Kriza E Ardhshme Politike Në Zagreb

E djathta kroate pritet të shfrytëzojë papunësinë në rritje për shkak të ristrukturimit të policisë dhe ushtrisë.

Kriza E Ardhshme Politike Në Zagreb

E djathta kroate pritet të shfrytëzojë papunësinë në rritje për shkak të ristrukturimit të policisë dhe ushtrisë.

Në një përpjekje për të riorganizuar ushtrinë dhe policinë dhe për filimin e reformave thelbësore në përputhje me normat evropiane, kryeministri Ivica Racan mund të shkaktojë një tjetër krizë politike duke e dobësuar më tej qeverinë e tij.


Shkurtimet në masë në rradhët e policisë dhe të ushtrisë janë planifikuar në kuadrin e transformimit të ish monopoleve të ish presidentit Franjo Tuxhman në shërbime të kohës së paqes. Vendi nuk ka përjetuar luftë që nga viti 1995.


Por taktika e ndjekur nga qeveria, duke përfshirë edhe largimin nga puna të 3,800 policëve brenda një dite, më 7 gusht, mund të dobësojë edhe më pozitën e saj. Shkurtime të mëdha parashikohen edhe për ushtrinë.


Kroacia numëron aktualisht 400.000 të papunë - 10% e popullsisë, ose një shkallë papunësie prej 22%. Kjo është një forcë e konsiderueshme për të shkaktuar trazira - si dhe zgjedhje të parakoshme.


E djathta kroate e përbërë nga partitë e linjës së ashpër si Bashkimi Demokratik kroat, HDZ, Partia kroate e së Drejtës dhe Lëvizja për Identitet dhe Prosperitet - formuar së fundmi nën udhëheqjen e Miroslav Tuxhman, djali i ish - presidentit - është e predispozuar të shfrytëzojë largimet masive nga puna për të kritikuar qeverinë.


Ulja e numrit të policëve nga 16,000 në 12,000 shkaktoi një revoltë masive që coi në bllokimin e rajoneve të policisë dhe që rrezikoi të bllokonte autostradën Zagreb - Karlovac e cila përdoret nga turistët e huaj gjatë sezonit turistik në bregun e Adriatikut. Sindikata e policëve ka njoftuar për vazhdimin e protestave me mbështetjen e sindikatave të tjera pranë së djathtës.


Sindikata e policëve ka bërë thirrje për shkarkimin e Simo Lucina, Ministër i Brendshëm dhe të Ranko Ostojic, shef i policisë dhe ka kërcënuar më grevë nëse kryeministri Racan refuzon të takohet me ta për të diskutuar shqetësimet e tyre. Të gjitha partitë e krahut të djathtë kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat e policëve dhe partia më e madhe e opozitës HDZ, kërkoi thirrjen e një sesioni urgjent në parlament për të diskutuar cështjen.


Në fillim të krizës në Kroaci në fillimet e viteve 90. Policia pësoi ndryshime të mëdha. Para 1990 përqindja e serbëve në forcat e policisë ishte dy herë më e madhe se përqindja e tyre në raport me popullsinë. Ata përfaqësonin vetëm 17% të popullsisë por mbanin 30% të posteve në polici. Nën vëzhgimin e Franjo Tuxhman, sic mburreshin ministrat e HDZ, nga 1994 pjesëmarrja e serbëve në forcën policore ra në më pak se 2%.


Këto poste të krijuara nga pastrimi etnik në polici u mbushën nga ana e HDZ me njerëz të besuar, refugjatë kroatë nga territoret e pushtuara nga serbët si dhe kroatë nga Bosnja Hercogovina. Asnjë lloj kualifikimi nuk nevojitej përvec besnikërisë ndaj HDZ. Sipas shefit të policisë, Ostojic thotë se të paktën 1000 policë të larguar nga detyra së fundmi kishin vetëm arsim fillor.


Ostojic vë në dukje se numri i të punësuarve në polici ishte dyfishuar që nga 1990. Ministri i Brendshëm Lucina thekson se nëse në Austri ka 1 polic për 600 banorë, në Kroaci raporti është 1 polic për 209 banorë si pasojë e politikës së punësimit e ndjekur nga qeveria e mëparshme.


Kjo nënkupton se 10% e buxhetit të përgjithshëm të Kroacisë i ka kaluar policisë. Qeveria e re e zbriti këtë shifër në 5.3%, por mbetet përsëri e lartë krahasuar me normën evropiane e cila është 2 - 3%. Lucina kritikoi manaxhimin e policisë duke theksuar se afro 6,000 policë merrnin leje në të njëjtën kohë. Ai theksoi ekzistencën e lidhejve të policisë me mafian, gjë që sipas tij e bën të nevojshëm riorganizimin.


Mjaft analistë vendas e përkrahin qëndrimin e ministrit duke theksuar se politika e ndjekur nga HDZ po e shkatërronte ekonominë e vendit dhe se fshihte nivelin e vërtetë të papunësisë në vend. Duke e përdorur policinë dhe ushtrinë si punëmarrës sigurohej se të papunët nuk do të përbënin një problem politik.


Ndonëse qeveria kroate ka premtuar se do të gjejë vende pune për shumicën e policëve të larguar, sindikata e policëve mbetet e pakënaqur. Sipas saj qeveria po vepron nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN.


FMN ka sugjeruar shpeshherë se reduktimet e ndjeshme në shpenzimet publike janë të nevojshme për ripërtëritjen e vendit dhe për thithjen e kredive të huaja. Përfaqësuesi i FMN në Kroaci, Hans Flickenschild, ka njoftuar për kredi financiare për të krijuar vende të reja pune.


Sikur të mjaftonin shkurtimet në polici, një javë më vonë zëvendësministri i Mbrojtjes Zlatko Gareljic njoftoi se afro 17,000 vetë duhet të largoheshin nga ushtria. Në një intervistë dhënë së përditshmes së Zagrebit Vjesnik, ai tha se pas konsultimeve me ekspertët e Natos ai kishte arritur në përfundimin se ushtria kroate duhej ta reduktonte efektivin e saj nga 42,000 në 25,000 brenda dy viteve në vazhdim.


Nato ngulmon në një riorganizim të forcave të armatosura si konfirmim i Zagrebit për paqe. Kroacia është anëtare e programit të Natos Partneritet për Paqe dhe qeveria e Racan ka synime të qarta për t'ju bashkuar aleancës.


Nëse vijojnë, protestat nga ana e policisë dhe ndoshta edhe ushtrisë mund ta përballojnë qeverinë kroate me një krizë të re. Vetëm pak kohë më parë qeveria doli e paprekur nga një debat urgjent parlamentar i tejzgjatur mbi bashkëpunimin e saj me gjykatën ndrkombëtare të Hagës. Reformat në vijim të ndërmarra nga ajo me synim afrimin drejt Evropës mund të cojnë në rënien e saj.


Zeljko Peratovic është gazetar i së përditshmës së Zagrebit Vjesnik.


Frontline Updates
Support local journalists