ANALIZË: Gjyqtaret nuk Lejojne Paraqitjen e Provave për Masakrën e Recakut
Prokuroët janë të shqetësuar se historia e plotë e vrasjeve në Recak nuk do të dalë e qartë në sallën e gjyqit.
ANALIZË: Gjyqtaret nuk Lejojne Paraqitjen e Provave për Masakrën e Recakut
Prokuroët janë të shqetësuar se historia e plotë e vrasjeve në Recak nuk do të dalë e qartë në sallën e gjyqit.
Prokurorët e gjyqit të Millosheviqit kanë thënë javën e kaluar se ata nuk do të jenë në gjendje të paraqesin nje pamje te plotë të ngjarjeve në Recak sepse nuk do të kenë kohën e mjaftueshme.
Në rrethana normale, vrasja e rreth 45 Shqiptarëve nga forcat Serbe më 15 Janar, 1999 do të meritonte një gjyq të vecantë i cili mund të zgjaste të paktën një vit, por rasti i Recakut po dëgjohet në kuadër të akuzës së vetme për ngjarjet në Kosovë.
Prokurorët, të drejtuar nga Geoffrey Nice, kanë thënë se ata nuk kanë vështirësi për të paraqitur dëshmitarët, por një afat i përcaktuar nga gjykata për paraqitjen e provave bënte që ata të mos jepnin një paraqitje të plotë të vrasjeve të Shqiptarëve të Kosovës në këtë fshat.
Hetimet e prokurorëve për vrasjet në Recak kanë marrë 62 deklarime nga dëshmitarët. Fillimisht, prokurorët mendonin se do të mund të paraqisnin 30 dëshmitarë para gjykatës. Më pas numri është ulur në 17 dhe më pas në nëntë, dhe më në fund në vetëm pesë. Nga këta, vetëm një do të dëshmojë direkt, ndërsa të tjerët me anë të deklarimeve të tyre me shkrim. Ata do të paraqiten para gjykatës vetëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të të pandehurit.
Rasti i Recakut është i rëndësishëm jo vetëm për akuzën ndaj Millosheviqit. Ai është i rëndësishëm edhe për të kuptuar ngjarjet që pasuan 15 Janarin e vitit 1999.
Kronologjikisht, ai ishte rasti i parë i vrasjeve masive të paraqitura në akuzë dhe ai është krimi i vetëm i cili i atribuohet Millosheviqit, përpara datës 24 Mars, 1999 kur NATO nisi sulmet e saj ajrore.
Zbulimi i 45 trupave në dhe përreth fshatit shkaktoi zhvillimin e ngjarjeve të cilat sollën më pas ndërhyrjen e aleancës. Por Millosheviq dhe shumë të tjerë në Serbi ende e konsiderojnë atë që ka ndodhur në Recak si një “krijesë” të pavërtetë për të justifikuar atë që ndodhi më pas.
Sipas versionit zyrtar Serb të ngjarjeve viktimat e Recakut kanë qenë anëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, të vrarë në luftim gjatë një “aksioni të ligjshëm anti terrorist” nga policia Serbe.
Interpretimi tjetër është ai i drejtuesit të atëhershëm të Misionit të Verifikimit të Kosovës, KVM, ambasadorit William Walker. Më 16 Janar, 1999, pasi vizitoi Recakun, ai ka thënë në një konferencë për shtyp se aty kishte ndodhur një “masakër civilësh”. Për shkak të kësaj deklarate autoritetet Jugosllave e konsideruan atë si ‘persona non grata’ dhe ai u urdhërua të largohej nga vendi brenda 48 orësh. Ëalker nuk pranoi dhe qëndroi në vend deri sa KVM u tërhoq pak përpara fillimit të sulmeve ajrore.
Louise Arbour, kryeprokurorja e atëhershme e gjykatës, u përpoq të shkonte në vend ngjarje së bashku me një ekip hetuesish më 18 Janar, 1999 por nuk u lejua të hynte në Jugosllavi në kufirin me Maqedoninë. E gjendur nën një presion të madh ndërkombëtar, Serbia më në fund pranoi të lejonte një ekip mjeko ligjor nga Bashkimi Europian, të drejtuar nga doktorë Finlandez, të cilët kryen autopsitë e trupave të gjetur në Recak së bashku me ekspertë nga Bjellorusia dhe Jugosllavia.
Rezultati i tyre paraqiti vetëm shkaqet e vdekjes dhe mënyrën e saj, dhe u interpretuan në mënyra të ndryshme, duke e shtuar edhe më tej konfuzionin për atë që kishte ndodhur. Drejtuesja e ekipit Finlandez, Dr. Helen Ranta, e bëri edhe më të madhe paqartësinë që mbizotëronte kur deklaori se në Recak “nuk kishte ndodhur ndonjë masakër” por ajo nuk shpjegoi se si ishin vrarë viktimat.
Gjyqi ndaj Millosheviqit do të ishte një shans i mirë për të zgjidhur përfundimisht enigmën e asaj që ka ndodhur në Recak kur kanë kaluar mbi tre vjet e gjysëm. Megjithatë, prokurorët tashmë kanë deklaruar se ata nuk do të kenë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë.
Megjithatë, dicka është qartësuar pjesërisht javën e kaluar, kur u deklarua se anëtarë të UCK-së kishin qenë prezent në Recak më 15 Janar, 1999 dhe se tetë deri 10 prej tyre kanë qenë ndërmjet 45 viktimave.
Ky fakt u paraqit nga dëshmitari i parë, Gjenerali Kanadez Michel Maisonneuve, një drejtues rajonal i KVM në fillim të vitit 1999. në bazë të raporteve të marra nga “vëzhguesit” e tij – të cilët kanë kishin ndjekur ngjarjet në Recak ditën kur mendohet se janë kryer vrasjet – dhe nga ato që ai ka parë me sytë e tij kur ka mbërritur në fshat atë pasdite, Maisonneuve ka arritur në përfundimin se aty kishte ndodhur “një operacion ndaj një force relativisht të dobët lokale, në të cilën ishte përdorur zjarr i rëndë dhe pa kujdes edhe ndaj civilëve”.
Përdorimi i forcës ka qenë kaq shumë në disproporcion, ka shtuar ai, sa që ajo nuk mund të konsiderohej si “një veprim ushtarak legjitim”.
Maisonneuve ka thënë se tanket e ushtrisë Jugosllave dhe bateritë kundër ajrore të vendosura në kodrat mbi fshat kanë “mbështetur” forcat e policisë të përbëra prej mbi 100 trupa për të hyrë në fshat dhe për të spastruar zonën, duke hyrë shtëpi më shtëpi.
Gjenerali ka marrë një konfirmim të asaj që kishte parë ditën e nesërme nga një officer Jugosllav. Kur Masonneuve ka bërë një protestë zyrtare në emër të KVM-së, duke thënë se operacioni kishte shkelur marrëveshjen Millosheviq-Hollbruk të Tetorit 1998, oficeri i ka thënë atij se në Recak kishte vepruar një forcë policore, dhe ushtria vetëm sa kishte “mbështetur forcat policore me artileri”.
Në pyetjet e tij ndaj dëshmitarit, Millosheviq ka përdorur faktin që raporti i gjeneralit për shtabin e KVM-së më 16 Janar, 1999 përmbante faktin që tetë ose nëntë anëtarë të UCK-së ishin në rradhët e të vrarëve për të theksuar që Ëalker e ka ditur se luftëtarë të UCK-së kanë qenë në rradhët e viktimave kur ai ka bërë deklaratën për “një masakër të civilëve”.
Por gjykatësi May nuk e lejoi Millosheviqin të pyeste Maisonneuve për deklarime dhe opinione të njerezve të tjerë, duke i thënë atij se ai do të ketë mundësinë të pyesë vetë Ëalker kur ai të dëshmojë në mesin e muajit Qershor.
Duke prezantuar dëshmitë e dëshmitarëve okularë të Recakut, prokurori ka theksuar se dëshmitarët Shqiptarë “hezitojnë të flasin rreth prezencës dhe aktiviteteve të UCK-së”. Në rastin e Recakut, hetuesit janë përpjekur të zgjidhin këtë problem duke folur me kryeplakun e fshatit, i cili më pas ka nxitur dëshmitarët të tregojnë të gjitha sa dinë, përfshirë edhe veprimet e UCK-së.
Në deklarimet e tyre për hetuesit, dëshmitarët kanë folur rreth prezencës së UCK-së në fshat, se si banorët i kanë ndihmuar ata të hapnin transhetë, dhe rreth anëtarëve të UCK-së të cilët janë vrarë më 15 Janar, 1999. por dëshmitari i parë nga Recaku, Drita Emini, 24 vjec, e cila ka parë nga bodrumi i saj sesi policia ka ndarë burrat dhe i ka dërguar ata sipër në kodër, ku janë gjetur më pas trupat e tyre, ka pasur vështirësi të përsërisë përpara Millosheviqit ato që ka deklaruar më parë për hetuesit.
Ndoshta arësyeja ka qenë paniku, i shkaktuar nga një takim kaq i afërt me njeriun të cilin Shqiptarët e Kosovës e konsiderojnë si përgjgjësin për të gjtiha vuajtjet e tyre. Pavarësisht nga arësyet, ajo nuk ka pranuar të konfirmojë disa nga thëniet e saj në deklarimin me shkrim, se si vëllai dhe babai i saj kishin hapur transhe dhe si ushtarët e UCK-së kishin zbrapsur më parë sulmet e Serbëve.
Një ndër misteret e pazgjidhura të Recakut ka të bëjë me faktin nëse 23 burrat trupat e të cilëve janë gjetur në një kanal mbi fshat janë vrarë në atë vend, apo janë sjellë aty ku u gjetën nga “verifikuesit” një ditë më pas.
Millosheviq u përpoq të interpretonte fjalët e Masionneuve rreth mënyrës së vendosjes së trupave në tokë si një provë që pozicioni i tyre ishte “rregulluar”. Ai e ka pyetur dëshmitarin nëse ai mund të përjashtonte mundësinë që trupat të jenë sjellë aty nga një vend tjetër.
Gjenerali ka thënë se edhe atij i kishte shkuar një herë në mendje një gjë e tillë kur kishte parë fillimisht trupat në kanal por ai më pas kishte arritur në përfundimin se ky “grup zotërinjsh të moshuar”, sic i quajti ai, “po ngjisnin kodrën në rresht për një” kur ata janë qëlluar.
Një prej dëshmitarëve të cilët i kanë mbijetuar vrasjeve e ka konfirmuar këtë. Në deklaratën e tij, Bilall Avdiu, 55 vjec, ka thënë se ata ishin zgjuar mëngjesin e asaj dite nga shpërthimet dhe të shtënat e armëve dhe se së bashku me djalin e tij ishin fshehur në një stallë dhe pastaj në një shtëpi në rrethinat e fshatit, pranë pyllit, ku një numër fshatarësh ishin mbledhur. Më pas aty ka mbërritur policia, dhe pasi i ka ndarë burrat në dy grupe, i ka urdhëruar ata të ngjiten në kodër.
Avdiu ka thënë se ndërsa ata po kalonin një kanal, janë përballur me një grup tjetër policësh të cilët kanë hapur zjarr. Avdiu ka qenë në fund të rreshtit dhe megjtihëse një plumb i ka shpuar xhaketën, ai nuk ëshë plagosur. Pasi është rrëzuar dhe ka bërë si i vdekur për disa orë, ai është larguar në drejtim të pyllit ku është takuar edhe me tre të mbijetuar të tjerë. Një prej këtyre të treve pritet të dëshmojë javën tjetër.
Megjithëse ai ka ndihmuar në sqarimin e misterit të asaj që ka ndodhur në vendin e krimit, dëshmia e Avdiut ka shkaktuar një mister tjetër, i cili ka qarkulluar që në Janar 1999, mbi faktin nëse disa prej trupave janë shpërfytyruar. Rezultatet e publikuara të autopsive kanë treguar se vetëm një trup ka pasur dëmtime, ndoshta prej një kafshe. Megjithatë, Avdiu ka thënë se ai ka parë pesë ose gjashtë trupa të shpërfytyruar dhe se zemra e njerit prej tyre, të cilin ai tha se e njihte si Ragip Bajrami, ishte nxjerrë jashtë. Millosheviq e ka akuzuar dëshmitarin se ai po shpikte fakte por dëshmitari ka mbështetur tezën e tij.
Mbetet për të parë se cilat pjesë të rastit të Recak do të mbulohen nga dëshmitë e tre dëshmitarëve të tjerë okular apo nga të mbijetuarit javën e ardhëshme. Por është e qartë se vetëm një pjesë e kësaj historie do të tregohet në gjyqin ndaj Millosheviqit.
Megjithatë, rasti i Recakut është i mbuluar më mirë se shumë prej vrasjeve të tjera në Kosovë të përfshira në akuzën ndaj Millosheviqit. Nice ka ngritur dyshime që prokurorët do të mund të paraqesin prova për më tepër se gjysmën e krimeve të kryera dhe të përfshira në këtë akuzë, për shkak të afatit përfundimtar të vendosur nga gjykata për dhënien e provave, deri më 26 Korrik 2002.
Ai ka thënë se ekipi i tij kishte nevojë për të paktën edhe dy muaj të tjerë për të përfunduar rastin e Kosovës. Por duket se do të jetë e pamundur që të jepet kjo kohë, për shkak të reputacionit të gjykatësve si shumë strikt me kohën në dispozicion të prokurorëve, gjë e cila ka bërë që ata të thirren tani me emrin gjykatësit “më kronometër në dorë”.
Megjithatë, e gjithë kjo ka një përfundim. Historitë e papërfunduara të gjyqit ndaj Millosheviqit mund të përfundojnë në gjyqet ndaj bashkëpunëtorëve të tij, Nikola Sainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Milan Milutinoviq, si edhe në gjyqet e pjesëmarrësve të tjerë në “veprimet e përbashkëta kriminale” në Kosovë të cilët nuk janë akuzuar ende.
Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR-së në gjykatën e krimeve të luftës dhe kryeredaktor i Agjensisë së Lajmeve SENSE.