SERBI: DOS ORGANIZON ZGJEDHJEN E DREJTUESVE TË SAJ PËR TË FITUAR KOHË
Koalicioni qeveritar i cili gjendet në një pozicion të vështirë duket se shpreson që lëvizja më e fundit për të zgjedhur një kryetar të ri do ti japë pak kohë.
SERBI: DOS ORGANIZON ZGJEDHJEN E DREJTUESVE TË SAJ PËR TË FITUAR KOHË
Koalicioni qeveritar i cili gjendet në një pozicion të vështirë duket se shpreson që lëvizja më e fundit për të zgjedhur një kryetar të ri do ti japë pak kohë.
Vendimi i qeverisë serbe javën e kaluar për të thirrur zgjedhjet presidenciale për në fund të këtij viti, pa ndërmarrë hapa për të siguruar që këtë rradhë ato të jenë të vlefshme, duket se është një përpjekje cinike për të shmangur kritikat ndaj qeverisë.
Zyrtarët, ka shumë mundësi, që ta dinë se zgjedhjet e 16 nëntorit, ashtu si edhe dy të parat nuk do të jenë të vlefshme, por kanë vendosur të ecin përpara me planet e tyre sepse dëshirojnë të largojnë vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e korrupsionit të qeverisë dhe nga kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohëshme parlamentare si edhe për të dobësuar postin e presidentit.
Anketimet e fundit tregojnë se tani votuesit janë më pak të interesuar për të votuar në krahasim me vitin e kaluar kur janë zhvilluar dy zgjedhje presidenciale, në shtator dhe dhjetor, të cilat janë quajtur të pavlefshme për shkak të pjesëmarrjes më të ulët se 50 përqind, i cili është niveli minimal i kërkuar me ligj.
Ndërsa zhgënjimi me politikën serbe ka kontribuar në anullimin e zgjedhjeve, Vojisllav Koshtunica, kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, DSS, i cili ka fituar numrin më të madh të votave në të dyja zgjedhjet, ka thënë se arësyeja kryesore për dështimin e tyre ka qenë se koalicioni qeveritar DOS nuk kishte rishikuar listat e zgjedhësve të përgatitura që në kohën e Millosheviqit të cilat kanë qenë tepër të fryra duke regjistruar shumë më tepër votues se sa janë në të vërtetë për qëllime mashtrimi në zgjedhje.
Fakti që listat e zgjedhësve nuk janë rishikuar dhe thirrjet për heqjen e kufirit minimal për pjesëmarrjen e të paktën 50 përqind të votuesve në zgjedhje nuk janë pranuar nga qeveria tregojnë se ajo nuk është e interesuar që këtë rradhë zgjedhjet të kenë sukses.
Mendohet se ka qenë pikërisht kjo arësyeja që Koshtunica, dhe kandidati tjetër kryesor, drejtuesi i partisë G17 Plus tanimë në opozitë, Miroljub Labus, ti kthejnë shpinën këtyre zgjedhjeve. Edhe kandidati më i mirë i mundëshëm i DOS për postin e presidentit, ministri i mbrojtjes Boris Tadiq, nuk ka pranuar të marrë pjesë në garë.
Analistët dhe politikanët e opozitës mendojnë se qeveria mendon të përdorë zgjedhjet për të përfituar kohë dhe për të larguar vëmendjen nga një sërë skandalesh - të cilat kanë ulur shumë popullaritetin e saj - dhe nga thirrjet e opozitës që zgjedhjet e përgjithëshme të planifikuara për vitin e ardhëshëm të afrohen.
Analisti politik Dusan Pavloviq ka thënë se zgjedhjet e nëntorit janë një përpjekje "për të larguar vëmendjen nga skandalet e korrupsionit të cilat kanë tronditur qeverinë prej disa muajsh". Zëdhënësja e G17 Plus Ksenija Milivojeviq i sheh këto zgjedhje "si një tjetër manipulim, për të fituar pak kohë dhe për të shmangur thirrjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare".
Në fakt, disa vëzhgues kanë thënë se DOS mund të jetë duke përgatitur dështimin e zgjedhjeve presidenciale për të dëmtuar në këtë mënyrë postin e presidentit.
DOS tanimë e ka bërë të qartë se mbështet një president të zgjedhur nga parlamenti, ku ende kontrollon shumicën, dhe jo direkt nga populli - një hap ky i cili do të pakësonte mundësinë e zgjedhjes së ndonjë prej kundërshtarëve të kësaj partie.
Nëse zgjedhjet presidenciale dështojnë përsëri, kryetarja e parlamentit Natasha Miciq, e cila ka kryer detyrat e presidentit të Serbisë që prej dhjetorit të kaluar, do të vazhdojë të qëndrojë në këtë detyrë, dhe kjo gjë natyrisht që është në të mirë të koalicionit qeveritar sepse ajo është një anëtare e DOS.
Qeveria nuk pranon se ka ndonjë arësye të fshehtë pas thirrjeve të saj për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në nëntor, duke thënë se ajo po kryen detyrat e saj kushtetuese. Kryeministri serb Zoran Zivkoviq është përpjekur të sigurojë opozitën dhe publikun se zgjedhjet këtë herë do të jenë të vlefshme. Si një provë të sinqeritet të tij, DOS ka emëruar Dragoljub Micunoviq, drejtuesin e partisë Qendra Demokratike dhe kryetar i parlamentit federal si kandidat të saj për zgjedhjet presidenciale.
Por ata të cilët janë të përgatitur të mendojnë se qeveria është e sinqertë thonë se nëse ajo vërtetë mendon ato që thotë atëherë do të kishte ulur kufirin minimal e kërkuar për pjesëmarrje në votim që zgjedhjet të quhen të vlefshme.
Zeljko Cvijanoviq është një korrespondent i rregullt i IWPR-së në Beograd.