Karremans Kujton Rënien e Srebrenicës
Komandanti i batalionit hollandez ka deklaruar se ai u kishte thënë luftëtarëve muslimanë të Bosnjes se NATO do të kryente sulme ajrore.
Karremans Kujton Rënien e Srebrenicës
Komandanti i batalionit hollandez ka deklaruar se ai u kishte thënë luftëtarëve muslimanë të Bosnjes se NATO do të kryente sulme ajrore.
Koloneli Thom Karremans, ish komandanti i batalionit hollandez të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë, është paraqitur më në fund përpara gjykatës këtë javë, duke dëshmuar si dëshmitar i mbrojtjes në rastin e Vidoje Blagojeviq.
Blagojeviq, ish komandant i brigadës së Bratunac të ushtrisë së serbëve të Bosnjes, po gjykohet për rolin e tij në masakrën në Srebrenicë.
Megjithëse ka qenë avokati i Blagojeviq i cili ka thirrur Karremans për të dëshmuar në Hagë, ka qenë e qartë se mbrojtja nuk e konsideronte ish komandantin e batalionit hollandez si një dëshmitar mik. Përkundrazi, gjatë seancës së paraqitjes së tij – sic ka ndodhur shpesh në këtë gjyq – ka pasur shumë momente të duskutueshme dhe shpesh kaotike.
Prokurori Peter McClosky ka thënë se avokati mbrojtës Michael Karnavas po e pyeste dëshmitarin në një mënyrë që e vendoste atë “në pozitë të vështirë”. Kryetari i trupit gjykues Liu Daqun i ka kërkuar vazhdimisht Karnavas të përqëndrohej në argumentat e tij, të merrej me temat më të rëndësishme, dhe – për të përdorur metaforën e gjykatësit – të kalonte nga antipasta në pjatën kryesore.
Karremans, një figurë e vecantë, i gjatë dhe me flokë e mustaqe krejtësisht të bardha, ka pasur detyrën të mbronte zonën e sigurtë nën kujdesin e OKB-së të Srebrenicës në verën e vitit 1995. Sic e ka përshkruar ai, misioni i tij ka qenë mbrojtja e popullsisë lokale, ndihma e organizatave humanitare dhe demilitarizimi i enklavës.
Kjo e fundit, ka thënë ai, ka qenë krejtësisht e pamundur. Trupave të batalionit hollandez nuk u lejohej të kontrollonin shtëpitë, ka thënë ai, dhe “aty kishte shumë mundësi për të fshehur armë”.
Edhe dy detyrat e tjera nuk kanë qenë më të lehta. Nën vëzhgimin e batalionit hollandez, enklava ka rënë më 11 korrik, 1995. Popullsia është mbledhur nëpër autobusë dhe larguar nga zona ndërsa mbi 7,000 burra dhe djem të aftë për luftë janë ndarë nga familjet dhe janë vrarë.
Karremans është i padëshirueshëm në Hollandë pasi ai konsiderohet se ka dështuar në shmangien e masakrës së Srebrenicës. Në një fotografi, ai është shfaqur duke pirë me gjeneralin serb të Bosnjes, Ratko Mlladiq – i cili është akuzuar nga gjykata por është ende i lirë – pak kohë pas rënies së enklavës.
Ish komandanti i batalionit hollandez është larguar nga Hollanda për në Spanjë këtë vit, duke thënë për një program televiziv hollandez se ai e ka marrë këtë vendim pasi ka pasur kërcënime për jetën.
Avokati mbrojtësKarnavas ka thënë për gjykatën se nëpërmjet pyetjes së Karremans, ai synonte të hidhte poshtë vlerësimin e prokurorisë se ushtria serbe e Bosnjes është përpjekur të spastrojë etnikisht zonën. Ai ka thënë se shpresonte që dëshmia e dëshmitarit do të tregonte se gjendja ka qenë më komplekse se sa mendohet.
Duke dashur të përmbushë këtë synim, Karnavas, e ka pyetur Karremans nëse banorët muslimanë të enklavës ishin larguar nga zona, kishin kryer krime kundër serbëve, dhe tërhiqeshin në zonat e sigurta të mbrojtura nga OKB. Karremans është përgjigjur se megjithëse ushtarët muslimanë largoheshin herë pas herë, ai nuk mund të thoshte nëse ata ishin përgjegjës për ndonjë sulm ndaj serbëve.
Sulmi mbi Srebrenicën ka nosur më 6 korrik dhe Karremans ka dhënë një pamje të qartë të gjendjes tepër të rëndë në ditët para rënies së enklavës.
Gjatë tregimit të tij, Karremans hera herës i referohej shënimeve të tij personale nga ajo kohë, të cilat i kishte mbajtur në gjashtë fletore – të cilat nuk ka pranuar t’ia tregojë gjykatës, parlamentit hollandez, apo Institutit Hollandez për Dokumentimin e Luftës, NIOD. Shënimet kanë qenë baza kryesore e librit të tij rreth ngjarjeve të Srebrenicës, ka thënë ai para gjykatës.
Karremans ka kujtuar se mbrëmjen e 10 korrikut, disa ditë pas nisjes së sulmit, ai është takuar me një nga komandantët e enklavës dhe i ka thënë se nuk kishte nevojë që ata të nisnin një kundërsulm ndaj serbëve të Bosnjes, pasi NATO do të niste sulme ajrore të nesërmen.
