Politikanët Kosovarë Shfrytëzojnë Fëmijët

Politikanët kosovarë po kritikohen se po përdorin fëmijë për të zhvilluar fushatën e tyre elektorale.

Politikanët Kosovarë Shfrytëzojnë Fëmijët

Politikanët kosovarë po kritikohen se po përdorin fëmijë për të zhvilluar fushatën e tyre elektorale.

Tuesday, 6 September, 2005

Prindërit dhe mësuesit në Podujevë janë të shqetësuar për shfrytëzimin për arësye politike të fëmijëve të tyre në fushatën e zgjedhjeve lokale.


Ata janë gjithashtu të shqetësuar edhe për natyrën gjithnjë e më ndërhyrëse të propagandës politike, e cila tanimë ka hyrë edhe në shkollat e qytetit.


Njerëzit në këtë qytet të vogël në verilindje të Prishtinës dëshirojnë që politikanët të lenë të qetë fëmijët e tyre në prag të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen në fund të këtij muaji.


Prindërit thonë se ata janë kundër praktikave të shumë partive politike, të cilat ose i paguajnë fëmijët për të ngjitur posterat e tyre dhe për të ndjekur mitingjet, ose i nxisin ata për të bërë një gjë të tillë.


Një grua thotë se kishte parë me sytë e saj një burrë, i cili qëlloi një fëmijë të vogël për një grindje politike. "Ata nuk ishin dakort se cilin politikan duhet të mbështesnin dhe burri doli nga makina e tij e qëlloi fort me shuplakë fëmijën," thotë ajo.


Në një rast tjetër, thotë gruaja, një burrë i tha një fëmije se do t'i jepte 10 bluza nëse mblidhte një grup shokësh të tij dhe t'i dërgonte në një miting partie. "Natyrisht bluzat do të kishin edhe shenjat e partisë mbi to."


Një djalë tjetër i vogël ka thënë se dy shokët e tij janë paguar me 20 marka gjermane secili për të ngjitur postera të partive dhe vizatuar me bojë parrulla nëpër rrugët e qytetit, përfshirë edhe muret e shkollave.


Këto incidente kanë shtuar shqetësimin ndërmjet prindërve dhe mësuesve, të cilët do të preferonin t'i shihnin fëmijët e tyre të merreshin më tepër me shkollën sesa të fitonin para nga bërja e fushatës politike.


"Këto postera nuk duhen lejuar në asnjë mënyrë nëpër shkolla," thotë një djalë i ri. "Shkollat janë vende ku fëmijët shkojnë për t'u arsimuar dhe jo një vend për t'u marrë me politik."


Qazim Toqani, drejtor i shkollës fillore Ali Ajeti, thotë se shkolla e tij, e cila u rindërtua vitin e kaluar pas luftës, është mbuluar nga posterat politikë.


"Kjo është diçka absurde," thotë ai. "Në shkollë nuk duhet të ketë fërkime politike dhe fëmijët nuk duhet të manipulohen nga partitë."


Ka edhe fjalë se vetë mësuesit po përpiqen të indoktrinojnë fëmijët e tyre. "Unë jam më i shqetësuar nga mënyra se si disa mësues përdorin mësimet e tyre si një platformë për partinë e tyre të preferuar dhe kundërshtoj mënyrën se si ata vlerësojnë ata fëmijë të cilët mbështesin partinë e tyre," thotë një nënë.


"Nuk është për t'u habitur kur një fëmijë ka probleme në shkollë nëse ai mbështet kundërshtarin e kandidatit që përkrahet nga mësuesi."


Shumë njerëz në qytet thonë se ata do të preferonin që të caktohej një vend i veçantë, ku të gjitha partitë politike të vendosnin posterat e tyre. Ata kanë kërkuar edhe nga partitë të mblidhen për ta zgjidhur këtë çështje.


Ndërsa shumë mendojnë se partitë po shfrytëzojnë në mënyrë cinike fëmijët, disa fajësojnë për këtë naivitetin politik.


"Ndoshta kjo ndodh se kjo është hera e parë që organizojmë zgjedhje të vërteta - ndoshta herën tjetër do të jetë ndryshe - le të shohim," thotë një grua.


Disa drejtues politikë lokalë pranojnë se shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike duhet të marrë fund.


Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) thotë se të rinjtë "duhet të lihen jashtë punës së partive." Naim Fetahu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) sulmon partitë e tjera të cilat përdorin fëmijët për të grisur posterat e partive rivale nëpër qytet.


Refiqe Hamiti është gazetare shqiptare në Podujevë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists