Partia e Koshtunicës Dëmtohet nga Mosmarrëveshjet rreth Anëtarëve të Rinj

Anëtarë të partisë së Presidentit Koshtunica janë seriozisht të shqetësuar rreth disa anëtarëve të rinj të kësaj partie.

Partia e Koshtunicës Dëmtohet nga Mosmarrëveshjet rreth Anëtarëve të Rinj

Anëtarë të partisë së Presidentit Koshtunica janë seriozisht të shqetësuar rreth disa anëtarëve të rinj të kësaj partie.

Aktivistë të Partisë Demokratike Serbe të Vojisllav Koshtunicës, DSS, po protestojnë ndaj rekrutimit të ish zyrtarëve të lartë të rregjimit të kaluar.


Numri i anëtarëve të partisë është rritur rreth dhjetë herë duke arritur në 100,000 që prej zgjedhjeve të Tetorit 2000, të cilat çuan në rrëzimin e ish presidentit Slobodan Millosheviq. Stafi i sekretarisë së DSS-së ka vështirësi të procedojë me aplikimet e reja.


Kjo rritje reflekton atë që tregojnë anketimet e opinionit publik se Koshtunica është politikani më popullor tani në Serbi, edhe më tepër se Millosheviqi në kulmin e tij.


Por jo të gjithë anëtarët e rinj janë të mirëpritur. Ndërmjet atyre që janë të gatshëm për të përfituar nga shkëlqimi i partisë janë edhe ish anëtarë të Partisë Socialiste Serbe, të Millosheviqit, SPS, dhe Partisë së Majtë Jugosllave, JUL, të drejtuar nga gruaja e Millosheviqit, dhe partia Radikale Serbe, e drejtuar nga Vojislav Sheshelj.


Këto tre parti kanë përbërë pjesën kryesore të qeverisë së koalicionit të Millosheviqit derisa ai është rrëzuar nga kryengritja popullore më 5 Tetorin e kaluar.


Zyrtarët e DSS-së thonë se aplikimet nga ish përkrahës të Millosheviqit po lihen më një anë për momentin. Një zyrtar i lartë i partisë, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka thënë: "Ne kemi vendosur të bëjmë disa pyetje më tepër për ata që kanë qenë anëtarë të partive të tjera. Synimi është të përcaktojmë sesa aktiv kanë qenë ata në rregjimin e Millosheviqit".


Megjithatë disa prej tyre po lejohen të marrin pjesë në aktivitete të partisë, anëtarësia e tyre për momentin mbetet e bllokuar.


DSS ka qenë partia e parë e koalicionit qeveritar Opozita Demokratike e Serbisë, DOS, që ka hapur dyert për ish anëtarë të partive të koalicionit qeveritar të Millosheviqit.


Megjithëse DSS ka qenë e kujdesëshme të mos afrojë zyrtarë të lartë të rregjimit të vjetër, biznesmenë të pasur të lidhur me ish rregjimin kanë qenë të mirëpritur. Kjo politikë ka shkaktuar një mosmarrëveshje të thellë në rradhët e DSS.


Mosmarrëveshjet janë shfaqur haptazi kur këshilli ekzekutiv i partisë nuk ka prannuar të mbështesë emrimin e zyrtares së lartë të DSS-së Dr. Nada Kostiq në postin e ministres së shëndetësisë. Koshtunica më pas ia ka dhënë këtë post Obren Joksimoviq, një ish anëtar i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, të Vuk Drashkoviqit.


Shumë aktivistë të DSS-së mendojnë se Joksimoviq është zgjedhur për shkak të lidhjeve të tij me ish anëtarë të pasur të JUL-it, të cilët mund të mbështesin financiarisht partinë.


Kostiq, e zhgënjyer, është larguar nga DSS-ja së bashku me disa zyrtarë të tjerë të pakënaqur, përfshirë Dragan Vuçoviq, në shtëpinë e të cilit është krijuar DSS nëntë vjet më parë, anëtarin e këshillit ekzekutiv Zoran Miliçeviq, dhe avokatët e njohur në Beograd, Branka Gjukanoviq dhe Vesna Krsmanoviq.


Kostiq ka thënë se ajo ka dhënë dorëheqjen "për arësye etike".


"Mua nuk më kanë pëlqyer ndryshimet që kanë ndodhur në partinë time," ka thënë ajo. "Shumë njerëz të rinj kanë ardhur. Anëtarët e vjetër janë anashkaluar dhe të rinjtë janë kryesisht ish anëtarë të SPS dhe JUL. pas zgjedhjeve të Dhjetorit, kam vënë re se deputetët e DSS-së ishin njerëz të cilët unë nuk i kisha parë më parë".


Ende pa u qetësuar mosmarrëveshja me Kostiqin, ka shpërthyer një mosmarrëveshje e re në provinca. Megjithëse ish zyrtarë të periudhës së Millosheviqit janë ndaluar të marrin pjesë në DSS në Beograd, zyrtarë të qeverisë lokale dhe drejtorë të kompanive të cilët kanë mbështetur ish presidentin janë mirëpritur nga degët e DSS-së në provinca. Duket se partia cila gjendet në një situatë të vështirë ekonomike po përpiqet të tërheqë fonde nga biznesmenët lokal.


Joksimoviq është bërë drejtues në qytetin e tij të lindjes, Petrovac na Mlavi. Ai jo vetëm që ka lejuar ish anëtarë të JUL dhe SPS të anëtarësohen në DSS por edhe ka ftuar Ljubisha Zhivotiq, pronarin e kompanisë Minmark dhe një ish besnik i Millosheviqit, të bashkohet me partinë. Drejtuesit lokalë të DSS-së kanë protestuar.


"Joksimoviq po ndërton marrëdhënie me njerëz të aftë të sjellin fonde në parti," thotë një zyrtar lokal i cili është larguar nga DSS-ja tepër i zhgënjyer.


Dragana Parizanin, një ish kolege e Joksimoviqit, thotë se ajo është larguar nga DSS-ja për shkak të ministrit të ri të shëndetësisë dhe taktikave të tij. "Ai është një njeri me reputacion të dyshimtë dhe unë nuk mund të kuptoj sesi Presidenti Koshtunica mund të mbështesë atë," ka thënë ajo.


Presidenti i DSS-së në qytetin Zagubica, Stojan Milodaroviq, ka kërkuar hapjen e një hetimi për veprimtarinë e Joksimoviqit. Beogradi është përgjigjur duke filluar procedura disiplinore ndaj Miloradoviqit.


IWPR ka kontaktuar zyrën e Joksimoviqit, por ai nuk mund të komentonte për ne.


Në Kragujevac, ish anëtarët e SPS-së Milenko Turanjin dhe Dragan Milosavljeviq janë bashkuar me DSS-në, ndërsa drejtuesi i partisë në Backi Petrovac, Aleksandar Nogo, ka qenë dikur një anëtar i rëndësishëm i Partisë Radikale Serbe.


Mosmarrëveshjet kanë shpërthyer edhe në rradhët e DSS-së në Kikinda, në Vojvodinë. Pas rrëzimit të Millosheviqit, anëtarë të degës lokale të JUL-it kanë vendosur të shkrijnë degën e tyre. Zyra lokale e DSS-së që prej asaj kohe është gjendur përballë rreth 100 aplikimeve të reja për anëtarësim në këtë parti. Ajo më pas ka ngritur një komision për të hetuar të kaluarën politike të aplikantëve.


Aleksandar Gjeriq, një ish anëtar i DSS-së në Uzice, është nxehur kaq shumë nga fakti se disa biznesmenë të fuqishëm nga qyteti i tij, të gjithë ish zyrtarë të SPS-së dhe JUL-it, janë anëtarësuar në DSS saqë i ka shkruajtur një letër të hapur Koshtunicës duke kërkuar që presidenti të ndalojë një gjë të tillë.


Aktivistët lokal të DSS-së dyshojnë se presidenti shpreson të krijojë "një klub biznesmenësh", të cilët do të jepnin fondet aq të nevojëshme për të paguar makinat, telefonët celularë dhe mjetet e tjera të nevojëshme për makinerinë e një partie politike moderne - gjëra të cilat partia nuk i ka pasur asnjëherë.


Ata që mbrojnë politikën e DSS-së thonë se ajo ka adresuar problemet me të cilat përballen të gjitha partitë e DOS-it - një mungesë e stafit me eksperiencë. Kjo ka detyruar zyrtarët e koalicionit qeveritar të kryejnë disa detyra njëherësh. Për shembull, brenda DSS-së, Dragan Joçiq kryen detyrën e kryetarit të bashkisë së Beogradit dhe një anëtar i katër komisioneve parlamentare të parlamentit Serb.


Nëse DSS-ja mbijeton nga mosmarrëveshjet e brendëshme të shkaktuara nga fluksi i ish njerëzve të afërt të Millosheviqit, partia duket se do të bëhet forca politike më e fortë në rradhët e DOS-it, në një pozicion të mirë të shkojë në zgjedhjet e ardhëshme e vetme.


Sinisha Stanimiroviq është një gazetar i së përditëshmes së Beogradit, Glas Javnosti.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists