Bush Vë në Pikpyetje Rolin Amerikan në Ballkan
Administrata e Bushit rrezikon të prishet me aleatët e saj të NATO-s nëse pakëson përfshirjen e saj në operacionet paqeruajtëse në Ballkan
Bush Vë në Pikpyetje Rolin Amerikan në Ballkan
Administrata e Bushit rrezikon të prishet me aleatët e saj të NATO-s nëse pakëson përfshirjen e saj në operacionet paqeruajtëse në Ballkan
Pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Xhorxh W. Bush, prezenca Amerikane në Europën Juglindore mund të pakësohet ndjeshëm. Të paktën, ky është mendimi i disa ekspertëve të tij për politikën e jashtëme. Por ashtu si edhe parardhësi i tij, Bush mund ta kuptojë se situata në Ballkan nuk lejon gjetjen e zgjidhjeve të shpejta apo një tërheqje pa probleme.
Tetë vjet më parë, kur babai i Bushit u largua nga Shtëpia e Bardhë, ish Jugosllavia ishte përfshirë nga flakët e luftës. Ushtria Jugosllave e Sllobodan Millosheviçit po shkaktonte një valë shkatërrimesh në Bosnje-Herzegovinëqeveritë Europiane po akuzonin SHBA-në se po u shmangej detyrimeve të saj në kuadër të aleancës së NATO-s dhe ekzistonte frika se konflikti mund të shkaktonte një luftë të gjerë Ballkanike.
Ndërsa Ballkani vazhdon të jetë i pastabilizuar politikisht, lufta ka përfunduar dhe ata që e zhytën vendin në luftë nuk janë më në pushtet. Shumë nga këshilltarët e Bushit i konsiderojnë tashmë operacionet paqeruajtëse një shqetësim dhe një shmangie nga mbrojtja e "interesave kombëtare".
Kondoleza Rais, e ngarkuar me detyrën e Këshilltares për Sigurimin Kombëtar, ka shkaktuar shqetësime në gjirin e aleancës së NATO-s në Tetor kur foli haptazi për tërheqjen e trupave Amerikane nga rajoni në mënyrë që të krijohej një "ndarje e re pune" me aleatët Europianë të Amerikës.
Rais dhe këshilltarë të tjerë të Bushit që prej asaj kohe I kanë minimizuar thëniet e saj dhe kanë premtuar se do të konsultohen me aleatët e NATO-s përpara se të ndërmarrin ndonjë veprim për sa i përket së ardhmes së rreth 10,000 trupave Amerikane në Bosnje dhe Kosovë.
Pavarësisht këtyre sigurimeve, është e qartë se në rradhët e ekipit të Bushit ekziston një dëshirë e qartë për të rishikuar prezencën Amerikane në Ballkan.
Shumë ushtarakë të lartë në Pentagon e konsiderojnë paqeruajtjen si një punë të rëndomtë. Ata mendojnë se burimet ushtarake Amerikane duhet të përqëndrohen vetëm në kryerjen e luftërave të vërteta.
Për momentin, nuk është e qartë nëse administrata e re ka në plan të nisë një pakësim të kujdesëshëm të rolit Amerikan në Ballkan apo një tërheqje të menjëherëshme.
Kolin Pauell, i cili është emëruar në postin e Sekretarit të Shtetit, është në favor të zgjidhjes së parë.
Pauell i cili ka qenë në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithëshëm ka kundërshtuar ndërhyrjen në Bosnje, dhe njihet si një njeri I kujdesëshëm kur vjen fjala për të përdorur forcën ushtarake.
Por megjithëse ai mund të mos jetë dakort me detyrimet e Uashingtonit në Ballkan, ai është gjithashtu një veteran i kohës së Luftës së Ftohtë dhe natyrisht nuk do të dëshirojë të dëmtojë marrëdhëniet mes anëtarëve të NATO-s.
Një zyrtar i cili ka marrë pjesë në informimin që I ka bërë administrata e kaluar për çështjet e sigurisë Pauellit ka thënë për IWPR-në se ai ka folur për nevojën e vazhdimësisë në politikën Amerikane por ka thënë se ai kërkon disa ndryshime për sa i përket përfshirjes Amerikane jashtë vendit.
"Këta njerëz (këshilltarët e Bushit) janë njerëz të arësyeshëm," ka thënë zyrtari. "Megjithëse mund t'u pëlqejë një gjë e tillë (tërheqja nga Ballkani), realiteti i bën ti shohin gjërat ndryshe."
"Diçka dueht bërë," ka thënë Xhon Hulsman, një analist i vjetër në Fondacionin e Trashëgimisë dhe një kritik i politikave të administratës së Klintonit në Ballkan. "Rais ka thënë se përpjekjet për të krijuar shtete nuk kanë sukses. Shihni Bosnjen, ku synimi ka qenë për të krijuar një komb multi-etnik - Boshnjakët vazhdojnë të zgjedhin përsëri partinë e cila është drejtuar nga (njeriu i akuzuar për krime lufte, Sllobodan Karaxhiç."
Hulsman dhe shumë ekspertë të tjerë Republikan për politikën e jashtëme i kuptojnë rezervat e Pentagonit për përfshirjen e tij në operacionet paqeruajtëse në Kosovë dhe Bosnje, të cilat i konsiderojnë si një rast i "shtrirjes perandorake".
Sipas Hulsman, administrata e Bushit mund të përpiqet të largojë trupat tokësore Amerikane dhe të vazhdojë të mbajë atje një mbështetje minimale logjistike. "ne mund të ndryshojmë prezencën tonë në Ballkan dhe të ofrojmë ndihmesë ajrore, logjistike, C41 (komandë, kontroll, komunikacion dhe zbulim). Por ne do të vazhdojmë përfshirjen tonë atje edhe për një periudhë tjetër."
Por kundërshtimi nga aleatët e NATO-s ndaj tërheqjes së trupave tokësore Amerikane mund të jetë diçka e pritëshme pas ideve të Uashingtonit për zgjerimin e ardhëshëm të aleancës dhe krijimit të një force të ndërhyrjes së shpejtë Europiane. Në kundërpërgjigje, shtetet e BE-së do të kërkonin një rol më të madh drejtues në aleancë.
Rais dhe këshilltarë të tjerë të Bushit janë përkrahës të fortë të rolit drejtues të SHBA-së në NATO por do të jetë e vështirë për administratën e re të bindë aleatët Europianë që ajo të vazhdojë të ruajë rolin drejtues megjithëse nuk pranon të mbështesë misionet ushtarake të NATO-s në terren.
Nëse ekipi i Bushit insiston në tërheqjen e forcave paqeruajtëse shumë shpejt, marrëdhëniet ndër-Atlantike mund të acarohen dhe argumenti për një forcë të pavarur mbrojtëse Europiane - i cili mbështetet fuqishëm nga Franca - mund të bëhet më i fortë. Influenca Amerikane në Europë do të ulej dhe mosmarrëveshjet ndërmjet aleatëve të NATO-s mund të krijonin një vakum të rrezikshëm.
Pavarësisht nga përmasat e përfshirjes Amerikane në operacionet paqeruajtëse, administrata e re do të ketë një prioritet më të vogël në Ballkan.
Sekretarja e tanishme e Shtetit Madlein Ollbrait, e cila ka qenë vetë një refugjate e larguar pas pushtimit Nazist të Cekosllovakisë, ka pasur një interes të madh personal për të kundërshtuar pogromet nacionaliste në ish Jugosllavi dhe i ka konsideruar ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë si një test të vendosmërisë Amerikane.
Por Pauell, Rais dhe i emëruari në postin e Sekretarit të Mbrojtjes Donald Ramsfeld kanë shërbyer në qeveri gjatë Luftës së Ftohtë dhe nuk janë dakort me përcaktimin e gjerë të administratës së Klintonit për interesat kombëtare.
Një zyrtar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, (KSK) ka thënë për IWPR-në se Rais ka lënë të kuptohet se, nën drejtimin e saj, ajo dëshiron të pakësojë numrin e punonjësve në (KSK) dhe ndoshta të shkrijë në një të vetme zyrat që merren me ish Bashkimin Sovjetik, Ballkanin dhe Bashkimin Europian.
Efekti më i dukshëm i menaxhimit të ri në Shtëpinë e Bardhë do të jetë një pakësim i ndjeshëm i ndihmës për rindërtimin e rajonit. Fondet kishin filluar të pakësoheshin që në administratën e vjetër por një Shtëpi e Bardhë Republikane dhe Kongresi i kontrolluar nga ata do të kenë një qëndrim shumë skeptik ndaj programeve të ndihmës në Ballkan.
Në rajon do të ketë shumë më pak punonjës civilë Amerikan, dhe inisiativat e sponsorizuara nga Uashingtoni si Agjensia Amerikane për Zhvillim (USAID) do të luajnë një rol shumë më të vogël në reformimin e ekonomisë të vendeve të rajonit.
Ambasadorët e rinj të emëruar nga administrata e Bushit do të jenë ndoshta më pak të dukshëm dhe aktiv. Si rezultat, Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje mund të ketë më shumë hapësirë për të manovruar dhe do të kërkojë kryesist ndihmën e vendeve Europiane.
Për Klintonin, dhe mbështetësit e politikës së tij në Ballkan në Amerikë dhe Europë, dëshira e ekipit të Bushit për t'u larguar nga rajoni do të jetë një zhgënjim i hidhur. Tani që Millosheviç nuk është më në pushtet dhe partitë e moderuara po shtojnë influencën e tyre, ata thonë se vazhdimi i lidershipit Amerikan është i nevojëshëm për të konsoliduar fitoret e arritura deri më tani.
Administrata e Klintonit ka përshëndetur rënien e Millosheviçit si një rrjedhim i vendimit të tij për të marrë një rol drejtues në rajon. Por dora e fortë e kërkuar nga ekipi i Klintonit ka ardhur pas tre vjetë debatesh të lodhëshme dhe mosmarrëveshjesh ndërmjet aleancës së NATO-s dhe Shtëpisë së Bardhë.
Klinton vendosi vetëm në verën e vitit 1995 se ishte më e lehtë të ndërhyje ushtarakisht në Bosnje për ti dhënë fund luftës sesa të dërgoje trupa Amerikane për të evakuar paqeruajtësit Europianë. Adoptimi i një qëndrimi të "ashpër" është bërë më tepër për të ruajtur unitetin e aleancës së NATO-s sesa për të ndaluar shkeljet e të drejtave të njeriut.
Presidenti i ri Bush mund të kuptojë se është më e lehtë të pranojë detyrat e bezdisëshme të paqeruajtjes sesa të rrezikojë të nisë një zënkë të panevojëshme me aleatët e NATO-s.
Tania Domi ka qenë zëdhënëse e misionit të OSBE-së në Bosnje Herzegovinë. Për momentin ajo vazhdon studimet pasuniversitare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia në Neë York. Dan De Luk ka punuar për agjensinë Reuters dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje. Ai është një bashkëpunëtor i IWPR-së.