23 Vjet Burgim për Drejtuesin e një Kampi në Bosnje

Gjykatësit kanë vendosur përsëri se një tjetër i pandehur serb i Bosnjes meriton një dënim më të ashpër se sa kanë kërkuar prokurorët pas arritjes së një marrëveshjeje me të.

23 Vjet Burgim për Drejtuesin e një Kampi në Bosnje

Gjykatësit kanë vendosur përsëri se një tjetër i pandehur serb i Bosnjes meriton një dënim më të ashpër se sa kanë kërkuar prokurorët pas arritjes së një marrëveshjeje me të.

Për herën e dytë këtë muaj, gjykatësit në Hagë kanë dënuar një serb të Bosnjes me burgim më të gjatë se sa kishin kërkuar prokurorët.


Dragan Nikoliq, 46 vjec, i cili ka drejtuar kampin e përqëndrimit Susica në Vlasenica, është dënuar me 23 vjet burgim më 18 dhjetor, një dënim tetë vjet më i gjatë se sa kishin kërkuar prokurorët pas arritjes së një marrëveshjeje me anë të së cilës i pandehuri kishte pranuar fajësinë e tij.


Më 2 dhjetor, Momir Nikoliq, një oficer i ushtrisë së serbëve të Bosnjes i akuzuar se ka ndihmuar në organizimin e ekzekutimit të më tepër se 7,000 burrave dhe djemve muslimanë të Bosnjes, është dënuar me 27 vjet burgim megjithëse ai kishte arritur një marrëveshje ku kishte pranuar fajësinë në shkëmbim të një dënimi më të ulët, dhe prokurorët kishin kërkuar një dënim me 15 vjet burgim.


Dragan Nikoliq, i njohur nga viktimat e tij si “Jenki”, ka qenë personi i parë i akuzuar nga gjykata në nëntor të vitit 1994.


Ndaj tij janë ngritur 80 akuza për krime kundër njerëzimit, shkelje të rënda të konventës së Gjenevës, dhe shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës përfshirë burgosje, tortura, përdhunime dhe vrasje.


Mendohet se rreth 8,000 civilë musliman dhe të tjerë jo serbë nga Vlasenica dhe fshatrat përreth janë internuar në kampin e Susica ndërmjet majit dhe tetorit të vitit 1992, përfshirë gra dhe vajza, disa prej tyre në moshë vetëm tetë vjecare. Shumica e grave dhe fëmijëve janë dëbuar me forcë në zonat muslimane, por shumë prej burrave janë mbajtur të burgosur dhe pastaj janë vrarë.


Vetë Nikoliq, ashtu si edhe shumë të tjerë, ka rrahur vazhdimisht të burgosurit me shofra hekuri, doreza sopatash, qyta pushkësh, tuba metalik, drunj, tuba gome me hekur brenda dhe shkopinj druri. Rojet shpesh i nxirrnin gratë jashtë kampit gjatë natës dhe i përdhunonin.


Ai është arrestuar nga trupat e NATO-s në Bosnje më 21 prill, 2000 dhe fillimisht nuk ka pranuar fajësinë për asnjë nga akuzat.


Avokatët e Nikoliq kanë shpenzuar disa muaj duke ngritur objeksione në lidhje me rrethanat e arrestimit të tij. Ai thuhet se është ndaluar në Serbi nga njerëz të panjohur të cilët kanë qenë të maskuar. Ata e kanë dërguar atë në Bosnje, ku është marrë në dorëzim nga trupat e NATO-s të SFOR.


Avokatët e tij kanë thënë se arrestimi i tij ka qenë i paligjshëm, dhe për pasojë gjykata nuk duhet të kishte juridiksion mbi rastin e tij. Trupi gjykues ka hedhur poshtë thëniet e avokatëve mbrojtës dhe ka vendosur që gjyqi mund të vazhdojë.


Ndoshta duke e ditur që kishte shumë prova ndaj tij – shumë të mbijetuar nga Susica kishin pranuar të dëshmonin kundër tij – Nikoliq ka ndryshuar vendimin e tij pak kohë përpara fillimit të procesit në fillim të shtatorit 2003, duke pranuar fajësinë për pothuajse të gjitha akuzat.


Gjatë seancës së dënimit, Nikoliq ka thënë se ai ishte penduar për të gjitha sa kishte bërë dhe se pranonte përgjegjësinë për krimet e tij.


Prokurorët kishin rekomanduar një dënim me 15 vjetë.


Megjithatë, në vendimin e tyre, tre gjykatësit kanë injoruar rekomandimin e prokurorëve.


Duke thënë se trupi gjykues nuk ishte i detyruar të zbatonte asnjë rekomandim për të shkak të marrëveshjes së arritur, kryetari i trupit gjykues, Eolfgang Schomburg ka deklaruar se “Brutaliteti, numri i krimeve të kryera dhe mendimi për të turpëruar dhe degraduar të burgosurit do të bënte të padrejtë dënimin e rekomanduar nga prokurorët”.


Ai ka shtuar se “jo vetëm që është e arësyeshme dhe e përgjëgjeshmë, por edhe e domosdoshme në interes të viktimave, të afërmve të tyre dhe komunitetit ndërkombëtar, për të dhënë një dënim më të gjatë se sa ai i rekomanduar nga prokurorët”.


Megjithëse gjykatësit kanë thënë se i pandehuri ka bashkëpunuar plotësisht me prokurorët, natyra “vecanërisht brutale” e krimeve të Nikoliq dhe fakti shqetësues që mesa duket ai është kënaqur duke torturuar viktimat e tij është një faktor shumë rëndues.


Schomburg ka thënë se Nikoliq jo vetëm ka lejuar përdhunimin, torturimin dhe vrasjen e të burgosurve, por edhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në këto krime. Më pas ai ka lexuar emrat e nëntë burrave që Nikoliq i ka vrarë me dorën e tij.


Gjykatësi ka thënë se Nikoliq meritonte të dënohej me burgim të përjetëshëm, por pranimi i fajit është marrë parasysh si një faktor lehtësues, duke e ulur dënimin në 23 vjet burgim.


Nikoliq ka qëndruar i qetë ndërsa është lexuar vendimi, dhe më pas është larguar nga salla e gjyqit pa folur me avokatët e tij.


Mbrojtja nuk ka thënë ende nëse ajo mendon të apelojë vendimin.


Stacy Sullivan është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists