SHTOHEN PERPJEKJET PER ARRESTIMIN E KARAXHIQ

Afrimi i përfundimit të mandatit të forcave të NATO-s në Bosnje dhe gjykatës së Hagës do të shtojë përpjekjet për arrestimin e të kërkuarve kryesorë për krime lufte.

SHTOHEN PERPJEKJET PER ARRESTIMIN E KARAXHIQ

Afrimi i përfundimit të mandatit të forcave të NATO-s në Bosnje dhe gjykatës së Hagës do të shtojë përpjekjet për arrestimin e të kërkuarve kryesorë për krime lufte.

Të gjendur nën presion për shkak të mungesës së kohës, fondeve dhe dorëzimit të detyrës nga NATO në Bosnje, komuniteti ndërkombëtar po shton përpjekjet për arrestimin e drejtuesit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq.


Pasi kryeprokurorja e gjykatës Carla Del Ponte është takuar me zyrtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian në Bruksel më 11 shkurt, për tu kërkuar atyre të shtojnë përpjekjet për ndalimin e të kërkuarve, ajo ka shtuar edhe më tepër presionin ndaj qeverisë së Serbisë duke thënë se ai tani fshihej në Beograd.


Kërkesa të tilla për arrestimin e tij nuk janë të reja, por këtë rradhë ato bëhen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar duket i vendosur për ta bërë arrestimin e Karaxhiq një prioritet për këtë vit.


Gjykatës së Hagës po i përfundon afati i saj, ndërsa besueshmëria e NATO-s mund të dëmtohet rëndë nëse ajo i jep fund misionit të saj tetë vjecar në Bosnje pa ndaluar të kërkuarin kryesor për krime lufte.


BE, e cila do të marrë përsipër drejtimin e misionit në Bosnje, nuk është i kënaqur që të marrë përsipër vetëm arrestimin e Karaxhiqit.


Në bazë të “strategjisë përmbyllëse”, prokurorët e gjykatës duhet të përfundojnë hetimet e tyre dhe të gjitha cështjet deri në fund të këtij viti. Gjyqet do të përfundojnë në fund të vitit 2008 dhe gjykata do të mbyllet në vitin 2010.


Por meqënëse Del Ponte dhe disa drejtues të shteteve perëndimore kanë thënë se gjykata nuk do të përfundojë veprimtarinë e saj pa nxjerrë para gjyqit Karaxhiq, tanimë është bërë e domosdoshme arretimi i tij.


Arësyet financiare dhe problemi i kohës janë dy prej faktorëve kryesorë në përpjekjet e tanishme të komunitetit ndërkombëtar. Fondet për financimin e gjykatës duket se po pakësohen. Në të njëjtën kohë, një gjyq ndaj Karaxhiq do të ishte dicka e komplikuar që do të kërkonte dëshmi të shumta nga shumë dëshmitarë. Duke gjykuar nga kohëzgjatja mesatare e gjyqeve të deri tanishme, zyrtarët e Hagës mendojnë se do të duheshin rreth katër vjet nga arrestimi i tij deri në përfundimin e procesit, gjë e cila praktikisht kërkon që ai të arrestohet brenda këtij viti.


Megjithëse Del Ponte është përpjekur të mos komentojë rreth takimit të 11 shkurtit, burime diplomatike thonë se ajo ka paralajmëruar ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s se afati përfundimtar i mbylljes së gjykatës do të duhet të ndryshohet nëse Karaxhi mbetet i lirë, së bashku me dy të dyshuar të tjerë, gjenerali i serbëve të Bosnjes Ratko Mlladiq dhe gjenerali kroat Ante Gotovina.


Karaxhiq është bërë një problem i madh për zyrtarët e NATO-s të cilët po përgatiten të largohen nga Bosnja. Gjatë një takimi të aleancës në Stamboll në muajin qershor, kur organizata do të festojë pranimin e vendeve të reja anëtare, NATO do të marrë ndoshta një vendim për ti dhënë fund misionit të saj në Bosnje, duke hapur rrugën kështu për BE-në.


Kur është larguar nga posti i sekretarit të përgjithëshëm të NATO-s në muajin dhjetor të vitit të kaluar, George Robertson ka përshkruar arrestimin e Karaxhiq si një dëshirë e cila nuk është bërë realitet gjatë mandatit të tij. Pasuesi i tij, Jaap de Hoop Scheffer, njihet si një njeri i vendosur për të arrestuar drejtuesin e serbëve të Bosnjes.


“Gjykata është shumë pranë shtëpisë sime në Hagë prej nga ku do ta kisha shumë të lehtë të shihja zotin Karaxhiq dhe zotin Mlladiq,” ka thënë ai më 12 shkurt gjatë një fjalimi në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.


Një sërë operacionesh të NATO-s gjatë dy muajve të fundit kanë theksuar vendosmërinë dhe nxitimin e NATO-s. Përvec kontrolleve në disa vende ku mund të fshihesh dhe arrestimin e dy prej rojeve të trupit të Karaxhiq në mesin e muajit janar, aleanca ka shtuar presionin ndaj Partisë Demokratike Serbe, SDS, partia në pushtet në Republikën Srpska, për të bashkëpunuar me përpjekjet e NATO-s për arrestimin e tij. Analistët mendojnë se këto hapa të kohëve të fundit kanë detyruar Karaxhiq të largohet, ndoshta në drejtim të Serbisë.


Edhe BE është e interesuar të shohë Karaxhiq përpara gjykatës. Stephan Lehne, këshilltar i lartë për Ballkanin pranë përfaqësuesit të lartë të BE për politikën e jashtëme, Havier Solan, ka thënë gjatë një debati për ballkanin në Bruksel më parë këtë muaj se BE “lutej” që NATO të arrestonte Karaxhiq përpara se ajo të niste misionin e saj në Bosnje.


Nëse NATO, e cila ka në përdorim pajisjet më të mira në botë për zbulim dhe sistemin më të mirë të komandimit, nuk mund të arrestojë Karaxhiq për tetë vjet, ekspertët ushtarakë dyshojnë se BE e cila do të marrë në dorë drejtimin e operacionit, do të ketë ndonjë rezultat më të mirë pasi Brukseli vetëm tani po zhvillon një strategji ushtarake.


Burime të NATO-s thonë se SHBA ka premtuar se do të vazhdojë të mbajë disa oficerë në Bosnje edhe pasi BE të marrë në kontroll operacionin, të cilët do të kenë për detyrë të arrestojnë të dyshuarit e mbetur për krime lufte, dhe se një gjeneral amerikan do të drejtojë zyrën për krimet e luftës në Bosnje Herzegovinë.


Kroacia shihet si një shembull i mirë i qëndrimit të Europës për afrimin e lehtësirave në shkëmbim të lëshimeve nga Zagrebi. Kroacia ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që ka pasur dhe ka lejuar hetuesit e gjykatës së Hagës të marrin në pyetje të gjithë të dyshuarit dhe dëshmitarët e mundëshëm në shkëmbim të shpejtimit të dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.


E vetmja cështje e pazgjidhur është ajo e Gotovinas, i akuzuar për kryerjen e krimeve ndaj serbëve të Kroacisë gjatë Operacionit Stuhija në verën e vitit 1995 por i cili është ende i lirë. BE po përpiqet të zgjidhë këtë problem të madh duke vonuar ratifikimin e marrëveshjes së asocimit të Kroacisë deri sa të dorëzohet Gotovina.


Por BE ka pasur më pak sukses në Serbi, e cila i është nënshtruar vetëm presionit të amerikanëve dhe kërcënimeve të SHBA për ndërprerjen e ndihmave financiare. Një shembull i kohëve të fundit në këtë drejtim është ngrirja nga ana e Uashingtonit e llogarive bankare të dhjetë zyrtarëve serbë të Bosnjes të akuzuar se kanë ndihmuar Karaxhiq.


Megjithëse SHBA i ka kërkuar BE të marrë masa të ngjashme, diplomatët europianë janë treguar mosbesues ndaj masave të tilla për shkak se ato janë të vështira për tu zbatuar.


“Eshtë më e lehtë të miratohet një vendim i tillë në Uashington,” ka thënë një diplomat i BE, “ndërsa ne kemi një procedurë shumë të komplikuar në të cilën duhet të marrim aprovimin e të gjitha vendeve të mëdha anëtare”.


Thëniet e Del Ponte se Karaxhiq ishte tani në Serbi duket se kanë larguar një pjesë të përgjegjësisë për arrestimin apo dorëzimin e tij, nga NATO në drejtim të BE dhe Serbisë e Malit të Zi.


Pas takimit të Del Ponte me Scheffer më 11 shkurt, zëdhënësi i NATO-s James Appathurai ka thënë se aleanca nuk është e kënaqur që Karaxhiq është larguar, ndoshta në drejtim të Serbisë, duke shtuar se përgjegjësia për arrestimin e të kërkuarve nga gjykata është në rradhë të parë e autoriteteve lokale.


Appthurai ka theksuar se arrestimet e të dyshuarve ende të lirë janë një parakusht për pranimin e Bosnje Herzegovinës dhe Serbisë e Malit të Zi në Programin Partneritet për Paqe të NATO-s.


Megjithatë, boshllëku politik i tanishëm në Serbi bën që Beogradi të mos dëgjojë shumë këto kërkesa dhe paralajmërime. Pasi nuk ka arritur disa herë të zgjedhë një president, republika nuk ka qenë e aftë të zgjedhë as edhe një qeveri gjatë dy muajve të kaluar. Në këto rrethana, komuniteti ndërkombëtar duket se nuk do të mund të shpresojë shumë për mbështetje në nivel lokal.


Augustin Palokaj është një korrespondent i vjetër për gazetën e përditëshme të Kosovës, Koha Ditore, dhe atë kroate Jutarnji List në Bruksel.


Frontline Updates
Support local journalists