KOMENT: DEMOKRACIA JETON ENDE NE SERBI
Përkundër shumë njoftimeve në media, partitë nacionaliste të djathta në Serbi nuk kanë arritur të sigurojnë përkrahje të madhe nga votuesit gjatë tre vjetëve të fundit.
KOMENT: DEMOKRACIA JETON ENDE NE SERBI
Përkundër shumë njoftimeve në media, partitë nacionaliste të djathta në Serbi nuk kanë arritur të sigurojnë përkrahje të madhe nga votuesit gjatë tre vjetëve të fundit.
Megjitheëse mediat perëndimore kanë njoftuar me shumë zhurmë se ultra nacionalistët në Serbi po ringrihen, kjo është shumë larg së vërtetës.
Fitoret e Partisë Radikale Serbe, SRS, janë shumë më të vogla se sa duket, ndërsa po të shikosh me vëmendje rezultatet e zgjedhjeve të fundit do të vësh re se shumë pak ka ndryshuar që prej zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2000.
Në fakt, blloku i cili mbështet reformat demokratike, ka ruajtur pozicionin e tij.
Që prej dhjetorit të vitit 2000, elektorati anti Millosheviq nuk është shpërbërë, por në fakt është konsoliduar. Në shtator të vitit 2002, ai ishte rreth 2.1 milion votues. Kjo ka qenë numri i votave të fituara nga Miroljub Labus, drejtues i grupit reformator G17 dhe Vojislav Koshtunica, kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë, në zgjedhjet presidenciale në shtator 2002.
Ky numër nuk ka ndryshuar shumë në dhjetor 2003, kur ish anëtarët e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, së bashku me G17 Plus dhe Otpor, kanë marrë 2 milion vota.
Serbia nuk është as më pak as më shumë e ndarë tani se sa më parë ndërmjet nacionalistëve dhe forcave demokratike.
Gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë, Partia Socialiste e Millosheviq, SPS, dhe SRS, dy partitë të cilat kanë kontrolluar regjimin e kaluar, kanë fituar rreth 2.4 milion vota, që e kanë arritur në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1992.
Në shtator 2000, ndërsa Millosheviq filloi të humbiste pushtetin, partitë e ish regjimit kanë fituar 1.9 milion vota.
Opozita demokratike, e cila më në fund ka rrëzuar Millosheviqin në vitin 2000, ka qenë e përcarë gjatë gjithë kësaj periudhe. Të përcarë, ata nuk kanë arritur të fitojnë më tepër se 1.7 milion vota në dhjetor 1992, duke rënë në 1.4 milion vota një vit më vonë.
Por kur ata më në fund u bashkuan në shtator 2000, DOS ka fituar pothuajse 2 milion vota, ndërsa kandidati i tij presidencial, Vojislav Koshtunica rreth 2.4 milion vota.
Në ato zgjedhje, partitë pro demokracisë kanë pasur një rritje prej një milion votash në krahasim me vitin 1993. Në dhjetor të vitit 2000, partitë pro demokracisë kanë marrë 2 milion vota, ndërsa nacionalistët 1.1 milion.
Këto shifra kanë ndryshuar pak që prej asaj kohe. Në dhjetor 2003, mbështetësit e regjimit të vjetër kanë fituar rreth 300,000 mbështetës, ndërsa DOS ka humbur një numër pothuajse të njëjtë me të.
Kandidati i radikalëve ka fituar përsëri të njëjtin numër votash në zgjedhjet presidenciale në nëntor 2003, ndërsa partitë e ish regjimit të kaluar kanë siguruar 1.4 milion vota në dhjetor.
Por kjo shifër është vetëm 300,000 vota më tepër se sa kanë fituar në dhjetor 2000, kur regjimi i vjetër ka qenë në pikën e tij më të ulët.
Pra, mund të thuhet se balanca e forcave në vitin 2003 është pak a shumë e njëjtë me atë në dhjetor 2000. Në fakt, nuk ka ndryshuar numri i votave, por shpërndarja e tyre.
Reformatorët kanë humbur për shkak të ligjit electoral të tetor të vitit 2000, i cili ka vendosur kufirin prej 5 përqind për hyrjen e partive në parlament. Nëse ky kufi minimal do të ishte vendosur në 2 përqind, atëherë do të kishim parti të tjera të vogla reformatore të cilat do të kishin hyrë në parlament, duke ndihmuar kampin e moderuar.
Fakti që DOS është shpërbërë në nëntë parti, ndërkohë, ka ndihmuar radikalët. Nëse DOS do të kishte dalë e bashkuar në zgjedhjet e fudnit, reformatorët do të kishin një shumicë të pastër në parlament.
Kjo nuk do të thotë që demokracia në Serbi është e sigurtë.
Analizat makroekonomike tregojnë se vetëm shtetet me një prodhim të përgjithëshëm bruto për frymë prej më tepër se 6,000 dollarë amerikan mbijetojnë si demokraci të konsoliduara, ndërsa shtetet me më pak se 1,000 dollarë shpesh rrëshqasin prapa në qeverisje autoritare. Në vitin 2002, kjo shifër në Serbi ka qenë ndërmjet 2,000 dhe 2,200 dollarë amerikan për frymë.
Rritja ekonomike ka nisur të bjerë pas vitit të parë të reformave dhe ka arritur pikën më të ulët në vitin 2003, kur ajo ka qenë negative. Shanset e konsolidimit të demokracisë në Serbi do të bëhen më të qarta nëse rritja ekonomike shkon në nivelet e 4 përqind gjatë vitit 2004, sic parashikon edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Edhe me një shumë të vogël të ardhurash për frymë, demokracia ka një mundësi të mirë të mbijetojë nëse rritja ekonomike vjetore kalon 5 përqind. Pra, shëndeti politik i Serbisë varet nga rritja e saj ekonomike gjatë viteve të ardhëshëm.
Forcimi i nacionalistëve është i lidhur direkt me problemet e ekonomisë. Përvec ekonomisë ndikim të rëndësishëm kanë edhe Kosova, Mali i Zi, rajonalizimi (statusi i Vojvodinës, Sanxhakut dhe Serbisë së jugut) dhe cështja e pazgjidhur ende e bashkëpunimit me gjykatën e Hagës.
Të gjitha së bashku, këto probleme kanë ushqyer ngritjen e nacionalizmit ekstrem i cili ka mbizotëruar në Serbi gjatë sundimit të Millosheviqit, dhe prej të cilit partitë e vjetra nacionaliste ende përfitojnë.
Nëse këto probleme nuk zgjidhen deri në fund të mandatit të qeverisë së dytë post Millosheviq, partitë e regjimit të kaluar, në formën e SRS apo ndonjë tjetër, mund të fitojnë një shumicë bindëse dhe të arrijnë të kthejnë balancën e forcave e cila ka dominuar që në vitin 2000.
Dushan Pavloviq është një analist politik në Institutin Jefferson në Beograd.