ANALIZË: Sulmohet Dëshmitari Në Gjyqin Ndaj Millosheviqit
Dëshmitari i rëndësishëm Serb akuzohet në Serbi se po gënjen rreth lidhjeve të tij me Millosheviqin.
ANALIZË: Sulmohet Dëshmitari Në Gjyqin Ndaj Millosheviqit
Dëshmitari i rëndësishëm Serb akuzohet në Serbi se po gënjen rreth lidhjeve të tij me Millosheviqin.
Problemi më i madh në lidhje me dëshmitarin e parë Serb i cili po dëshmon në gjyqin ndaj ish presidentit Jugosllav ka të bëjë me karakterin e tij dhe jo me përmbajtjen e dëshmisë së tij.
Ratomir Taniq, i cili ka dëshmuar gjatë tre ditëve të javës së kaluar, është prezantuar si një ish aktivist i partisë Demokracia e Re, ND, e cila ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë, SPS, të Millosheviqit dhe të Majtën e Bashkuar Jugosllave, JUL, të drejtuar nga gruaja e të akuzuarit, Mira Markoviq, nga viti 1995 deri në vitin 1997.
Taniq, i cili ka dëshmuar të Martën, ka thënë se ai ka vepruar në emër të policisë sekrete të Serbisë, Agjensisë Kombëtare të Sigurimit, SDB, duke shtuar se nga viti 1993 deri në fund të dekadës së kaluar ai ka mbajtur edhe "kontakte operative" me shërbimet sekrete Britanike, Italiane dhe Ruse.
Në Tetor të vitit 1999, ai thotë se njerëz të panjohur kanë rrëmbyer atë dhe gruan e tij dhe i kanë mbajtur për dy ditë në një "burg privat" ku ata i janë nënshtruar torturave të "tipit Lationo Amerikan", gjatë të cilave ata janë droguar dhe detyruar të pranojnë se kanë pasur rol në një komplot të shërbimeve sekrete Britanike kundër Millosheviqit, i cili atëherë ishte ende kryetar i shtetit.
Dëshmitari ka thënë se pas kësaj ngjarjeje ai është larguar nga vendi. Fillimisht ai ka marrë një ndihmë financiare nga ministria e informacionit e Hungarisë dhe nga shërbimet sekrete Britanike (rreth 2 deri 3 mijë euro, ka thënë ai) përpara se të kontaktonte me gjykatën e Hagës. Më pas ai ka hyrë në një program të mbrojtjes së dëhmitarëve dhe i është dhënë një identitet i ri dhe një vendbanim i ri.
Për të parandaluar njohjen e tij nga fqinjët e tij të rinj, fytyra e tij mbahet e fshehur - megjithëse ai dëshmon me emrin e tij të vërtetë.
Dëshmia e tij në përgjithësi konfirmon ato që burimet e mirë informuara mund të kenë ditur edhe më parë rreth mënyrës së veprimit të Millosheviqit, port ë cilat tani kanë nevojë të provohen me prova përpara gjykatës.
Historia e tij ka filluar në vitin 1995, kur i akuzuari, në atë kohë president i Serbisë, pasi kishte shpallur se "nuk kishte alternativë tjetër përvec paqes", ka nënshkruar marrëveshjen e paqes së Dejtonit për Bosnjen dhe i ka hapur dritën jeshile "dialogut të fshehtë politik" me drejtuesit e Shqiptarëve të Kosovës. Qëllimi i tij kryesor ka qenë të mos lejonte ndërkombëtarizimin e krizës në Kosovë.
Mënyra e kryerjes së këtij "dialogu të fshehtë" përkon ekzaktësisht me mënyrën e veprimit të Millosheviqit. Bisedimet me drejtuesit e Kosovës janë organizuar në një nivel i cili nuk implikonte dhe nuk detyronte të akuzuarin, në mënyrë që ai të mund të hidhte poshtë në cdo moment si asgjë më tepër sesa "një dialog ndërmjet intelektualësh", ashtu sic e ka quajtur vetë Millosheviqi javën e kaluar.
Taniq thotë se ai ka marrë pjesë në këto bisedime me lejen direkte të partisë së tij, SDB-së dhe Millosheviqit. Ai thotë se i akuzuari personalisht ka aprovuar "platformën" e bisedimeve, të cilën e kishin sugjeruar ai dhe Dushan Mihajlloviq, kryetari i ND-së.
Në mesin e vitit 1997, Taniq thotë se bashkëbiseduesit kanë qenë shumë pranë arritjes së një zgjidhjeje politike të bazuar në "autonomi të gjerë" për Kosovën, kur Millosheviq ka ndryshuar papritur taktikën dhe ka filluar ta shqetësojë shumë numri i Shqiptarëve në Kosovë. Taniq ka thënë se një herë Millosheviq i kishte thënë atij se ai "do të provonte me fakte që në Kosovë ka më pak se një million Shqiptarë", pra më pak se 10 përqind e popullsisë së Serbisë dhe si rezultat ata nuk mund të përfitonin një autonomi të zgjeruar.
Në atë kohë, ka thënë Taniq, në provincë jetonin 1.2 deri 1.5 milion Shqiptarë. Dëshmitari ka thënë se e vetmja mundësi për të ulur numrin e tyre nën një million ishte të aplikoheshin të njëjtat metoda të spastrimit etnik të cilat ishin provuar në Kroaci dhe Bosnje.
Në pyetjet e tij, Millosheviq nuk ka pranuar të ketë thënë asgjë nga ato që ka deklaruar Taniq, megjithëse ai ka thënë se numri i Shqiptarëve në Kosovë ka qenë një "temë e nxehtë në Serbi" në atë kohë, dhe se ai kishte pranuar si "realiste" shifrën "nën një million". Ai tha se numri i popullsisë Shqiptare në Kosovë ishte i rëndësishëm në atë kohë, vetëm sepse pritej pjesëmarrja e tyre massive në zgjedhjet presidenciale që do të mbaheshin në vjeshtën e vitit 1997, megjithëse ky pohim është krejt i pabazë - sepse Shqiptarët kishin bojkotuar të gjitha zgjedhjet e mëparëshme në Serbi.
Taniq ka thënë se në fund të Shkurtit 1998, operacionet e policisë dhe ushtrisë ndaj "terroristëve" të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, kishin filluar. Taniq ka theksuar ekzistencën e një "strategjie" në lidhje me ngjarjet e asaj kohe. Në fillim janë lejuar disa humbje të vogla në rradhët e forcave Serbe, si vrasja e disa policëve apo civilëve, sepse në këtë mënyrë i hapej rruga përdorimit të "forcës së madhe dhe pa bërë dallim" ku janë vrarë edhe shumë civilë Shqiptarë së bashku me disa militantë të UCK-së.
Taniq ka thënë se këto taktika kanë shqetësuar shefin e policisë sekrete, Jovica Stanishiq, dhe shefin e shtabit të ushtrisë, Momcillo Perishiq. Duke dashur të shmangë këto figura, Taniq ka thënë se Millosheviq ka krijuar një "zinxhir komandimi privat" dhe se me ndihmën e të arrestuarit në Hagë, Nikola Sainoviq, zëvendës kryeministër federal dhe "dora e tij e djathtë" në Kosovë në atë kohë, ai vendosi disa njësi ushtarake dhe policore nën urdhërat e tij të drejtpërdrejtë.
Një letër që Perishiq ia ka dërguar Millosheviqit në mes të vitit 1998, të cilën Prokurori Geoffrey Nice e ka përfshirë si provë me ndihmën e dëshmitarit, e konfirmon një tezë të tillë. Në këtë letër, gjenerali proteston ndaj një "tendencë të vazhdueshme" drejt "dislokimit illegal" të njësive të ushtrisë, vendosjen e tyre "nën drejtimin e njerëzve inkompetentë" dhe përdorimin e pajisjeve dhe armëve të ushtrisë nga policia.
Perishiq dhe Stanishiq janë shkarkuar menjëherë pas kësaj letre, si pjesë e përgatitjeve për të ulur numrin e Shqiptarëve të Kosovës nën një million. Duke e ditur se një hap i tillë mund të shkaktonte një ndërhyrje të NATO-s, Millosheviq ka qenë i vendosur të largojë "disfatistët" të cilët mendonin se Jugosllavia nuk mund të bënte një luftë kundër "gjithë botës".
Dëshmia e Taniq dëshmon dyshimet e shumë vëzhguesve se në vitin 1999 Millosheviq, president ii Serbisë Milan Milutinoviq (edhe ky i akuzuar nga gjykata, por ende në postin e tij) dhe të tjerë drejtues të lartë në fakt "po e kërkonin vetë një bombardim të NATO-s".
Ai ka thënë se ai ka qenë present kur zëvendës kryeministri Serb, Vladimir Stambuk, në prezencë të ambasadorëve Gjerman dhe Britanik, ka thënë se Serbia nuk "është kundër bombardimeve në shkallë të vogël nga NATO-ja". Taniq ka thënë se kur ai ka kundërshtuar, Stambuk ishte përgjigjur se "bombardimet në shkallë të vogël" do ti jepnin Beogradit një "pretekst të shkëlqyer" për të vepruar ndaj Shqiptarëve të Kosovës dhe opozitës së brendëshme në Serbi.
Dëshmia e dëshmitarit konfirmon gjithashtu edhe përshtypjen se disa drejtues të vendeve anëtarë të NATO-s kanë qenë më të vendosur për të ndaluar bombardimet sesa vetë Millosheviqi. Strategjia e tij, sipas Taniq, ka qenë të "zgjaste luftën për të arritur kështu një fitore morale ndaj NATO-s duke përdorur viktimat civile". Ai ka thënë se ai ka qenë present kur Millosheviq i ka thënë Vuk Drashkoviqit, atëherë zëvendës kryeministër i Jugosllavisë, në telefon se "ishte shumë herët ende për ti dhenë fund konfliktit, sepse nevojiteshin viktima të tjera civile për të treguar se NATO ishte një organizatë kriminale".
Deklarata e fundit thekson edhe dilemën që rrethon dëshminë e Taniq - dhe kryesisht karakterin e tij. Në një deklaratë të tij të mëparëshme me shkrim për prokurorinë, dëshmitari fillimisht ka thënë se Millosheviqi i ka thënë këto fjalë "në një takim ballë përballë" me të. Përpara se të paraqitej në gjykatë, Taniq e ka ndryshuar deklarimin e tij duke thënë se ai e ka dëgjuar frazën rreth "viktimave civile" në një bisedë telefonike të cilën ka pasur me të akuzuarin. Më në fund, kur ka dhënë dëshminë e tij, ai ka thënë se Millosheviq nuk i ka përdorur këto fjalë në bisedë me të por me Vuk Drashkoviq në telefon, ndërsa ai dëgjonte bisedën në një altoparlant.
Millosheviq është përgjigjur në një seancë pyetjesh prej më tepër se pesë orë duke thënë se ai as nuk e kishte takuar ndonjehrë Taniq. Përpjekja e tij për të diksredituar karakterin dhe besueshëmrinë e dëshmitarit është përforcuar kur Dushko Mihajlloviq, president i ND-së dhe tani ministër i brendëshëm i Serbisë në koalicionin qeveritar DOS, ka përgënjeshtruar faktin që dëshmitari të ketë qenë ndonjëherë anëtar i ND-së. Në një deklaratë, partia ka thënë se Taniq nuk ka qenë kurrë më tepër se një "mbështetës" i saj dhe se nuk kishte përfaqësuar kurrë partinë në ndonjë bisedim për Kosovën.
Përpjekjet e ND-së për t'u distancuar nga Taniq nuk janë për t'u habitur. Partia është parë gjithnjë si një "krijesë" e Millosheviqit e cila ka qenë e mbushur me agjentë të policisë sekrete. Për më tepër, gjykata është kaq jo popullore në Serbi saq nuk është për t'u habitur që ND përpiqet të mohojë cdo lidhje me Serbin e parë i cili po dëshmon kundër Millosheviqit.
Taniq nuk është dukur i shqetësuar nga veprimet e ND-së. Ai ka thënë se në arkivat e partisë gjendeshin dokumenta të cilat kundërshtojnë deklarimet e tij dhe se mungesa e informacionit rreth përfshirjes së tij është një pasojë e natyrshme e aktiviteteve të tij të lidhura me policinë dhe shërbimet sekrete, të cilat, ka thënë ai "nuk mund të behen publike".
Taniq duke dëshmuar në gjykatë kundër Millosheviqit ka bërë shumë armiq në Serbi. Media e ka quajtur atë jo si një njeri të brendëshëm por si dikush i cili përpiqet të paraqesë veten si person i rëndësishëm, një sharlatan dhe një informator i policisë. Ai nuk ka pasur lidhje me qarqet vendim marrëse, thonë ato, dhe nuk mund të ketë pasur asnjë herë informacione të rëndësishme rreth të akuzuarit.
Këto sulme personale në media nuk mund të shpjegojnë apo të hedhin poshtë informacionin e vërtetë të brendëshëm që Taniq ka rreth Millosheviqit dhe planeve të tij për përdorimin illegal të ushtrisë, për spastrimin etnik dhe lojën cinike me viktimat civile - fakte të cilat edhe vetë Millosheviq nuk i ka kundërshtuar.
Një shpjegim i mundëshëm është se Taniq ka qenë i lidhur me disa njerëz të afërt të Millosheviqit - me siguri Stanishiq, Perishiq dhe Dushko Mihajlloviq, kryetari i Demokracisë së Re. Të tre këta kanë qenë njerëz të përkëdhelur të Millosheviqit, por asnjë prej tyre nuk dëshiron të vijë në Hagë për të dëshmuar kundër të akuzuarit. Taniq mund të shihet në këtë situatë si "njeriu i autorizuar" prej tyre, i cili ka pranuar të tregojë historitë e tyre para gjykatës, duke i lejuar ata të distancohen nga ai, sic ka bërë Mihajlloviq.
Tani problemi qëndron se si do të vlerësojnë gjykatësit këtë dëshmitar "zëvendësues". Duke gjykuar nga fakti që ata e kanë paralajmëruar vazhdimisht Millosheviqin të mos humbasë kohë me pyetje të parëndësishme dhe të përqëndrohet në "cështjet kryesore" të dëshmisë së Taniq, duke i dhënë atij edhe 90 minuta më tepër kohë të Martën, duket se ata e konsiderojnë dëshminë e tij si shumë të rëndësishme.
Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR-së në gjykatën e krimeve të luftës dhe kreyredaktor i Agjensisë së Lajmeve SENSE.