Rindërtimi i pabesueshëm i Serbisë
Rindërtimi me ritme të shpejta i Serbisë nuk është ajo histori e suksesit dhe e ecjes përpara me ritme të shpejta sic paraqitet në televizionin shtetëror.
Rindërtimi i pabesueshëm i Serbisë
Rindërtimi me ritme të shpejta i Serbisë nuk është ajo histori e suksesit dhe e ecjes përpara me ritme të shpejta sic paraqitet në televizionin shtetëror.
Rindërtimi i shpejtë i urave të goditura gjatë bombardimeve të NATO-s vitin e kaluar po i kalon të gjitha parashikimet.
Televizioni shtetëror pothuajse çdo ditë paraqet pamje të punëtorëve të ndërtimit që premtojnë të përfundojnë punimet brenda afatit dhe të zyrtarëve shtetëror të cilët marrin pjesë në ceremonitë e hapjes së këtyre urave.
Gjysma e 64 urave të dëmtuara apo shkatërruara gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s vitin e kaluar tashmë janë riparuar, dhe pritet që punimet të përfundojnë edhe në 21 ura të tjera brenda datës 7 korrik, duke hedhur kështu poshtë konkluzionin e Institutit Jugosllav të Rrugëve vetëm para gjashtë muajsh, sipas të cilit rindërtimi do të zgjaste tre vjetë.
Në të njëjtën kohë, kostoja zyrtare e punimeve është shumë më e ulët se sa planifikimet e bëra nga ekonomistë të pavarur në Beograd.
Këto parashikime optimiste janë jashtëzakonisht pozitive po të kihet parasysh se Jugosllavia është varfëruar së tepërmi për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.
Por e vërteta nuk është krejtësisht kështu. Ritmi tepër i lartë i punimeve është arritur falë shfrytëzimit të paturpshëm të fuqisë punëtore të vendit. Nën parullën e "mbështetjes në forcat tona", qeveria ka bërë presion mbi firmat të punojnë praktikisht pa i paguar asgjë me qëllim që të arrihen synimet e saj.
Kompani të mëdha shtetërore detyrohen ose të dhurojnë para për përpjekjet e rindërtimit ose të kryejnë punime specifike pa pagesë.
Një ndërmarrje ndërtimi, për të cilën autoritetet mendonin se kishte një llogari bankare në një bankë të huaj, thuhet se është paguar me më pak se dhjetë përqind të shumës prej rreth 8 milion marka gjermane (4 milion dollarë) për punën që kishte kryer.
Rreth 100 punëtorë nga një kompani tjetër e cila ka riparuar urën Smederevo - Knin kanë vendosur ta bllokojnë atë në muajin dhjetor në shenjë proteste për mos dhënien e pagave megjithëse kishin punuar natën dhe ditën për të përfunduar objektin.
Në një anketim të kryer ndërmjet tyre nga agjensia e lajmeve BETA, vetëm një firmë, Mostogradnja nga Beogradi, tha se ajo ishte paguar paradhënie për punën e kryer, ndërsa një studim tjetër nga Instituti Ekonomik për Kërkimet e Tregut ka treguar se shumë kompani akoma presin të paguhen për rreth 70 përqind të projekteve të përfunduara.
Industritë ndihmëse, si prodhuesit e betonit, hekurit, zhavorrit dhe rërës po detyrohen gjithashtu të kontribuojnë në përpjekjet për rindërtim.
Shfrytëzimi i rreth 200 kompanive dhe rreth 140,000 punëtorëve të përfshirë në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta ka krijuar shqetësim dhe ka shtuar zemërimin e sindikatave.
Pagat mesatare në sektorin e ndërtimit janë nga më të ultat në Serbi, dhe llogariten në rreth 37 marka gjermane (18,5 dollarë amerikanë) në muaj. Por shumë punëtorë kanë marrë vetëm një pagë të garantuar minimale prej rreth 11,5 marka gjermane në muaj dhe ndonjëherë edhe këto pagesa vonohen deri në dhjetë muaj.
Duke shpejtuar ritmin e rindërtimit, me turne të pandërprera ditën dhe natën, pavarësisht kushteve atmosferike po bëhet "shfrytëzimi fizik i punëtorëve që mund të ketë pasoja serioze mbi shëndetin e tyre", ka thënë një zyrtar i sindikatave.
Përveç shfrytëzimit të forcës së punës, qeveria ka printuar edhe monedhë tjetër në mënyrë që të jetë në gjendje për të paguar programin e rindërtimit. Disa ministra kanë pranuar se hedhja në treg e monedhës shtesë është përgjegjëse për zhvleftësimin prej rreth 20 përqind të vlerës së dinarit.
Një injeksion prej rreth 30 milion dollarësh ndihmë nga Kina në muajin dhjetor ka lehtësuar në një farë mënyre gjendjen e rëndë ekonomike. Por për shkak të defiçitit tregëtar të vitit të kaluar prej rreth 1,798 miliard dollarë, kjo shumë duket si një pikë ujë në oqean.
Ekonomistët Nebojsha Saviq dhe Goran Pitiq të Institutit Ekonomik kanë parashikuar se politika e "mbështetjes në forcat e veta" brenda një viti do të rezultojë në kolapsin e bilancit të pagesave të Serbisë dhe brenda dy vjetësh në falimentimin e shtetit.
Milenko Vasoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Beogradi.