ROMËT NË SERBI PËRBALLEN ME PARAGJYKIME TË HESHTURA

Pengesat mund të jenë më pak të dukëshme se në disa vende të tjera por ky komunitet tmerrësisht i varfër ende përballet me një diskriminim të madh.

ROMËT NË SERBI PËRBALLEN ME PARAGJYKIME TË HESHTURA

Pengesat mund të jenë më pak të dukëshme se në disa vende të tjera por ky komunitet tmerrësisht i varfër ende përballet me një diskriminim të madh.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Monday, 21 February, 2005

Nebojsha Radosavljeviq trembet se do të duhet të kalojë edhe një dimër tjetër në një shtëpi me qera se bashku me familjen e tij me pesë anëtarë, në pritje që gjykata të ngrejë padi ndaj njerëzve të cilët nuk e kanë lejuar të blejë një tokë në rrethinën e Beogradit, Sremcica, për të vetmen arësye që ai është rom.


Shtatorin e kaluar, Radosavljeviq ka paguar një paradhënie për një copë tokë në të cilën ai dëshiron të ndërtojë një shtëpi për familjen dhe zyra për kompaninë e tij, të prodhimit të erzave.


Si një rom i cili ka jetuar gjithë jetën në Beograd, ai thotë se është mësuar me “diskriminimin e heshtur” – por nuk i ka shkuar kurrë në mend se cfarë do ti ndodhte kur është përpjekur të blejë tokë.


Kur disa gra të cilat jetojnë në një lagje me të kanë marrë vesh se Radosavljeviq kërkonte të blejë tokë, ato kanë protestuar ndaj “romëve të cilët duan të blenë toka”, ka thënë ai. “Tokë mund të blenë turqit apo edhe kushdo tjetër, por jo romët,” i ka thënë një prej tyre.


Gruaja ka kontaktuar Mladen Sakiq, një prej personave të akuzuar, i cili e ka kërcënuar haptazi Radosavljeviq. “Ne nuk do të lejojmë të blesh tokë, dhe nëse e ble, do të hedhim në erë shtëpinë,” i ka thënë Sakiq. Kur Radosavjleviq e ka pyetur nëse ai ishte racist, ai thotë se Sakiq e ka pranuar.


Radosavljeviq ka hequr dorë nga blerja e tokës dhe ka humbur paratë e dhëna si depozitë. “Unë nuk doja probleme. Kam tre fëmijë. Hoqa dorë nga blerja e asaj toke në mënyrë që të mos më ndodhnin ato gjëra të këqia për të cilat më kërcënuan,” thotë ai për IWPR.


Por me ndihmën e disa grupeve të të drejtave të njeriut përfshirë Fondin Humanitar Ligjor, Qendrën për të Drejtat e Pakicave dhe Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve, Radosavljeviq ka ngritur padi ligjore ndaj fqinjëve të tij të mundëshëm.


Ai i ka akuzuar ata për nxitjen e urrejtjes etnike, racore dhe fetare, duke kërcënuar sigurinë e tij perësonale, dhe duke shkelur lirinë e lëvizjes.


Akuzat kriminale të paraqitura në Zyrën e Prokurorit të Rrethit të Beogradit për nxitjen e urrejtjes etnike, racore dhe fetare janë hedhur poshtë me arsyetimin se nuk ka pasur dëshmitarë, dhe për rrjedhim nuk mund të ketë pasur as edhe nxitje.


Cështja është transferuar në Zyrën e Prokurorisë së Bashkisë së Dytë, e cila pritet të ngrejë padi për akuzat e tjera të përfshira në padinë fillestare.


Historia e Radosavljeviq nuk është dicka e pazakontë dhe hedh dritë mbi një aspekt jo shumë të njohur të marrëdhënieve të serbëve me pakicat etnike, dhe pikërisht mungesën e tolerancës në rritje ndaj romëve.


Ndërsa armiqësia ndërmjet serbëve dhe kroatëve, shqiptarëve e muslimanëve të Bosnjes është e njohur dhe dokumentuar, filmat gazetat dhe mediat e tjera janë përpjekur të krijojnë idenë se serbët kanë marrëdhënie më të mira me romët se me të tjerët.


Numri i saktë i romëve në Serbi nuk duhet, sepse pjesa më e madhe nuk janë të regjistruar. Në regjistrimin e vitit 2002, 109,000 persona janë deklaruar si romë. Në të vërtetë, ky numër mund të jetë edhe më i lartë.


Dejan Markoviq, përfaqësues i Kongresit Kombëtar të Romëve për Serbinë, organizata ndërkombëtare e romëve, thotë se në territorin e Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës mendohet se jetojnë rreth 600 deri 800 mijë rom.


Professor Bozidar Jaksiq, socialog në Institutin e Shkencave Sociale në Beograd, jep një shifër më të ulët. “Në Serbi jetojnë rreth 350 deri 400 mijë rom,” thotë ky ekspert i njohur.


Rreth 150 mijë rom kanë jetuar në Kosovë përpara konfliktit të vitit 1999 por vetëm 20 deri 25 mijë prej tyre jetojnë ende atje. Një numër i madh prej tyre janë larguar nga Serbia gjatë dekadës së fundit në drejtim të Evropës perëndimore dhe qendrore, SHBA dhe Australisë.


Pavarësisht numrit të tyre, është fakt që popullsia rome në Serbi jeton në kushte të rënda ekonomike dhe në shkallën më të ulët të hierarkisë sociale.


Shumica e tyre jetojnë në lagje në rrethinat e qyteteve të Serbisë. Vetëm në Beograd ka rreth 110 “mëhalla” të tilla. Këtu, ata zakonisht jetojnë në kasolle të ndërtuara me kartona dhe pllaka druri, pa adresa, energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo sistem të ujërave të zeza.


Si rregull, një rom mund të gjejë vetëm punën më të pistë dhe të papaguar në kompanitë shtetërore dhe në pastrimin e plehrave. Shumica e tyre mbledhin letra dhe shishe për të siguruar një të ardhur shtesë.


Gjendja e rëndë ekonomike në Serbi ka rënduar pozicionin e tyre. Shumë prej tyre lypin në rrugë për të mbijetuar dhe nuk mund të kujdesen për fëmijët e tyre. Numri i fëmijëve rom të cilët përfundojnë në rrugë është në rritje.


Diskriminimi me të cilin përballen ata i pengon për t’u shkëputur nga një rreth vicioz i varfërisë dhe analfabetizimit. Rreth 80 përqind e fëmijëve rom përfundojnë vetëm shkollën fillore. Vetëm 10 përqind e tyre përfundojnë arsimin tetëvjecar.


“Shumë fëmijë rom të moshës para shkollore flasin vetëm gjuhën rome, dhe për këtë arësye e kanë të vështirë të kalojnë testet e pranimit në shkollë,” thotë Dejan Markoviq. “Mësuesit dhe psikologët shpesh i konsiderojnë ata si me probleme mendore dhe i dërgojnë në shkollat për fëmijët me probleme mendore. Pothuajse 80 përqind e nxënësve në këto shkolla janë rom”.


Radosavljeviq e pranon. Ai ka përfunduar vetëm shkollën fillore. “Pjesërisht për shkak se jam përzier me shoqëri të keqe, por edhe diskriminimi ka luajtur një rol,” ka thënë ai.


“Unë kam qenë kampion i shkollave të Jugosllavisë në matematikë por në shkollën time më vinin vetëm B në matematikë. Prindërit e mi ishin më tepër të shqetësuar për të siguruar jetesën dhe as nuk e dinin që unë merrja pjesë në konkurset e matematikës”.


Radosavljeviq është njohur që herët me stereotipin se “rom” në mendjen e shumë njreëzve do të thotë “hajdut”. “Kur dikush kishte vjedhur para nga një vajzë në klasën time, e para gjë që ka bërë mësuesi ishte të më kontrollonte mua në trup,” kujton ai. “Unë dua ti jap një arësim sa më të mirë fëmijëve të mi, sepse ajo është e vetmja mënyrë që ata të kenë një jetë të mirë”.


Romët e kanë fituar statusin e pakicës kombëtare vetëm në vitin 2002, kur Republika Federale e Jugosllavisë, RFJ, miratoi një ligj për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Kur federata jugosllave u shndërrua në shtetin e Serbisë dhe Malit të Zi, nuk është krijuar asnjë institucion i cili ti korrespondojë Gjykatës Kushtetuese Federale për zbatimin e këtij ligji.


Konventa ndërkombëtare për Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor është nënshkruar në vitin 1965 por Jugosllavia ka pranuar autoritetin e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e Diskriminimit Racor vetëm në korrik 2001.


Përpara paraqitjes së një ankese në këtë komitet, duhet të kalohen të gjitha fazat ligjore në vend. Por tani që Gjykata Kushtetuese Federale nuk ekziston më, dhe gjendja ligjore është konfuze.


Ministria e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare e Serbisë e Malit të Zi nuk ka pushtet të vërtetë, dhe asnjë ministri në nivelin e republikës nuk merret vetëm me të drejtat e pakicave. Gjithashtu nuk është miratuar ende një ligj kundër diskriminimit. Një ligj është përgatitur por nuk ekziston vullneti politik nga ana e parlamentit për miratimin e tij.


Dragan Laloseviq, i Fondit Humanitar Ligjor, ka identifikuar disa nivele diskriminimi të praktikuar ndaj romëve në Serbi.


“Ky diskriminim mund të marrë forma ekstreme, si dhuna e motivuar etnike. Të rinjtë neonazistë janë vecanërisht shqetësues për ne, sepse ata shpesh rrahin romët apo shkaktojnë incidente fatale,” thotë Laloseviq.


“Por ekziston gjthashtu diskriminim në arsim, mirëqënie dhe hyrjen e tyre në vendet publike, si edhe sharje me fjalë fyese”.


Romët janë vendosur në Ballkan në shekujt e 12 dhe 13, megjithëse disa teori thonë se ata kanë mbërritur më herët. Ata kanë qenë nomadë, të cilët janë vendosur në disa zona. Ata kanë punuar në ushtri nën perandorinë Otomane. Ata gjithashtu kanë qenë tregtarë të zotë kuajsh.


Professor Jaksiq pranon se në shoqërinë serbe ekziston diskriminimi ndaj romëve, por thotë se diskriminimi sistematik është më pak i pranishëm këtu se në shtetet fqinje. “Romët në Serbi nuk kanë vende të ndara për ta në avionë, si në Republikën Ceke,” thotë ai.


Diskriminimi është i bashkëngjitur me një farë shkalle të shfrytëzimit artistic. Për shkak se stili i jetesës së romëve shihet si romantik dhe ekzotik dhe për arësye se ata zakonisht nuk u nënshtrohen rregullave të autoriteteve, ata janë shpesh temë e filmave, si ato të prodhuar nga Emir Kusturica.


Pavarësisht portretizimit të tyre në kinema, romët nuk janë pranuar asnjëherë krejtësisht nga popullsia. Në një anketim të kryer kohët e fundit në universtitetet e Serbisë, pjesa më e madhe e studentëve kanë folur me simpati për romët, por 90 përqind e tyre nuk do të martoheshin me një rom.


Markoviq mendon se romët e Serbisë duhet të organizohen institucionalisht për të përmirësuar pozicionin e tyre. “Romët duhet të përgatisin një strategji të përbashkët për të zgjidhur problemet e tyre,” ka thënë ai. Deri më tani, pjesa më e madhe e romëve kanë votuar për partitë kryesore politike, të cilat nuk janë të interesuara për problemet e tyre specifike. Ligji i ri zgjedhor parashikon përfaqësimin e detyruar të pakicave në parlament, kështu që kjo mund të ndryshojë.


Ligji për vetëqeverisjen lokale është ndryshuar gjithashtu për të siguruar përfaqësim më të mirë të pakicave kombëtare në këshillat lokale në zonat me popullsi të përzier etnike.


Por sipas professor Jaksiq, inkurajimi i romëve të krijojnë partitë e tyre etnike mund të sjellë probleme të tjera.


“Unë kam frikë se opsioni për krijimin e organizatave politike të romëve do të sillte vetëm krijimin e një elite të romëve,” ka thënë Jaksiq. “Dhe kjo në planin afatgjatë do të ishte dicka e keqe për romët”.


Sipas tij, romët kanë vuajtur më shumë se popujt e tjerë në luftërat në Ballkan. Ata nuk kanë pasur asnjë ndikim në përfundimin e këtyre konflikteve, por megjithatë kanë qenë gjithnjë viktima. Romët janë abuzuar shumë nga serbët dhe shqiptarët, ka shtuar Jaksiq.


Ndërkohë, familja Radosavjleviq, në apartamentin e tyre me qera, presin vendimin e gjykatës. Ata kanë marrë ndërkohë një letër për djalin e tyre të madh Zoran, i cili duhet të kryejë shërbimin ushtarak.


“Paratë nuk janë shumë të rëndësishme për ne. Ne duam që ata njerëz të dënohen për atë që na kanë bërë në mënyrë që kjo do të mos përsëritet më,” thotë Juliana Radosavljeviq, nëna e Zoran.


“Unë i kam shkruajtur një letër Rasim Ljajiq, ministër i Serbisë dhe Malit të Zi për të drejtat njerëzore dhe pakicat kombëtare,” shton ajo. “E kam pyetur se si shteti mund të më kërkojë mua të dërgoj djalin ushtar, kur unë nuk mundem as të ble një copë tokë?”


Milos Steriq është një gazetar i së përditëshmes Blic në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists