PARTIA E MILLOSHEVIQ KERKON TE REFORMOHET

Në gjirin e partisë së drejtuar nga ish njeriu i fortë i Serbisë ka nisur një betejë e ashpër për kontrollin e partisë.

PARTIA E MILLOSHEVIQ KERKON TE REFORMOHET

Në gjirin e partisë së drejtuar nga ish njeriu i fortë i Serbisë ka nisur një betejë e ashpër për kontrollin e partisë.

Kur serbët janë zgjuar të djelën në mëngjes dhe kanë lexuar në gazeta lajmin se Sllobodan Millosheviq do të anëtarësohet në Partinë Radikale Serbe, SRS, kjo ka qenë një tjetër shenjë e përcarjes së thellë që ekziston ndërmjet Millosheviq dhe Partisë Socialiste të Serbisë, SPS, të cilën ai e ka drejtuar që prej themelimit të saj.


Duke cituar burime të brendëshme të partisë, avokati Svetozar Vujaciq ka thënë për gazetën Dnevnik të Novi Sad se ai mendonte që Millosheviq do të bëjë publik vendimin e tij për largimin nga SPS më 12 mars, pas përfundimit të një ndalimi 3 mujor për të komunikuar nga qelia e tij e burgut në Hagë.


Megjithëse zyrtarët e SPS dhe avokatët e Millosheviq e kanë kundërshtuar këtë njoftim një ditë më pas – dhe kryetari i përkohëshëm i partisë Ivica Daciq ka ngulur këmbë se “njoftimi nuk ishte i vërtetë” – ata tanimë nuk po përpiqen të mohojnë ekzistencën e mosmarrëveshjeve ndërmjet Millosheviq dhe drejtuesve të partisë.


Njoftimi më i fundit në gazetë ishte vetëm një prej disa shenjave të cilat tregojnë për një luftë të brendëshme për kontrollin e partisë. Në një tjetër lëvizje të papritur, partia ditët e fundit ka ofruar mbështetjen e saj për qeverinë e re të pakicës të krijuar nga të njëjtat parti të cilat kanë kontribuar në rrëzimin e kryetarit të saj në tetor të vitit 2000.


Një ndryshim rrënjësor i SPS, ku ajo të hiqte dorë nga e kaluara e saj nacionaliste autoritariste dhe të përqafonte social demokracinë e tipit perëndimor, do të ishte një arritje e madhe politike për Serbinë.


Pas krijimit të saj në vitin 1989 nga rrënojat e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, SPS ka drejtuar Serbinë me një grusht të hekurt gjatë gjithë viteve 1990. Gjatë këtij drejtimi, republika është izoluar nga komuniteti ndërkombëtar ndërsa është përfshirë në një sërë konfliktesh të armatosura në rajon.


Ndërsa shenjat e një divorci politik duken të vërteta, shumë analistë politik në Serbi dyshojnë që partia më famëkeqe në vend është e gatëshme të bëjë një kthesë të tillë kaq të madhe.


Ata i shohin përpjekjet e kujdesëshme të SPS për tu distancuar nga Millosheviq si një lëvizje pragmatiste, e planifikuar për të ndryshuar disi imazhin e keq të partisë.


“Nëse qeveria e pakicës e drejtuar nga Koshtunica ecën në rrugën e reformave dhe ndjek një politikë pro europiane me mbështetjen e SPS, socialistët do të mund të kërkojnë “falje për mëkatet e tyre” nga publiku në vend dhe jashtë Serbisë,” thotë analisti politik Sllobodan Antoniq.


Antoniq mendon se SPS është ende larg ndryshimit të vërtetë.


Por hapat e ndërmarrë nga partia kohët e fundit tregojnë se reformimi i saj është i mundëshëm, edhe pse ky process do të jetë i ngadaltë.


Një përcarje e thellë dhe e pakthyeshme ndërmjet SPS dhe Millosheviq do të shënonte një hap të madh drejt reformës, duke thelluar ndarjen dhe krijuar më tepër fraksione në SPS. Në të njëjtën kohë, një ndryshim radikal i politikës do të kërkonte edhe gjetjen e mbështetësve të rinj në rradhët e elektoratit.


Mbështetja për qeverinë e Koshtunicës mund të ndihmojë në kryerjen e reformave. Fakti që kjo qeveri ka një drejtim më të madh konservativ nacionalist se sa ajo e kaluara do të lehtësonte procesin e transformimit. Zgjedhja e bërë nga Millosheviq për drejtuesit e partisë mund të ndihmojë pa dashur në këtë drejtim. Si një politikan pa skrupuj ideologjik, ai ka pasur tendencën për të tërhequr pasues të cilët kanë qenë manipulatorë politik të aftë dhe pragmatist.


Ky element pragmatist është evidentuar vecanërisht pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhjetorin e kaluar, kur shokët e Millosheviqit në SPS e bënë një vesh të shurdhër ndaj kërkesave të tij që anëtarë të Sloboda – shoqata e krijuar në mbrojtje të tij dhe të fraksionit më radikal në parti – të përfshiheshin në listën e deputetëve.


Përpjekjet e Millosheviq nga Haga për të caktuar besnikët e tij në drejtimin e SPS, si Bogoljub Bjelica, kryetar i Sloboda, gjithashtu nuk kanë pasur sukses.


Disa muaj më parë, Millosheviq dështoi edhe në përpjekjet e tij për të zgjedhur Milorad Vuceliq, drejtuesin e një fraksioni më të moderuar pro Millosheviq, në krye të bordit drejtues të partisë, i cili drejton SPS në mungesë të tij.


Ivica Daciq është caktuar në këtë post, pavarësisht faktit që Millosheviq e konsideron Daciq, Milomir Miniq dhe Zoran Andjelkoviq, dy zyrtarë të tjerë të lartë të partisë, si kundërshtarë të tij.


Megjithëse Millosheviq kohët e fundit i ka përmendur Andjelkoviq, Daciq dhe Miniq si zyrtarët përgjegjës për atë që ai e ka quajtur drejtimin negativ në parti, Daciq i kundërshton këto akuza. “Kjo nuk është partia e Sllobodan Millosheviqit. Kjo është Partia Socialiste e Serbisë,” ka thënë ai për IEPR këtë javë.


Zeljko Obradoviq, një zyrtar i SPS i cili i përket fraksionit reformator, ka thënë për IPER se partia nuk kishte nevojë për Millosheviqin për të mbijetuar. Ajo ka funksionuar pa atë për tre vjet dhe është ende aktive në skenën politike. “Edhe nëse Millosheviq do të anëtarësohet në Partinë Radikale, socialistët përsëri do të ruajnë votuesit e tyre,” ka thënë ai.


Por SPS vështirë se mund të shkëpusë krejtësisht lidhjet me Millosheviq, sepse trembet se mund të humbasë një pjesë të mirë të votave të cilat i kanë lejuar partisë të sigurojë 22 vende në parlamentin prej 250 vendesh dhjetorin e kaluar.


Një analizë e kujdesëshme e tendencës së rezultateve zgjedhore ka treguar një rënie të besimit të publikut në atë që ka qenë partia më e fuqishme e Serbisë, ndërsa mbështetësit e vendosur të Millosheviqit janë edhe pjesa më e madhe e votuesve të SPS.


“Pa Millosheviq, ne nuk do të fitonim asnjë vend në parlament dhe askush nuk do të kërkonte mbështetjen tonë,” ka thënë Milorad Vuceliq, për IEPR.


Burime të SPS të afërta me Daciq thonë se Millosheviq është më i prirur për tu larguar nga partia e tij se sa anasjelltas.


Ata dyshojnë se i pandehuri në Hagë mund të organizojë një kryengritje në gjirin e partisë, duke hedhur Sloboda, Vuceliq dhe një tjetër zyrtar të rëndësishëm të partisë, Milutin Mrkonjiq kundër Daciq dhe reformatorëve të tjerë.


Një fitore nga fraksioni reformator në një përplasje të tillë do të pakësonte ndjeshëm influencën e Millosheviq mbi partinë dhe do të shpejtonte largimin e shumë besnikëve të Millosheviq.


Një lëvizje e tillë do ti jepte partisë një farë kohe për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhëshme dhe për tu pozicionuar si një parti klasike e së majtës, e cila mbron të drejtat e punëtorëve, sindikatave dhe grupeve sociale më të dobta.


Ndërkohë, mundësia e humbjes së përkrahjes në gjirin e votuesve të vjetër, përpara se të ketë mundësi të tërheqë votues të rinj bën që SPS të mos jetë shumë e interesuar për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Për këtë arësye, analistët mendojnë se SPS do të mbështesë pothuaje pa kushte qeverinë e Koshtunicës.


“Socialistët i tremben zgjedhjeve të reja të parakohëshme,” thotë analisti Djordje Vukadinoviq,” dhe kjo është arësyeja kryesore për dëshirën e tyre për bashkëpunim dhe mbështetje për qeverinë e Koshtunicës”.


Antoniq thotë se socialistët do të jenë gati të mbështesin propozimin e Koshtunicës për një kushtetutë të re, duke hedhur pas krahëve dhe duke u distancuar nga e kaluara e tyre politike.


Sipas Antoniq, SPS më pas “do të lejohet të hyjë në grupin e partive politike ‘demokratike’” në Serbi.


“Pas faljes së mëkateve të tyre politike të së kaluarës, ata mund të shpresojnë edhe në një pjesëmarrje të plotë në qeverinë e re në zgjedhjet e ardhëshme,” thotë ai.


Fakti që Millosheviq duket se mbështet besnikët e tij të vjetër – njerëz të cilët nuk kanë asnjë vision pragmatist – në luftën për kontrollin e partisë, mund të bëjë që balanca të kalojë në favor të kampit reformator.


Megjithëse rezultati i kësaj lufte të brendëshme mbetet ende i paqartë, SPS duket më pranë se kurdoherë rrugës për reformimin e saj. Nëse reformohen, ata mund të gjejnë një identitet të ri politik – nëse më parë nuk humbasin krejtësisht nga skena politike.


Zeljko Cvijanoviq është një redaktor i së përjavëshmes Evropa.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists