KOMENT: MAFIA DHE SHTYPI
Mediat në Europën jug lindore po përballen me presione nga bota e krimit.
KOMENT: MAFIA DHE SHTYPI
Mediat në Europën jug lindore po përballen me presione nga bota e krimit.
Një gazetar serb i cili është pushuar pak kohë më parë nga puna pasi ka botuar një artikull ku pasqyroheshin lidhjet ndërmjet mafias së Beogradit dhe qeverisë së kaluar, papritmas ka pasur një fat të madh.
Pas disa muaj pa punë, më në fund një mundësi për punësim: një tregtar i pasur nafte nga një vend arab kishte propozuar krijimin e një gazette dhe i kishte ofruar atij një vend pune.
Kur gazetari është përpjekur të mësojë dicka më tepër mbi identitetin e këtij investitori, ai ka parë se emri i tregtarit arab ishte në një faqe në internet si anëtar i kompanisë në pronësi të një ish anëtari të njohur të mafias serbe, i cili ndërkohë ka legalizuar bizneset e tij dhe është shndërruar në një prodhues cigaresh.
Ky shembull tregon se sa e vështirë është zbulimi i lidhjeve të mafias me mediat në vendet e europës jug lindore, për të mos folur pastaj për shkatërrimin e këtyre lidhjeve.
Ata që kanë përfituar nga luftërat, kontrabandistë dhe drejtues politik me një të kaluar të dyshimtë janë përfshirë në përpjekje të ethëshme për të legalizuar bizneset e tyre në ballkan – dhe shumë prej tyre e kanë arritur këtë. Nuk ka mënyrë më të mirë për të siguruar respekt dhe influencë se sa nëpërmjet medias.
Mungesa e transparencës për pronësinë në rajon bën që pronarët e vërtetë të mediave shpesh të mos njihen. Në Ballkan, këto kohë janë krijuar shumë stacione TV dhe radio lokale si edhe gazeta të cilat janë ngritur me fonde të siguruar në rrugë jo të ligjëshme.
Fakti që disa janë shndërruar në organizma “të respektuara” të mediave nuk duhet të na bëjë më pak dyshues ndaj tyre.
Kohët e fundit, media në Beograd ka njoftuar se pronari i TV Jesenjin – një stacion televiziv i cili është i njohur në Serbi sepse drejtueset e emisionit të lajmeve zhvishen gjatë leximit të lajmeve – është kapur në kuadër të një operacioni anti kontrabandë si i përfshirë në rrjetin e kontrabandës së cigareve. A mund të imagjinohet se si ky stacion televiziv mund të njoftojë në mënyrë serioze mbi hetimet e policisë për kontrabandën e cigareve?
Në ballkan cështja e pronësisë mbi mediat është shumë e rëndësishme. I vetmi hetim i madh momentalisht po koordinohet nga Instituti i Paqes në Ljubljanë, Slloveni. Por ky është një hetim i përgjithëshëm për gjendjen në të gjithë rajonin. Ajo që nevojitet vërtetë është një hetim i hollësishëm mbi median në secilin vend.
Gjithashtu do të nevojitej një komision në secilin vend i cili do të hetonte mbi pronësinë dhe do të ndalonte krijimin e monopoleve në media.
Media e pavarur në Europën jug lindore ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë viteve të fundit në ekspozimin e strukturës së krimit të organizuar dhe korrupsionit të qeverive në rajon.
Por gazetarët të cilët hetojnë mbi krimin e organizuar përballen me rreziqe tepër të mëdha personale. Nëse nuk vriten, ata mund të rrihen apo familjet e tyre kërcënohen. Ata shpesh nuk kanë mundësi të përfitojnë mbrojtje nga policia apo sistemi i drejtësisë.
IWPR ka njoftuar së fundi mbi presionet me të cilat përballet shtypi në Rumani, aplikimi për anëtarësim i vendit në BE është vendosur në pikpyetje pas një sërë sulmesh ndaj gazetarëve të cilët kanë hetuar mbi lidhjet e politikës me korrupsionin.
Por problemi nuk ekziston vetëm në Rumani. “E dimë se ku është djali yt dhe kush e con atë në shkollë,” kanë qenë fjalët e akullta që ka dëgjuar një gazetar i IWPR në rajon nëpërmjet telefonit kur ai po hetonte mbi lidhjet ndërmjet qeverisë dhe krimit të organizuar.
Një tjetër shembull i dukshëm i presionit të mafias mbi mediat është konstatuar nga IWPR vetëm kohët e fundit. Në muajin shkurt, Nezavisne Novine e Banja Lukas ka botuar një seri artikujsh mbi trafikun e drogës, përfshirë edhe atë të heroinës sintetike në Republika Srpska.
Artikujt përmendnin disa njerëz të cilët mendohej se janë të përfshorë në këtë veprimtari dhe akuzonon ministrinë e brendëshme të RS se nuk ka marrë asnjë masë. Redaktori i gazetës ka marrë kërcënime nëpërmjet telefonit. As policia dhe as mediat e tjera lokale nuk kanë reaguar ndaj këtyre kërcënimeve.
