KOMENT: DIKUSH DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI

Cili nga autoritetet në Kosovë duhet të mbajë përgjegjësi për mos parandalimin e dhunës së ditëve të fundit?

KOMENT: DIKUSH DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI

Cili nga autoritetet në Kosovë duhet të mbajë përgjegjësi për mos parandalimin e dhunës së ditëve të fundit?

Monday, 21 February, 2005

Përplasjet më të fundit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë të cilat kanë shkaktuar të paktën njëzet e katër të vdekur dhe qindra të plagosur nuk duhet të shtrojnë pyetjen e vjetër nëse dy komunitetet e mëdha në Kosovë mund të bashkëjetojnë. Pyetja më me vënd që duhet shtruar është se cili nga autoritetet drejtuese duhet të mbajë përgjegjësinë për viktimat?


Si Europa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr me ngadalë nga Kosova, duke menduar se cdo gjë shkon mirë dhe duke lënë të pazgjidhur jo vetëm cështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës por edhe një sistem unikal qeverisjeje i cili nuk mban përgjegjësi përpara njerëzve.


Në njërën anë, është Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, autoriteti më i lartë i cili është përgjegjës për policinë dhe gjykatat. Nga ana tjetër, Kosova ka një Institut të Përkohëshëm për Vetë Qeveisje, IPVQ, i cili përbëhet nga qytetarë të zgjedhur, por që nuk ka më tepër pushtet se sa një këshill studentor i një shkolle të mesme. Struktura bëhet edhe më e komplikuar po të kemi parasysh ndikimin e vazhdueshëm që ushtron qeveria serbe ndaj serbëve të Kosovës.


I marrë së bashku, sistemi qeverisës në Kosovë i ngjan një labirinthi të komplikuar bizantinme dyer në Prishtinë, Beograd dhe OKB. Si autoritetet ashtu edhe njerëzit e thjeshtë e kanë tepër të vështirë të orientohen nëpër kthesat e shumta.


Pra, cilin nga autoritetet qeverisëse duhet të quajnë përgjegjës për mos parandalimin e dhunës populli i Kosovës – shqiptarët dhe serbët? IPVQ e zgjedhur me votat e popullit ka përgjegjësi përpara elektoratit por ajo nuk ka pushtet, ndërsa UNMIK ka pushtet por ai është përgjegjës vetëm përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


Sipas strukturës së tanishme, drejtuesit e Kosovës – ata vendas dhe zyrtarët ndërkombëtarë – janë “më të pavarurit” në botë – me kuptimin që asnjë prej tyre nuk mban përgjegjësi para popullit.


UNMIK ka përgatitur një projekt i cili përmban një sërë standartesh të cilat duhet të përmbushen nga kosovarët përpara se të mund të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës. Beogradi dhe serbët e Kosovës kërkojnë që rajoni të mbetet pjesë e shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa shumica shqiptare kërkon pavarësinë. Ka dy pengesa në këtë rrugë: me qëllim që IPVQ të përmbushë standartet, UNMIK duhet ti japë më tepër pushtet.


Por UNMIK nuk është ende i vendosur ta bëjë një gjë të tillë, sepse kjo do të vendoste edhe më tepër Kosovën në rrugën drejt pavarësisë, dhe, sic UNMIK ka paralajmëruar shpesh, nuk ka garanci që edhe nëse standartet përmbushen Kosova do të fitojë menjëherë pavarësinë.


Ndërsa cështja e statusit përfundimtar të rajonit ka mbetur e pazgjidhur, janë krijuar dy sisteme qeverisëse paralele. Pushteti është i ndarë ndërmjet OKB, e cila është ligjërisht përgjegjëse, por nuk mban përgjegjësi përpara popullit, dhe IPVQ, e cila më së shumti mund të thuhet se ka përgjegjësi morale. Përfundimi është një “shtet pa shtet” ku i jepet më tepër rëndësi një ushtrimit të vazhdueshëm të demokracisë se sa krijimit të strukturave dhe zyrtarëve të zgjedhur dhe veprimit të ligjit.


Megjithëse statusi i ardhëshëm i Kosovës mbetet ende i papërcaktuar, UNMIK duhet të ndryshojë rrënjësisht rolin e tij të “ndërtimit të shtetit” dhe të përcaktojë parimet e qeverisjes së mirë të cilat do të kenë fuqi si mbi UNMIK ashtu edhe IPVQ të cilat do të bëjnë që qytetarët e Kosovës ti konsiderojnë ata përgjegjës. Për shembull, UNMIK ka qenë në krye të përpjekjeve për një politikë anti korrupsion, por në të njëjtën kohë e ka bërë të qartë se kjo politikë nuk vepron mbi autoritetet e OKB-së të cilët vazhdojnë të kontrollojnë të gjitha cështjet financiare.


UNMIK duhet gjithashtu të zgjidhë disa cështje për të cilat nuk mund të bëhet kompromis, si për shembull fati i personave të humbur dhe rikthimi i serbëve. Kjo nuk duhet të bëhet gradualisht si deri më tani, por në mënyrë të plotë, duke zgjidhur shqetësimet e të gjitha grupeve. Banorët e Kosovës nuk duhet të quhen shqiptarë apo serbë etnik – gjë e cila vetëm thellon përcarjet – por qytetarë të Kosovës.


Policia dhe sistemi i drejtësisë duhet të fuqizohen duke bërë që ruajtja e rendit dhe zbatimi i ligjit të jenë mbi shqetësimet respective të perëndimit. Kjo do të sillte arrestimin e grupeve të tilla si të ashtuquajturit “Ruajtësit Serbë të Urës” të cilët patrullojnë urën përmbi lumin Ibër në qytetin e ndarë të Mitrovicës, dhe militantë shqiptarë të cilët nën petkun e “nacionalizmit” përpiqen të justifikojnë veprimet e tyre kriminale.


Që prej përfundimit të luftës, organizatat jo qeveritare kanë zhvilluar një numër fushatash me në qendër “qytetarin ndër etnik” të cilat synojnë zgjidhjen e problemeve të përbashkëta si përmirësimi i strukturave spitalore dhe shkollave. Këto kanë nevojë për mbështetje.


Për sa i përket shpërthimit më të fundit të dhunës, UNMIK, IPVQ dhe Serbia duhet të konsiderohen përgjegjëse sepse deri më tani vetëm kanë folur dhe nuk kanë arritur të zgjidhin shqetësimet e popullsisë. IPVQ mendon se disa fjalë të dhëna në serbisht apo një vizitë në një enklavë serbe mjaftojnë për ti siguruar atyre mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, UNMIK nuk përdor pushtetin e tij ligjor për të ndëshkuar shkeljet e ligjit, ndërsa qeveria serbe në Beograd vazhdon ti fryjë zjarrit të armiqësive ndër etnike.


Megjithatë, në fund të fundit, Europa dhe SHBA duhet të quhen përgjegjëse për largimin e tyre në heshtje nga Kosova dhe për lënien pa zgjidhur cështjen e statusit përfundimtar të Kosovës.


Fron Nazi është Drejtor i Projekti për Ballkanin, në Institutin e Menaxhimit Lindje Perëndim.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists