Thellohet Përçarja Në Udhëheqjen E Kroatëve Të Bosnjes

Dënimi i Tihomir Blaskiq ka rritur tensionet në udhëheqjen e kroatëve të Bosnjes.

Thellohet Përçarja Në Udhëheqjen E Kroatëve Të Bosnjes

Dënimi i Tihomir Blaskiq ka rritur tensionet në udhëheqjen e kroatëve të Bosnjes.

Veteranët kroatë të luftës të Bosnjes kanë bërë thirrje këtë javë për të ndërprerë përpjekjet për të bashkuar Bosnjen.


Të zemëruar nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Hagës për komandantin e tyre të luftës, Tihomir Blaskiq, veteranët kanë kërkuar që drejtuesit e Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, të bojkotojnë zgjedhjet e ardhëshme lokale, të pushojnë së bashkëpunuari me institucionet e përbashkëta boshnjake dhe të organizojnë një referendum për krijimin e një entiteti të veçantë kroat në Bosnje në fund të marsit.


Kërkesat e veteranëve, të bëra përpara disa mijëra demonstruesve në përkrahje të Blaskiqit në Mostar dhe Kiseljak, mund të sjellin shpërthimin e tensioneve që kanë kohë që ziejnë ndërmjet ultra nacionalistëve dhe të moderuarve në gjirin e HDZ-së.


Blaskiq është dënuar një javë më parë për rolin e tij si komandant i forcave kroate të Bosnjes, të cilat në prill të vitit 1993 kanë masakruar 108 banorë myslimanë të fshatit Ahmici.


Ultra nacionalistët në rradhët e HDZ-së kanë përdorur dënimin e Blaskiq si një mundësi për të rritur tensionet ndërmjet kroatëve të Bosnjes dhe shtuar presionin ndaj presidentit të HDZ-së, Ante Jelaviq.


Duke folur në protestat e Mostarit dhe Kiseljakut, disa përkrahës të linjës së ashpër kanë akuzuar publikisht drejtuesit e HDZ-së se janë tepër të moderuar.


"Marrëdhëniet në rradhët e partisë natyrisht që nuk janë ideale," ka thënë Jelaviq për të përditëshmen e Zagrebit Jutarnji List. "Por kjo udhëheqje ka forcë dhe besueshmëri," ka insistuar ai, duke lënë të kuptohet se ai ka në plan të reformojë partinë.


Si një ish ushtar, Jelaviq gëzon përkrahjen e elementëve të rëndësishëm në rradhët e ushtarakëve kroatë të Bosnjes. Në fakt, ai ka siguruar presidencën e HDZ-së në vitin 1998, falë përkrahjes së Forcës Kroate të Mbrojtjes, HVO, kundër dëshirës së ish presidentit kroat, Franjo Tugjman.


Duke folur në mitingun e parë elektoral të HDZ-së në Mostar javën e kaluar, Jelaviq, i cili është edhe anëtari kroat në presidencën boshnjake, ka kritikuar për herë të parë HDZ-në kroate, ish padronët e tij, të mundur në zgjedhjet e fundit në Kroaci.


"HDZ-ja humbi në Kroaci sepse ata nuk e kuptuan se ka ardhur koha për ndryshime sociale dhe reforma," ka thënë Jelaviq në këtë miting.


"Përkundrazi ata kanë ofruar, mendjemadhësi, rritje pa fund të shpenzimeve shtetërore, retorikë mburrëse dhe kriminalitet."


Duke paralajmëruar për mundësinë e tendencave të tilla edhe në HDZ-në boshnjake, Jelaviq ka premtuar një spastrim të zyrtarëve inkompetentë dhe atyre të përzier në krime. Me qëllim që të bashkojë partinë prapa tij përpara zgjedhjeve bashkiake të 8 prillit, Jelaviq do të duhet ndoshta të luftojë në dy fronte si kundër përfaqësuesve të linjës së ashpër ashtu edhe kundër fraksionit të moderuar.


Dy biznesmenë të fuqishëm në Herzegovinë - Pero Markoviq dhe Mijo Brajkoviq - drejtojnë nacionalistët ekstremistë. Ky krah i linjës së ashpër, i cili dominon qeverisjen lokale në Herzegovinën e kontrolluar nga kroatët e Bosnjes, gëzon një farë përkrahje nga ushtarakët kroatë të Bosnjes.


Fraksioni i HDZ-së nuk ka pranuar kurrë që territoret e kontrolluara nga kroatët të jenë pjesë e shtetit boshnjak si parashikohej në marrëveshjet e Uashingtonit dhe Dejtonit. Në fakt, ata kërkojnë krijimin e një entiteti të tretë, të pastër etnikisht vetëm me kroatët e Bosnjes, i cili ndoshta mund ti bashkohej Kroacisë.


Një grup i të moderuarve përpiqet ta kthejë HDZ-në në drejtim të kundërt. Ky grup drejtohet nga ministri i jashtëm boshnjak Jadranko Prlic dhe bashkë kryeministri boshnjak Neven Tomiq. Të dy këta duket se pranojnë një shtet të Bosnjes multi-etnik dhe bashkëpunojnë ngushtë me kolegët e tyre serbë dhe myslimanë në institucionet e përbashkëta të vendit.


Megjithëse të moderuarit gëzojnë përkrahjen ndërkombëtare, ata kanë pak influencë në territoret e kontrolluara nga kroatët. Administratat lokale dominohen nga krahu më ekstremist i HDZ-së dhe, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, ata pengojnë vazhdimisht marrëveshjen e paqes, veçanërisht rikthimin e refugjatëve jo-kroatë.


Një faktor i rëndësishëm prapa vendosmërisë së Jelaviq për të reformuar HDZ-në boshnjake mund të jetë edhe presioni i ushtruar nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht përpjekja për të krijuar një ndarje të qartë ndërmjet politikës dhe biznesit.


Tradicionalisht politikanët kanë ruajtur një kontroll mbi aktivitetet ekonomike dhe partitë politike një kontroll të rreptë ndaj të gjitha spekteve të jetës së njerëzve. Megjithatë, nenet e reja elektorale do t'u ndalojnë kandidatëve të konkurojnë për poste zyrtare nëse ata kanë zënë në mënyrë të paligjëshme pronat e refugjatëve apo nëse marrin pjesë në bordet drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore.


Tërheqja e përkrahjes financiare nga ana e qeverisë së re kroate për fqinjët e tyre kroatë të Bosnjes ka bërë që detyra e Jelaviq për të reformuar sistemin të jetë më urgjente dhe më e vështirë. Strukturat paralele të qeverisjes dhe vetë HDZ-ja janë paguar në të kaluarën me paratë e Kroacisë.


Për më tepër, anketimet e opinionit publik të kryera pas humbjes në zgjedhje të HDZ-së në Kroaci - por përpara dënimit të Blaskiq - tregojnë se politikanët e opozitës si Zlatko Lagumxhija i Partisë Social Demokrate dhe Kresimir Zubak i Inisiativës së Re Kroate merrnin rreth 30 përqind të votave.


Ngelet për tu parë nëse përgjigja nacionaliste ndaj dënimit të Blaskiq do të jetë e mjaftueshme për të ndryshuar rënien e HDZ-së boshnjake.


Janezh Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Sarajevo.


Frontline Updates
Support local journalists