotë ajo. "Serbët kanë pjesën e tyre, ne tonën."
Pak më poshtë gjatë rrugës, tre burra serbë, njëri prej tyre prifti lokal, po bëjnë një pushim pasi kanë punuar një fushë prapa kishës ortodokse. "Nuk na prishin punë myslimanët këtu," thotë Petar Tekiq, refugjat serb nga Livno, një qytet nën kontrollin e kroatëve të Bosnjes. "Por nëse unë do të doja të kthehesha në shtëpinë time, jam i sigurtë se do të më prisnin fytin," thotë ai, duke reflektuar kështu një ndjenjë të zakonshme ndërmjet serbëve.
Në ndryshim nga qytetet e tjera në entitetin serb të Bosnjes ku myslimanët e kthyer janë ngacmuar, Kozarac ka qenë i qetë gjatë këtyre dhjetë muajve të fundit. Kur filloi rindërtimi dy vjetë më parë, disa ndërtesa u hodhën në erë dhe u vra një person. Por prezenca e fortë e SFOR-it dhe presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar duket se i kanë nënshtruar autoritetet lokale.
"Ka tre faktorë që kanë ndikuar në këtë sukses," thotë Milburn Line, zyrtar ndërkombëtar që punon për kthimin e refugjatëve. "Prezenca e SFOR-it, investimet e komunitetit ndërkombëtar dhe vendosmëria e popullit të Kozaracit."
Frika dhe dyshimi ekzistojnë ende dhe një problem i madh mbetet akoma në mendjet e njerëzve - çfarë do të ndodhë kur komuniteti ndërkombëtar do të largohet nga Bosnja. "Këta policë janë të njëjtit njerëz," thotë Farudini, "pikërisht ata njerëz që vishnin uniforma ushtarake gjatë luftës".
OKB-ja, agjencia përgjegjëse për trajnimin e policisë në Bosnje, ka ndër mend të fusë edhe policë myslimanë në forcën lokale sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, pak njerëz kanë dalë vullnetarë. Rekrutët myslimanë të Bosnjes po stërviten në akademinë e policisë në Banja Luka, në entitetin serb, ndërsa serbët studiojnë në akademinë në Sarajevo. Përfaqësuesit e federatës dhe të RS kanë nënshkruar kohët e fundit një legjislacion të ri që i hap rrugën një force policore shumëetnike.
Katër vjetë e gjysëm pas fillimit të procesit të paqes, edhe ata më optimistët këtu e pranojnë se ritmet e kthimit të refugjatëve janë shumë të ulta. Në pjesën më të madhe të zonave urbane ligjet kaotike të pronave dhe zënia e vazhdueshme e shtëpive nga personat e zhvendosur e kanë bllokuar këtë proces. Kozarac është një ilustrim i mirë dhe shpresëdhënës se një farë progresi, megjithëse i vështirë dhe i ngadaltë, është arritur në shërimin e plagëve të rënda të Bosnjes së pas-luftës. Por shumë njerëz kanë frikë se ky proces mund të zgjasë kaq shumë saqë durimi i komunitetit ndërkombëtar mund të mbarojë përpara se Bosnja të jetë në gjendje të qëndrojë me këmbët e saj.
Pol Hokenhos është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.