Kur IWPR ka kontaktuar me një gazetë lokale për të punuar për këtë temë, redaktori ka thënë se do të ishte e pamundur, pasi gazetari ndoshta mund të vritej.
Së fundi një shembull nga Maqedonia. Zoran Bozinovski, një gazetar maqedonas, është rrahur disa vjet më parë pasi ka hetuar mbi lidhjet e krimit të organizuar. Ai është sulmuar nga pjestarë të forcave speciale të policisë. Ai i ka njohur ata dhe një prej tyre është dënuar me 20 muaj burgim.
Por Bozinovski mendon se zyrtarë të qeverisë kanë dhënë urdhërin për këtë sulm, dhe se shkaku ka qenë vetëm profesioni dhe puna e tij.
Pasi misioni i OKB-së në Maqedoni, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë dërguar letra proteste autoriteteve maqedonase, shoqata e gazetarëve organizoi një demonstrim me pjesëmarrjen e disa qindra gazetarëve përpara ministrisë së brendëshme. “Ja ku jemi, tani mund të na rrihni të gjithëve!” ka qenë parrulla e tyre.
Kohët e fundit, Bozinovski është kërcënuar përsëri dhe duke kërcënuar edhe vajzat e tij me përdhunim, pasi ka shkruajtur disa artikuj rreth një njeriu i cili mendohet se kontrollon tregtinë e paligjëshme të cigareve në vend. Bozinovski ka thënë se qëkur ai ka nisur të hetojë mbi rrjetet e trafikut, atij i kanë ofruar 100,000 euro për tu tërheqëur. Dhe kur ai nuk ka pranuar kanë vijuar kërcënimet.
Sic tregojnë këto shembuj nga disa vende, asnjë nga strukturat të cilat në një shtet ligjor duhet të mbrojnë qytetarët nga këto lloj ngacmimesh nuk duket se vepron.
Cfarë zgjidhjesh mund të ketë ky problem? Forcimi ekonomik afatgjatë do të stimulonte padyshim ndryshimet. Gazetat nuk mund të jenë kurrë më mirë se sa shoqëria që i rrethon, dhe për sa kohë që oligarkët e mëdhenj kontrollojnë shuma të mëdha fondesh, nuk është realiste që të presësh që mediat do ti qëndrojnë presionit të tyre.
Integrimi europian mund të ndihmojë, sepse procesi i integrimit do të detyronte qeveritë në rajon të vepronin dhe jo vetëm të flisnin rreth reformave të nevojëshme të sistemit të drejtësisë dhe policisë.
Në shumë vende perëndimore, ligjet për informimin publik detyrojnë kompanitë të deklarojnë të ardhurat, kontratat e biznesit dhe humbjet si edhe strukturën e tyre drejtuese. Në rajonin tonë nuk ekziston një gjë e tillë, dhe për rrjedhim është pothuajse e pamundur që gazetarët të hetojnë mbi cështjet financiare, dhe jo më të zbulojnë se cfarë lëviz nën fasadën e këtyre kompanive. Rajonit i nevojitet një reformë e tillë.
Po ashut, në vendet tona nuk ka transparencë kur bëhet fjalë për financat e partive politike apo të fushatave të tyre zgjedhore. Për rrjedhim nuk duhet të habitemi që njerëzit e mafias gëzojnë mbështetje nga rradhët e politikanëve dhe partive.
Publikimi i informacioneve rreth kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe kërkimi i ndihmës nga komuniteti ndërkombëtar dhe shoqatat perëndimore të shtypit do të përmirësojnë gjithashtu gjendjen dhe do të bënin një ata të cilët ushtrojnë presione mbi mediat të mendoheshin dy herë përpara se të bënin një gjë të tillë.
Kjo ende nuk po ndodh. Shoqatat e ndryshme të gazetarëve në rajon kanë tendencën të reagojnë vetëm kur individë të cilët janë kërcënuar u kërkojnë atyre ndihmë. Por shumica e gazetarëve të kërcënuar nuk e bëjnë një gjë të tillë. Në pjesën më të madhe të rasteve, cështja e kërcënimeve, pagesave nën dorë apo paralajmërimeve, lihet në heshtje dhe harrohet. Për rrjedhim, redaktorët dhe gazetarët në shumë raste i nënshtrohen një lloj auto censure kur bëhet fjalë për të shkruajtur mbi paratë e pista.
Për më tepër asnjë nga këto ndryshime nuk do të ndodhin nëse nuk do të ndodhte një ndryshim rrënjësor në mentalitet në të gjithë rajonin. Deri sa njerëzit të mos shohin më me admirim drejtuesit e mafias, oligarkët dhe ata të cilët janë pasuruar nga lufta, dhe për sa kohë që njerëzit nuk kuptojnë që korrupsioni është një prej shkaqeve kryesore të varfërisë së tyre, reformat ligjore nuk do të mjaftojnë kurrë për një ndryshim rrënjësor.
Dragana Nikoliq-Solomon është drejtore e IWPR për Serbinë dhe Malin e Zi.