Por dita e nesërme ka qenë kaos i plotë. Me keqësimin e situatës, ai ka kërkuar disa herë nisjen e sulmeve ajrore – por ato nuk u kryen kurrë. Srebrenica ka rënë po atë ditë.
Ekipi mbrojtës ka paraqitur një regjistrim për gjykatën, në të cilin tregohej një takim ndërmjet Karremans dhe Mlladiq po atë ditë. Në të, Karremans dëgjohet duke diskutuar mundësinë e evakuimit të civilëve nga enklava.
Gjendja ka qenë e tmerrshme, ka ngulur këmbë Karremans: “Ishte një gjendje emergjence me ‘E’ të madhe. Duhej të bëhej dicka me shpejtësi”.
Karremans ka thënë për gjykatën se në ditët pas rënies së enklavës, ai ka lëvizur shumë “më tepër se mendoni juve” dhe ka folur me shumë njerëz. Ai ka thënë se personalisht nuk ka parë ndonjë shkelje të të drejtave të njeriut, por se dy nga vartësit e tij kanë njoftuar për kryerjen e krimeve. Një prej tyre kishte parë disa kufoma; tjetri kishte parë disa njerëz të cilët vriteshin.
Megjithëse Karremans ka thënë se ka njoftuar menjëherë shefat e tij, ai ka pranuar se nuk e ka përmendur asnjë prej këtyre incidenteve në bisedimet me Mlladiq. I pyetur përse, ai ka thënë se Mlladiq nuk i ka dhënë mundësinë. Kur ai është takuar me Mlladiq më 13 korrik, Karremans ka thënë për gjykatën, se i ka thënë komandantit serb të Bosnjes se ishte i habitur me shpejtësinë e mbërritjes së mjeteve të transportit për të lëvizur civilët nga enklava – dhe i pakënaqur që të plagosurit nuk ishin transportuar më parë.
Karremans ka thënë se Mlladiq ka dhënë një përgjigje të shkurtër. “Do të kujdesem për të gjitha vetë,” ka thënë gjenerali serb dhe është larguar.
Ndërsa ky artikull është botuar nga IËPR, Karremans po vazhdonte dëshminë e tij.
Në zhvillime të tjera në këtë process gjatë kësaj jave, Svetlana Radovanoviq, një profesore universiteti dhe eksperte në demografi, është paraqitur si dëshmitare mbrojtëse përpara gjykatës më 21 dhe 22 qershor.
E pyetur për të dhënë mendimin e saj për raportin e paraqitur nga dëshmitari i akuzës demografja Helge Brunborg – në të cilin Brunborg ka arritur në përfundimin se 7,475 burra dhe djem muslimanë janë vrarë pas rënies së Srebrenicës – Radovanoviq ka thënë prerë: “Ai raport është i papranueshëm si një studim shkencor”.
Radovanoviq, duke mos pranuar shifrat e Brunborg, ka ngritur vërejtje edhe për metodologjinë e raportit.
Ajo është ankuar vecanërisht, rreth ekzistencës së “përsëritjes së dukëshme” – ku emri i të njëjtit person është përsëritur më shumë se një herë. “Kjo nuk është demografi,” ka thënë Radovanoviq për gjykatësit. “Ky është ekzibicionizëm statistikor”.
Po këtë javë, gjykata ka dëgjuar edhe Nikola Popoviq, një ish anëtar i policisë ushtarake të brigadës së Bratunac.
Ashtu si Blagojeviq, Popoviq është implikuar nga Momir Nikoliq në faktet e dhëna nga ai në marrëveshjen e pranimit të fajit.
Nikoliq ka pranuar fajësinë për krime kundër njerëzimit për rolin e tij në masakrën në Srebrenicë, dhe është dënuar me 27 vjet burim. Ai ka apeluar këtë vendim të gjykatës.
Në dëshminë e tij, Nikoliq ka thënë se Popoviq ka marrë pjesë në ekzekutimet në magazinën në Kravica. Në të njëjtin document, Nikoliq ka vlerësuar se ai i ka thënë Blagojeviq, komandantit të tij, rreth krimeve në Kravica.
Popoviq ka thënë para gjykatës se ai nuk ka marrë pjesë në asnjë vrasje në atë magazinë – apo diku tjetër. Ai ka ngritur hipotezën se Nikoliq e ka implikuar atë në krime vetëm për shkak se ka humbur pjestarë të familjes – përfshirë babain, gjyshin, nënën e gruas së tij, dhe kunatën e tij shtatzënë – në konflikt.
Ai ka dëshmuar gjithashtu rreth veprimeve të tij ditët para dhe pas rënies së Srebrenicës.
Më 13 korrik – ditën e sulmit mbi Kravica – Popoviq ka thënë se ai ishte dislokuar në Potocari, ku ai ka parë ushtarë nga “një njësi speciale” duke ndarë burrat në moshë për luftë nga familjet e tyre.
Ai ka përshkruar këta ushtarë si të veshur “krejtësisht me të zeza”dhe me “kapele” dhe ka thënë se nuk ka folur fare me ta.
“Ne nuk guxonim as të afroheshim, e jo më t’u flisnim atyre,” ka thënë ai për gjykatën. Ai ka ngulur këmbë se ata nuk ishin nga brigada e Bratunac.
Gjyqi vazhdon.
Rachel S. Taylor është redaktore e IËPR në Hagë.